“Mësimi 15 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Përgatitja për Ardhjen e Jezu Krishtit”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit (2021)
“Mësimi 15 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Mësimet dhe Doktrina e Librit të Mormonit – Materiali i Mësuesit
Mësimi 15 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Përgatitja për Ardhjen e Jezu Krishtit
Kjo njësi do të përqendrohet në shfaqjen e Jezu Krishtit te “populli… [i] Nefit” dhe shërbesa mes tyre (3 Nefi 11:1). Ky grup përbëhej si nga nefitë të drejtë ashtu dhe nga lamanitë të drejtë që ishin kthyer në besim te Zoti (shih 3 Nefi 10:18–19). Ndërsa reflektoni mbi përvojën e tyre me Shpëtimtarin, synoni ta thelloni dëshminë tuaj vetjake për karakterin, cilësitë dhe misionin e Tij hyjnor.
Një aspekt i shumëpritur i misionit hyjnor të Zotit, është Ardhja e Tij e Dytë. Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim se “në Librin e Mormonit ne gjejmë një model për t’u përgatitur për Ardhjen e Dytë” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 147). Në këtë mësim ju do të kenë mundësinë të merrni parasysh se si studimi i profecive dhe ngjarjeve që i paraprinë shfaqjes së Shpëtimtarit mes këtij populli, mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni për Ardhjen e Tij të Dytë.
Pjesa 1
Sa i/e përgatitur jam për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit?
Për breza me radhë, profetët në Librin e Mormonit parashikuan për ardhjen e Jezu Krishtit në tokë. Gjashtë vjet përpara se Krishti të lindte afër Jerusalemit, Samuel Lamaniti qe dërguar nga Zoti që të përgatiste nefitët e ligj për ardhjen e Krishtit. Samueli profetizoi për disa shenja dhe çudira që do ta shoqëronin lindjen dhe vdekjen e Jezu Krishtit. (Shih Helamani 13–15.)
Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se profetët mund të na ndihmojnë të përgatitemi për ardhjen e Zotit:
“Përpara asaj nate të shenjtë në Betlehem, ngjarjet e historisë dhe fjalët e profetëve të të gjitha periudhave ungjillore përgatitën udhën për ardhjen e parë të Zotit dhe për Shlyerjen e Tij. … A kemi sy të shohim se ngjarjet dhe profecitë e kohës sonë po na përgatisin për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?” (“Preparations for the Restoration and the Second Coming: ‘My Hand Shall Be over Thee’”, Liahona, nëntor 2005, f. 92, [“Përgatitjet për Rivendosjen dhe për Ardhjen e Dytë: ‘Dora Ime do të Jetë mbi Ty’”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 125])
Pjesa 2
Çfarë mund të bëj që të qëndroj besnik/e kur dëgjoj mesazhe që hedhin dyshime mbi hyjninë e Jezu Krishtit dhe realitetin e Ardhjes së Tij të Dytë?
Disa nefitë u besuan fjalëve të Samuelit. Të tjerë e hodhën poshtë mesazhin e Samuelit dhe u përpoqën ta vrisnin me gurë dhe shigjeta. Për shkak se nuk mundën ta goditnin, më shumë njerëz e besuan mesazhin e tij dhe shkuan te Nefi për t’u pagëzuar. Më vonë, kur shenjat dhe çuditë që lidheshin me lindjen e Krishtit filluan të përmbusheshin, besimtarët përjetuan gëzim dhe jobesimtarët i ngurtësuan zemrat e tyre. (Shih Helamani 16:1–15.)
Duke folur për zërat e dyshimit, Presidentja Boni L. Oskarson, ish-Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, tha:
“Ne vetëm duhet të vazhdojmë të ushqehemi me bollëk [me frutën e pemës së jetës] dhe mos t’ua vëmë veshin atyre që do të tallen me bindjet tona ose atyre që kënaqen kur krijojnë dyshime apo atyre që gjejnë gabime tek udhëheqësit dhe doktrina e Kishës. Ajo është një zgjedhje që ne e bëjmë përditë – të zgjedhim besimin para dyshimit.” (“A Besoj?” Liahona, maj 2016, f. 89)
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim atë që vijon rreth të qëndruarit të paepur në besimin tonë te Krishti:
“Për të qëndruar i vendosur dhe i paepur në besimin te Krishti kërkohet që ungjilli i Jezu Krishtit të depërtojë në zemrën dhe shpirtin e individit, që do të thotë që ungjilli bëhet jo vetëm një nga shumë prej ndikimeve në jetën e një personi, por përqendrimi përcaktues i jetës ose karakterit të tij apo të saj. …
Gjithmonë mbajeni mend premtimin se gjëra të mira do të vijnë, si tani edhe në të ardhmen, për ata që janë të vendosur dhe të paepur në besimin te Krishti.” (“I Vendosur dhe i Paepur në Besimin te Krishti”, Liahona, nëntor 2018, f. 31, 33)