Kapitulli 32
Alma mëson të varfërit, mjerimet e të cilëve i kishin përulur ata—Besimi është një shpresë në atë që nuk shihet, e cila është e vërtetë—Alma dëshmon se engjëjt u shërbejnë burrave, grave dhe fëmijëve—Alma krahason fjalën me një farë—Ajo duhet të mbillet dhe të ushqehet—Pastaj ajo rritet dhe bëhet pemë, nga e cila merret fruti i jetës së përjetshme. Rreth 74 para K.
1 Dhe ndodhi që ata shkuan dhe filluan të predikonin fjalën e Perëndisë mes popullit, duke hyrë në sinagogat e tyre dhe në shtëpitë e tyre; po, dhe madje predikuan fjalën në rrugët e tyre.
2 Dhe ndodhi që pas shumë pune mes tyre, ata filluan të kishin sukses midis klasës së varfër të popullit; pasi vini re, ata qenë dëbuar nga sinagogat për shkak të veshjeve të tyre të leckosura—
3 Prandaj ata nuk lejoheshin të hynin nëpër sinagogat e tyre për të adhuruar Perëndinë, duke u vlerësuar si fëlliqësi; prandaj ata ishin të varfër; po, ata vlerësoheshin nga vëllezërit e tyre si zgjyrë; prandaj ata ishin të varfër nga gjërat e botës; dhe gjithashtu ishin të varfër në zemër.
4 Tani, ndërsa Alma po i mësonte dhe po i fliste popullit në kodrën Onidah, një turmë e madhe erdhi tek ai, që ishin prej atyre për të cilët folëm, që ishin të varfër në zemër, për shkak të varfërisë së tyre në gjërat e botës.
5 Dhe ata vajtën tek Alma dhe ai që ishte në krye të tyre i tha atij: Vër re, ç’duhet të bëjnë këta vëllezërit e mi, pasi ata përbuzen nga të gjithë njerëzit për shkak të varfërisë së tyre, po, dhe veçanërisht nga priftërinjtë tanë, pasi ata na kanë përjashtuar nga sinagogat tona për të cilat ne kemi punuar shumë që t’i ndërtojmë me duart tona; dhe ata na kanë dëbuar për shkak të varfërisë sonë të pamasë; dhe ne nuk kemi vend ku të adhurojmë Perëndinë tonë; dhe vër re, ç’duhet të bëjmë?
6 Dhe tani, kur Alma e dëgjoi këtë, u kthye krejtësisht me fytyrë nga ai dhe pa me gëzim të madh; pasi ai pa se mjerimet e tyre i kishin bërë me të vërtetë të përvuajtur dhe se ishin të përgatitur të dëgjonin fjalën.
7 Prandaj ai nuk i tha gjë tjetër turmës; por zgjati dorën e tij dhe u thirri atyre që i shihte, të cilët ishin me të vërtetë të penduar dhe u tha atyre:
8 Unë vë re se jeni të pezmatuar në zemër; dhe në qoftë se është kështu, të bekuar jeni ju.
9 Vini re, vëllai juaj tha: Çfarë duhet të bëjmë?—pasi na kanë dëbuar nga sinagogat tona dhe nuk mund të adhurojmë Perëndinë tonë.
10 Vini re, unë ju them juve, a mendoni se ju nuk mund ta adhuroni Perëndinë, përveçse vetëm në sinagogat tuaja?
11 Dhe për më tepër, unë ju pyes, a mendoni se nuk duhet ta adhuroni Perëndinë përveçse një herë në javë?
12 Unë ju them juve, është mirë që jeni dëbuar nga sinagogat tuaja, që të mund të jeni të përulur dhe që të mund të mësoni urtësi; pasi është e nevojshme që ju duhet të mësoni urtësi; pasi, sepse ju jeni dëbuar dhe jeni përbuzur nga vëllezërit tuaj, për shkak të varfërisë suaj të madhe, keni arritur në një përulësi të zemrës; pasi, jeni të detyruar të jeni të përulur.
13 Dhe tani, sepse jeni detyruar të jeni të përulur, të bekuar jeni ju; pasi një njeri ndonjëherë, në qoftë se është detyruar të jetë i përulur, kërkon pendim; dhe tani me siguri, kushdo që pendohet do të gjejë mëshirë; dhe ai që gjen mëshirë dhe duron gjer në fund, ai do të shpëtohet.
