2010–2019
Pyetni Misionarët! Ata Mund t’Ju Ndihmojnë!
Tetor 2012


Pyetni Misionarët! Ata Mund t’Ju Ndihmojnë!

Të gjithë misionarët, më të rinj dhe më të vjetër, shërbejnë me të vetmen shpresë për t’ua bërë jetën më të mirë njerëzve të tjerë.

Vëllezër, motra e miq të mi të dashur, ne shprehim dashurinë dhe përshëndetjet tona për secilin prej jush. Jemi të emocionuar nga njoftimi i Presidentit Tomas S. Monson këtë mëngjes, që e ndryshon moshën minimale për shërbim misionar në 18 vjeç për të rinjtë dhe 19 vjeçe për të rejat. Me këtë mundësi, edhe më shumë vetë nga rinia jonë mund t’i gëzojnë bekimet e një misioni.

Dy vite më parë, dhe duke e ripohuar fuqishëm sërish këtë mëngjes, Presidenti Monson ka thënë: “që çdo i ri i denjë dhe i aftë duhet të përgatitet që të shërbejë në mision. Shërbimi misionar është një detyrë priftërie – një detyrim që Zoti e pret prej nesh, të cilëve na është dhënë kaq shumë.”1 Sërish ai shpjegoi se për motrat e reja, një mision është një mundësi e mirëpritur, por jo një përgjegjësi. Dhe përsëri ai ftoi shumë më tepër çifte në moshë që të shërbejnë.

Përgatitja për një mision është e rëndësishme. Një mision është një gjest vullnetar shërbimi ndaj Perëndisë dhe njerëzimit. Misionarët e përballojnë atë privilegj me kursimet e tyre vetjake. Mund të ndihmojnë edhe prindërit, familjet, miqtë dhe dhurimet për Fondin e Përgjithshëm të Misionarëve. Të gjithë misionarët, më të rinj dhe më të vjetër, shërbejnë me të vetmen shpresë për t’ua bërë jetën më të mirë njerëzve të tjerë.

Vendimi për të shërbyer në një mision do t’i japë formë fatit shpirtëror të misionarit, bashkëshortes së tij apo bashkëshortit të saj dhe pasardhësve të tyre për brezat që do të vijnë. Dëshira për të shërbyer është një pasojë e natyrshme e kthimit në besim, denjësisë dhe e përgatitjes së dikujt.

Në këtë auditor të gjerë mbarëbotëror, shumë prej jush nuk janë anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe dinë shumë pak për ne dhe për misionarët tanë. Ju jeni këtu ose po dëgjoni për shkak se dëshironi të dini më shumë rreth mormonëve dhe asaj çka japin mësim misionarët tanë. Teksa mësoni më shumë rreth nesh, ju do të zbuloni se kemi shumë vlera të përbashkëta me ju. Ne ju nxisim që të mbani gjithçka që është e mirë dhe e vërtetë dhe më pas të shihni nëse mund të shtojmë më tepër. Në këtë botë të mbushur me sfida, ne kemi vërtet nevojë për ndihmë herë pas here. Feja, e vërteta e përjetshme dhe misionarët tanë janë pjesë jetike e asaj ndihme.

Misionarët tanë të rinj i shtyjnë arsimimin, punësimin, takimet e tyre të dashurisë dhe çfarëdolloj gjëje tjetër që të rinjtë e rritur do të bënin zakonisht në këtë fazë të jetës. Për 18 deri në 24 muaj, ata e lënë gjithçka pezull për shkak të dëshirës së tyre të thellë për t’i shërbyer Zotit.2 Dhe disa prej misionarëve tanë shërbejnë në vitet e kulmit të pjekurisë në jetë. E di se familjet e tyre janë të bekuara. Në vetë familjen tonë, tetë persona po shërbejnë tani si misionarë kohëplotë – tri bija, bashkëshortët e tyre, një mbesë dhe një nip.

Disa nga ju mund të pyesin veten rreth emrit Mormon. Është një nofkë për ne. Nuk është emri ynë i vërtetë, edhe pse njihemi gjerësisht si mormonë. Termi rrjedh nga një libër me shkrime të shenjta i njohur si Libri i Mormonit.

