2010–2019
A Ndiheni Kështu Tani?
Tetor 2012


A Ndiheni Kështu Tani?

Disa në Kishë besojnë se nuk mund t’i përgjigjen pyetjes së Almës me një “po” kumbuese. Ata nuk “ndihen kështu tani”.

Presidenti Monson, ne të duam, të respektojmë dhe të mbështesim! Ky njoftim kuptimplotë historikisht në lidhje me shërbimin misionar, është frymëzues. Mund ta kujtoj emocionin në 1960-ën kur mosha për të rinjtë që po shërbenin u ul nga 20 vjeç në 19. Unë mbërrita në misionin britanik si një 20-vjeçar i sapothirrur. I pari 19-vjeçar në misionin tonë ishte Plaku Xhefri R. Holland, një shtim i pabesueshëm. Ai mbushte 20 vjeç për disa muaj. Pastaj, gjatë vitit arritën shumë më tepër 19-vjeçarë. Ata qenë misionarë të bindur e besnikë dhe puna përparoi. Kam besim se një korrje edhe më e madhe do të arrihet tani, ndërsa misionarë të drejtë e të zotuar përmbushin urdhërimin e Shpëtimtarit që të predikojnë ungjillin e Tij.

Sipas pikëpamjes sime, ju pjesëtarë të brezit të ri jeni më të përgatitur se cilido brez i mëparshëm. Dituria juaj për shkrimet e shenjta është veçanërisht mbresëlënëse. Megjithatë, sfidat që has brezi juaj ndërsa përgatiteni për shërbim, janë të ngjashme me ato të hasura nga të gjithë anëtarët e Kishës. Jemi të gjithë të vetëdijshëm se kultura në pjesën më të madhe të botës nuk të çon te drejtësia ose zotimi shpirtëror. Përgjatë historisë, udhëheqësit i kanë paralajmëruar njerëzit dhe u kanë mësuar pendimin. Në Librin e Mormonit, Alma i Riu qe kaq i shqetësuar rreth padrejtësisë dhe mungesës së zotimit sa që dha dorëheqjen si kryegjykatës, si udhëheqës i popullit të Nefit dhe i përqendroi të gjitha përpjekjet e tij tek thirrja e tij profetike.1

Në një nga vargjet më të thella prej të gjitha shkrimeve të shenjta, Alma shpall: “Në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”2

Udhëheqësit vendorë përqark botës raportojnë se kur shihen si një e tërë, anëtarët e Kishës, veçanërisht të rinjtë tanë, nuk kanë qenë kurrë më të fortë. Por ata pothuajse gjithnjë ngrenë dy shqetësime: Së pari, sfidën e padrejtësisë së shtuar në botë dhe së dyti, plogështinë dhe mungesën e përkushtimit të disa anëtarëve. Ata kërkojnë këshillë rreth mënyrës se si t’i ndihmojnë anëtarët ta ndjekin Shpëtimtarin dhe të arrijnë një kthim të thellë e të përhershëm në besim.

Kjo pyetje: “A ndiheni kështu tani?” kumbon nëpër shekuj. Me gjithçka që kemi marrë në këtë periudhë ungjillore – duke përfshirë Rivendosjen e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit, derdhja me bollëk e dhuratave shpirtërore dhe bekimet e padiskutueshme të qiellit – sfida e Almës nuk ka qenë kurrë me e rëndësishme.

Shpejt pasi Ezra Taft Benson u thirr si Apostull në 1943-ën, Presidenti Xhorxh Albert Smith3e këshilloi: “Misioni yt është që … ta paralajmërosh popullin … në mënyrën më të dashur të mundshme se pendimi do të jetë i vetmi ilaç për të gjitha sëmundjet e kësaj bote”.4Kur u bë kjo deklaratë, ne qemë në mes të konfliktit të Luftës II Botërore.

