Trajnimi për Programin Mësimor
Trajnimi për Vlerësimet


“Trajnimi për Vlerësimet”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit (2025)

klasa e seminarit

Trajnimi për Vlerësimet

Hyrje

Vlerësimi është pjesë e rëndësishme e të mësuarit. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi rëndësinë e vlerësimit kur përshkroi rolin e provimeve, në të mësuarit akademik.

Plaku Dejvid A. Bednar

“Provimet periodike janë absolutisht thelbësore për të mësuarit. Një provim i efektshëm na ndihmon ta krahasojmë atë që kemi nevojë ta dimë, me atë që vërtet dimë rreth një teme konkrete; ai siguron edhe një standard me të cilin ne mund të vlerësojmë të mësuarit dhe zhvillimin tonë” (Dejvid A. Bednar, “Ne do t’i Provojmë me Këtë,” Liahona, nëntor 2020, f. 8).

Vlerësimi në seminar kryen një qëllim të ngjashëm si provimet në të mësuarit akademik. Vlerësimi mund t’i ndihmojë nxënësit të demonstrojnë njohuritë shpirtërore, të kuptuarit dhe përkushtimin e tyre ndaj Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Këto lloje vlerësimesh formuese mund t’i ndihmojnë nxënësit që të bëhen më të vetëdijshëm për atë që po mësojnë dhe se si po rriten.

meme Dallimi i të Mësuarit dhe Rritjes

Dallimi i të mësuarit dhe rritjes së tyre mund të jetë një përvojë shpërblyese dhe nxitëse për nxënësit. Kjo është e ngjashme me rastin kur një vrapuese konkurruese e sheh kohën e saj në një kronometër ose kur një fëmijë i vogël sheh rritjen e tij në një tabelë për gjatësinë. Nxënësit shpesh nuk e kuptojnë se si po rriten nëse nuk kanë mundësi sistematike për të vlerësuar të mësuarit e tyre. Edhe mundësitë për të parë se ata nuk kanë bërë asnjë përparim apo edhe se kanë bërë hapa prapa në rritjen e tyre mund të jenë përvoja të vlefshme të të mësuarit. Vlerësimet e rregullta mund të ftojnë më shumë zbulime vetjake në jetën e tyre dhe t’i ndihmojnë nxënësit të krijojnë plane për rritjen dhe të mësuarit në të ardhmen. Disa shembuj të veprimtarive të vlerësimit në programin mësimor të seminarit përfshijnë mësimet në pjesën “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” dhe ushtrimet për zotërimin doktrinor. Ky trajnim do të përqendrohet te veprimtaritë për vlerësimin që gjenden te mësimet në pjesën “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”.

Mësimet e Pjesës “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”

Gjatë gjithë programit mësimor të seminarit do të gjeni mësime nga pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. Këto mësime janë planifikuar gati çdo katër deri në gjashtë javë dhe u japin nxënësve një mundësi për të vlerësuar veten mbi rezultatet e të mësuarit në nivel kursi. Këto rezultate të të mësuarit në nivel kursi i ndihmojnë nxënësit:

  • Të shpjegojnë doktrinën që kanë mësuar.

  • Të reflektojnë mbi ndjenjat, qëndrimet dhe dëshirat e tyre lidhur me planin e Atit Qiellor dhe ungjillin e Jezu Krishtit.

  • Të rishikojnë planet ose synimet me të cilat po punojnë për ta vënë në zbatim atë që po mësojnë dhe për ta thelluar dishepullimin e tyre ndaj Jezu Krishtit.

Mund të jetë e dobishme të gjeni kohë për t’i hedhur një sy njërit apo më shumë mësimeve nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” për t’u njohur me to. Ndërsa i hidhni një sy njërit apo dy mësimeve, vini re se çdo mësim fillon në një mënyrë të përgjithshme, duke u dhënë nxënësve një mundësi për të treguar çdo gjë që kanë mësuar kohët e fundit nga studimi i tyre i shkrimeve të shenjta në mënyrë individuale, me familjen, në mbledhjet e Kishës ose në seminar. Më pas, hidhini një sy secilës prej veprimtarive të vlerësimit në mësimin nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. Kushtojini vëmendje të veçantë mënyrës se si çdo veprimtari vlerësuese:

  • Paraprihet nga një titull që tregon rezultatin e të mësuarit në nivel kursi.

  • I referohet përvojave të të mësuarit nga mësimet e mëparshme në programin mësimor.

