Vëllezër, Ne Kemi Punë për të Bërë
Si burra të priftërisë, ne kemi një rol thelbësor për të luajtur në shoqëri, në shtëpi dhe në Kishë.
Vëllezër, shumë është thënë dhe shkruar vitet e fundit rreth sfidave të burrave dhe djemve. Pak shembuj të titujve të librave, për përmendur disa, përfshijnë Why There Are No Good Men Left [Përse nuk Kanë Mbetur Burra të Mirë], The Demise of Guys [Fundi i Njerëzve], The End of Men [Fundi i Burrave], Why Boys Fail [Përse Dështojnë Djemtë] dhe Manning Up [Burrërimi]. Interesant, shumica e këtyre duket të ketë qenë shkruar nga gra. Sidoqoftë, një fill i përbashkët që përshkon këto analiza, është se, në shumë shoqëri sot, burrat po marrin sinjale pështjelluese dhe kontradiktore mbi rolet dhe vlerat e tyre në shoqëri.
Autori i Burrërimit e karakterizoi në këtë mënyrë: “Ka qenë thuajse një rregull universal i qytetërimit që, ndërsa vajzat bëheshin gra thjesht duke arritur pjekurinë fizike, djemtë duhej të kalonin një provë. Ata duhej të demonstronin kurajë, vlerë fizike apo zotërim të aftësive të nevojshme. Qëllimi ishte të vërtetonin kompetencën e tyre si mbrojtës të grave dhe fëmijëve; ky ishte gjithmonë roli i tyre parësor social. Sot, sidoqoftë, me gra që shkojnë përpara në një ekonomi të përparuar, burrat dhe baballarët sigurues të të ardhurave nuk janë detyrim tani dhe cilësitë e karakterit që u nevojiteshin burrave për të luajtur rolin e tyre – guximi, durimi, kuraja, besnikëria – janë të vjetra dhe madje pak sikletosëse.”1
Në zellin e tyre për të nxitur mundësi për gratë, gjë që ne e vlerësojmë, ka nga ata që ua ulin vlerën burrave dhe kontributeve të tyre. Ata duket se e mendojnë jetën si një garë midis mashkullit dhe femrës – që njëri duhet ta sundojë tjetrin dhe tani është radha e grave. Disa argumentojnë se një karrierë është gjithçka dhe martesa e fëmijët duhet të jenë tërësisht fakultative – prandaj, përse na duhen burrat?2 Në shumë filma të Hollivudit, shfaqje në TV dhe kabllore dhe madje reklama, burrat portretizohen si të paaftë, të papjekur apo egoistë. Ky zhburrërim kulturor i meshkujve po ushtron një ndikim të dëmshëm.
Në Shtetet e Bashkuara, për shembull, raportohet se: “Vajzat ua kalojnë djemve tani në çdo nivel, nga shkolla fillore deri në shkollën e lartë. Në klasën e tetë, për shembull, vetëm 20 për qind e djemve janë të aftë në të shkruar dhe 24 për qind në të lexuar. Ndërkohë, rezultatet e të rinjve në provimin për në kolegj në 2011-ën ishin më të ulëtat që kanë qenë gjatë 40 viteve. Sipas Qendrës Kombëtare për Statistikat e Arsimit, djemtë kanë 30 për qind më shumë gjasa sesa vajzat që ta ndërpresin edhe shkollën e mesme edhe kolegjin. … Parashikohet që gratë do të fitojnë 60 për qind diplomën e shkallës së parë të universitetit, 63 për qind diplomën e masterit dhe 54 për qind doktoratën në 2016-ën. Dy të tretat e studentëve në programet e veçanta për të prapambeturit në arsim janë meshkuj.”3
Disa burra dhe të rinj i kanë marrë sinjalet negative si një justifikim për të shmangur përgjegjësinë dhe kurrë nuk rriten vërtet. Në një vëzhgim që është shumë shpesh një karakterizim i drejtë, një profesor universiteti vërejti: “Burrat futen në klasë me kaskat e tyre të bejsbollit të vendosura mbrapsht dhe justifikime [mburoja e tyre] si ‘procesori i uordit (programi word) ma hëngri detyrën e shtëpisë’. Ndërkohë, gratë kontrollojnë programet e tyre ditore dhe kërkojnë rekomandime për një shkollë jurisprudence.”4 Një kritike filmash femër shprehu pikëpamjen mjaft përbuzëse se “ajo për çka ne mund t’i llogarisim burrat, nëse jemi me fat dhe zgjedhim të kemi një partner, është të jetë vetëm kjo – një partner. Dikush që qëndron në hapësirën e vet për aq sa ai respekton pavarësinë tonë.”5
Vëllezër, nuk mund të jetë kështu me ne. Si burra të priftërisë, ne kemi një rol thelbësor për të luajtur në shoqëri, në shtëpi dhe në Kishë. Por ne duhet të jemi burra që gratë mund t’u besojnë, që fëmijët mund t’u besojnë dhe që Perëndia mund t’u besojë. Në Kishë dhe në mbretërinë e Perëndisë në këto ditë të mëvonshme, ne nuk mund të kemi djem dhe burra që nuk angazhohen aktivisht në punë. Ne nuk mund të kemi të rinj pa vetëdisiplinë dhe që jetojnë vetëm për t’u argëtuar. Ne nuk mund të kemi të rritur në moshë madhore që nuk po shkojnë gjëkundi në jetë, që nuk janë seriozë rreth formimit të familjes dhe dhënies së një ndihmese reale në këtë botë. Ne nuk mund të kemi bashkëshortë dhe baballarë që nuk sigurojnë udhëheqje shpirtërore në shtëpi. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes që ata që e mbajnë dhe e ushtrojnë Priftërinë e Shenjtë, sipas Urdhrit të Birit të Perëndisë, ta shpërdorojnë fuqinë e tyre në pornografi apo ta kalojnë jetën e tyre në hapësirën kibernetike (ironikisht, duke qenë të botës pa qenë në botë).
