Trajnimi për Programin Mësimor
Trajnimi për Mësimet nga “Përgatitja për Jetën”


“Trajnimi për Mësimet nga ‘Përgatitja për Jetën’”, Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit (2025)

të reja duke studiuar shkrimet e shenjta

Trajnimi për Mësimet nga “Përgatitja për Jetën”

Vështrim i Përgjithshëm

Pasi i përgëzoi mësuesit për përpjekjet e tyre për të bekuar rininë, Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë tha: “Por [nxënësit tanë] kanë nevojë për më shumë. Shumë të diplomuar të seminarit nuk arrijnë të kualifikohen për fushën e misionit. Shumë nga nxënësit tanë besnikë nuk i marrin kurrë bekimet e ordinancave të tempullit. Përqindja e atyre tragjedive mes tyre do të rritet nëse nuk ndryshojmë” (“We Must Raise Our Sights” [Konferencë e SAK‑ut, 14 gusht 2001], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]).

Kanë kaluar më shumë se 20 vjet që kur Presidenti Ajring e dha atë deklaratë. Rinia jonë përballet me sfida dhe kundërshtime edhe më të mëdha, jo vetëm ndaj besimit të tyre, por edhe në fusha të tjera të jetës së tyre. Mësimet nga “Përgatitja për Jetën” janë hartuar për të trajtuar nevojat e të rinjve e të rejave të këtij brezi. Këto mësime nga “Përgatitja për Jetën”, u japin mundësi nxënësve për të vënë në jetë mësimet e Shpëtimtarit që:

  • Të përballojnë pyetjet e vështira dhe rrethanat sfiduese të jetës.

  • Të ndërtojnë mbështetjen te vetja për veten e tyre dhe familjen.

  • Të bëhen më të shëndetshëm fizikisht dhe emocionalisht.

  • Të zhvillojnë aftësi për të dalë me sukses në shkollë.

  • Të bëjnë plane për t’u përgatitur për arsimimin dhe punësimin e ardhshëm.

  • Të përgatiten për shërbimin misionar dhe në Kishë.

  • Të përgatiten për të bërë e mbajtur besëlidhjet në tempull.

Këto mësime do të ndihmojnë të trajtohen sfidat me të cilat përballen të rinjtë e të rejat në një mënyrë të qendërzuar te Krishti, të bazuar te shkrimet e shenjta dhe të përqendruar te nxënësit, që është e drejtuar nga Shpirti. Së bashku me mësimet nga “Kursi për Shkrimet e Shenjta”, mësimet nga “Përgatitja për Jetën” mund t’i ndihmojnë nxënësit ta thellojnë besimin te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i rivendosur.

Mësimet nga “Përgatitja për Jetën” dhe Objektivi i Tyre

Në këtë trajnim, ju do të keni mundësinë të hulumtoni se si mësimet te “Përgatitja për Jetën” janë hartuar që të arrini objektivat për SeI-në, ashtu siç bëjnë mësimet te materiali “Kursi për Shkrimet e Shenjta”. Çdo mësim te “Përgatitja për Jetën” u shkrua sipas standardeve vijuese në paragrafin “Jep Mësim” të objektivave të SeI-së.

Ne e [qendërz]ojmë çdo përvojë të të mësuarit te Jezu Krishti dhe te shembulli, cilësitë dhe fuqia e Tij shëlbuese. Ne i ndihmojmë nxënësit dhe studentët të mësojnë ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, siç gjendet në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Ne i ndihmojmë nxënësit dhe studentët ta përmbushin rolin e tyre për të mësuar vetë. Ne përpiqemi fort ta ftojmë Frymën e Shenjtë që të përmbushë rolin e Tij në çdo përvojë të të mësuarit.

Mësimet te “Përgatitja për Jetën” Ndihmojnë për të Arritur Objektivat e SeI-së

Përkufizoni

Ndërsa përgatitni mësime, përfshirë mësimet te “Përgatitja për Jetën”, mund të jetë e dobishme të kërkoni se si e përmbush mësimi secilën prej fjalive te paragrafi “Jep Mësim” i objektivit.

