“Unë Jam një Dishepull i Jezu Krishtit”, Për Forcën e Rinisë, janar 2024.
Tema e Rinisë për Vitin 2024
Unë Jam një Dishepull i Jezu Krishtit
Ti mund ta ndjekësh Shpëtimtarin dhe ta përhapësh fjalën e Tij tek të tjerët.
A e ke pyetur ndonjëherë veten se përse, pasi i shëroi njerëzit, Jezusi u tha disave prej tyre të mos i tregonin askujt (shih te Marku 7:36)? Një arsye mund të ketë të bëjë me llojin e ndjekësve për të cilët Ai kishte nevojë. Mund të mendosh se nëse njerëzit flisnin për shërimet e tyre, ajo do të ishte një mënyrë e mirë për Jezusin që të tërhiqte ndjekës. Megjithatë, Jezusi nuk kishte nevojë vetëm për ndjekës. Ai kishte nevojë për dishepuj.
Jezusi iu tha Pjetrit dhe Andreas: “Ndiqmëni” (Mateu 4:19). Te Përkthimi prej Joseph Smith‑it i vargut thuhet: “Unë jam ai për të cilin është shkruar nga profetët; më ndiqni” (Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Mateu 4:18). Ftesa nuk ishte që të shoqëroheshin me Të për njëfarë kohe. Ai dëshironte që ata të ishin dishepujt e Tij përgjithmonë.
Ai nuk donte vetëm që ata ta shihnin Atë t’u jepte mësim njerëzve, t’u jepte dashuri njerëzve dhe të kryente mrekulli. Ai dëshironte që ata të bënin të njëjtën gjë. Ai dëshironte që puna e Tij të bëhej puna e tyre. Të zgjidhje Krishtin do të thoshte që ata do të mësonin të shërbenin siç shërbeu Ai dhe do të mendonin siç mendoi Ai. Ata do të ushtronin të jetuarit që jetoi Ai, dhe Ai do t’u mësonte dhe jepte atyre ndihmën që u nevojitej për t’u bërë më shumë si Ai.
Fjala në greqisht për dishepull është mathetes. Do të thotë më shumë sesa ndjekës apo student. Shpesh përkthehet si stazhier. Në kohën e Krishtit, zakonisht ishin dishepujt që e zgjidhnin mjeshtrin nga i cili donin të mësonin, me synimin për t’u bërë vetë mjeshtër. Krishti nuk e ndoqi këtë praktikë tipike. Ai bëri të kundërtën dhe ishte Ai që i kërkoi dishepujt e Tij. Sot, Krishti na bën thirrje që të vijmë tek Ai. Ai na bën thirrje që të jemi dishepujt e Tij dhe ta shpallim fjalën e Tij mes popullit të Tij që ata të mund të kenë jetë të përjetshme (shihni tek 3 Nefi 5:13).
Një e re nga Haiti në Karaibe tregoi dëshirën e saj për të qenë dishepulle e Krishtit duke ftuar shoqen e vet, e cila nuk ishte anëtare e Kishës, të vinte me të në një konferencë FSY-je. Fillimisht babi i shoqes së saj nuk dëshironte t’i jepte leje të bijës për të shkuar. Udhëheqësit e Kishës shpjeguan për përvojat pozitive që e prisnin atë dhe për këshilltarët/et e mrekullueshëm/me të rinj/reja në moshë madhore që do të kujdeseshin për të. Babai i dha leje të bijës që të merrte pjesë dhe, pasi pa ndryshimin që bëri në jetën e saj, ai i dha leje edhe të ndiqte mbledhjet e Kishës dhe, gjashtë muaj më vonë, të pagëzohej.
Një i ri nga Argjentina, në Amerikën e Jugut, tregoi dëshirën e tij për të qenë një dishepull i Krishtit duke i dhënë një shoku disa nga karamelet e tij ndërsa shkonin me autobus për në shkollë. Kur hasi një karamele me shije kafeje, ai shpjegoi se kurrë nuk e kishte pëlqyer atë shije duke qenë se asnjëri në familjen e tij nuk pinte kafe. Kjo çoi në një bashkëbisedim për Kishën, e cila çoi në një ftesë për të ardhur në mbledhje, gjë që përfundimisht rezultoi me bashkimin e shokut të tij me Kishën dhe shërbimin në një mision në Kili.
Jo të gjithë ata me të cilët flet për Kishën ose i fton në një aktivitet të Kishës, do të duan të bashkohen. S’ka problem. Jo të gjithë ata me të cilët Krishti foli gjatë shërbesës së Tij tokësore, u bashkuan gjithashtu. Prapëseprapë, ndërsa zgjedhim të jemi dishepuj të Jezu Krishtit dhe ta shpallim fjalën e Tij, Ai do të na japë kurajë dhe ndihmë hyjnore. Ne do të mësojmë se si të bëhemi më shumë si Ai dhe kjo është ajo që bëjnë dishepujt.