Për Forcën e Rinisë
Rend pas Dritës!
Janar 2024


“Rend pas Dritës!”, Për Forcën e Rinisë, janar 2024.

Eja, Më Ndiq

Faqja e titullit të Librit të Mormonit; Parathënia e Librit të Mormonit

Rend pas Dritës!

Libri i Mormonit sjell dritë dhe fuqi në jetën tënde për të të udhërrëfyer në ditët sfiduese dhe të ethshme që të presin.

Pamja
e re te shkrimet e shenjta

Ilustrimet nga Gabriele Cracolici

Kur isha djalosh, më pëlqente shumë historia e vëllait të Jaredit në Librin e Mormonit. Në mendjen time përvojën e tij mund ta shihja si një film. Teksa lexoja për të, thuajse dukej se po ndodhte vërtet.

Vëllai i Jaredit u urdhërua nga Zoti të ndërtonte mauna kështu që ai dhe familja e tij të mund të kalonin oqeanin për në “tokë[n e] premt[uar]” (Ethëri 2:9). Por maunat nuk kishin ndriçim. Duke mos dashur të udhëtonte në errësirë, vëllai i Jaredit kërkoi ndihmën e Zotit. Zoti e pyeti atë: “Ç’do që të bëj?” (Ethëri 2:23.)

Me besim të madh, vëllai i Jaredit mori 16 gurë në majë të malit dhe u lut. Ai i kërkoi Zotit t’i prekte gurët “që të ndriço[nin] në errësirë” (Ethëri 3:4). Zoti pastaj shtriu dorën e Tij dhe e preku çdo gur me gishtin e Tij, duke i dhënë dritë. Gjatë gjithë jetës sime e kam përfytyruar Zotin duke i prekur ata gurë.

Ashtu si vëllait të Jaredit iu dha dritë, Zoti Jezu Krisht do të të japë dritë edhe ty. Ai është “drita dhe jeta e botës” (3 Nefi 11:11). Të ftoj të rendësh pas Dritës! Studimi i Librit të Mormonit do ta forcojë besimin tënd te Jezu Krishti dhe do të të ndihmojë të qëndrosh i lidhur pas Dritës së Tij.

Një Udhërrëfyes dhe një Dritë

E kam lexuar Librin e Mormonit dhe kam marrë përbrenda një dëshmi shumë herë që ai është i vërtetë. Asnjëherë nuk e kam vënë në dyshim atë! Kur nuk e ndiej Shpirtin, kur nuk jam në harmoni me gjërat shpirtërore, kam një ndjesi të errësirës. Por kur e lexoj Librin e Mormonit, më rikthehet drita. Ndonjëherë më duhet të lexoj vetëm një varg që ta ndiej sërish dritën, por përherë e ndiej dritën kur e lexoj atë.

Fakti që drita e mposht errësirën, është real për mua. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë1. Kjo ndodh pasi Libri i Mormonit e rrit besimin tënd te Jezu Krishti. Ai sjell dritë dhe fuqi. Mësimet e tij do të të udhërrëfejnë në ditët sfiduese dhe të ethshme që të presin.

Të Ndiesh Dritën

Kam bekimin të shërbej përkrah Presidentit Nelson. Kur profeti hyn në një dhomë, dhoma menjëherë bëhet më e ndriçuar. Ai mbart me vete Dritën e Krishtit.

Ndonjëherë është e vështirë të jesh i sigurt se po e ndien Dritën e Krishtit. Këtë nuk e sheh me sytë e tu fizikë. Ajo vjen si ndjenja shpirtërore. Është ndjesia e asaj se çfarë është e drejtë dhe e gabuar dhe çfarë është e vërtetë dhe e rremë (shih te Moroni 7:13–19).

Sa herë që zgjedh të jesh më shumë si Jezu Krishti, ti ecën në Dritën e Krishtit. Leximi i Librit të Mormonit e forcon atë Dritë.

“Sigurisht që Është i Vërtetë!”

Sinqerisht besoj se kur shkrimet e shenjta thonë: “Mbani mend, mbani mend” (Helamani 5:12), ato nënkuptojnë se ne nuk duhet të kujtojmë thjesht Jezu Krishtin ose të kujtojmë se dikur e ndiem Dritën e Tij. Ne duhet ta ndiejmë Dritën e Tij tani dhe ta ndiejmë atë në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është ajo që zbuloi një i ri, Eriku, kur e lexoi për herë të parë Librin e Mormonit.

Pasi u shpërngul në një vend të ri dhe filloi shkollën e mesme, Eriku pati vështirësi në orët e tij mësimore dhe mezi përshtatej. Ai gjithashtu filloi të pyeste veten nëse kishte një dëshmi.

“Fillova ta lexoja me seriozitet Librin e Mormonit për herë të parë në jetën time”, – tha Eriku. “E lexoja dhe lutesha çdo ditë.”

Kur Eriku u lut dhe e pyeti Atin Qiellor nëse Libri i Mormonit ishte i vërtetë, ai ishte i sigurt se do të merrte një përgjigje, por asgjë nuk ndodhi.

Disa kohë më vonë, ndërsa po ecte nëpër pyll pas shtëpisë së vet, Eriku pyeti përsëri. Këtë herë, ai pati një mbresë, sikur Ati Qiellor e pyeti: “Erik, çfarë ka ndodhur në jetën tënde qëkurse fillove ta lexoje Librin e Mormonit dhe të luteshe çdo ditë?”

Eriku mendoi se si kishte zënë miq të mirë dhe po ecte më mirë me shkollën. Pa e kuptuar këtë, Libri i Mormonit kishte sjellë dritë dhe fuqi në jetën e tij.

Më pas ajo ndodhi.

“Nuk dëgjova një zë”, – tha Eriku, “por Shpirti ma mbushi zemrën ndërsa më erdhën në mendje këto fjalë: ‘Sigurisht, që është i vërtetë!’ Më pushtoi një ndjenjë e plotë paqeje, gëzimi dhe sigurie. E dija se më në fund e gjeta përgjigjen time.”2

Të Ecim Përpara në Dritë

Nga faqja e tij e parë deri tek e fundit, Libri i Mormonit dëshmon se “Jezusi është Krishti”3 dhe aty mësojmë se “ç’duhet të bëj[m]ë që të arrij[m]ë paqe në këtë jetë dhe shpëtim të përjetshëm në jetën që do të vijë”4.

Teksa e studion Librin e Mormonit, shpresoj se do ta ndiesh se u shkrua për ty. Doktrinat në Librin e Mormonit dhe shembujt e guximshëm të Nefit, Lehit dhe Sarias, Abinadit, Almës, Amulekut, Abishit, bijve të Mosias dhe shumë të tjerëve, do të të ngrenë moralisht, udhërrëfejnë dhe fuqizojnë që të jesh një dishepull më i mirë i Jezu Krishtit dhe do të të drejtojnë që të ecësh i sigurt në Dritën e Tij.

Unë dëshmoj se Libri i Mormonit është një dëshmi e çmuar dhe e sigurt se Jezu Krishti jeton dhe se është burimi ynë i ngushëllimit, shpresës, paqes, gëzimit dhe dritës. Lutem me gjithë zemër që të rendësh pas Dritës që gjendet në Librin e Mormonit, të afrohesh më pranë Jezu Krishtit dhe ta ndiesh ngrohtësinë e dritës dhe dashurisë së Tij më shumë se kurrë më parë.

Pamja
vajzë me bllok shënimesh dhe laps të stërmadh

Shtyp në Letër