Sot shthurja morale është përshkallëzuar. Një shkrimtar i njohur së fundmi tha: “Të gjithë e dinë se kultura është helmuese dhe askush nuk pret që ajo të ndryshojë”.5 Portretizimi i vazhdueshëm i dhunës dhe i imoralitetit në muzikë, në industrinë e argëtimit, në art dhe në media të tjera në kulturën e kohëve të sotme është i pashembullt. Kjo u përshkrua në një mënyrë të jashtëzakonshme nga teolog shumë i respektuar baptist kur ai deklaroi: “Është dëmtuar sistemi imunitar shpirtëror i një qytetërimi të tërë”.6

Nuk është për t’u habitur që disa në Kishë besojnë se nuk mund t’i përgjigjen pyetjes së Almës me një “po” kumbuese. Ata nuk “ndihen kështu tani”. Ata ndiejnë se janë në një thatësirë shpirtërore. Të tjerët janë të zemëruar, të lënduar ose të zhgënjyer. Nëse këto përshkrime vlejnë për ju7 është e rëndësishme që të përcaktoni përse nuk mund të ndiheni kështu tani.

Shumë njerëz që janë në thatësirë shpirtërore dhe kanë mungesë zotimi, nuk janë përfshirë domosdoshmërisht në mëkate apo shkelje të mëdha, por kanë bërë zgjedhje jo të mençura. Disa i mbajnë besëlidhjet e tyre të shenjta vetëm me raste. Të tjerë e kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre duke u kushtuar një pjesë të mirë të kohës dhe të energjisë tyre çështjeve më pak të rëndësishme. Disa lejojnë që besnikëria e tyre ndaj ungjillit të Jezu Krishtit t’u dobësohet nga pikëpamje të vrullshme kulturore apo politike. Disa janë zhytur në materiale nga interneti që i mbivlerësojnë, i ekzagjerojnë dhe në disa raste i shpikin të metat e udhëheqësve të hershëm të Kishës. Ata mund të arrijnë në përfundime jo të sakta që mund të ndikojnë te dëshmia. Cilido që i ka bërë këto zgjedhje mund të pendohet dhe të përtërihet shpirtërisht.

Zhytja në shkrimet e shenjta është thelbësore për ushqyerjen shpirtërore.8 Fjala e Perëndisë frymëzon zotim dhe vepron si një balsam shërues për ndjenjat e lëndimit, zemërimit apo zhgënjimit.9 Kur zotimi ynë zbehet për çfarëdo arsye, një pjesë e zgjidhjes është pendimi.10 Zotimi dhe pendimi janë të lidhur ngushtë.

C. S. Luis, shkrimtari i palodhur e i matur i krishterë, e trajtoi fuqishëm këtë çështje. Ai hodhi pretendimin se krishtërimi u thotë njerëzve që të pendohen dhe u premton falje; por krishtërimi nuk u flet atyre serisa ata ta dinë dhe ta ndiejnë se kanë nevojë për falje. Ai pohoi: “Kur je i sëmurë, do ta dëgjosh mjekun”.11

Profeti Jozef vuri në dukje se përpara pagëzimit, ju mund të jeni në një tokë asnjanëse mes së mirës dhe së keqes. Por “kur u bashkove me këtë Kishë, ti zgjodhe t’i shërbeje Perëndisë. Kur e bëre atë, ti le tokën asnjanëse dhe nuk mund të kthehesh më kurrë në të.” Këshilla e tij është që ne të mos e braktisim kurrë Mësuesin.12

Alma thekson se nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, “krahët e mëshirës janë shtrirë” drejt atyre që pendohen.13 Më pas ai bën pyetje zhbiruese dhe të rëndësishme të tilla si: A jemi të përgatitur për t’u takuar me Perëndinë? A po e mbajmë veten të pafaj? Të gjithë ne duhet t’i peshojmë këto pyetje. Përvoja vetjake e Almës e dështimit në ndjekjen e të atit të tij besnik dhe më pas marrja e një kuptueshmërie dramatike rreth faktit se sa shumë kishte nevojë për faljen dhe se çfarë deshte të thoshte të këndoje këngën e dashurisë shëlbuese është e fuqishme dhe bindëse.