Modeli

Më poshtë janë dy përzgjedhje nga mësimet te “Përgatitja për Jetën” për vitin 2025. Përzgjedhja e parë është një mësim nga pjesa “Shëndeti Fizik dhe Emocional” i titulluar “Zhvillimi i Modeleve të Shëndetshme të të Menduarit”. Përzgjedhja e dytë është një mësim nga “Arritja e Suksesit në Shkollë” e titulluar “Zbulimi i Pikave Tuaja të Forta dhe i Aftësive Tuaja”. Shikoni se si këto veprimtari mësimore, të cilat përqendrohen në tema shumë të ndryshme, janë hartuar për të përmbushur objektivin e SeI-së.

Mësimi 186: Zhvillimi i Modeleve të Shëndetshme të të Menduarit

I qendërzuar te Krishti: Ja ku janë disa shembuj nga ky mësim që ndihmojnë për ta qendërzuar përvojën e të mësuarit te Jezu Krishti. Vini re se si te këta shembuj, nxënësve u kërkohet që ta kërkojnë ndihmën e Shpëtimtarit dhe të mësojnë nga shembulli dhe mësimet e Tij.

  • Ju mund t’u tregoni nxënësve tuaj se ata do të ushtrojnë që ta ftojnë ndihmën e Shpëtimtarit të korrigjojnë mendime të pasakta ose të pashëndetshme.

  • Çfarë mendon se do të thotë të shohim te Jezu Krishti në mendimet tona? (Disa shembuj përfshijnë sa vijon: përsiatjen se si mund të veprojë Shpëtimtari në situatat me të cilat përballemi, kërkimin e mënyrës se si mësimet e Tij mund të zbatohen në atë situatë, dhe të kujtuarit e dashurisë së Tij.)

I bazuar te shkrimet e shenjta: Këtu janë disa shembuj nga ky mësim që i ndihmojnë nxënësit të mësojnë nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Vini re se nxënësve u janë dhënë mundësi për të studiuar shkrimet e shenjta dhe se fjalët e Presidentit Rasëll M. Nelson mund t’i ndihmojnë nxënësit ta kuptojnë këtë shkrim të shenjtë.

  • Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 6:36, duke kërkuar atë që Zoti na fton të bëjmë.

  • Duke folur për këtë shkrim të shenjtë, Presidenti Nelson dha mësim: “Përqendrimi ynë duhet të ngulitet te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kërkon një përpjekje të madhe mendore që të shohësh tek Ai në çdo mendim. Por kur ne e bëjmë këtë, dyshimet tona dhe frika jonë largohen” (Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 41).

I përqendruar te nxënësi: Ja ku janë disa shembuj nga ky mësim që i ndihmojnë nxënësit të përmbushin rolin e tyre për të mësuar vetë. Vini re se nxënësit ftohen të dallojnë vetë nevojat e tyre për t’i nxitur ata që të përfshihen në përvojën e të mësuarit. Nxënësit gjithashtu ftohen të shprehin mendimet dhe idetë e tyre të pashoqe.

  • Ftojini nxënësit të përsiatin se sa shpesh i marrin në shqyrtim modelet e tyre të të menduarit dhe nëse ato modele priren të jenë të dobishme apo të sakta.

  • Çfarë ju bën përshtypje nga thënia e Presidentit Nelson?

I drejtuar nga Shpirti: Ja ku është një shembull i një mënyre se si mësimi mund ta ftojë Frymën e Shenjtë që të përmbushë rolin e Tij në përvojën e të mësuarit. Mësuesit nxiten që të jenë të qëllimshëm rreth ftesës ndaj nxënësve që të kërkojnë udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë. Ftesa të tilla mund t’i ndihmojnë nxënësit në përpjekjet e tyre për të marrë frymëzim nga Fryma e Shenjtë në të mësuarin e tyre.