Emri i vërtetë i Kishës është Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Është Kisha e hershme e rivendosur e Jezu Krishtit. Gjatë jetës së Tij në vdekshmëri, Ai e organizoi Kishën e Tij. Ai thirri Apostuj, Të Shtatëdhjetë dhe udhëheqës të tjerë, të cilëve u dha autoritetin e priftërisë për të vepruar në emër të Tij.3 Pasi Krishti dhe apostujt e Tij ndërruan jetë, njerëzit i ndryshuan ordinancat dhe doktrinën. Kisha origjinale dhe priftëria humbën. Pas epokës së errët, nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti e riktheu Kishën e Tij. Tani ajo ekziston përsëri, e rivendosur dhe vepruese nën drejtimin e Tij hyjnor.4

Ne e ndjekim Zotin Jezu Krisht dhe japim mësim për Të. Ne dimë se pas ngadhënjimit të Tij të lavdishëm mbi vdekjen, Zoti i ringjallur iu shfaq dishepujve të Tij në shumë raste. Ai hëngri me ta. Ai eci me ta. Përpara Ngjitjes së Tij përfundimtare në qiell, Ai i porositi ata që të “shkoni[n] … dhe [të] bëni[n] dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”.5 Apostujt ia vunë veshin atij udhëzimi. Ata u bënë thirrje edhe të tjerëve që t’i ndihmonin për të përmbushur urdhrin e Zotit.

Sot, nën drejtimin e apostujve dhe profetëve të tanishëm, po e njëjta detyrë u është ngarkuar misionarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Këta misionarë shërbejnë në më shumë se 150 kombe. Si përfaqësues të Zotit Jezu Krisht, ata përpiqen ta përmbushin atë urdhër hyjnor – të dhënë sërish në kohën tonë nga Vetë Zoti – për ta çuar jashtë vendit plotësinë e ungjillit dhe për të bekuar jetën e njerëzve kudo.6

Misionarët në adoleshencën e vonë apo në fillimet e të 20-ave nuk kanë shumë përvojë me botën. Por ata bekohen me dhurata – të tilla si fuqia e Shpirtit të Shenjtë, dashuria e Perëndisë dhe dëshmitë e së vërtetës – që i bëjnë ata lajmëtarë të fuqishëm të Zotit. Ata përhapin lajmin e mirë të ungjillit që do t’u sjellë gëzim të vërtetë dhe lumturi të përhershme të gjithë atyre që ua vënë veshin mesazhit të tyre. Dhe në shumë raste, ata e bëjnë këtë në një vend dhe në një gjuhë të huaj për ta.

Misionarët përpiqen ta ndjekin Jezu Krishtin si me fjalë, ashtu edhe me vepra. Ata predikojnë rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.7 Ata japin mësim për rivendosjen e saktë të Kishës së lashtë të Krishtit përmes profetit të parë të ditëve të mëvonshme të Zotit, Jozef Smithit.

Ju mund t’i keni hasur apo madje t’i keni shpërfillur misionarët tanë më parë. Shpresa ime është që ju nuk do t’u druheni, por do të mësoni prej tyre. Ata mund të jenë një burim i dërguar nga qielli për ju.

Kjo i ndodhi Xherrit, një zotërie protestant në mes të të 60-ave të tij, që jeton në Mesa të Arizonës. I ati i Xherrit ishte një shërbestar baptist; nëna e tij një shërbestare metodiste. Një ditë, mikja e ngushtë e Xherrit, Prishila i tregoi atij dhembjen që ndiente nga vdekja e fëmijës së saj gjatë lindjes dhe një divorci të hidhur që ndodhi pak pas kësaj. Me mundim si një nënë e vetme, Prishila ka katër fëmijë – tri vajza dhe një djalë. Teksa ia hapi zemrën Xherrit, ajo i rrëfeu se po mendonte të vetëvritej. Me të gjithë forcën dhe dashurinë që mundi të gjente brenda vetes, Xherri e ndihmoi atë të kuptonte se jeta e saj kishte vlerë. Ai e ftoi të frekuentonte kishën e tij, por Prishila i shpjegoi se kishte hequr dorë nga Perëndia.

Xherri nuk dinte ç’të bënte. Më vonë, ndërsa po ujiste pemët në kopshtin e tij, ky njeri me besim iu lut Perëndisë për udhëheqje. Ndërsa lutej, ai dëgjoi një zë në mendje duke i thënë: “Ndaloji djemtë mbi biçikleta”. Xherri, pak i hutuar, vrau mendjen se çfarë kuptimi kishte kjo. Ndërsa mendonte për këtë mbresë, ia nguli sytë rrugës dhe pa dy të rinj me këmishë të bardha dhe kollare duke i dhënë biçikletës drejt shtëpisë së tij. I shtangur nga kjo “rastësi”, ai i pa tek kalonin me biçikletë. Pastaj, duke e kuptuar se situata e kërkonte që të vepronte, ai bërtiti: “Ej, ju, ndaloni ju lutem! Duhet të flas me ju!”

