2010–2019
Plotësisht të Vetëdijshme për Detyrat Tona
Tetor 2012


Plotësisht të Vetëdijshme për Detyrat Tona

Ne duhet të jemi plotësisht të vetëdijshme për detyrat tona dhe të vazhdojmë me besim teksa marrim fuqinë ngushëlluese, forcuese, ndihmuese dhe shëruese të Shlyerjes.

Pas thirrjes sime në presidencën e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, ndieva dëshirën që të mësoja më shumë rreth grave që kanë shërbyer para meje. Më bënë përshtypje mësimet e Motrës Zina D. Jang, këshilltare e parë në presidencën e dytë të përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës. Ajo tha: “Motra, ne duhet të jemi plotësisht të vetëdijshme për detyrat tona”1. Meditova mbi fjalët të vetëdijshme dhe detyrë dhe bëra disa kërkime shtesë në shkrimet e shenjta.

Në Dhiatën e Re, Pali u mësoi shenjtorëve të kohës së tij:

“Erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër. …

Nata u thye dhe dita u afrua; le … të veshim armët e dritës.”2

Në Librin e Mormonit, Alma i mësoi popullit të tij detyrat e shenjta të atyre që hyjnë në besëlidhje me Perëndinë:

“Dhe tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrët e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta -

Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet. …

Tani unë ju them, në qoftë se kjo është dëshira e zemrave tuaja, çfarë keni kundër pagëzimit në emrin e Zotit, si një dëshmi para tij që ju keni hyrë në një besëlidhje me të, se ju do t’i shërbeni atij dhe do të zbatoni urdhërimet e tij, që ai të mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë?

Dhe tani, kur njerëzit kishin dëgjuar këto fjalë, ata përplasën duart e tyre nga gëzimi dhe thirrën: Kjo është dëshira e zemrave tona.”3

Thënia e motrës Jang dhe këto shkrime të shenjta më bënë të mendoj “detyrat” për të cilat duhet të jemi plotësisht të vetëdijshme në kohën tonë.

Kur pagëzohemi, ne hyjmë në një besëlidhje. Plaku Robert D. Hejls dha mësim: “Kur bëjmë dhe mbajmë besëlidhjet, ne shkëputemi nga bota dhe hyjmë në mbretërinë e Perëndisë”4.

Ne ndryshohemi. Ne dukemi ndryshe dhe veprojmë ndryshe. Gjërat që dëgjojmë e lexojmë e themi janë ndryshe, dhe ajo që veshim është ndryshe pasi bëhemi bija të Perëndisë të lidhura me Të përmes besëlidhjes.

Kur konfirmohemi, ne marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, të drejtën për të pasur ndikimin e vazhdueshëm të një anëtari të Kreut-Perëndi që të na drejtojë, ngushëllojë e mbrojë. Ai na paralajmëron kur tundohemi që të shpërfillim besëlidhjet tona e të kthehemi në botë. Presidenti Bojd K. Paker jep mësim se asnjëri prej nesh “nuk do të bëjë një gabim të rëndë pa u paralajmëruar më parë nga nxitjet e Frymës së Shenjtë”5.

Që të marrim këtë dhuratë dhe që ta kemi gjithmonë Shpirtin me vete, ne duhet të jemi të denja dhe vigjilente në shqyrtimin e gjendjes së zemrës sonë. A është e butë zemra jonë? A kemi një zemër të përulur, zemër që pranon mësim, një zemër të urtë? Apo mos është bërë zemra jonë dalëngadalë e ngurtësuar ndërsa kemi lejuar që shumë nga zhurma e botës të na heqë vëmendjen nga nxitjet e buta që me siguri kanë ardhur prej Shpirtit?

Kur u pagëzuam, zemra jonë u ndryshua dhe u zgjua drejt Perëndisë. Gjatë udhëtimit tonë në vdekshmëri, ne vazhdimisht duhet ta pyesim veten: “Në qoftë se ke[m]i provuar një ndryshim të zemrës, … a ndihe[m]i kështu tani?”6 Dhe nëse jo, atëherë përse jo?

Shumë nga shenjtorët e hershëm e “provua[n] këtë ndryshim të madh në zemrat [e tyre]”7. Kjo i përgatiti për të marrë bekimet e tempullit që i forcoi në detyrat e tyre. Shenjtorët e hershëm në Navu shkonin “në tempull gjithë ditën dhe deri vonë natën”8 për të marrë ordinancat dhe për të bërë besëlidhjet përpara se të fillonin udhëtimin e tyre drejt perëndimit për në Juta.

Sara Riç, një motër e Shoqatës së Ndihmës në Navu, tha këtë: “Ne kemi marrë shumë bekime në shtëpinë e Zotit, që na kanë sjellë gëzim dhe ngushëllim në mes të të gjitha hidhërimeve tona dhe bënë të mundur që ne të kemi besim në Perëndi, duke e ditur se Ai do të na drejtonte dhe do të na mbështeste në rrugëtimin e panjohur që shtrihej përpara nesh”9.