  • Ftojini nxënësit të kërkojnë udhërrëfim nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të kuptuar më mirë modelet e tyre të të menduarit, veçanërisht kur u përgjigjen situatave sfiduese.

Mësimi 193: Zbulimi i Pikave Tuaja të Forta dhe i Aftësive Tuaja

I qendërzuar te Krishti: Ja ku janë disa shembuj nga ky mësim që ndihmojnë për ta qendërzuar përvojën e të mësuarit te Jezu Krishti. Vini re se si të vërtetat me germa të zeza në këtë mësim lidhen me Krishtin dhe i ftojnë nxënësit t’i drejtohen Atij për ndihmë. Nxënësve u sillet në kujtesë edhe identiteti i tyre hyjnor dhe se pikat e forta dhe aftësitë që ata kanë, janë shfaqje të dashurisë dhe mëshirës së Perëndisë.

  • Nxënësit mund të vënë në dukje të vërteta të ngjashme me sa vijon: Zoti nuk shikon pamjen e jashtme por zemrën (shihni te 1 Samuelit 16:7). Ne mund t’i bëjmë të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili mund të na forcojë (shihni te Filipianëve 4:13; Alma 26:12). Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë (shihni te (Doktrina e Besëlidhje 18:10).

  • Kujtojuni nxënësve se si fëmijë të Perëndisë të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, secili prej nesh është i bekuar me pika të forta dhe aftësi të ndryshme. Mund të ketë nxënës që e kanë të vështirë t’i dallojnë pikat e forta dhe aftësitë me të cilat i ka bekuar Perëndia.

I bazuar te shkrimet e shenjta: Këtu janë disa shembuj nga ky mësim që i ndihmojnë nxënësit të mësojnë nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve. Vini re se shkrimet e shenjta që nxënësit do të studiojnë, janë përzgjedhur qëllimisht për t’i drejtuar nxënësit te Jezu Krishti për të kërkuar ndihmën e Tij. Më pas nxënësit kanë një mundësi për të studiuar këshilla nga një Apostull rreth mënyrës se si të zbulojnë disa nga dhuratat që u janë dhënë nga Perëndia.

  • Studiojini disa nga fragmentet e mëposhtme, duke kërkuar të vërteta të përjetshme që mund të na ndihmojnë të dallojmë aftësinë tonë për ta arritur potencialin tonë nëpërmjet Jezu Krishtit. 1 Samuelit 16:7; Filipianëve 4:13; Jakobi [LiM] 4:7; Alma 26:12; Doktrina e Besëlidhje 18:10.

  • Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi disa nga mënyrat se si mund t’i dallojmë talentet, pikat e forta dhe aftësitë me të cilat na ka bekuar Ati ynë Qiellor: “Talentet që na ka dhënë Perëndia, fillimisht bëhen të dukshme në interesat që ndjekim. Nëse jeni duke e pyetur veten për talentet tuaja, bëni një listë të gjërave që ju pëlqen të bëni. Përfshijini të gjitha veprimtaritë që ju pëlqejnë nga shtrirje të ndryshme të jetës suaj – shpirtërore, muzikore, skenike, akademike, atletike etj. Studiojeni dhe përsiateni bekimin tuaj patriarkal për njohuri e frymëzim. Këshillohuni me pjesëtarë të familjes, miq, mësues dhe udhëheqës të besuar; të tjerët shpesh mund të shohin te ne atë që e kemi të vështirë ta shohim te vetja” Parables of Jesus: The Parable of the Talents”, Ensign, gusht 2003, f. 34).

I përqendruar te nxënësi: Ja ku janë disa shembuj nga ky mësim që i ndihmojnë nxënësit të përmbushin rolin e tyre për të mësuar vetë. Vini re se si këto veprimtari i ndihmojnë nxënësit të mendojnë për përvojat dhe rrethanat e tyre. Ato synojnë t’i ndihmojnë nxënësit të ndihen të nxitur për t’i investuar zemrat dhe mendjet e tyre në përvojën e të mësuarit për të trajtuar nevojat që i kanë aktualisht. Nxënësit kanë gjithashtu një mundësi të mendojnë rreth sfidave reale me të cilat përballen, dhe se si mund t’i ndihmojnë ata të vërtetat që gjenden në shkrimet e shenjta.