Me një shikim të pështjelluar por të entuziasmuar, të rinjtë ndaluan. Ndërsa afroheshin, Xherri vuri re se ata mbanin etiketa emrash që i dallonin ata si misionarë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Xherri pa drejt tyre dhe u tha: “Kjo mund të tingëllojë pak e çuditshme, por po lutesha dhe m’u tha që t’i ‘ndaloja djemtë mbi biçikleta’. Pashë drejt rrugës dhe ja ku jeni. A mund të më ndihmoni?”

Misionarët buzëqeshën, dhe njëri tha: “Po, jam i sigurt se mundemi”.

Xherri u shpjegoi përse ishte i shqetësuar për Prishilën. Shpejt, misionarët u takuan me Prishilën, fëmijët e saj dhe Xherrin. Ata diskutuan rreth qëllimit të jetës dhe planit të përjetshëm të Perëndisë për ata. Xherri, Prishila dhe fëmijët e saj u forcuan në besim nëpërmjet lutjes së sinqertë, studimit të Librit të Mormonit prej tyre dhe shoqërimit dashamirës me anëtarët e Kishës. Besimi tashmë i fortë i Xherrit në Jezu Krisht, u bë akoma më i fortë. Dyshimet dhe mendimet e Prishilës për vetëvrasje u kthyen në shpresë e lumturi. Ata u pagëzuan dhe u bënë anëtarë të Kishës së rivendosur të Krishtit.8

Po, misionarët mund të ndihmojnë në shumë mënyra. Për shembull, disa prej jush mund të dëshirojnë të dinë më shumë rreth paraardhësve të tyre. Ju mund t’i dini emrat e prindërve dhe të katër gjyshërve tuaj, por po ato të tetë stërgjyshërve? Ai i dini emrat e tyre? A do të dëshironit të dinit më tepër rreth tyre? Pyetni misionarët! Ata mund t’ju ndihmojnë!9 Ata kanë qasje të shpejtë në dokumentet e historisë së gjerë familjare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Disa prej jush janë anëtarë por nuk janë aktivë aktualisht. Ju e doni Zotin dhe mendoni shpesh për kthimin në vathën e Tij. Por ju nuk dini nga t’ia nisni. Ju rekomandoj që të pyesni misionarët!10 Ata mund t’ju ndihmojnë! Ata mund t’ju ndihmojnë edhe duke u dhënë mësim njerëzve tuaj të dashur. Ne dhe misionarët ju duam dhe dëshirojmë që ta sjellim gëzimin dhe dritën e ungjillit sërish në jetën tuaj.

Disa prej jush mund të dëshirojnë të dinë si të mposhtin një varësi apo të jetojnë më gjatë dhe të gëzojnë shëndet më të mirë. Pyetni misionarët! Ata mund t’ju ndihmojnë! Studime të pavarura kanë treguar se, të marrë së bashku, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, janë një grup i shëndetshëm. Shkalla e tyre e vdekshmërisë është mes më të ulëtave dhe jetëgjatësia e tyre është më e madhe se e çdo grupi të përcaktuar qartë, të studiuar për një periudhë të zgjatur kohe të raportuar deri më tani në Shtetet e Bashkuara.11

Disa prej jush mund të ndiejnë se jeta është e ngarkuar dhe e furishme, megjithatë thellë në zemrën tuaj ndieni një boshllëk gërryes, pa drejtim apo qëllim. Pyetni misionarët! Ata mund t’ju ndihmojnë! Ata mund t’ju ndihmojnë të mësoni më tepër rreth qëllimit të vërtetë të jetës – përse jeni këtu në tokë dhe ku do të shkoni pas vdekjes. Ju mund të mësoni se si do t’ua bekojë jetën ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit përtej gjithçkaje që mund të përfytyroni tani.

Nëse jeni të shqetësuar për familjen tuaj, pyetni misionarët! Ata mund t’ju ndihmojnë! Forcimi i martesave dhe i familjeve ka rëndësinë më të madhe për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë. Kërkojuni misionarëve që t’ju mësojnë se si është e mundur kjo për familjen tuaj.

