“Një Dishepull i Jezu Krishtit”, Për Forcën e Rinisë, janar 2024.
Rresht pas Rreshti
Një Dishepull i Jezu Krishtit
Shih se si përshkrimi i Mormonit për veten gjen zbatim edhe për ty.
dishepull i Jezu Krishtit
Fjala dishepull do të thotë dikush që mëson nga një mësues ose mjeshtër (si një nxënës ose një stazhier).
Dishepujt e Jezu Krishtit mësojnë nga Ai, i ndjekin mësimet e Tij dhe përpiqen të bëhen si Ai.
u thirra prej tij të njoftoj fjalën e tij
Disa njerëz kanë një thirrje të veçantë për të njoftuar fjalën e Krishtit, të tillë si misionarët. Por nëpërmjet besëlidhjeve tona, ne premtojmë t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, përfshirë urdhërimin për të qenë një dritë për botën (shih te Mateu 5:14–16). Dhe ne shpallim gatishmërinë tonë për të “qëndr[uar] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” (Mosia 18:9).
Çdo anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është thirrur të ndihmojë për të përmbushur veprën e Zotit dhe për të shpërndarë ungjillin e Tij (shih te Doktrina e Besëlidhje 38:40–41).
jetë të përjetshme
Jetë e përjetshme do të thotë jeta në mbretërinë çelestiale me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ky është shpërblimi për njerëzit që kanë besim te Jezu Krishti, pendohen, i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet dhe durojnë deri në fund.
Zoti ka thënë: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Dishepujt e ndihmojnë Atë ta përmbushë veprën e Tij.