  • Mendoni për përgjegjësitë ose mundësitë e punësimit që jeni të interesuar të ndiqni në të ardhmen. Gjithashtu përpiquni të përcaktoni zotësitë dhe aftësitë që nevojitet t’i zhvilloni, të cilat do t’ju ndihmojnë të përgatiteni më mirë për të ardhmen.

  • Si mund të na ndihmojnë këto të vërteta kur ndihemi të shkurajuar për aftësitë tona?

I drejtuar nga Shpirti: Ja ku është një shembull i një mënyre se si mësimi mund ta ftojë Frymën e Shenjtë që të përmbushë rolin e Tij në përvojën e të mësuarit. Vini re se nxënësit ftohen të kërkojnë frymëzim nga Fryma e Shenjtë për të parë më qartë nevojat e tyre aktuale dhe hapat e ardhshëm për t’u përgatitur më mirë për jetën.

  • Ndërsa studioni sot, kërkoni drejtimin e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për t’ju ndihmuar të përcaktoni pikat e forta dhe aftësitë që tashmë i keni të cilat mund t’ju përgatitin për këto përgjegjësi.

Ushtrohuni

Përcaktoni një mësim nga “Përgatitja për Jetën” të cilin do ta jepni mësim shpejt, bazuar në udhëzuesin tuaj vendor të ritmit. Shqyrtojeni këtë mësim duke kërkuar përgjigjet për pyetjet në vijim:

  • Si qendërzohet përvoja e të mësuarit te Jezu Krishti?

  • Si i ndihmon mësimi nxënësit që të mësojnë për ungjillin e Jezu Krishtit siç gjendet në shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve?

  • Si i ndihmon mësimi nxënësit që të përmbushin rolin e tyre për të mësuar vetë?

  • Si ndihmon mësimi për ta ftuar Frymën e Shenjtë që të përmbushë rolin e Tij në përvojën e të mësuarit?

Komunikimi i Qartë i Planifikimit të Mësimeve

Mund të jetë pështjelluese për nxënësit që një ditë të kenë një mësim nga “Kursi për Shkrimet e Shenjta” dhe më pas të nesërmen një mësim nga “Përgatitja për Jetën”. Kur nxënësve u jepet një fushëpamje më e gjerë e asaj që do të studiojnë gjatë javës, kjo mund t’i ndihmojë ata të përgatiten më mirë për të mësuar. Zotësitë e mëposhtme janë disa mënyra se si mund ta bëni këtë. Nëse vëreni se nxënësit tuaj janë të pështjelluar kur kaloni në lloje të ndryshme mësimesh, mund të provoni një ose më shumë nga këto sugjerime apo diçka që e mendoni vetë. Ky trajnim do t’ju ndihmojë:

  • Të komunikoni qartë se çfarë do të jepet mësim gjatë javës dhe arsyen përse.

  • Të komunikoni qartë gjatë javës se kur mësimi ose tema kalon nga “Kursi për Shkrimet e Shenjta” te mësimet nga “Përgatitja për Jetën”.

Komunikoni Qartë se Çfarë do të Jepet Mësim gjatë Javës dhe Arsyeja Përse

Përkufizoni

Në fillim të çdo jave, ju mund t’i njihni nxënësit me mësimet dhe temat e planifikuara për çdo ditë të javës. Kur nxënësit e kuptojnë drejtimin për javën dhe qëllimet e mësimit, ata mund të jenë më të përgatitur për t’u përfshirë në përvojën e të mësuarit. Një mënyrë se si mund të komunikoni se çfarë do të jepet mësim gjatë javës, është duke e shfaqur titullin e secilit prej mësimeve të asaj jave, së bashku me një përmbledhje të shkurtër të asaj që nxënësit mund të presin të mësojnë në ato mësime.

Modeli

Nxënës, jam i/e emocionuar për mësimet e ardhshme këtë javë. [Mësuesi/ja paraqet një grafikë të tabelës vijuese]

E hënë

Doktrina e Besëlidhje 3

E martë

Doktrina e Besëlidhje 4

E mërkurë

Doktrina e Besëlidhje 5

E enjte

Mësimi nga “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”

E premte

Mbajtja Nën Kontroll e Stresit dhe Ankthit

Këtë javë nga e hëna deri të mërkurën ne do të studiojmë seksionet 3–5 te Doktrina e Besëlidhje. Këto ishin kohë stresuese për Profetin Jozef Smith ndërsa ai kaloi nëpër sprova shumë të vështira. Nga këto seksione, ne do të mësojmë të vërteta të rëndësishme që Perëndia i zbuloi, të cilat mund të na ndihmojnë të drejtohemi te Jezu Krishti dhe të qëndrojmë të patundur gjatë periudhave stresuese. Të enjten, do të keni një mundësi të reflektoni mbi atë që po mësoni në një orë mësimi nga materiali “Vlerësoni të Mësuarit Tuaj”. Të premten, ne do të diskutojmë se si t’ia dalim me stresin dhe ankthin, me ndihmën dhe forcën e Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Ushtrohuni

Shikoni udhëzuesin tuaj për ritmin dhe vështrimin e përgjithshëm të javës pasuese. Shkruajeni atë që mund të bëni për të komunikuar qartë atë që do të jepet mësim gjatë javës.

Komunikoni Qartë gjatë Javës se Kur Mësimi ose Tema Kalojnë nga Mësimet te “Kursi për Shkrimet e Shenjta” te Mësimet nga “Përgatitja për Jetën”

Përkufizoni

Kur kaloni nga mësimet te “Kursi për Shkrimet e Shenjta” te Mësimet nga “Përgatitja për Jetën”, ju mund t’u tregoni nxënësve temën dhe qëllimin e mësimit të asaj dite. Mund të jetë e dobishme të tregoni se si mësimi dhe përmbajtja janë të ngjashme ose të ndryshme nga ora e mëparshme e mësimit. Nuk është e nevojshme ta bëni këtë çdo herë, por ndonjëherë mund të jetë e dobishme që nxënësit t’i kuptojnë qëllimin dhe drejtimin.

Modeli

Më poshtë do të shihni një model ku qëllimet e mësimit nga “Kursi për Shkrimet e Shenjta” dhe “Përgatitja për Jetën” përputhen më mirë dhe një tjetër ku nuk përputhen.

  1. Këtë javë, ne kemi mësuar rreth disa situatave shumë stresuese me të cilat u përball Profeti Jozef. Ju kujtohet se cilat ishin disa prej tyre? [Përgjigjet e nxënësve] Tani ne do të kalojmë nga studimi rreth këtyre rrëfimeve te Doktrina e Besëlidhje në studimin e shkrimeve të shenjta dhe fjalëve të udhëheqësve të Kishës për t’ju ndihmuar që të gjeni forcë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për përballimin e situatave tuaja stresuese.

  2. Ndërsa i kemi studiuar këto rrëfime te Doktrina e Besëlidhje, ne kemi mësuar se si mund të marrim forcë nga Zoti për të përballuar situata stresuese. Tani ne do të bëjmë kalimin për të mësuar se si mund të marrim forcë nga Zoti për t’u bërë të denjë që të hyjmë dhe ta adhurojmë Atë në tempullin e Tij dhe të qëndrojmë të tillë.

Ushtrohuni

Shikoni programin mësimor për ritmin e kësaj jave. Shkruani një mënyrë për të komunikuar qartë se ku do të përqendrohet ora mësimore çdo ditë.

