Dhuratë e Papërshkrueshme nga Perëndia
Fryma e Shenjtë bashkëvepron në unitet të përsosur me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, duke përmbushur shumë role të rëndësishme dhe përgjegjësi të dallueshme.
Në vitin 1994, Presidenti Hauard W. Hanter i ftoi të gjithë anëtarët e Kishës që “ta vendosnin tempullin … si simbolin e madh të anëtarësisë [sonë]”1. Më vonë, po atë vit, u përfundua ndërtimi i Tempullit të Bauntifullit në Juta. Si shumë të tjerë, ne ishim plot dëshirë për ta çuar familjen tonë të re te shtëpia e hapur përpara përkushtimit. Ne punuam me këmbëngulje për t’i përgatitur fëmijët tanë të hynin në tempull, duke u lutur me zell që të mund të kishin një përvojë shpirtërore në mënyrë që tempulli të bëhej qëllim kryesor në jetën e tyre.
Teksa ecnim me nderim nëpër tempull, u gjenda duke admiruar arkitekturën madhështore, punimet e përfunduara elegante, dritën që shndriste nga dritaret e larta dhe shumë prej pikturave frymëzuese. Çdo aspekt i kësaj ndërtese të shenjtë qe vërtet i goditur.
Duke hyrë në dhomën çelestiale, papritmas kuptova se biri ynë më i vogël, Beni gjashtë vjeçar, po kapej pas këmbës time. Ai dukej jo i qetë – ndoshta edhe pak i shqetësuar.
“Çfarë nuk shkon, Bir?” i pëshpërita.
“Babi”, u përgjigj, “çfarë po ndodh këtu? Kurrë më parë nuk jam ndier kështu.”
Duke e kuptuar se kishte të ngjarë që kjo të ishte hera e parë që djali ynë i vogël e ndiente ndikimin e Frymës së Shenjtë në një mënyrë kaq të fuqishme, u gjunjëzova mbi dysheme pranë tij. Ndërsa vizitorë të tjerë ecnin rreth nesh, unë dhe Beni kaluam disa minuta, krah për krah, duke mësuar së bashku rreth Frymës së Shenjtë. U çudita se me sa lehtësi qemë në gjendje të diskutonim mbi ndjenjat e tij të shenjta. Teksa folëm, u bë e qartë se ajo që qe më frymëzuesja për Benin nuk ishte ajo që pa por ajo që ndieu – jo bukuria fizike përreth nesh por zëri i qetë e i ulët i Shpirtit të Perëndisë brenda zemrës së tij. I tregova atë që kisha mësuar nga përvojat e mia vetjake, teksa mrekullimi i tij fëmijëror rizgjoi edhe në mua një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për këtë dhuratë të papërshkrueshme nga Perëndia – dhuratën e Frymës së Shenjtë2.
Kush Është Fryma e Shenjtë?
Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi dhe, si i tillë, ashtu si Perëndia Ati dhe Jezu Krishti, Ai i di mendimet tona dhe qëllimet e zemrës sonë.3 Fryma e Shenjtë na do dhe dëshiron që të jemi të lumtur. Meqënëse i di sfidat që hasim, Ai mund të na drejtojë e mësojë të gjitha gjërat që duhet të bëjmë për t’u kthyer e jetuar edhe një herë me Atin tonë Qiellor.4
Ndryshe nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, që kanë trupa të përlëvduar prej mishi e kockash, Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit që i flet shpirtrave tanë përmes ndjenjave e përshtypjeve.5 Duke qenë qenie shpirtërore, Ai ka përgjegjësinë unike e të qenit mjeti përmes të cilit merret zbulesa personale. Në shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë shpesh quhet Shpirti i Shenjtë, Fryma e Zotit, Shpirti i Shenjtë i Premtimit ose thjesht Fryma.6
Cili Është Misioni i Frymës së Shenjtë?
Fryma e Shenjtë bashkëvepron në unitet të përsosur me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, duke përmbushur shumë role të rëndësishme dhe përgjegjësi të dallueshme. Qëllimi primar i Frymës së Shenjtë është që të japë dëshmi për Perëndinë Atin dhe për Birin e Tij, Jezu Krishtin,7 dhe që të na mësojë të vërtetën e të gjitha gjërave.8 Një dëshmi e sigurt nga Fryma e Shenjtë përçon shumë më tepër siguri sesa një dëshmi nga çfarëdo burimi tjetër. Presidenti Jozef Filding Smith dha mësim se “kur Shpirti i Perëndisë i flet shpirtit të njeriut, Ai ka fuqi ta komunikojë të vërtetën me një forcë e kuptueshmëri më të madhe [madje dhe] sesa e vërteta që mund të komunikohet nga takimi i drejtpërdrejtë edhe me qenie qiellore”9.
