Për Forcën e Rinisë
Mënyra të Shumta për të Mësuar
Janar 2024


“Mënyra të Shumta për të Mësuar”, Për Forcën e Rinisë, janar 2024.

Mënyra të Shumta për të Mësuar

A dëshironi ta bëni botën paksa më të mirë? E gjitha fillon duke mësuar mënyrën se si ta bëni.

e re duke u parë në pasqyrë

Ilustrimi nga Dean Macadam

Çfarë lidhje ka të mësosh se si të presësh flokët me vendosjen e dritave në skenë?

“Është e gjitha pjesë e planit tim”, – thotë Liza, tani një e re në moshë madhore në vitin e parë të kolegjit.

Liza e filloi shkollën e kozmetologjisë në moshën 16-vjeçare. Ajo madje gjeti një program që e lejonte të shkonte më pak ditë në shkollën e mesme, në mënyrë që pasditeve të mund të ushtrohej në shkollën e kozmetologjisë. Fakti që ajo tani është në kolegj duke studiuar për teknologjinë e teatrit, nuk do të thotë se gjithë puna për kozmetikë shkoi dëm. Faktikisht, çdo gjë po del siç e kishte shpresuar ajo.

“Doja të kisha një zotësi që mund ta përdorja për të paguar kolegjin”, – thotë Liza. “Plus, më lejon t’u shërbej njerëzve të tjerë dhe të kursej të holla për prerjet e flokëve të familjarëve për gjithë jetën time!”

Përse Mësojmë

“Ati Qiellor dëshiron që bijat dhe bijtë e Tij të jenë gjithmonë duke mësuar.”1 Këtu janë disa nga mënyrat e shumta se si të mësuarit gjatë gjithë jetës është një bekim i madh:

  • Ti mund t’i ndihmosh dhe mësosh më mirë miqtë, familjen dhe të tjerët.

  • Ti mund të shërbesh më mirë në Kishë dhe në komunitetin tënd.

  • Ti do të kesh më shumë zotësi që vlejnë në treg për mbështetjen te vetja.

  • Njohuritë e tua do të mund t’i marrësh me vete kur të ikësh nga kjo jetë.

  • Ndërsa ushtrohesh në mënyrë aktive dhe e vë në punë trurin, ai mund të qëndrojë më i shëndetshëm.

Si Mësojmë

Nëpërmjet shkrimeve të shenjta mësojmë se duhet të “kërko[jmë] të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (Doktrina e Besëlidhje 88:118; shih edhe 130:18). Sot më shumë se kurrë më parë ka mundësi të shumta për të mësuarit, të tilla si:

  • Shkollimi formal, përfshirë kolegjin, universitetin dhe shkollat profesionale.

  • Kërkimi i njohurisë “nga librat më të mirë” (Doktrina e Besëlidhje 88:118). Mund të shtosh gjithashtu, “burimet më të mira digjitale”.

  • Të mësuarit drejtpërdrejt nga miqtë dhe familjarët.

    Ide për aktivitetin! Organizoni në degën ose lagjen tuaj një aktivitet mësimdhënieje të tillë si “shkëmbimi i zotësive”. Të gjithë vijnë të përgatitur për të dhënë mësim diçka që dinë ta bëjnë.

  • Lutja dhe studimi i shkrimeve të shenjta.

  • Të jetuarit me besnikëri për të qenë të denjë për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë, i cili “do t’ju mësojë çdo gjë” (Gjoni 14:26).

  • Eksperimentimi, të menduarit krijues dhe përpjekja. Gjëja e bukur rreth njohurisë është se çdo ditë mësohet më shumë. Mund t’i shtosh njohuri masës së njohurive në botë.

Kur Mësojmë

Në përfundim, qoftë nëse je duke mësuar se si të presësh flokë si Liza, apo po mëson se si të zhvillosh teknologjinë e energjisë së epokës ardhshme, Presidenti Nelson na kujton se ka gjithmonë një kohë më të mirë për t’u marrë me detyra të tilla:

“Po, ne duhet të mësojmë nga e kaluara dhe po, ne duhet të përgatitemi për të ardhmen”, dha mësim ai. “Por vetëm tani mund të veprojmë. Tani është koha kur mund të mësojmë. … Tani është koha kur mund t’i bekojmë të tjerët.”2

Pra, tani. Çfarë dëshiron të mësosh sot?