14 Dhe tani, sikurse ju thashë, që për shkak se jeni të detyruar të jeni të përulur, ju jeni të bekuar, a nuk mendoni se edhe më të bekuar do të jenë ata që përulen sinqerisht për shkak të fjalës?
15 Po, ai që përulet sinqerisht dhe pendohet për mëkatet e tij dhe duron deri në fund, po ai do të jetë i bekuar—po, shumë më i bekuar se ata që detyrohen të përulen, për shkak të varfërisë së tyre të madhe.
16 Prandaj, të bekuar janë ata që përulen, pa qenë të detyruar të përulen; ose më mirë, me fjalë të tjera, i bekuar është ai që beson në fjalën e Perëndisë dhe që pagëzohet pa kokëfortësi në zemër, po, pa qenë i sjellë që të dijë fjalën, ose madje i detyruar të dijë para se të besojë.
17 Po, ka shumë që thonë: Në qoftë se do të na tregosh një shenjë nga qielli, atëherë do të dimë me siguri; atëherë do të besojmë.
18 Tani, unë pyes, a është ky besim? Vini re, unë ju them juve, Jo; pasi në qoftë se një njeri e di një gjë, nuk ka më shkak të besojë, pasi ai e di atë.
19 Dhe tani, sa më i mallkuar është ai që e di vullnetin e Perëndisë dhe nuk e bën, sesa ai që vetëm beson, ose që ka vetëm shkak të besojë dhe bie në shkelje?
20 Tani, ju duhet ta gjykoni vetë këtë gjë. Vini re, unë ju them juve se s’ka ndryshim të madh si nga një anë, ashtu dhe nga tjetra; dhe do të jetë për çdo njeri sipas punës së tij.
21 Dhe tani, sikurse ju thashë mbi besimin—besim nuk është që të kesh një njohuri të përsosur të gjërave; prandaj, në qoftë se keni besim, ju shpresoni për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta.
22 Dhe tani vini re, unë ju them juve se dua që ju duhet të kujtoni se Perëndia është i mëshirshëm me të gjithë ata që besojnë në emrin e tij; prandaj ai dëshiron pikësëpari, që ju të keni besim, po, madje në fjalën e tij.
23 Dhe tani, ai ua kalon njerëzve fjalën e tij me anë të engjëjve, jo vetëm burrave, por edhe grave. Tani, kjo nuk është e gjitha; fëmijëve të vegjël u janë dhënë fjalë shumë herë, të cilat ngatërrojnë të diturit dhe të mësuarit.
24 Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, pasi ju keni dëshiruar të dini prej meje se ç’duhet të bëni, sepse jeni të pikëlluar dhe të dëbuar—tani unë nuk dëshiroj që ju të mendoni se kam qëllim t’ju gjykoj vetëm sipas asaj që është e vërtetë—
25 Pasi unë nuk dua të them që ju të gjithë ishit të detyruar të përuleshit, pasi me të vërtetë besoj se ka disa mes jush, që do të ishin përulur në çfarëdolloj rrethanash që të ishin.
26 Tani, sikurse thashë në lidhje me besimin—që nuk ishte një njohje e përsosur—po ashtu është me fjalët e mia. Në fillim, ju nuk mund të dini mbi sigurinë e tyre në mënyrë të përsosur jo më shumë sesa besimi është një njohuri e përsosur.
27 Por vini re, në qoftë se ju do të zgjoheni dhe do të vini në veprim aftësitë tuaja, madje deri në një provë mbi fjalët e mia dhe të ushtroni një pjesëz të besimit, po, edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni, lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni në mënyrë që të bëni vend për një pjesë të fjalëve të mia.
28 Tani, ne do ta krahasojmë fjalën me një farë. Tani, në qoftë se bëni vend që një farë të mund të mbillet në zemrën tuaj, vini re, po të jetë një farë e vërtetë, ose një farë e mirë, në qoftë se ju nuk e hidhni tej me mosbesimin tuaj, që ju t’i kundërshtoni Shpirtit të Zotit, vini re, ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj; dhe kur ju të ndieni këto lëvizje të fryrjes, ju do të filloni të thoni me veten tuaj—Kjo duhet të jetë një farë e mirë, ose që fjala është e mirë, pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua.
29 Tani vini re, a nuk do t’jua shtonte kjo besimin tuaj? Unë ju them juve, Po; megjithatë ajo nuk është rritur në një njohuri të përsosur.