Fryma e Shenjtë njihet edhe si Ngushëlluesi10. Gjatë periudhave të shqetësimit apo dëshpërimit ose thjesht kur kemi nevojë të dimë që Perëndia është pranë, Fryma e Shenjtë mund të ngrejë moralisht shpirtin tonë, të na japë shpresë dhe të na mësojë “gjërat paqësore të mbretërisë”11, duke na ndihmuar që të ndiejmë “paq[en] e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie”12.
Disa vite më parë kur rrethi ynë familjar u mblodh për një darkë pushimesh, babai im filloi të luante lojëra me shumë prej nipërve e mbesave të tij. Befas dhe pa paralajmërim, ai u rrëzua dhe shpejt ndërroi jetë. Kjo ngjarje e papritur mund të kishte qenë shkatërrimtare, veçanërisht për nipërit e mbesat e tij, që ngrinin pyetje të cilat janë të vështira t’u përgjigjesh. Megjithatë, si i mblodhëm fëmijët tanë rreth vetes, teksa u lutëm dhe lexuam fjalët e profetëve të Librit të Mormonit rreth qëllimit të jetës, Fryma e Shenjtë e ngushëlloi secilin prej nesh personalisht. Në mënyra që janë të vështira të përshkruhen me fjalë, përgjigjet që kërkuam erdhën qartësisht në zemrën tonë. Ne ndiem një paqe atë ditë, që vërtet e tejkalonte të kuptuarin tonë, ende dëshmimi nga Fryma e Shenjtë qe i sigurt, i pamohueshëm dhe i vërtetë.
Fryma e Shenjtë është mësues dhe zbulues.13 Teksa studiojmë, meditojmë e lutemi rreth të vërtetave të ungjillit, Fryma e Shenjtë ndriçon mendjen tonë dhe gjallëron të kuptuarin tonë.14 Ai bën që e vërteta të ngulitet në mënyrë të pashlyeshme në shpirtin tonë dhe mund të bëjë që të ndodhë një ndryshim i madh në zemrën tonë. Ndërsa i ndajmë këto të vërteta me familjen tonë, me anëtarët e tjerë të Kishës dhe me miqtë e fqinjët në komunitetin tonë, Fryma e Shenjtë bëhet edhe mësuesi i tyre, pasi Ai e çon mesazhin e ungjillit “në zemrat e fëmijëve të njerëzve”15.
Fryma e Shenjtë na frymëzon që t’u gjendemi të tjerëve duke u shërbyer. Për mua, shembujt më të gjallë të të dëgjuarit të nxitjeve të Frymës së Shenjtë në shërbim të të tjerëve vijnë nga jeta dhe shërbesa e Presidentit Tomas S. Monson, i cili tha: “Kam mësuar se, gjatë përmbushjes së përgjegjësive tona, kur ia vëmë veshin një nxitjeje të qetë dhe veprojmë në përputhje me të pa u vonuar, Ati ynë Qiellor do t’i drejtojë hapat tanë e do ta bekojë jetën tonë dhe jetën e të tjerëve. Nuk di ndonjë përvojë më të ëmbël ose ndjenjë më të çmuar sesa të bindurit ndaj një nxitjeje për të zbuluar në fund të fundit që Zoti i është përgjigjur lutjes së një njeriu tjetër përmes jush.”16
Po ndaj vetëm një përvojë të dhembshur. Kur Presidenti Monson po shërbente si peshkop, ai mori vesh se një anëtare e lagjes së tij, Meri Uatson, qe në spital. Kur shkoi ta vizitonte, mësoi se ajo po qëndronte në një dhomë të madhe me disa paciente të tjera. Kur iu qas motrës Uatson, vuri re se pacientja në shtratin fqinj mbuloi kokën me shpejtësi.
Pasi Presidenti Monson e kishte vizituar motrën Uatson dhe i kishte dhënë një bekim priftërie, i dha dorën, tha mirupafshim dhe u përgatit që të largohej. Në atë kohë ndodhi një gjë e thjeshtë por mahnitëse. Tani do citoj nga vetë kujtimet e Presidentit Monson lidhur me këtë përvojë:
“Nuk mund të largohesha nga ajo. Dukej sikur një dorë e padukshme [po më] qëndronte mbi shpatull dhe ndieva brenda shpirtit sikur po dëgjoja këto fjalë: ‘Shko te krevati pranë ku zonja trupvogël mbuloi fytyrën kur hyre’. Unë e bëra këtë. …
Iu afrova anës së krevatit të pacientes tjetër, e preka lehtë në shpatull dhe me kujdes tërhoqa çarçafin që mbulonte fytyrën e saj. Dhe çfarë vura re! Edhe ajo qe anëtare e lagjes sime. Nuk e dija që ishte e shtruar në spital. Emri i saj qe Kethlin Mek-Ki. Kur sytë e saj ndeshën të mitë, ajo thirri mes lotësh: ‘Oh, peshkop, kur hytë nga ajo derë, ndieva që kishe ardhur të më takoje mua dhe të më bekoje në përgjigje të lutjeve të mia. Po lumturohesha përbrenda duke menduar që ju e dinit se isha këtu, por kur ndaluat tek krevati tjetër, zemra më theri dhe e dija se nuk kishit ardhur të më takonit mua.’