  • U jep nxënësve një mundësi për të bërë diçka për të demonstruar të mësuarit e tyre.

meme Njihini Qartë Rezultatet e të Mësuarit

Është e rëndësishme të kini parasysh se të mësuarit e nxënësve mund të përshpejtohet kur nxënësit e kuptojnë qartë se cili është rezultati për një veprimtari mësimore dhe u jepet një mundësi për të demonstruar të mësuarit e tyre. Një analogji mund të ndihmojë për ta ilustruar këtë. Nëse një i ri po mëson se si të gjuajë me hark e shigjetë, ai ka nevojë për një objektiv të qartë për të goditur, si dhe trajnim se si ta pozicionojë shigjetën, ta mbajë harkun, ta fiksojë objektivin dhe ta lëshojë shigjetën. Nëse nuk i jepet kurrë mundësia që të provojë ta gjuajë shigjetën, ai kurrë nuk do ta dijë nëse ka mësuar. Vetëm kur e lëshon shigjetën, e sheh qartë nëse e goditi objektivin apo jo. E njëjta gjë është e vërtetë në një përvojë të të mësuarit të ungjillit. Nxënësit kanë nevojë për udhëzime dhe ndihmë, por kanë nevojë edhe për mundësi për të treguar në praktikë të mësuarit e tyre. Mënyra se si nxënësit e demonstrojnë të mësuarit e tyre, duhet të lidhet qartë me rezultatin. Çdo përvojë mësimore në programin mësimor është hartuar me këtë gjë në mendje; sidoqoftë, ajo tregohet edhe më qartë në mësimet nga pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. Merrni parasysh t’u tregoni nxënësve se cilat janë rezultatet e të mësuarit në secilin prej këtyre mësimeve.

Mësuesit dhe shokët/shoqet e klasës mund të jenë një burim për t’i ndihmuar nxënësit të dallojnë më qartë të mësuarit e tyre. Ju si mësues/e mund të jepni përshtypje për përparimin që ata po bëjnë ose po përpiqen të bëjnë. Ju mund të rrihni mendime ose të tregoni përvoja nga vetë jeta juaj. Mbani në mendje se nuk duhet të jetë një pritshmëri që nxënësit t’jua raportojnë synimet ose planet e tyre juve apo pjesës tjetër të klasës. Disa nga këto synime dhe plane mund të jenë shumë vetjake. Megjithatë, mund të ketë raste kur një nxënës/e ndihet rehat t’jua tregojë planet ose qëllimet e tij apo të saj. Këshillohuni së bashku me nxënësit kur është e përshtatshme. Mund të ketë raste të tjera kur një nxënës duhet të ridrejtohet te prindërit, një peshkop apo një president dege.

Disa veprimtari në mësimet te pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”, janë krijuar që nxënësit t’u tregojnë shokëve/shoqeve të klasës mendimet dhe përvojat e tyre, ndërsa veprimtaritë e tjera janë më vetjake. Për shembull, kur nxënësit janë duke shpjeguar doktrinën, kjo mund të jetë një kohë e mirë për t’i vënë ata të punojnë së bashku për të ushtruar shpjegimin ose interpretimin me role. Kur nxënësit po i vlerësojnë ndjenjat, qëndrimet dhe dëshirat e tyre, kjo mund të jetë një veprimtari më e përshtatshme për reflektim vetjak.

meme Fryma e Shenjtë si Shoqërues

Më e rëndësishmja, ndërsa i jepni këto mësime, ftojini nxënësit të kërkojnë ndihmë dhe udhëheqje nga Ati i tyre në Qiell nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Nuk ka shoqërues më të mirë sesa Fryma e Shenjtë për t’i ndihmuar nxënësit që të shohin qartësisht se si po mësojnë e po rriten në shtegun e tyre të kthimit tek Ati Qiellor. Jepuni nxënësve mundësi sistematike për të kërkuar ndihmën e Frymës së Shenjtë në vlerësimin e të mësuarit dhe rritjes së tyre si dishepuj të Jezu Krishtit.

Krediti i Kursit për Vlerësimin

Nxënësit duhet të marrin pjesë në të paktën një orë mësimi nga pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” gjatë çdo gjysme të kursit, për të marrë kredit për diplomimin në seminar.

Nëse gjatë semestrit nxënësit nuk ndjekin asnjë orë mësimi nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”, do t’ju duhet që t’u siguroni atyre mësimin e duhur nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” i cili gjendet në shtojcën e manualit të mësuesit të seminarit. “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj, Pjesa 1” mund t’u jepet nxënësve për të bërë vlerësimin për gjysmën e parë të kursit. “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj, Pjesa 2” mund t’u jepet nxënësve për të bërë vlerësimet për gjysmën e dytë të kursit. Ftojini nxënësit të shënojnë përgjigjet e tyre për secilën nga veprimtaritë e vlerësimit. Nxitini ata që gjithashtu t’ua tregojnë përgjigjet e tyre që nuk janë shumë vetjake, një prindi, vëllai ose motre apo një udhëheqësi të Kishës. Kjo mundësi që nxënësit të shprehen, mund ta lejojë Frymën e Shenjtë që t’u mësojë dhe t’u dëshmojë atyre për të vërtetat e ungjillit dhe t’i ftojë ata të ndërmarrin hapa shtesë në dishepullimin e tyre të qendërzuar te Krishti. Kur t’jua kthejnë fletën, mund t’i ftoni gjithashtu të tregojnë një ose dy nga përgjigjet e tyre nëse nuk janë shumë vetjake.

