Kapitulli 31
Nefi tregon pse Krishti u pagëzua—Njerëzit duhet të ndjekin Krishtin, të pagëzohen, të marrin Frymën e Shenjtë dhe të durojnë deri në fund që të shpëtojnë—Pendimi dhe pagëzimi janë porta për në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar—Jeta e përjetshme u vjen atyre që u binden urdhërimeve pas pagëzimit. Rreth 559–545 para K.
1 Dhe tani unë, Nefi, po u jap fund profecive të mia për ju, vëllezërit e mi të dashur. Dhe unë nuk mund të shkruaj veçse pak gjëra, të cilat unë e di me siguri se do të ndodhin; as nuk mund të shkruaj veçse pak fjalë të vëllait tim, Jakob.
2 Prandaj, gjërat që unë kam shkruar më mjaftojnë, me përjashtim të disa fjalëve që duhet të them në lidhje me doktrinën e Krishtit; prandaj, unë do t’ju flas qartë, sipas qartësisë së profecive që bëj.
3 Pasi shpirti im kënaqet në qartësi; pasi sipas kësaj mënyre vepron Zoti Perëndi mes fëmijëve të njerëzve. Pasi, Zoti Perëndi i jep dritë të kuptuarit; pasi ai u flet njerëzve sipas gjuhës së tyre, në të kuptuarin e tyre.
4 Prandaj, unë doja që ju të kujtonit, se unë ju kam folur për atë profet që Zoti më tregoi, që duhej të pagëzonte Qengjin e Perëndisë i cili do të marrë mëkatet e botës.
5 Dhe tani, në qoftë se Qengji i Perëndisë, duke qenë i shenjtë, do të kishte nevojë të pagëzohej me ujë, për të plotësuar të gjithë drejtësinë, O atëherë, sa nevojë më të madhe kemi ne që nuk jemi të shenjtë, të pagëzohemi, po, madje me ujë!
6 Dhe tani, unë do t’ju pyesja ju, vëllezërit e mi të dashur, në çfarë gjëje Qengji i Perëndisë përmbushi të gjithë drejtësinë duke qenë i pagëzuar me ujë?
7 A nuk e dini ju se ai ishte i shenjtë? Por megjithëse ishte i shenjtë, ai u tregon fëmijëve të njerëzve se, sipas mishit, ai përul veten para Atit dhe i dëshmon Atit se ai do të jetë i bindur ndaj tij, në zbatimin e urdhërimeve të tij.
8 Prandaj, pasi ai u pagëzua me ujë, Fryma e Shenjtë zbriti mbi të në formën e një pëllumbi.
9 Dhe përsëri, u tregon fëmijëve të njerëzve ngushtimin e shtegut dhe ngushtësinë e portës, nëpër të cilën ata duhet të hyjnë, duke dhënë ai shembullin para tyre.
10 Dhe ai u tha fëmijëve të njerëzve: Më ndiqni mua. Prandaj, vëllezërit e mi të dashur, a mund ta ndjekim ne Krishtin, në qoftë se nuk jemi të gatshëm t’u bindemi urdhërimeve të Atit?
11 Dhe Ati tha: Pendohuni ju, pendohuni ju dhe pagëzohuni në emrin e Birit tim të Dashur.
12 Dhe gjithashtu, zëri i Birit më erdhi, duke thënë: Ai që është pagëzuar në emrin tim, atij Ati do t’i japë Frymën e Shenjtë sikurse mua; prandaj, më ndiqni dhe bëni gjërat që më keni parë të bëj.
13 Kështu që, vëllezërit e mi të dashur, unë e di se, në qoftë se ju do të ndiqni Birin, me qëllim të plotë të zemrës, pa bërë hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë, por me bindje të vërtetë, duke u penduar për mëkatet tuaja, duke i dëshmuar Atit se jeni të gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit, me anë të pagëzimit—po, duke ndjekur Zotin tuaj dhe Shpëtimtarin tuaj poshtë në ujë sipas fjalës së tij, vini re, atëherë ju do të merrni Frymën e Shenjtë; po, atëherë vjen pagëzimi i zjarrit dhe i Frymës së Shenjtë; dhe atëherë ju mund të flisni me gjuhën e engjëjve dhe t’i thurni lëvdata të Shenjtit të Izraelit.
14 Por vini re, vëllezërit e mi të dashur, kështu erdhi zëri i Birit tek unë, duke thënë: Pasi ju të pendoheni për mëkatet tuaja dhe t’i dëshmoni Atit se jeni të gatshëm të zbatoni urdhërimet e mia, me anë të pagëzimit në ujë dhe të keni marrë pagëzimin e zjarrit dhe të Frymës së Shenjtë dhe mund të flisni me një gjuhë të re, po, madje me gjuhën e engjëjve dhe paskësaj të më mohoni, do të ishte më mirë për ju që të mos më kishit njohur mua.
15 Dhe unë dëgjova një zë nga Ati, duke thënë: Po, fjalët e Birit tim të Dashur janë të vërteta dhe besnike. Ai që duron deri në fund, do të shpëtohet.
16 Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, prej kësaj e di se në qoftë se një njeri nuk duron deri në fund, duke ndjekur shembullin e Birit të Perëndisë së gjallë, ai nuk mund të shpëtohet.
17 Kështu që, bëni gjërat që ju kam thënë se kam parë që Zoti juaj dhe Shëlbuesi juaj do të bëjë; pasi për këtë arsye ato m’u treguan, që ju të mund të dini portën nëpër të cilën ju duhet të hyni. Pasi porta nëpër të cilën ju duhet të hyni është pendimi dhe pagëzimi me anë të ujit; dhe pastaj vjen një heqje e mëkateve tuaja me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë.
18 Dhe atëherë ju jeni në këtë shteg të ngushtë dhe të ngushtuar që të çon në jetën e përjetshme; po, ju keni hyrë nëpërmjet portës; ju keni bërë sipas urdhërimeve të Atit dhe të Birit; dhe ju keni marrë Frymën e Shenjtë që dëshmon për Atin dhe Birin, deri në plotësimin e premtimit të cilin ai ka bërë, që në qoftë se ju do të hynit nëpërmjet udhës, ju do të merrni.
19 Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, pasi ju të keni hyrë në këtë shteg të ngushtë dhe të ngushtuar, unë do t’ju pyesja nëse gjithçka është bërë? Vini re, unë ju them juve, Jo; pasi ju nuk keni arritur deri këtu përveçse me anë të fjalës së Krishtit, me besim të patundur në të, duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë.
20 Kështu që, ju duhet të shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.
21 Dhe tani, vini re, vëllezërit e mi të dashur, kjo është udha; dhe s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë. Dhe tani, vini re, kjo është doktrina e Krishtit dhe e vetmja doktrinë e vërtetë e Atit dhe e Birit dhe e Frymës së Shenjtë, që është një Perëndi, pa fund. Amen.