Instituti
Mësimi 14 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Të Bëhemi Mjete në Duart e Perëndisë


“Mësimi 14 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Të Bëhemi Mjete në Duart e Perëndisë”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 14 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 14 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Të Bëhemi Mjete në Duart e Perëndisë

i ri duke shpërndarë Librin e Mormonit

Merrni parasysh se sa shumë njerëz shikoni çdo ditë që nuk i gëzojnë aktualisht bekimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Si mund të ndryshojë jeta e tyre nëse do të mësonin më shumë rreth planit të Atit Qiellor për lumturinë e tyre? Ndërsa studioni shembuj të misionarëve në Librin e Mormonit, mendoni plot lutje rreth dikujt që mund t’ia shpërndani ungjillin. Kujtoni se kur jua shpërndani ungjillin të tjerëve, ju po merrni pjesë në mbledhjen e Izraelit.

Pjesa 1

Në ç’mënyrë thellimi i kthimit tim në besim e rrit dëshirën time për ta shpërndarë ungjillin?

Të katër bijtë e Mosias (Amoni, Aaroni, Omneri dhe Himni) ishin me Alma të Riun kur një engjëll iu shfaq dhe e thirri atë në pendim. Që të pestë të rinjtë arritën të ndienin trishtim të thellë për veprimet e tyre, u penduan për mëkatet e tyre dhe u kthyen në besim te Zoti. Pas kthimit të tyre në besim, ata “ishin vegla në duart e Perëndisë, për të sjellë shumë vetë në njohurinë e së vërtetës, po, në njohurinë e Shëlbuesit të tyre” (Mosia 27:36).

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Mosia 28:1–3, duke kërkuar mënyrën se si kthimi në besim i bijve të Mosias ndikoi te dëshira e tyre për ta shpërndarë ungjillin dhe për të qenë mjete në duart e Perëndisë.

Pas vitesh shërbimi misionar mes lamanitëve, Amoni u tha sa vijon vëllezërve të tij: “Dhe ky është bekimi që na është dhënë që ne u bëmë mjete në duart e Perëndisë për të plotësuar këtë punë të madhe” të shpëtimit (Alma 26:3).

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim sa vijon rreth mënyrës se si kthimi ynë në besim ndikon te dëshira jonë për ta shpërndarë ungjillin:

Presidenti Dallin H. Ouks

“Ndarja e ungjillit nuk është barrë por gëzim. Ajo që ne e quajmë ‘punë misionare e anëtarit’, nuk është program por një qëndrim dashurie për të ndihmuar ata që janë përreth nesh. Ajo është gjithashtu një mundësi për të dëshmuar se çfarë ndiejmë për ungjillin e rivendosur të Shpëtimtarit tonë. Sikurse na ka mësuar Plaku Ballard: ‘Një fakt shumë i rëndësishëm i kthimit tonë në besim dhe i asaj se si ndihemi rreth ungjillit në jetën tonë është gatishmëria jonë për ta ndarë ungjillin me të tjerët’ [M. Russell Ballard, “Now Is the Time”, Liahona, janar 2001, f. 89].” (“Shpërndarja e Ungjillit të Rivendosur”, Liahona, nëntor 2016, f. 60)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Përcaktoni një shembull nga shkrimet e shenjta ose historia e Kishës për mënyrën se si kthimi në besim e rriti dëshirën dhe gatishmërinë e dikujt për të qenë një mjet në duart e Perëndisë dhe për ta shpërndarë ungjillin. Ejani në klasë të përgatitur që të tregoni shembullin tuaj.

Pjesa 2

Si mund të bëhem një mjet më i efektshëm në duart e Perëndisë?

Bijtë e Mosias dhe ata që shkuan me ta, u përballën me “një popull të egër, të ngurtësuar dhe gjakatar” kur shkuan që t’i mësonin lamanitët (Alma 17:8, 14). Ndërkohë që bënin punë mes tyre, këta misionarë “vuajtën shumë, si në trup ashtu dhe në mendje, si uri, etje dhe lodhje dhe gjithashtu shumë luftë në shpirt” (Alma 17:5).

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni tek Alma 17:2–3, 9–11, duke kërkuar atë se çfarë bënë bijtë e Mosias për ta marrë shpirtin e zbulesës dhe për t’u përgatitur që të bëheshin mjete të efektshme në duart e Perëndisë. Merrni parasysh të shenjoni atë që gjeni.

Amoni lutet me vëllezërit e tij
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Cilat veprime ju kanë ndihmuar më së shumti që të kualifikoheni për Shpirtin, për t’u bërë një mjet më i efektshëm në duart e Perëndisë?

Pjesa 3

Si mund të më ndihmojë Shpirti që t’u shërbej më mirë të tjerëve dhe ta shpërndaj ungjillin?

Bijtë e Mosias u bënë mjete në duart e Perëndisë, duke ndihmuar që të sillnin shumë lamanitë te Shpëtimtari. Amoni udhëtoi i vetëm në vendin e Ishmaelit dhe atë e lidhën dhe e çuan përpara mbretit Lamoni. Mbreti e pyeti Amonin për qëllimet e tij dhe Amoni tha se ai donte të jetonte mes lamanitëve, ndoshta për gjithë jetën e tij. Kjo e kënaqi mbretin dhe Amoni u bë një nga shërbyesit e tij. (Shih Alma 17:19–25.)

Amonin e dërguan që të kujdesej për grigjat e mbretit. Kur vjedhësit u përpoqën t’i shpërndanin delet, Amoni ua pengoi përpjekjet me hobenë dhe shpatën e tij. Grabitësit u çuditën nga fuqia e Amonit dhe ia mbathën. (Shih Alma 17:25, 33–38.)

Amoni duke mbrojtur grigjat e mbretit Lamoni

Kur mbreti Lamoni mësoi për suksesin e Amonit gjatë mbrojtjes së grigjave të tij, atij i bëri përshtypje dhe mendonte me vete nëse Amoni ishte “Shpirti i Madh që dërgon[te] ndëshkime kaq të mëdha mbi [atë] popull” (Alma 18:2). “Amoni, duke qenë i mbushur me Shpirtin e Perëndisë” (vargu 16), ishte në gjendje t’i rrokte mendimet e mbretit, t’i zgjidhte shqetësimet e tij dhe filloi t’i mësonte atij ungjillin (shih Alma 18:15–24).

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni tek Alma 18:33–35 dhe merrni parasysh se çfarë mund të mësoni nga Amoni rreth të qenit një mjet në duart e Perëndisë.

Amoni qëndron përpara mbretit Lamoni

Mbreti Lamoni i besoi fjalët e Amonit dhe u kthye në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit. Amoni gjithashtu qe në gjendje që t’u jepte mësim gruas së Lamonit dhe shërbëtorëve të mbretit. Shumë prej tyre i besuan mësimet e Amonit dhe dëshmuan se “zemrat e tyre kishin ndryshuar” (Alma 19:33). Ngaqë Amoni ishte bërë një mjet në duart e Perëndisë, “puna e Zotit filloi mes [asaj pjese të] Lamanitëve” (Alma 19:36).

Ndërkohë që përvojat tona mund të mos jenë aq mahnitëse sa të Amonit, ne mund të sjellim një ndryshim në jetën e të tjerëve kur përgatitemi që të bëhemi mjete në duart e Perëndisë.

dy gra duke bashkëbiseduar

Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si ne mund t’ua shpërndajmë ungjillin të tjerëve:

Plaku Diter F. Uhtdorf

“Kudo që të jeni në këtë tokë, keni mundësi të shumta për ta përhapur lajmin e mirë të ungjillit të Jezu Krishtit [t]e njerëzit që takoni, [me të cilët] studioni e jetoni ose që punoni dhe shoqëroheni. …

Në çfarëdo mënyre që duket e natyrshme dhe normale për ju, tregojuni njerëzve përse Jezu Krishti dhe Kisha e Tij janë të rëndësishme për ju. …

Lutuni jo vetëm që misionarët t’i gjejnë të zgjedhurit. Lutuni çdo ditë me gjithë zemër që ju do t’i gjeni ata që do të vijnë e do të shohin, do të vijnë e do të ndihmojnë, dhe do të vijnë e do të qëndrojnë.” (“Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 15, 17)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë janë disa gjëra që i keni bërë për ta shpërndarë ungjillin në mënyra të “natyrshme dhe normale”? Kush ju vjen ndërmend kur mendoni që ta ftoni dikë për të ardhur më afër Shpëtimtarit? Çfarë mund të bëni që të jeni një mjet në duart e Zotit për tʼi ndihmuar njerëzit rreth të cilëve keni menduar?