Përshtatja e Mësimeve te Pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”

Me raste, mund t’ju nevojitet që t’i përshtatni mësimet te pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. Për shkak të orarit të shkollës, nxënësit mund të mos kenë studiuar një mësim i cili përmendet te një mësim në pjesën “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. Mund të ketë gjithashtu raste kur një e vërtetë ishte veçanërisht domethënëse për nxënësit, por nuk u trajtua në mësimin nga pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. Në këto raste, do t’ju nevojitet ta zëvendësoni njërën prej veprimtarive në mësimin “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” me një veprimtari që e krijoni vetë për të vlerësuar të kuptuarit ose përparimin e nxënësve për atë temë.

Hapat vijues mund t’ju ndihmojnë ta përshtatni ose krijoni një veprimtari të efektshme vlerësimi.

  • Hapi 1: Fillojeni duke përcaktuar qëllimin e mësimit të cilin do të donit ta vlerësoni.

    Çdo qëllim i mësimit është i renditur në fjalinë e fundit të paragrafit hyrës të atij mësimi dhe në dokumentin e vështrimit të përgjithshëm për javën.

  • Hapi 2: Merrni parasysh se çfarë mund të bëjnë nxënësit për të vlerësuar rritjen dhe të mësuarit e tyre për qëllimin e atij mësimi. Shembujt përfshijnë sa vijon:

    • Të kuptuarit: Nxënësit mund të japin mësim ose shpjegojnë një koncept doktrinor qoftë me gojë apo me shkrim. Kjo mund të realizohet në mënyra të ndryshme, si për shembull në përgjigje ndaj një skenari ose një kërkese ditari.

    • Ndjenjat, qëndrimet ose dëshirat: Nxënësit ndoshta u ftuan një mësim më parë për të vlerësuar ndjenjat, qëndrimet ose dëshirat e tyre nëpërmjet një shënimi në ditar, anketë ose metodë tjetër. Nëse po, nxënësit mund të ftohen ta kryejnë përsëri atë veprimtari. Më pas ata mund t’i krahasojnë përgjigjet e tyre nga mësimi i mëparshëm me përgjigjet e tyre gjatë mësimit nga pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”.

    • Vënia në zbatim: Nxënësit mund ta rishikojnë atë që iu la mbresa të bënin ose planin që e krijuan si pjesë të një mësimi. Ata më pas mund të reflektojnë për mënyrën se si vepruan sipas atij plani. Disa nxënës që janë të gatshëm, mund të tregojnë përvojat e tyre nëse nuk janë shumë vetjake. Ata mund të demonstrojnë edhe diçka që e kanë bërë, të tillë si përdorimi i programit kompjuterik të Pemës Familjare në FamilySearch ose përdorimi i një zotësie në studimin e shkrimeve të shenjta.

Përpiquni të gjeni mënyra për t’i bërë veprimtaritë kuptimplote dhe të këndshme. Gjithashtu, jepuni mjaft kohë nxënësve për të reflektuar dhe vlerësuar rritjen e tyre. Veprimtaritë nuk duhet t’i bëjnë nxënësit që ta krahasojnë rritjen e tyre me njerëz të tjerë, por t’i ndihmojnë ata të vlerësojnë përvojën e tyre vetjake. Disa nxënës mund të jenë të zhgënjyer me rritjen e tyre aktuale. Ndihmojini të kuptojnë se këto vlerësime nuk duhet të shihen kurrë si përfundimtare. Përkundrazi, nxënësit duhet të inkurajohen gjithmonë që të marrin në konsideratë se cili mund të jetë hapi tjetër në të mësuarit ose rritjen e tyre dhe si mund t’i drejtohen Zotit për ndihmë.

Shënim: Mësuesit/et e seminarit mund t’i përmirësojnë mësimet e ardhshme te pjesa “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” duke përfshirë veprimtari vlerësimi që lidhen me kategoritë nga “Përgatitja për Jetën” që nxënësit i kanë studiuar së fundmi në seminar. Ata ose mund t’i shtojnë këto veprimtari te mësimet në pjesën “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj” ose mund të zëvendësojnë vlerësimet ekzistuese. Ju mund të gjeni vlerësime të sugjeruara për secilën kategori të mësimeve “Përgatitja për Jetën” në shtojcën e manualit të mësuesit të seminarit.

Përfundimi

meme Kavanozi kundrejt Zjarrit

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, u mësoi mësuesve se “një student nuk është një enë për t’u mbushur; një student është një zjarr për t’u ndezur” (“Angels and Astonishment”, [transmetimi i trajnimit të Sistemit Arsimor të Kishës], 12 qershor 2019, broadcasts.ChurchofJesusChrist.org). Mundësitë që kanë nxënësit si pjesë e veprimtarive të vlerësimit në seminar, janë një mënyrë e rëndësishme për t’i nxitur nxënësit në të mësuarit e tyre. Ato mund të ndihmojnë për ndezjen e një dëshire për të thelluar kthimin në besim të nxënësve te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Dhënia e një mundësie që nxënësit të shpjegojnë doktrinën, të reflektojnë mbi ndjenjat, qëndrimet dhe dëshirat e tyre dhe të rishikojnë planet ose synimet me të cilat po punojnë, do t’i ndihmojë ata në përpjekjet për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti.