Instituti
Mësimi 17 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Përkatësia në Kishën e Zotit


“Mësimi 17 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Përkatësia në Kishën e Zotit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)

“Mësimi 17 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit

Mësimi 17 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Përkatësia në Kishën e Zotit

dy burra duke i dhënë dorën njëri‑tjetrit

Një pjesë thelbësore e shërbesës së Jezu Krishtit mes nefitëve dhe lamanitëve ishte organizimi i Kishës së Tij. Shpëtimtari tha se Kisha duhet të quhej sipas emrit të Tij dhe të ndërtohej mbi ungjillin e Tij (shih 3 Nefi 27:7–9). Ndërsa përgatiteni për orën mësimore, përsiatini bekimet që Zoti ua bën të mundur atyre që marrin pjesë në Kishën e Tij. Ndërsa mendoni për ato bekime, merrni parasysh se çfarë mund të bëni që të ndihmoni për ta bërë Kishën një vend mikpritës për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Pjesa 1

Çfarë bekimesh mund të marr vetëm nëpërmjet Kishës së Zotit?

Gjatë vizitës së Shpëtimtarit te nefitët tek tempulli në vendin Begati, Ai u dha autoritetin e priftërisë dymbëdhjetë dishepujve të Tij dhe i autorizoi ata të pagëzonin, të jepnin dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe ta udhëhiqnin Kishën e Tij (shih 3 Nefi 11:18–22; 12:1; 18:5, 37). Shpëtimtari gjithashtu u mësoi nefitëve se për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë, ne duhet të pendohemi, të besojmë tek Ai dhe të marrim ordinancat e shpëtimit dhe ekzaltimit që ofrohen vetëm në Kishën e Tij, të tilla si pagëzimi dhe konfirmimi (shih 3 Nefi 11:32–41).

Krishti me Tre Dishepujt Nefitë, nga Gary L. Kapp

Duke diskutuar për qëllimin e Kishës së Jezu Krishtit si në kohët e lashta edhe ato të sotme, Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Qëllimi i dikurshëm vazhdon të jetë po ai: që është, të predikohet lajmi i mirë i ungjillit të Jezu Krishtit dhe të administrohen ordinancat e shpëtimit – me fjalë të tjera, të sillen njerëzit te Krishti.” (“Përse Kisha”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 108)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Në çfarë mënyrash pjesëmarrja në Kishë ju ka ndihmuar të vini te Jezu Krishti?

Pjesa 2

Në ç’mënyrë marrja e sakramentit më ndihmon në përpjekjet e mia për të qenë më shumë si Jezu Krishti?

Ndërsa Shpëtimtari e mbylli ditën e parë të shërbesës së Tij në vendin Begati, Ai ua administroi sakramentin dymbëdhjetë dishepujve të Tij dhe njerëzve. Ai e përsëriti këtë ordinancë ditën tjetër pasi u siguroi mrekullisht bukën dhe verën. (Shih 3 Nefi 18:1–9; 20:3–8.)

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Studioni te 3 Nefi 18:3–12 dhe 3 Nefi 20:8–9 dhe merrni parasysh se çfarë dha mësim Jezusi rreth qëllimeve të shenjta të sakramentit.

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si kjo ordinancë na lejon ta kemi Frymën e Shenjtë si një shoqërues të vazhdueshëm:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Ordinanca e sakramentit është një ftesë e shenjtë dhe e përsëritur për t’u penduar sinqerisht dhe për t’u ripërtërirë shpirtërisht. … Ndërsa përgatitemi në mënyrë të ndërgjegjshme dhe marrim pjesë në këtë ordinancë të shenjtë me një zemër të thyer e shpirt të penduar, atëherë premtimi është që ne mund të kemi gjithmonë Shpirtin e Zotit me ne. Dhe nëpërmjet fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë si shoqëruesin tonë të vazhdueshëm, ne gjithmonë mund ta mbajmë një heqje të mëkateve tona.” (“Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 61–62)

një person duke marrë sakramentin

Plaku Kristoferson dha mësim se marrja e sakramentit mund të na ndihmojë gjithashtu të përqendrohemi tek bërja më shumë si Shpëtimtari:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Buka dhe uji përfaqësojnë mishin dhe gjakun e Atij që është Buka e Jetës dhe Uji i Gjallë [shih Gjoni 4:10], duke na kujtuar me ton prekës çmimin që pagoi Ai për të na shëlbuar. …

