Për Forcën e Rinisë
Mjaft me Krahasime! Ti Je Mjaftueshëm i Vlefshëm
Janar 2024


“Mjaft me Krahasime! Ti Je Mjaftueshëm i Vlefshëm”, Për Forcën e Rinisë, janar 2024.

Eja, Më Ndiq

1 Nefi 27

Mjaft me Krahasime! Ti Je Mjaftueshëm i Vlefshëm

Këtu janë katër gjëra që mësojmë nga njëri prej vëllezërve më të mëdhenj të Nefit.

Pesha [për ushtrim fizik]

Ilustrimet nga Corey Egbert

Ndodh që ke një nxënës në klasë i cili përherë e di përgjigjen e duhur. Një fëmijë në ekipin e basketbollit që gjithmonë ta merr në lojë. Një person që çdokush dëshiron ta bëjë shok ose shoqe. Në botën e krahasimeve, duket sikur gjithmonë është dikush që është më i mirë.

Krahasimet mund të jenë veçanërisht të vështira kur bëhet fjalë për të jetuarit e ungjillit. Mund të mendosh se të tjerët janë më të drejtë, kanë një dëshmi më të fortë ose e ndiejnë Shpirtin më qartë se ti. Por krahasimi i vetes në këtë mënyrë nuk të ndihmon.

Nga Libri i Mormonit, ndoshta e di se Nefi ishte një udhëheqës dhe profet i fuqishëm. Por sa njohuri ke rreth vëllait më të madh e besnik të Nefit, Samit? Ai nuk ishte një udhëheqës apo profet si Nefi, por nuk i duhej të ishte pikërisht si Nefi për të qenë mjaftueshëm i vlefshëm.

burra duke u lutur

1. Semi Ishte Besimtar

Nefi u lut dhe ai vetë mori një përgjigje se Zoti e kishte urdhëruar familjen e tyre të largohej për në vendin e shkretë. Dhe Sami “[i] besoi … fjalët [e Nefit]” (shih te 1 Nefi 2:16–17). Sami mund të mos ketë pasur një dëshmi të përsosur. Ai mund të ketë pasur pyetje. Por ai zgjodhi t’u besonte fjalëve të vëllait të vet dhe më pas veproi sipas bindjeve të veta. Mos e krahaso besimin apo dëshminë tënde me atë të të tjerëve. Ndërsa vepron me besim ashtu si Sami, dëshmia jote për Shpëtimtarin do të rritet pak e nga pak. (Shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 46:13–14; Alma 32.)

burra duke biseduar

2. Sami Ishte i Përulur

Lamani dhe Lemueli nuk ishin të lumtur që vëllai i tyre më i vogël, Nefi, po bëhej udhëheqës mbi ta. Por Sami, i cili gjithashtu ishte vëlla më i madh i Nefit, duhet të ketë qenë i përulur. Ai e dëgjoi Nefin dhe e ndoqi këshillën e tij (shih te 2 Nefi 5:3–6). Nëse njerëzve të tjerë rreth teje u kërkohet të drejtojnë dhe ty jo, ji i përulur dhe mos bëj krahasime. Përkrahi ata, mëso prej tyre dhe bëj çmos që të zgjedhësh të drejtën.

dy burra të inatosur me një burrë tjetër

3. Sami Ishte i Duruar

Mund të duket sikur të gjithë rreth teje po bëjnë një jetë të përsosur, por të gjithë kalojnë kohë të vështira. Edhe Sami nuk bënte përjashtim. Lamani dhe Lemueli u kthyen kundër Samit, siç bënë edhe me Nefin. Madje e goditën Samin me një shufër, sikurse goditën Nefin! (Shih te 1 Nefi 3:28; 1 Nefi 7:6.) Por Sami i duroi me durim sprovat e tij. Të kalosh kohë të vështira nuk do të thotë medoemos se po bën diçka të gabuar. Mos i krahaso sprovat e tua me ato të njerëzve të tjerë. Ji i duruar dhe mirëbeso te Zoti. Ai do të të ndihmojë ta kalosh vështirësinë.

burrë

4. Sami u Bekua

Ati i Samit, Lehi, i tha atij: “Ti do të jesh i bekuar në të gjitha ditët e tua” (2 Nefi 4:11). Sami mund të mos ketë qenë udhëheqës ose profet, por ende e ndoqi me besnikëri Jezu Krishtin dhe u bekua për këtë. Me ndihmën e Shpëtimtarit, ai ishte mjaftueshëm i vlefshëm. Edhe ti mund të jesh i tillë.