30 Por vini re, ndërsa fara fryhet dhe mbin dhe fillon të rritet, atëherë ju duhet të thoni se fara është e mirë; meqë vini re, fryhet dhe mbin dhe fillon të rritet. Dhe tani, vini re, kjo, a nuk do ta forcojë besimin tuaj? Po, ajo do ta forcojë besimin tuaj; pasi ju do të thoni, unë e di se kjo është një farë e mirë; pasi vini re, ajo mbin dhe fillon të rritet.
31 Dhe tani, vini re, a jeni të sigurt se kjo është një farë e mirë? Unë ju them juve, Po; meqë çdo farë prodhon, sikurse veten e saj.
32 Prandaj, në qoftë se një farë rritet, ajo është e mirë, por në qoftë se nuk rritet, vini re ajo nuk është e mirë, prandaj flaket tej.
33 Dhe tani, vini re, pasi ju e keni bërë provën dhe e mbollët farën dhe ajo fryhet, dhe mbin, dhe fillon të rritet, ju duhet ta dini se fara është e mirë.
34 Dhe tani, vini re, a është njohuria juaj e përsosur? Po, njohuria juaj është e përsosur në atë gjë dhe besimi juaj është i fjetur; dhe kjo sepse ju e dini, pasi ju e dini se fjala ka fryrë shpirtrat tuaj dhe ju gjithashtu e dini se ka mbirë, se botëkuptimi juaj fillon të ndriçohet dhe mendja juaj fillon të zgjerohet.
35 O, atëherë, a nuk është e vërtetë kjo? Unë ju them juve, Po, sepse është dritë; dhe çdo gjë që është dritë, është e mirë sepse është e dallueshme, prandaj ju duhet ta dini se është e mirë; dhe tani vini re, pasi ta keni shijuar këtë dritë, a është njohuria juaj e përsosur?
36 Vini re, unë ju them juve, Jo; as nuk duhet të lini mënjanë besimin tuaj, pasi ju vetëm keni ushtruar besimin tuaj, që të mbillnit farën dhe që të mund të bënit provën, që të dinit nëse fara ishte e mirë.
37 Dhe vini re, ndërsa pema fillon të rritet, ju do të thoni: Le ta ushqejmë me kujdes të madh, që të mund të lëshojë rrënjë, që të mund të rritet dhe të na japë frut. Dhe tani vini re, në qoftë se ju e ushqeni me shumë kujdes, do të lëshojë rrënjë; dhe do të rritet dhe do të japë frut.
38 Por, në qoftë se e lini pemën pas dore dhe nuk mendoni për ta ushqyer, vini re, ajo nuk do të lëshojë ndonjë rrënjë; dhe kur të vijë nxehtësia e diellit dhe ta përzhisë, pasi ajo nuk ka rrënjë, ajo fishket dhe thahet; dhe ju e shkulni dhe e flakni tej.
39 Tani, kjo nuk ndodh sepse fara nuk ishte e mirë, as nuk është sepse fruti i saj nuk do të ishte i dëshirueshëm; por është sepse toka juaj është shterpë dhe ju nuk do ta ushqeni pemën, prandaj ju nuk do të mund të keni frutin e saj.
40 Dhe kështu, në qoftë se ju nuk do ta ushqeni fjalën, duke pritur me një sy besimi te fruti i saj, ju nuk do të mund të vilni kurrë frutin nga pema e jetës.
41 Por, në qoftë se ju do ta ushqeni fjalën, po, do ta ushqeni pemën si të fillojë të rritet, me besimin tuaj, me zell të madh dhe me durim, duke pritur frutin e saj, do të lëshojë rrënjë; dhe vini re, do të jetë një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme.
42 Dhe për shkak të zellit tuaj dhe të besimit tuaj dhe të durimit tuaj me fjalën, duke e ushqyer atë, që ajo të mund të lëshojë rrënjë në ju, vini re, ca nga ca, ju do të vilni frutin e saj që është shumë i çmueshëm, që është më i ëmbël mbi çdo gjë që është e ëmbël dhe që është më i bardhë nga çdo gjë që është e bardhë, po, dhe i kulluar mbi çdo gjë që është e kulluar; dhe ju do të ushqeheni me bollëk me këtë frut, madje derisa të ngopeni, që të mos keni uri, as të mos keni etje.
43 Atëherë, vëllezërit e mi, ju do të korrni shpërblimet e besimit tuaj dhe të zellit tuaj dhe të durimit, dhe të durueshmërisë, duke pritur që pema t’ju japë frut.