Misionarët mund t’ju ndihmojnë edhe me dëshirën tuaj për njohuri më të madhe. Shpirti njerëzor është i etur për ndriçim. Qoftë nëse e vërteta vjen nga një laborator shkencor apo prej një zbulese nga Perëndia, ne e kërkojmë atë! Lavdia e Perëndisë është me të vërtetë inteligjencë.12

Zgjerimi i të mësuarit përfshin si njohuri shpirtërore ashtu edhe materiale. Ne e theksojmë rëndësinë e të kuptuarit të shkrimeve të shenjta. Një studim i pavarur, zbuloi së fundmi se shenjtorët e ditëve të mëvonshme kishin më tepër njohuri rreth krishtërimit dhe Biblës.13 Nëse dëshironi ta kuptoni më mirë Biblën, ta kuptoni më mirë Librin e Mormonit dhe të fitoni një kuptueshmëri më të zgjeruar për vëllazërinë e njeriut dhe atësinë e Perëndisë, pyetni misionarët! Ata mund t’ju ndihmojnë!

Shumë prej jush kanë një dëshirë të thellë për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë. Duke qenë se ndjekim Jezu Krishtin, shenjtorët e ditëve të mëvonshme nxiten nga ajo dëshirë e pafundme.14 Çdokush mund të bashkohet me ne për të ndihmuar nevojtarët dhe për të siguruar ndihmë për viktimat e fatkeqësive natyrore kudo në botë. Nëse dëshironi të merrni pjesë, pyetni misionarët! Ata mund t’ju ndihmojnë!

Dhe nëse dëshironi të dini më shumë rreth jetës pas vdekjes, rreth parajsës, rreth planit të Perëndisë për ju; nëse dëshironi të dini më shumë rreth Zotit Jezu Krisht, Shlyerjes së Tij dhe Rivendosjes së Kishës së Tij ashtu siç u krijua fillimisht, pyetni misionarët! Ata mund t’ju ndihmojnë!

Unë e di se Perëndia jeton. Jezusi është Krishti. Kisha e Tij është rivendosur. Unë lutem me zjarr që Perëndia të mund të bekojë secilin prej jush dhe secilin prej misionarëve tuaj të çmuar. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Tomas S. Monson, “Ndërsa Prapë Takohemi së Bashku”, Liahona, nëntor 2010, f. 5–6.

  2. Shih Doktrina e Besëlidhje 4:3.

  3. Shih Mateu 10:1; Lluka 6:13; 10:1; Efesianëve 4:11–12.

  4. Shih Doktrina e Besëlidhje 1:30.

  5. Mateu 28:19.

  6. Shih Doktrina e Besëlidhje 68:8; 84:62; 112:28.

  7. Shih 1 Korintasve 2:2; 2 Nefi 25:26.

  8. Komunikatë personale nga W. Trejsi Uotson, ish-president i Misionit të Arizonës, Mesa.

  9. Atje ku kam shprehur ftesën për t’i “pyetur misionarët”, ju mund të pyesni edhe një mik që është anëtar i Kishës për ndihmë.

  10. Edhe të afërm, miq dhe udhëheqës të Kishës që marrin pjesë aktivisht do të ishin gjithashtu të lumtur të ndihmonin.

  11. Shih James E. Enstrom and Lester Breslow, “Lifestyle and Reduced Mortality among Active California Mormons, 1980–2004”, Preventative Medicine, volumi 46 (2008), f. 135.

  12. Shih Doktrina e Besëlidhje 93:36.

  13. Shih U.S. Religious Knowledge Survey (Pew Forum on Religion and Public Life, 28 shtator 2010), f. 7.

  14. Shih Ram Cnaan, Van Evans, and Daniel W. Curtis, Called to Serve: The Prosocial Behavior of Active Latter-day Saints (University of Pennsylvania School of Social Policy and Practice, 2012); “Mormon Volunteerism Highlighted in New Study” (16 mars 2012), http://www.mormonnewsroom.org/article/mormon-volunteerism-report; Mormons in America: Certain in Their Beliefs, Uncertain of Their Place in Society (Pew Forum on Religion and Public Life, 12 janar 2012), f. 43; Robert D. Putnam and David E. Campbell, American Grace: How Religion Divides and Unites Us (2010), f. 444–454.