Ndërkohë që çdo gjë që e zbeh zotimin është për t’u marrë në konsideratë, dy sfida të ndërlidhura kulturore janë sa të zakonshme aq edhe domethënëse. E para është sjellja e ashpër, dhuna dhe abuzimi në familje. E dyta është imoraliteti seksual dhe mendimet e papastra. Këto shpesh i paraprijnë dhe janë shkaku i zgjedhjes për të qenë më pak të zotuar.

Mënyra se si i trajtojmë ata që kemi më afër është me rëndësi të jashtëzakonshme. Dhuna, abuzimi, mungesa e qytetarisë dhe mungesa e respektit në shtëpi nuk janë të pranueshme – nuk janë të pranueshme për të rriturit dhe nuk janë të pranueshme për brezin që po rritet. Babai im nuk qe aktiv në Kishë, por qe një shembull shumë i mirë, veçanërisht në mënyrën si e trajtonte nënën time. Ai e kishte zakon të thoshte: “Perëndia do t’i quajë burrat përgjegjës për çdo lot që kanë bërë që gratë e tyre të derdhin”. Po i njëjti koncept përforcohet te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Aty thuhet: “[Ata] që abuzojnë me bashkëshorten ose fëmijët … do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë”.14 Pavarësisht nga kultura në të cilën rritemi dhe nga fakti nëse prindërit kanë abuzuar me ne apo jo, ne nuk duhet të dhunojmë fizikisht, emocionalisht apo gojarisht askënd tjetër.15

Nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme nevoja për qytetari në shoqëri Themeli i mirësjelljes dhe i qytetarisë nis në shtëpitë tona. Nuk është befasuese që sjellja e përgjithshme e njerëzve ka marrë të tatëpjetën në të njëjtën kohë me shkatërrimin e familjeve. Familja është themeli i dashurisë dhe i ruajtjes së shpirtmërisë. Familja nxit një atmosferë ku mund të lulëzojë bindja ndaj fesë. Me të vërtetë që “kudo ka veç bukuri kur n’sh’pi ka dashuri”.16

Imoraliteti seksual dhe mendimet e papastra shkelin standardin e vendosur nga Shpëtimtari.17 Ne jemi paralajmëruar që në fillim të kësaj periudhe ungjillore se imoraliteti seksual do të ishte ndoshta sfida më e madhe.18 Një sjellje e tillë, pa pendim, do të shkaktojë thatësirë shpirtërore dhe humbje të zotimit. Filmat, televizori dhe interneti shpesh përçojnë mesazhe dhe pamje të dëmshme. Nga Presidenti Diter F. Uhtdorf dhe unë, qemë së fundmi në një fshat në xhunglën e Amazonës dhe pamë antena satelitore madhe edhe në disa prej kasolleve të vogla e të ndërtuara thjesht. Ne u gëzuam për informimin e mrekullueshëm që gjendej në këtë zonë të largët. Ne gjithashtu e pranuam se nuk ka praktikisht asnjë vend në tokë që nuk mund të preket nga pamje epshore, imorale dhe seksualisht nxitëse. Kjo është një nga arsyet përse pornografia është bërë një problem kaq i rëndë në kohën tonë.

