Seksioni 137
Një vegim i dhënë Joseph Smith Profetit, në tempullin në Kirtland, Ohio, më 21 janar 1836 (History of the Church, 2:380–381). Rasti ishte administrimi i ordinancave të dhurimit, për aq sa ato ishin zbuluar në atë kohë.
1–6, Profeti sheh vëllanë e tij Alvin në mbretërinë çelestiale; 7–9, Doktrina e shpëtimit për të vdekurit zbulohet; 10, Gjithë fëmijët shpëtohen në mbretërinë çelestiale.
1 Qiejt u hapën mbi ne dhe unë pashë mbretërinë çelestiale të Perëndisë dhe lavdinë e saj, qoftë në trup apo jashtë tij nuk mund ta them.
2 Unë pashë bukurinë e pamasë të portës nëpërmjet së cilës trashëgimtarët e asaj mbretërie do të hyjnë, që ishte e ngjashme me flakët rrethuese të zjarrit;
3 Gjithashtu fronin e zjarrtë të Perëndisë, ku ishin ulur Ati dhe Biri.
4 Pashë rrugët e bukura të asaj mbretërie, që kishin pamjen si të lara në ar.
5 Pashë Atin Adam dhe Abrahamin; dhe atin tim dhe nënën time; vëllanë tim Alvin, që kishte shumë kohë i fjetur;
6 Dhe u mahnita se si ishte e mundur që ai kishte fituar një trashëgimi në atë mbretëri, duke parë që ai ishte larguar nga kjo jetë përpara se Zoti të kishte shtrirë dorën e tij për ta mbledhur Izraelin për herë të dytë dhe nuk ishte pagëzuar për shlyerjen e mëkateve.
7 Kështu erdhi zëri i Zotit tek unë, duke thënë: Të gjithë ata që vdiqën pa një dituri të këtij ungjilli, që do ta kishin pranuar atë, nëse do të ishin lejuar të qëndronin, do të jenë trashëgimtarë të mbretërisë çelestiale të Perëndisë;
8 Gjithashtu ata që do të vdesin që tani e tutje pa dituri për të, të cilët do ta kishin pranuar atë me gjithë zemër, do të jenë trashëgimtarë të asaj mbretërie;
9 Sepse unë, Zoti, do t’i gjykoj të gjithë njerëzit sipas punëve të tyre, sipas dëshirës së zemrave të tyre.
10 Dhe unë gjithashtu vura re se të gjithë fëmijët që vdesin përpara se të arrinin vitet e përgjegjshmërisë së tyre, shpëtohen në mbretërinë çelestiale të qiellit.