Paralajmërime

Mësimet te “Përgatitja për Jetën” sigurojnë mundësi që nxënësit në seminar të mësojnë se si mund t’i ndihmojë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti që ata t’ia dalin me sfidat e jetës. Teksa i shpjegoni këto mësime, jini të vetëdijshëm për paralajmërimet vijuese:

Çdo Përvojë e të Mësuarit Duhet të Jetë e Qendërzuar te Krishti, e Bazuar te Shkrimet e Shenjta dhe e Përqendruar te Nxënësi

Çdo përvojë e të mësuarit në seminar duhet të ndihmojë për të përmbushur objektivin e Seminareve dhe Instituteve të Fesë. Kjo do të thotë se ato do të jenë gjithmonë të qendërzuara te Krishti, të përqendruara te nxënësi, të bazuara te shkrimet e shenjta dhe të udhëhequra nga Shpirti. Mësimet te “Përgatitja për Jetën” mund ta humbasin baraspeshimin lehtësisht. Për shembull, një mësues mund të ketë një përvojë të madhe në një nga temat dhe mund të vendosë të përqendrohet gjerësisht për ta bërë përvojën të përqendruar te nxënësi, duke theksuar shumë zotësi e strategji se si të trajtohet një nevojë që e kanë nxënësit. Megjithatë, gjatë procesit, mësuesi mund të anashkalojë lehtësisht nevojën për t’i lidhur nxënësit me Krishtin dhe për t’u dhënë mësim atyre nga fjalët e shkrimeve të shenjta dhe të profetëve.

Rasti për Studim: Motra Xhons ka shumë përvojë me planifikimin financiar. Motra Xhons vendos që t’u mësojë nxënësve të saj shumë zotësi rreth planifikimit financiar në një mënyrë shumë të përqendruar te nxënësi.

Cilat janë disa nga pasojat e mundshme nëse Motra Xhons i qaset mësimit në këtë mënyrë?

Baraspeshojeni Numrin e Mësimeve te “Përgatitja për Jetën” siç Përvijohet në Programin Mësimor

Mund të ketë disa lloje mësimesh ose temash për të cilat disa mësues dëshirojnë të shpenzojnë më shumë ose më pak kohë në klasë se të tjerat. Mbani në mend se shumë njerëz, përfshirë ata që janë në sektorë të tjerë të Kishës, u këshilluan së bashku për të përcaktuar numrin e mësimeve në secilën kategori. Edhe një temë që mund të duket më pak interesante për një mësues, mund të jetë shumë e vlefshme për disa nxënës. Shpenzimi i më shumë kohe në klasë për disa mësime sesa është përvijuar në programin mësimor, mund të çojë drejt mosvënies theks siç duhet të përfundimeve të tjera të rëndësishme të të nxënit. “Trajnimi për Krijimin e një Udhëzuesi Ritmi” rekomandon që zakonisht duhet të ketë më tepër mësime nga “Kursi për Shkrimet e Shenjta” sesa mësime nga “Përgatitja për Jetën” në udhëzuesin tuaj të ritmit. Numri i mësimeve për secilën kategori të kursit “Përgatitja për Jetën” tregon gjithashtu një baraspeshë të sugjeruar. Ndiqini këto orientime me shumë pak përjashtime.

Rasti për Studim: Vëllai Hendriks është i emocionuar që më në fund ka përpjekje të qëllimshme në seminar për t’i përgatitur të rinjtë e të rejat për misione. Në vend që të japë vetëm pesë mësime mbi përgatitjen për mision, ai shpenzon dy javë duke i dhënë mësim këto mësime si dhe disa të tjera që i krijoi vetë.

Cilat janë disa nga pasojat e mundshme të qasjes së Vëllait Hendriks për të dhënë mësime mbi përgatitjen e misionarëve?