Kohët e fundit pata një bisedë kuptimplote me një mbajtës 15-vjeçar të priftërisë Aarone. Ai më ndihmoi të kuptoja se sa e lehtë është në këtë epokë të internetit që të rinjtë të gjenden përpara pamjesh të papastra e madje edhe pornografike pothuajse pa dashje. Ai vuri në dukje se për shumicën e parimeve që Kisha jep mësim, ka të paktën një farë miratimi nga shoqëria në përgjithësi se shkelja e këtyre parimeve mund të ketë efekte shkatërruese mbi shëndetin dhe mirëqenien. Ai përmendi tymosjen e cigareve, përdorimin e drogës dhe konsumimin e alkoolit nga të rinjtë. Por ai vuri re se nuk ka një thirrje ankuese të përgjithshme po aq të rëndësishme e madje as një paralajmërim të madh nga shoqëria në përgjithësi rreth pornografisë apo imoralitetit.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, analiza e këtij të riu është e saktë. Cila është përgjigjja? Për vite profetët dhe apostuj kanë dhënë mësim për rëndësinë e respektimit të fesë në shtëpi.19

Prindër, kanë kaluar ditët kur pjesëmarrja aktive dhe e rregullt në mbledhjet e programet e Kishës, megjithëse përsëri thelbësore, mund të përmbushte përgjegjësinë tuaj të shenjtë për t’i mësuar fëmijët tuaj që të bëjnë jetë të moralshme e të drejtë dhe të ecin me drejtësi përpara Zotit. Me njoftimin e Presidentit Monson këtë mëngjes, është thelbësore që kjo të përmbushet me besnikëri në shtëpitë tona, të cilat janë vende strehimi ku sundojnë mirësjellja, falja, e vërteta dhe drejtësia. Prindërit duhet të kenë guxim që të vendosin kufij ose ta mbikëqyrin qasjen në internet, televizion, filma dhe muzikë. Prindërit duhet të kenë guxim të thonë jo, të mbrojnë të vërtetën dhe të japin dëshmi të fuqishme. Fëmijët tuaj duhet ta dinë se ju keni besim te Shpëtimtarit, se e doni Atin Qiellor dhe i mbështesni udhëheqësit e Kishës. Pjekuria shpirtërore duhet të lulëzojë në shtëpitë tona. Është shpresa ime që askush të mos largohet nga kjo konferencë pa e kuptuar se këto probleme morale të kohës sonë duhen trajtuar në familje. Peshkopët, udhëheqësit e priftërisë dhe të organizatave ndihmëse duhet t’i mbështesin familjet dhe të sigurohen që po jepen mësim parimet shpirtërore. Mësuesit e shtëpisë dhe mësueset vizitore duhet të japin ndihmë, veçanërisht me fëmijët e prindërve beqarë.

I riu që përmenda, më pyeti me zell nëse Apostujt e dinin se sa herët në jetë duhet të fillojnë mësimet dhe mbrojtja kundër pornografisë dhe mendimeve të papastra. Ai pohoi fuqishëm se në disa zona nuk është tepër herët të fillojnë që përpara se fëmijët të mbarojnë Filloren.

Të rinjtë që janë gjendur përpara pamjeve imorale në një moshë tepër të hershme janë të tmerruar se mund të jenë tashmë të pakualifikuar për shërbimin misionar dhe për besëlidhjet e shenjta. Si rrjedhim, besimi i tyre mund të pakësohet dukshëm. Unë dëshiroj t’u siguroj ju të rinjve, ashtu siç jepet mësim, se nëpërmjet pendimit ju mund të kualifikoheni për të gjitha bekimet e qiellit.20 Rreth kësaj vërtitet e gjithë Shlyerja e Shpëtimtarit. Ju lutem, flisni me prindërit tuaj ose me një këshillues të besuar dhe këshillohuni me peshkopin tuaj.

Kur vjen puna te të qenit të moralshëm, disa të rritur besojnë se zbatimi i një projekti të vetëm të rëndësishëm humanitar apo i një parimi të vetëm e asgjëson nevojën për të ndjekur mësimet e Shpëtimtarit. Ata i thonë vetes se shkelja seksuale është “një mëkat i parëndësishëm … [nëse jam] … një njeri dashamirës dhe bamirës”.21 Një mënyrë e tillë të menduari është sheshit mashtrim i vetes. Disa të rinj më vënë në dijeni se në kulturën tonë të tanishme nuk është “në modë” që të përpiqesh më tepër seç duhet në shumë fusha, përfshirë të jetuarit në përputhje strikte me parime të drejta.22 Ju lutem të mos bini në këtë grackë.