Vëllezër, ne kemi punë për të bërë.
Të rinj, ju nevojitet të keni rezultate të mira në shkollë dhe pastaj të vazhdoni arsimin tuaj përtej shkollës së mesme. Disa nga ju do të duan të ndjekin studimet universitare dhe karriera në biznes, bujqësi, qeveri, apo profesione të tjera. Disa do të shquhen në arte, muzikë apo mësuesi. Të tjerë do të duan të zgjedhin një karrierë ushtarake apo të mësojnë një zanat. Gjatë viteve, unë kam pasur një numër zanatçinjsh që punonin në projekte dhe riparime në shtëpinë time dhe unë kam admiruar punën e rëndë e mjeshtërinë e këtyre burrave. Në çfarëdo që zgjidhni, është thelbësore që ju të bëheni të aftë në mënyrë që të mund të mbështesni familjen dhe të jepni ndihmesë të vlefshme në komunitetin tuaj dhe vendin tuaj.
Kohët e fundit, pashë një video që tregonte një ditë nga jeta e një të riu 14-vjeçar në Indi me emrin Amar. Ai ngrihet herët dhe punon në dy punë, përpara dhe pas shkollës, gjashtë ditë e gjysmë në javë. E ardhura e tij siguron një pjesë thelbësore për jetesën e familjes së tij. Ai nxiton për në shtëpi me biçikletën e tij të vjetër nga puna e dytë pasi erret dhe gjen kohë për detyrat e shtëpisë, përpara se të lëshohet në krevatin e tij në dysheme, midis vëllezërve e motrave të tij që flenë, rreth orës njëmbëdhjetë të natës. Edhe pse nuk e kam takuar kurrë, unë ndihem krenar për të për zellin dhe kurajën e tij. Ai po bën më të mirën që mundet, me burimet dhe mundësitë e tij të kufizuara, dhe është një bekim për familjen e vet.
Ju burra të rritur – baballarë, të rritur beqarë, udhëheqës, mësues shtëpie – jini modele të denja dhe ndihmojeni brezin e djemve që po rriten, që të bëhen burra. Mësojuni atyre aftësi shoqërore dhe të tjera: si të marrin pjesë në një bashkëbisedim, si të njihen dhe të ndërveprojnë me të tjerë, si të bisedojnë dhe t’i kuptojnë gratë e vajzat, si të shërbejnë, si të jenë aktivë dhe ta gëzojnë kohën e lirë, si t’i ndjekin gjërat që u pëlqejnë pa u bërë të varur, si t’i korrigjojnë gabimet dhe të bëjnë zgjedhje më të mira.
Dhe kështu të gjithëve që po mbajnë vesh, kudo që ky mesazh mund të vijë te ju, unë ju them siç i tha Jehovai Jozueut: “Ji i fortë dhe trim” (Jozueu 1:6). Merrni zemër dhe përgatituni sa më mirë që mundeni, cilatdo qofshin rrethanat tuaja. Përgatituni për të qenë një bashkëshort dhe baba i mirë; përgatituni për të qenë një qytetar i mirë dhe frytdhënës; përgatituni për t’i shërbyer Zotit, priftërinë e të cilit mbani. Kudo që jeni, Ati ynë Qiellor mendon për ju. Ju nuk jeni vetëm; dhe ju keni priftërinë dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.