I thashë [motrës] Mek-Ki: ‘Nuk ka rëndësi që nuk e dija se ishit këtu. Megjithatë, ka rëndësi që Ati ynë Qiellor e dinte, dhe se ishit lutur në heshtje për një bekim priftërie. Ishte Ai që më nxiti të ndërhyja në privatsinë tuaj.”17
Si Na Flet Fryma e Shenjtë?
Ne të gjithë kemi përvoja me Frymën e Shenjtë, megjithëse jo gjithmonë mund t’i kuptojmë ato. Kur mendimet e frymëzuara na vijnë në mendje, ne e dimë që janë të vërteta prej ndjenjave shpirtërore që hyjnë në zemrën tonë. Presidenti Bojd K. Paker ka dhënë mësim: “Fryma e Shenjtë flet me një zë që më shumë e ndieni sesa e dëgjoni. … Kur flasim për ‘dëgjimin’ e pëshpëritjeve të Shpirtit, më shpesh përshkruhet një nxitje shpirtërore duke thënë: ‘Unë pata një ndjesi… ’.”18 Është përmes këtyre ndjenjave të shenjta nga Fryma e Shenjtë që arrijmë të dimë se çfarë do të donte Perëndia që ne të bënim, pasi ky, siç thuhet në shkrimin e shenjtë, “është shpirti i zbulesës”19.
Çfarë Do Të Thotë të Marrësh Dhuratën e Frymës së Shenjtë?
Kur po i jepja mësim djalit tonë gjashtë vjeçar, Benit, mendova që qe me rëndësi t’i shpjegoja dallimin mes asaj që po ndiente, që qe ndikimi i Frymës së Shenjtë, dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë, që do ta merrte pas pagëzimit. Para pagëzimit, të gjithë kërkuesit e ndershëm e të sinqertë të së vërtetës mund të ndiejnë ndikimin e Frymës së Shenjtë hera herës. Mirëpo, mundësia për të marrë shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë dhe plotësinë e të gjitha bekimeve të lidhura me Të janë të disponueshme vetëm për anëtarët e denjë e të pagëzuar, të cilët e marrin dhuratën e Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve nga ata që mbajnë autoritetin e priftërisë së Perëndisë.
Përmes dhuratës së Frymës së Shenjtë, ne marrim aftësi shtesë dhe dhurata shpirtërore, më shumë zbulesë e mbrojtje, udhëheqje e drejtim të vazhdueshëm dhe bekimet e premtuara të shenjtërimit e ekzaltimit në mbretërinë çelestiale. Të gjitha këto bekime jepen si rrjedhojë e dëshirës sonë vetjake për t’i marrë ato dhe vijnë teksa e vëmë jetën tonë në përputhje me vullnetin e Perëndisë dhe kërkojmë drejtimin e Tij të vazhdueshëm.
Kur mendoj rreth përvojës sime me Benin në Tempullin e Bauntifullit në Juta, kam shumë ndjenja e përshtypje të ëmbla. Një kujtim i kthjellët është se teksa qeshë përfshirë nga madhështia e asaj që po shihja, një fëmijë i vogël pranë meje po kuptonte ndjenjat e fuqishme në zemrën e tij. Me anën e një kujtuesi të ëmbël, unë u ftova jo vetëm të ndaloja e të gjunjëzohesha por edhe t’ia vija veshin thirrjes së Shpëtimtarit për t’u bërë si një fëmijë i vogël – i përulur, i bindur dhe i gatshëm të dëgjojë zërin e qetë e të ulët të Shpirtit të Tij.
Jap dëshmi për realitetin e gjallë dhe misionin hyjnor të Frymës së Shenjtë dhe se nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë ne mund të dimë të vërtetën e të gjitha gjërave. Dëshmoj se dhurata e Frymës së Shenjtë është dhurata e çmuar dhe e papërshkrueshme e Atit Qiellor ndaj të gjithë atyre që vijnë te Biri i Tij, pagëzohen në emrin e Tij dhe marrin Frymën e Shenjtë përmes konfirmimit në Kishën e Tij. Për këto të vërteta të shenjta unë jap dëshmi personale në emrin e Jezu Krishtit, amen.