“Mësimi 9 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Besimi te Jezu Krishti”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 9 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 9 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Besimi te Jezu Krishti
A keni ndier ndonjëherë një dëshirë të fortë për t’u përmirësuar dhe ndryshuar, që të mund të bëheni më shumë si Shpëtimtari? Vëllai Brajën K. Ashton, ish-Këshilltar i Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës, dha mësim: “Është doktrina e Krishtit që na lejon të kemi mundësinë ta marrim fuqinë shpirtërore që do të na ngrejë nga gjendja jonë e tanishme shpirtërore në një gjendje në të cilën ne mund të bëhemi të përsosur sikurse Shpëtimtari” (“Doktrina e Krishtit”, Liahona, nëntor 2016, f. 106). Doktrina e Krishtit i referohet pasjes së besimit tek Ai dhe Shlyerja e Tij, pendimit, pagëzimit, marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimit deri në fund (shih 2 Nefi 31:2, 10–21; 3 Nefi 27:13–22). Ndërsa e studioni doktrinën e Jezu Krishtit, duke filluar me besimin tek Ai, mendoni për mënyrat se si do të donit të ndryshonit dhe personin që do të donit të bëheshit.
Pjesa 1
Çfarë mund të bëj që ta forcoj besimin tim te Jezu Krishti?
Përmbledhja vijuese shpjegon se ç’do të thotë të kesh besim te Jezu Krishti:
“Të kemi besim te Jezu Krishti do të thotë të mbështetemi tërësisht tek Ai – të mirëbesojmë te fuqia, inteligjenca dhe dashuria e Tij e pafundme. Kjo përfshin të besojmë te mësimet e Tij. Kjo do të thotë të besojmë që edhe pse ne nuk i kuptojmë të gjitha gjërat, Ai i kupton. … Ai është gjithmonë i gatshëm të na ndihmojë kur e kujtojmë lutjen e Tij: ‘Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë’ (Doktrina e Besëlidhje 6:36).” (“Faith in Jesus Christ” [“Besimi te Jezu Krishti”], Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org)
Peshkopi Riçard C. Exhli, ish-këshilltar në Peshkopatën Kryesuese, tha se “besimi është zgjedhje dhe duhet të kërkohet e të zhvillohet” (“Besim – Zgjedhja Është e Juaja”, Liahona, nëntor 2010, f. 32).
Profeti Alma dha mësim fuqishëm rreth parimit të besimit. Alma u shqetësua për zoramitët, të cilët kishin ndalur së besuari te Jezu Krishti dhe ishin larguar nga Kisha e Tij. Ndërsa Alma dhe shokët e tij misionarë shkuan të predikonin mes tyre, ai zbuloi se disa nga zoramitët kishin qenë të përulur për shkak të varfërisë së tyre dhe ishin pranues ndaj mesazhit të tij. Ai donte që ata të kuptonin se si Shpëtimtari mund ta ndryshonte jetën e tyre. (Shih Alma 31–32.)
Ndërsa po i mësonte zoramitët, Alma e krahasoi fjalën e Perëndisë me një farë dhe shpjegoi se ajo do të rritet kur e mbjellim në zemrat tona dhe e ushqejmë me kujdes nëpërmjet ushtrimit të besimit (shih Alma 32:26–33).
Duke komentuar mbi metaforën e Almës për një farë që përfaqëson fjalën e Perëndisë, Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë në Presidencën e Parë, dha mësim:
“Tepër shpesh ne i qasemi ungjillit si një fermer që vë një farë në tokë në mëngjes dhe pret ta ketë misrin me kallinj [të gatuar] pasdite. …
Fakti që e dimë se fara është e mirë, nuk mjafton. Ne duhet ‘ta ushqejmë me kujdes të madh, që të mund të lëshojë rrënjë’ [Alma 32:37]. …
… Qenia dishepull nuk është një sport [për spektatorë]. Ne nuk mund të presim të provojmë bekimet e besimit duke qëndruar joaktivë në vijat anësore më tepër se ç’mund të provojmë bekimet e shëndetit duke qëndruar mbi divan, duke parë veprimtari sportive në televizion dhe duke u dhënë këshilla sportistëve.” (“Udha e Dishepullimit”, Liahona, maj 2009, f. 76, 77)
Pjesa 2
Në ç’mënyrë ushqyerja me fjalën e Perëndisë nëpërmjet besimit më sjell më afër Jezu Krishtit?
Alma dha mësim se, kur fara mbin dhe fillon të rritet, ne do ta dimë se fara është e mirë dhe besimi ynë do të forcohet. Pas kësaj rritjeje fillestare, Alma paralajmëroi që të mos e “l[emë] mënjanë besimin t[onë]” dhe të shpërfillim ushqyerjen e pemës (shih Alma 32:30–38).
Ndërsa Alma përfundoi së dhëni mësim zoramitëve rreth besimit, ai vuri në dukje se fara që ai donte që ata të mbillnin në zemrat e tyre, ishte mesazhi që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, i cili do “të shlye[nte] mëkatet e tyre; dhe se ai do të ngrihe[j] përsëri nga të vdekurit” (Alma 33:22–23). Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkroi:
“Në këtë fjalim të shkëlqyer, Alma e zhvendos lexuesin nga një koment i përgjithshëm mbi besimin në fjalën e Perëndisë që është si farë, te një predikim i përqendruar mbi besimin te Krishti si Fjala e Perëndisë, që bëhet pemë, e cila jep fruta, një pemë, fruta e së cilës është saktësisht ajo që perceptonte Lehi më herët për dashurinë e Krishtit. … Krishti është fara, pema dhe fruta e jetës së përjetshme.” (Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 169)
Pjesa 3
Në çfarë mënyrash mund të bekohem unë duke ushtruar besim te Jezu Krishti?
Ndërsa Moroni e përfundoi punën e tij për Librin e Mormonit, ai përfshiu një predikim që ati i tij, Mormoni, kishte dhënë shumë vite më parë (shih Moroni 7:1). Në këtë predikim, Mormoni dha mësim për atë që mund të përmbushet nëpërmjet fuqisë së besimit.
Plaku Riçard G. Skot, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se si besimi ynë te Krishti sjell fuqi të shtuar në jetën tonë:
“Të fitosh një besim të palëkundur te Jezu Krishti do të thotë që ta mbushësh jetën me një dritë të shkëlqyeshme. Ju nuk jeni më të vetëm përballë mundimit me sfidat që e dini se nuk mund t’i zgjidhni apo t’i kontrolloni të vetëm, pasi Ai tha: ‘Në qoftë se ju do të keni besim në mua ju do të keni fuqi të bëni çfarëdolloj gjëje që unë ta shoh të përshtatshme’ [Moroni 7:33; theksimi i shtuar].
Nëse jeni të brengosur, të dërrmuar nga shkelja, jeni të sëmurë, të vetëm, ose dëshpërimisht në nevojë për ngushëllim dhe përkrahje, unë dëshmoj solemnisht se Zoti do t’ju ndihmojë kur i bindeni me kujdes ligjit shpirtëror mbi të cilin bazohet ajo ndihmë. Ai është Ati juaj. Ju jeni fëmija i Tij. Ai ju do. Ai asnjëherë nuk do të heqë dorë prej jush. Unë e di se Ai do t’ju bekojë.” (“Obtaining Help from the Lord”, Ensign, nëntor 1991, f. 86)