Nga shumë vende ku ka nevojë për ju, një nga më të rëndësishmit është kuorumi i priftërisë. Neve na nevojiten kuorume që sigurojnë ushqim shpirtëror për anëtarët të dielën dhe që gjithashtu shërbejnë. Ne kemi nevojë për udhëheqës kuorumesh që përqendrohen në bërjen e punës së Zotit dhe në mbështetjen e anëtarëve të kuorumit dhe të familjeve të tyre.
Mendoni për punën misionare. Të rinj, ju nuk keni kohë për të humbur. Ju nuk mund të prisni për t’u bërë seriozë derisa të bëheni 17 apo 18 vjeç. Kuorumet e Priftërisë Aarone mund t’i ndihmojnë anëtarët e tyre që ta kuptojnë betimin dhe besëlidhjen e priftërisë dhe që të bëhen gati për shugurim si pleq, ata mund t’u ndihmojnë atyre që t’i kuptojnë dhe të përgatiten për ordinancat e tempullit; dhe ata mund t’u ndihmojnë që të bëhen gati për misione të suksesshme. Kuorumet e Priftërisë Melkizedeke dhe Shoqata e Ndihmës mund t’u ndihmojnë prindërve që të përgatisin misionarë që e njohin Librin e Mormonit dhe që do të shkojnë në terrenin e misionit plotësisht të zotuar. Dhe në çdo lagje dhe degë, po këto kuorume mund të udhëheqin në një bashkëpunim të efektshëm me misionarët kohëplotë që po shërbejnë atje.
Një detyrë përkatëse që është kryesisht përgjegjësi e priftërisë, është thirrja e Shpëtimtarit, e përsëritur nga Presidenti Tomas S. Monson, për t’i shpëtuar ata që janë larguar nga Kisha ose që janë bërë të pakënaqur për çfarëdo arsye. Ne kemi një sukses të mrekullueshëm në këtë përpjekje, përfshirë punë të mrekullueshme nga të rinjtë. Një kuorum i Priftërisë Aarone në Lagjen (spanjolle) Rio Grande në Albukerk të Nju-Meksikos, u konsultua së bashku rreth atyre që mund të rikthente, dhe pastaj si grup shkuan të vizitonin secilin prej tyre. Njëri tha: “Kur ata erdhën te dera ime, unë u ndieva i rëndësishëm”, dhe një tjetër tha në mirëbesim: “Unë ndihem i lumtur në vetvete që dikush vërtet do që unë të shkoj në kishë; kjo më bën tani që të dua të shkoj në kishë”. Kur anëtarët e kuorumit e ftuan një të ri që të rikthehej, ata i kërkuan të shkonte me ta në vizitën e radhës dhe ai shkoi. Ata nuk po e ftonin atë të vinte në kishë; ata po e bënin aty për aty pjesë të kuorumit.
Në punë tjetër sfiduese por nxitëse e priftërisë është ajo e historisë familjare dhe e tempullit. Prisni për një letër të Presidencës së Parë që do të vijë së shpejti dhe do të ofrojë një thirrje të ripërtërirë e një vështrim më të epërm të kësaj pjese jetike të punës që duhet të bëjmë.
Kuorumet tona përbëjnë gjithashtu një vëllazëri mbështetjeje të ndërsjelltë. Presidenti Gordon B. Hinkli dikur tha: “Do të jetë një ditë e mrekullueshme, vëllezër të mi – do të jetë një ditë e përmbushjes së qëllimeve të Zotit – kur kuorumet tona të priftërisë të bëhen një spirancë force për çdo burrë që u përket atyre, kur çdo burrë i tillë mund të jetë në gjendje të thotë siç duhet: ‘Unë jam anëtar i një kuorumi priftërie të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Unë qëndroj gati për t’i ndihmuar vëllezërit e mi në të gjitha nevojat e tyre, siç jam i sigurt se ata janë gati të më ndihmojnë në të miat. … Duke punuar së bashku, ne mund të qëndrojmë, pa zor dhe pa frikë, kundër çdo ere fatkeqësie që mund të fryjë, qoftë ekonomike, shoqërore apo shpirtërore.’”6
Me gjithë përpjekjet tona më të mira, gjërat jo gjithmonë dalin siç kemi planifikuar dhe një “kohë fatkeqësie” e veçantë që mund të vijë në jetën e një njeriu, është papunësia. Një broshurë e hershme e Kishës për mirëqenien deklaronte: “Një burrë pa punë është i një rëndësie të veçantë për Kishën, sepse i privuar nga prirja e tij e natyrshme për të punuar, ai është në sprovë siç ishte Jobi në sprovë – për ndershmërinë e tij. Ndërsa ditët kthehen në javë dhe muaj e madje në vite fatkeqësie, dhembja bëhet më e thellë. … Kisha nuk mund të shpresojë ta shpëtojë një burrë të dielën nëse gjatë javës sheh sprovat e ashpra nëpër të cilat ai kalon dhe nuk bën asgjë për këtë.”7
Në prill të 2009-ës, ish-këshilltari i Peshkopatës Kryesuese, Riçard C. Exhli, tregoi historinë e një kuorumi shembullor që u mobilizua për të ndihmuar një anëtar që pati humbur punën e tij:
“Ofiçina ‘Fil’s Auto’ e Sentervilit, në Juta, është një dëshmi se çfarë mund të bëjë udhëheqja e priftërisë dhe një kuorum. Fili ishte anëtar i një kuorumi pleqsh dhe punonte si mekanik në një ofiçinë vendore për riparim automjetesh. Fatkeqësisht, ofiçina e riparimeve ku punonte Fili, pati një problem financiar dhe duhej ta pushonte Filin nga puna. Ai u rrënua nga mënyra si rrodhën ngjarjet.