Me zemrat e ndryshuara nga besimi në Shpëtimtarin, ata u mbështetën te fuqia e Shlyerjes së Tij. Ata u zgjuan në veprim. Ata e dinin thellë në zemrën e tyre se kishte një njeri – Shpëtimtari – që i kuptonte sprovat e tyre vetjake pasi Ai i kishte vuajtur ato për ta në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq. Ai ndieu frikën e tyre, dyshimin e tyre, dhembjen e tyre dhe vetminë e tyre. Ai vuajti dhembjet e tyre, përndjekjen e tyre, urinë e tyre, lodhjen e tyre dhe humbjet e tyre. Dhe për shkak se i vuajti të gjitha këto gjëra, Ai mundi t’u thoshte atyre: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”10.

Dhe ata erdhën [në Juta]. Ata e mirëbesuan dhe e ndoqën profetin. E dinin se udhëtimi do të ishte i gjatë dhe detyra e tyre [për të ndjekur profetin] e vështirë. E dinin se do të kërkoheshin sakrifica, por të mbështetur nga besimi i tyre dhe duke u kapur pas besëlidhjeve të tyre, ata qenë të përgatitur shpirtërisht.

Para largimit nga Navuja, një grup shenjtorësh shkruan një mesazh në sallën e mbledhjes në tempullin që qenë të detyruar ta braktisnin. Ai thoshte: “Zoti e ka vënë re sakrificën tonë: ndiqni shembullin tonë”11.

Kohët e fundit mora pjesë në një udhëtim pionierësh me të rinjtë dhe të rejat e lagjes sonë. Çdo mëngjes pyesja veten: “Cila është sakrifica ime? Si ta ndjek shembullin e tyre?”

Ditën e dytë të udhëtimit, i kishim tërhequr karrocat tona të dorës për tetë milje (13 km) kur arritëm drejt një vendi të shtegut të quajtur “tërheqja e gruas”. Burrat dhe gratë u ndanë, dhe burrat u dërguan përpara sipër kodrës. Kur filluam t’i tërhiqnim karrocat tona të dorë, ngrita sytë për të parë vëllezërit tanë të priftërisë, të rinj e të vjetër, të rreshtuar në të dyja anët e shtegut, me kapelat hequr në respekt të grave.

Në fillim rruga qe e lehtë, por shpejt arritëm në ranishte të vështirë dhe kodra u bë e pjerrët. Kisha ulur kokën dhe po shtyja me të gjithë forcën time kur ndieva një lehtësim të karrocës nga një tërheqje dhe ngrita sytë e pashë Leksin, një prej të rejave tona dhe njëkohësisht fqinje e imja. Ajo e kishte tërhequr karrocën e saj të dorës deri në majë dhe, duke parë nevojën tonë për ndihmë, qe kthyer me vrap. Kur arritëm në majë, dëshiroja aq shumë të kthehesha vrapimthi për të ndihmuar të tjerat që kishin mbetur pas, por po merrja frymë me vështirësi dhe zemra po më rrihte aq fort sa fjalët infarkt zemre më erdhën në mendje më se një herë! Pashë me mirënjohje teksa të reja të tjera i lëshuan karrocat e tyre të dorës në majë dhe vrapuan të ndihmonin.

Kur gjithsecila arriti në majë, harxhuam pak kohë për të shkruar ndjenjat në ditarët tanë. Unë shkrova: “Nuk u përgatita aq mirë fizikisht kështu që nuk pata forcë të ndihmoja ato që ishin pas meje. Mund të mos më duhet më kurrë të tërheq një karrocë dore, por kurrë nuk dua t’i lë shpirtërisht në baltë motrat, kurrë!”

Qe një përvojë e shenjtë që më bëri shpirtërisht të vetëdijshme për detyrat e mia ndaj familjes sime dhe të tjerëve. Gjatë gjithë udhëtimit tonë, meditova mbi atë që kisha mësuar.

Së pari, mendova rreth motrave të mia, atyre që i patën tërhequr dhe atyre që, sot, vazhdojnë t’i tërheqin karrocat e tyre të dorës vetëm. Afro 20 përqind e grave në ato kompani të hershme karrocash dore qenë të vetme, të paktën për një pjesë të rrugës. Ato ishin gra që nuk ishin martuar, që ishin ndarë, ose qenë të veja. Shumë gra qenë nëna beqare12. Ato të gjitha punuan së bashku – bija të besëlidhjes, të reja e të vjetra, në rrethana të ndryshme të jetës, nëpër të njëjtin shteg, me të njëjtin qëllim.

Ato që vrapuan të ndihmonin motrat e tyre në nevojë më kujtuan shpëtuesit, të vënë re apo të pavënë re, që janë të shpejtë të dallojnë, të shohin një nevojë dhe të veprojnë.