… Figurativisht, ngrënia e mishit të Tij dhe pirja e gjakut të Tij ka një domethënie të mëtejshme, dhe kjo do të thotë që t’i përvetësojmë cilësitë dhe karakterin e Krishtit, duke e zhveshur njeriun e natyrshëm dhe duke u bërë shenjtorë ‘nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot’ [Mosia 3:19]. Kur e marrim bukën dhe ujin e sakramentit çdo javë, do të ishte mirë të merrnim në shqyrtim se sa plotësisht dhe tërësisht duhet ta përfshijmë karakterin e Tij dhe modelin e jetës së Tij të pamëkatë në vetë jetën dhe qenien tonë. …

Marrja e mishit të Shpëtimtarit dhe pirja e gjakut të Tij nënkupton që të nxjerrim nga jeta jonë çdo gjë që nuk është në përputhje me një karakter si të Krishtit dhe t’i bëjmë tonat cilësitë e Tij.” (“Buka e Gjallë që Zbriti nga Qielli”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 37, 39)

ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim: “Ordinanca e sakramentit e bën mbledhjen e sakramentit, mbledhjen më të shenjtë e më të rëndësishme në Kishë” (“Mbledhja e Sakramentit dhe Sakramenti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 17). Merrni parasysh të shkruani disa veprime që mund të ndërmerrni për ta bërë sakramentin dhe mbledhjen e sakramentit pjesën më të rëndësishme të adhurimit tuaj të ditës së Shabatit.

Pjesa 3

Çfarë mund të bëj për ta ndihmuar gjithsecilin të ndihet se ka një vend për të në Kishën e Jezu Krishtit?

Pasi filloi sakramentin mes nefitëve dhe lamanitëve, Jezusi dha mësim për rëndësinë e bërjes së mbledhjeve të kishës mikpritëse dhe gjithëpërfshirëse.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Studioni te 3 Nefi 18:22–25 dhe merrni parasysh të shenjoni fjalë ose fraza që shprehin mësimet e Zotit rreth asaj se kë duhet të përfshijmë në Kishën e Tij.

njerëz duke e përshëndetur njëri-tjetrin në kishë

Shikoni materialin filmik “Lifting Others” [“Lartësimi Shpirtëror i të Tjerëve”] (02:49) ose lexoni tekstin e tij në vijim. Në këtë material filmik, Motra Karol F. Mek‑Konki, ish‑këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, tregon se çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar që të gjithë njerëzit të ndihen të mirëpritur në Kishën e Zotit.

Motra Karol F. Mek‑Konki

“Unë njoh njerëz që vijnë në kishë çdo të diel në mënyrë që të mund të frymëzohen dhe lartësohen shpirtërisht, dhe të cilët thjesht largohen duke u ndier të gjykuar, se nuk i duan dhe të panevojshëm. …

Ne kemi nevojë të jemi thellësisht të vetëdijshëm se cili është qëllimi i ardhjes në kishë të dielën dhe të sigurohemi se gjithsecili që vjen të ndihet se e duan, i nevojshëm, i pranuar dhe i lartësuar shpirtërisht.

Çdo njeri ka vështirësi, për të cilat as që kemi dijeni, dhe është shumë e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm se Perëndia e do gjithsecilin rrotull nesh dhe se kemi nevojë ta shohim atë me sy si të Krishtit. Dhe ne nuk mund ta lejojmë gjykimin të diktojë mënyrën se si bashkëveprojmë me njerëzit. …

Ungjilli i Jezu Krishtit nuk i lë mënjanë njerëzit. Njerëzit i lënë mënjanë njerëzit dhe këtë gjë duhet ta ndreqim. Kemi nevojë të jemi të ndjeshëm e t’i duam ata dhe t’u japim atyre mundësinë që të rriten e të lulëzojnë dhe të jenë vetja e tyre më e mirë. Ata kanë talente dhe aftësi e personalitete që janë të nevojshme në mbretërinë e Perëndisë. Dhe nëse duam ta ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë në tokë, ne kemi nevojë që gjithsecili të vijë.” (“Lifting Others” [“Lartësimi Shpirtëror i të Tjerëve”] [material filmik], ChurchofJesusChrist.org)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mund të bëj që të jem më ftues dhe gjithëpërfshirës për t’i ndihmuar fëmijët e Perëndisë që të ndiejnë se kanë një vend në Kishën e Zotit?