Kur dëgjoi për humbjen e punës të Filit, peshkopi i tij, Leon Olsen, dhe udhëheqja e tij e kuorumit të pleqve, me lutje, shqyrtuan mënyrat për ta ndihmuar Filin të ringrihej. Në fund të fundit, ai ishte një bashkanëtar kuorumi, një vëlla dhe kishte nevojë për ndihmë. Ata arritën në përfundimin se Fili i kishte aftësitë të mbante biznes të vetin. Një nga anëtarët e kuorumit u shpreh se kishte një hangar të vjetër që ndoshta mund të përdorej si ofiçinë riparimesh. Anëtarë të tjerë të kuorumit mund të ndihmonin me mbledhjen e veglave dhe furnizimet e nevojshme për ta pajisur ofiçinën e re. Thuajse secili në kuorum mundej të paktën të ndihmonte që të pastrohej hangari i vjetër.
Ata ia treguan idetë e tyre Filit; pastaj ua treguan planin anëtarëve të kuorumit të tyre. Hangari u pastrua dhe u rinovua, veglat u grumbulluan dhe gjithçka u vendos në rregull. ‘Fil’s Auto’ u bë një sukses dhe përfundimisht u transferua në një vend më të mirë dhe më rezident – dhe e gjithë kjo sepse vëllezërit e tij në kuorum ndihmuan në kohë krize.”8
Sigurisht, siç është përsëritur nga profetët ndër vite: “Gjëja më e rëndësishme e punës së Zotit që do të bëni ndonjëherë, do të jetë brenda mureve të shtëpisë suaj”9. Ne kemi shumë për të bërë për ta forcuar martesën në shoqëritë që gjithnjë e më shumë e konsiderojnë të parëndësishme dhe nuk i pranojnë rëndësinë dhe qëllimin e saj. Ne kemi shumë për të bërë për t’i mësuar fëmijët tanë “të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit” (DeB 68:28). Detyra jonë nuk është asgjë më pak sesa t’i ndihmojmë fëmijët tanë të përjetojnë ndryshimin e fuqishëm të zemrës apo kthimin në besim te Zoti që thuhen aq qartë në Librin e Mormonit (shih Mosia 5:1–12; Alma 26). Së bashku me Shoqatën e Ndihmës, kuorumet e priftërisë mund të formojnë prindër dhe martesa, dhe kuorumet mund të japin bekimet e priftërisë për familje me një prind.
Po, vëllezër, ne kemi punë për të bërë. Faleminderit për sakrificat që bëni dhe të mirën që bëni. Vazhdoni dhe Zoti do t’ju ndihmojë. Ndonjëherë ju mund të mos e dini saktësisht çfarë të bëni ose çfarë të thoni – thjesht shkoni përpara. Filloni të veproni dhe Zoti siguron që “një derë frytdhënëse do të hapet për [ju]” (DeB 118:3). Filloni të flisni dhe Ai premton: “Ju nuk do të ngatërroheni përpara njerëzve; Sepse do t’ju jepet në orën e duhur, po, në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni” (DeB 100:5–6). Është e vërtetë se ne jemi në shumë mënyra të zakonshëm dhe të papërsosur, por ne kemi një Mësues të përsosur që kreu një Shlyerje të përsosur, dhe ne kemi thirrje në hirin e Tij dhe në priftërinë e Tij. Kur ne pendohemi dhe pastrojmë shpirtrat tanë, neve na premtohet se do të mësohemi dhe do të na dhurohet fuqi nga lart (shih DeB 43:16).
Kisha dhe bota, si dhe gratë po bëjnë thirrje për burra, burra që po zhvillojnë aftësinë dhe talentet e tyre, që janë të gatshëm të punojnë dhe të bëjnë sakrifica, që do t’i ndihmojnë të tjerët për të arritur lumturi dhe shpëtim. Ata po thërrasin: “Ngrihuni, ju burra të Perëndisë!”10 Perëndia na ndihmon ta bëjmë këtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.