Në pagëzim ne premtojmë të marrim mbi vete “emrin e Jezu Krishtit duke pasur vendosmëri[në] për t’i shërbyer atij deri në fund”.23 Një besëlidhje e tillë kërkon përpjekje të guximshme, zotim dhe integritet moral nëse duam të vazhdojmë ta këndojmë dashurinë shëlbuese dhe të mbetemi të kthyer me të vërtetë në besim.

Një shembull nga historia, i zotimit për të qenë të fortë dhe të patundur për të gjitha epokat, u portretizua nga një lojtar olimpik britanik që konkurroi në Lojërat Olimpike në 1924-ën në Paris të Francës.

Erik Lidëll ishte i biri i një misionari skocez që shërbeu në Kishë dhe i një burri të përkushtuar ndaj fesë. Ai e tërboi trupën udhëheqëse britanike të Lojërave Olimpike duke mos pranuar, edhe nën një presion të jashtëzakonshëm që të vraponte në një garë paraprake prej 100 metrash të mbajtur të dielën. Përfundimisht ai fitoi garën prej 400 metrash. Shembulli i Lidëllit që nuk pranoi të vraponte të dielën qe veçanërisht frymëzues.

Përshkrimet dhe përkujtimet në nder të tij kanë përmendur fjalët frymëzuese të Isaias: “Por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur”.24

Sjellja e admirueshme e Lidëllit pati shumë ndikim te vendimi i djalit tonë më të vogël për të mos marrë pjesë në sportet e së dielës çfarë ishte më e rëndësishme, për ta veçuar veten nga sjellja e padrejtë dhe e botës. Ai përdori citimin nga Isaia për kontributin e tij te vjetari shkollor. Erik Lidëlli la një shembull të fuqishëm vendosmërie dhe zotimi ndaj një parimi.

Teksa rinia jonë ndjek këshillën e Presidentit Monson duke u përgatitur për të shërbyer në misione dhe teksa ne të gjithë i jetojmë parimet që Shpëtimtari dha mësim dhe përgatitemi [që] të takohe[mi] me Perëndinë,25 ne fitojmë një garë shumë më të rëndësishme.26 Ne do të kemi Frymën e Shenjtë si udhërrëfyesin tonë për drejtim shpirtëror. Për cilindo, jeta e të cilit nuk është në rregull, mbani mend, nuk është kurrë tepër vonë për ta bërë Shlyerjen e Shpëtimtarit themelin e besimit dhe jetës sonë.27

Me fjalët e Isaias: “edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.”28

Është lutja ime e sinqertë që secili prej nesh do të ndërmarrë çfarëdo veprimi të nevojshëm për të ndier Shpirtin tani në mënyrë që të mund ta këndojmë me gjithë zemër këngën e dashurisë shëlbuese. Unë dëshmoj për fuqinë e Shlyerjes së Shpëtimtarit, në emër të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Alma 4:15–19.

  2. Alma 5:26.

  3. Xhorxh Albert Smithi në atë kohë ishte Presidenti i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Ai do të bëhej Presidenti i Kishës më 21 maj 1945. (Shih Deseret News 2012 Church Almanac [2012], f. 98.)

  4. George Albert Smith, në Sheri L. Dew, Ezra Taft Benson: A Biography (1987), f. 184.

  5. Peggy Noonan, “The Dark Night Rises,” Wall Street Journal, korrik 28–29, 2012, A17.

  6. Dr. R. Albert Mohler i Riu, president, Seminari Teologjik Baptist i Jugut, paraqitje ndaj udhëheqësve fetarë, qyteti i Nju-Jorkut, 5 shtator 2012.

  7. Shih 2 Nefi 2:27.

  8. Shih Gjoni 5:39; Amosi 8:11; shih edhe James E. Faust, “A Personal Relationship with the Savior,” Ensign, nëntor 1976, f. 58–59.