Përdoreni Programin Mësimor Pavarësisht nga Niveli i Përvojës Suaj

Ngjashëm me numrin e mësimeve, qëllimi i çdo mësimi u përcaktua gjithashtu në bashkëpunim me shumë njerëz, përfshirë anëtarë të sektorëve të tjerë të Kishës. Këta sektorë shpesh u mbështetën te kërkimet e kryera nga Nënsektori Kërkimor i Kishës për Marrëdhëniet e Ndërsjella për informacionin që siguruan. Si me të gjitha mësimet e programit mësimor të SeI-së, Sektori i Bashkërendimit i Kishës i ka shqyrtuar me kujdes mësimet te “Përgatitja për Jetën” për saktësi doktrinore dhe përshtatshmëri. Mësimet janë hartuar për të qenë një qasje e thjeshtë ndaj temës që trajtojnë, jo një kurs gjithëpërfshirës mbi këtë temë. Nëse keni përvojë në këtë temë, mund të mendoni se idetë e rëndësishme janë lënë jashtë. Jini shumë të kujdesshëm për të shtuar diçka që nuk është përfshirë tashmë. Pavarësisht se sa shumë ose sa pak përvojë keni me një temë të caktuar, përdorni programin mësimor si bazë për përvojën mësimore që do të ofroni. Filloni duke e përvetësuar mësimin përpara se të merrni vendime se çfarë të përshtatni. Për më tepër lidhur me këtë çështje, shihni Trajnimi për Përvetësimin dhe Përshtatjen e Programit Mësimor të Seminarit, që gjendet te Trajnimi për Programin Mësimor të Seminarit.

Rasti për Studim: Motra Benson është një punonjëse sociale klinike me licencë. Ajo aktualisht ka një sukses të madh me një qasje të re për t’i ndihmuar klientët e saj për varësinë. Ajo vendos t’u mësojë nxënësve të saj zotësi që lidhen me këtë qasje të re në vend që t’u mësojë një prej mësimeve mbi shëndetin emocional.

Cilat janë disa nga pasojat e mundshme të qasjes së Motrës Benson ndaj mësimeve mbi shëndetin emocional?

Kujtoni Rolin Tuaj si Mësues/e

Ndërsa shpjegoni mësimet nga “Përgatitja për Jetën”, kujtoni rolin tuaj si mësues/e seminari. Nxënësit mund t’ju tregojnë për situatat sfiduese me të cilat përballen. Roli juaj është t’i drejtoni ata te prindërit e tyre dhe udhëheqësit e priftërisë, të cilët mund t’i udhëheqin ata drejt ndihmës për të cilën kanë nevojë. Për ndihmë lidhur me situata që mund të përfshijnë keqtrajtimin, ju lutemi shihni pjesën “Keqtrajtimi” te materiali Seminaries and Institutes Emergency Response Guide [Udhëzuesi i Përgjigjes në Raste Urgjente për Seminaret dhe Institutet].

Rasti për Studim: Motra Benson ka zbuluar se pasi i shpjegon mësimet, shumë nxënës po qëndrojnë pas orës mësimore. Ata duan të ndajnë me të disa hollësi shumë vetjake për jetën e tyre. Ajo takohet me ta individualisht në zyrën e saj pas mësimit dhe pas shkollës.

Cilat janë disa nga pasojat e mundshme të ndërveprimeve të Motrës Benson me nxënësit e saj?

Përfundimi

Gjatë katër viteve në seminar, nxënësit do të kenë shumë mundësi për të mësuar se si t’i zbatojnë mësimet e Shpëtimtarit në një sërë rrethanash dhe situatash të ndryshme. Përvojat e të mësuarit që mësimet “Përgatitja për Jetën” u shtojnë mësimeve te “Kursi për Shkrimet e Shenjta”, do të përgatitin më mirë një brez të tërë për të përballuar sfidat e jetës duke u mbështetur te forca, mësimet dhe ungjilli i Shpëtimtarit. Ata do të pajisen më mirë për të përgatitur veten, familjet e tyre dhe të tjerët për jetën e përjetshme me Atin e tyre në Qiell.