Mendova rreth fjalëve të Zotit: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”13

Të rreshtuar në të dy anët e shtegut qenë burra besnikë e të bindur, që i mbanin besëlidhjet. Fuqia e tyre e priftërisë – fuqia që Perëndia përdor për të bekuar të gjithë fëmijët e Tij – na frymëzoi, forcoi e mbështeti. Ata qenë një kujtues që ne nuk jemi kurrë vetëm. Ne mund ta kemi gjithmonë këtë fuqi me vete ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona.

Mendova për burrat që gjatë udhëtimit qenë ndarë nga familjet, duke i lënë që t’i tërhiqnin vetëm karrocat e dorës. Shumë burra vdiqën gjatë udhëtimit. Disa bij mbetën pas për të shërbyer në misione në vendet e tyre të lindjes. Burra të tjerë kishin mërguar më përpara për të bërë përgatitjet për mbërritjen e familjeve të tyre në luginën e Solt-Lejkut. Disa burra munguan për shkak të zgjedhjes së tyre, pasi kishin zgjedhur të mos i mbanin besëlidhjet e tyre.

Njësoj si ata që jetuan më parë, shumë njerëz sot jetojnë në rrethana që nuk janë ideale. Ne vazhdojmë të japim mësim dhe të përpiqemi për idealin pasi e dimë se përpjekja e vazhdueshme do të na bëjë të vazhdojmë të përparojmë përgjatë shtegut dhe do të na përgatisë për mundësitë për të marrë të gjitha bekimet e premtuara ndërsa “shpresoj[m]ë te Zoti”14.

Secila prej nesh ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë vështirësi në jetën e vet. Kjo jetë në vdekshmëri është kohë prove dhe ne do të vazhdojmë të kemi mundësi që të përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të përzgjedhur atë që do të mësojmë nga vështirësitë që me siguri do të vijnë.

Si bija të Perëndisë, ne vazhdojmë në shtegun e besimit pasi ne e pranojmë, siç dha mësim Presidenti Tomas S. Monson, që: “Ordinancat shpëtuese të marra në tempull, që na lejojnë të kthehemi një ditë tek Ati ynë Qiellor në një marrëdhënie familjare të përjetshme dhe të na jepen bekime dhe fuqi që nga lart, ia vlejnë çdo sakrificë dhe çdo përpjekje”15.

Nuk është e mjaftueshme thjesht të jesh në rrugëtim; ne duhet të jemi plotësisht të vetëdijshme për detyrat tona dhe të vazhdojmë me besim teksa marrim fuqinë ngushëlluese, forcuese, ndihmuese dhe shëruese të Shlyerjes.

Motra, unë ju dua. Unë nuk i njoh personalisht shumë nga ju, por e di vërtet se kush jeni! Ne jemi bija në mbretërinë e Tij që i mbajmë besëlidhjet dhe, me fuqinë e dhuruar përmes besëlidhjeve tona, ne jemi të përgatitura që të bëjmë detyrën tonë.

Shoqata e Ndihmës i përgatit gratë për bekimet e jetës së përjetshme duke na bërë shpirtërisht të vetëdijshme që të rritemi në besim dhe drejtësi vetjake. Le të fillojmë nga vetja. Le të fillojmë nga aty ku jemi. Le të fillojmë sot. Kur jemi shpirtërisht të vetëdijshme, ne do të jemi në gjendje të forcojmë më mirë familjet e shtëpitë dhe të ndihmojmë të tjerët.

Kjo është puna e shpëtimit, dhe fuqia forcuese e ndihmuese e Shlyerjes e bën të mundur atë. Jini të vetëdijshme mbi atë se kush jeni. Jini të vetëdijshme për detyrën tonë. Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor, i cili na do. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Zina D. Young,Woman’s Exponent, 15 tetor 1877, f. 74.

  2. Romakëve 13:11–12.

  3. Mosia 18:8–11.

  4. Robert D. Hales, “Modesty: Reverence for the Lord”, Liahona, gusht 2008, f. 21.

  5. Boyd K. Paker, “How to Survive in Enemy Territory”, Liahona, tetor 2012, f. 35; Bojd K. Paker, “Si të Mbijetosh në Territor Armik”, Seminary Centennial Broadcast [Transmetimi i 100-Vjetorit të Seminarit], 22 janar 2012, www.lds.org/broadcasts.

  6. Alma 5:26.

  7. Alma 5:14.

  8. Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 29.

  9. Sarah Rich, në Daughters in My Kingdom, f. 30.

  10. Mateu 11:28.

  11. Daughters in My Kingdom, f. 30.

  12. Studim nga historitë dhe regjistrat e kompanisë i drejtuar prej Jolene S. Allphin; shih Tell My Story, Too, bot. i 8-të (2012).

  13. Doktrina e Besëlidhje 84:88.

  14. Isaia 40:31.

  15. Tomas S. Monson, “Tempulli i Shenjtë – Një Fener për Botën”, Liahona, maj 2011, f. 92.