  9. Shih Alma 31:5.

  10. Shih Alma 36:23–26.

  11. C. S. Lewis, Mere Christianity (1952), f. 31–32. Luis qe bashkëprofesor për letërsinë angleze në Universitetin e Oksfordit dhe më pas drejtues në katedrën e anglishtes mesjetare dhe rilindase në Universitetin e Kembrixhit.

  12. Shih Teachings of Presidents of the Church: Jozef Smith (2007), f. 345–346; shih edhe Zbulesa 3:15–16.

  13. Alma 5:33.

  14. “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  15. Shih Richard G. Scott, “Removing Barriers to Happiness”, Ensign, maj 1998, f. 85–87. Disa norma kulturore janë në kundërshtim me mësimet e Shpëtimtarit dhe mund të na çojnë në rrugë të gabuar. Kur qeshë në Paqësorin jugor, takova një burrë që kishte qenë kërkues në Kishë për vite. Ai raportoi se qe prekur thellësisht kur një udhëheqës i Kishës dha mësim në një konferencë për priftërinë: “Duart me të cilat më parë e kishit zakon t’i godisnit fëmijët tuaj duhen përdorur për t’i bekuar fëmijët tuaj”. Ai mori mësimet me misionarët, u pagëzua dhe ka qenë një udhëheqës i shkëlqyer.

  16. “Dashuri në Shtëpi”, Himne dhe Këngë të fëmijëve, f. 44.

  17. Shih Alma 39.

  18. Shih Ezra Taft Benson, “Cleansing the Inner Vessel, Ensign, maj 1986, f. 4.

  19. Presidenti Gordon B. Hinkli paraqiti dokumentin “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës” në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në shtator të 1995-ës. Presidenti Tomas S. Monson kryesoi ndryshimin e kapitullit të parë të Handbook 2: Administering the Church (2010), “Families in the Church in God’s Plan” [Manualit 2: Administrimi i Kishës (2010), “Familjet në Kishë në Planin e Perëndisë”].

  20. Shih Alma 13:27–30; 41:11–15.

  21. Ross Douthat, Bad Religion: How We Became a Nation of Heretics (2012), 238; shih edhe Alma 39:5.

  22. Mos e lejoni një kulturë që është e mbushur me dhunë dhe imoralitet dhe që është e rrezikshme për ata që i jetojnë parimet që dha mësim Shpëtimtari, që ta shqetësojnë besimin tuaj. Ashtu sikurse shkroi butësisht poeti Uordsuorth, “Ushqeje [mendjen] me mendime të admirueshme, që as gojët e liga, as gjykimet e nxituara, as përqeshjet e parespektueshme të egoistëve … të mos ta mposhtin kurrë … e as ta shqetësojnë besimin [tuaj] plot gaz” (“Lines Composed a Few Miles above Tintern Abbey”, në The Oxford Book of English Verse, red. Christopher Ricks (1999), f. 346).

  23. Moroni 6:3; theksimi i shtuar; shih edhe Mosia 18:13.

  24. Isaia 40:31; shih Robert L. Backman, “Day of Delight,” New Era, qershor 1993, 48–49.

  25. Shih Alma 34:32.

  26. Shih 1 Korintasve 9:24–27.

  27. Shih Helamani 5:12. Oliver Uendell Holms i Vjetri këshilloi: “Më duket se gjëja e mrekullueshme në këtë botë është jo dhe aq se ku po qëndrojmë, se sa në ç’drejtim po lëvizim: Për të shkuar në portin e qiellit, ndonjëherë duhet të lundrojmë me erën dhe ndonjëherë kundër saj, – por ne duhet të lundrojmë dhe jo të na marrë rrjedha, jo të qëndrojmë pa lëvizur në ankorim” (The Autocrat of the Breakfast-Table [1858], f. 105).

  28. Isaia 1:18.