2010–2019
Hapini Sytë për Veten Tuaj
Tetor 2012


Hapini Sytë për Veten Tuaj

Qëndroni në shtegun e priftërisë duke e thelluar kthimin tuaj në besim dhe duke e forcuar familjen. … Shmangeni tragjedinë duke ua vënë veshin shenjave shpirtërore me shënimin “kini kujdes” të vendosura përgjatë rrugës nga Perëndia dhe profetët.

Kur isha i ri, familja jonë udhëtonte me makinë përmes Maleve Shkëmbore të Amerikës për të vizituar gjyshërit. Rruga fillonte në rrafshina me sherbelë, ngrihej përmes shpateve të rrëpirëta të mbuluara me pisha dhe së fundmi dilte në korije me drurë plepash dhe në livadhe në majën e malit ku mund të shihnim shumë larg.

Por kjo rrugë e bukur nuk qe mjaft e sigurt. Shumë prej autostradës ishte e ndërtuar brenda rrugës së rrëpirët malore. Për t’i mbrojtur udhëtarët, ndërtuesit e rrugës ndërtuan parmaqe mbrojtëse dhe vendosën shenja ku lexohej: “Kini Kujdes: Shkëmbinjtë Mund të Rrëzohen”. Ne pamë arsye të mjaftueshme për këto paralajmërime. Shkëmbinj dhe gurë qenë përhapur përgjatë shtratit të lumit shumë më poshtë rrugës. Me raste, mund të shihnim automjete të shkatërruara në fund të kanionit, një tregues tragjik i shoferëve që nuk kishin pasur kujdes.

Betimi dhe Besëlidhja e Priftërisë

Vëllezër, secili prej jush ka hyrë ose së shpejti do të hyjë në betimin dhe besëlidhjen e Priftërisë Melkizedeke.1 Kjo besëlidhje përfshin një udhëtim të lavdishëm që fillon me marrjen edhe të priftërisë më të ulët, ashtu edhe të asaj më të lartë, vazhdon me lartësimin e thirrjeve tona dhe ngjitet përherë lart për te bekimet më të mëdha të Perëndisë derisa të marrim “gjithçka që Ati … ka”2.

Projektuesi i urtë i asaj rruge çelestiale ka vendosur shenja paralajmëruese për udhëtimin tonë. Betimi dhe besëlidhja e priftërisë përmban këtë paralajmërim që nxit analizim të thellë të vetes: “Unë tani ju jap një urdhërim të hapni sytë për veten tuaj”3.

Përse duhej të na urdhëronte Perëndia që të hapnim sytë? Ai e di se Satani është një qenie reale4 i cili kërkon të na i tërheqë shpirtrat në humnerën e mjerimit5. Perëndia gjithashtu e di se brenda mbajtësve të priftërisë struket një “njer[i] i natyrshëm”6 “i prirur për të dalë nga rruga”7. Prandaj, profetët na ftojnë të “zhv[ishemi] [nga] njeri[u] [i] vjetër”8 dhe të “[vishemi me] Krishtin”9 nëpërmjet besimit, pendimit, ordinancave shpëtuese dhe të jetuarit të përditshëm të ungjillit.

Shmangia e Tragjedisë

Ndërkohë që ngjitet në shtegun e priftërisë, çdo djalë ose burrë mund të tërhiqet poshtë nëse harron të bëjë kujdes. A jeni shtangur dhe trishtuar ndonjëherë nga rënia e papritur e një të riu të jashtëzakonshëm, një misionari të sapokthyer, një udhëheqësi të respektuar të priftërisë apo një anëtari të dashur të familjes?

Historia e Davidit të Dhiatës së Vjetër është një shembull tragjik i çuarjes dëm të fuqisë së priftërisë. Megjithëse e mundi Goliathin kur ishte i ri dhe jetoi me drejtësi për dekada10, ky profet-mbret ishte ende i cenueshëm shpirtërisht. Në atë çast vendimtar kur nga çatia ai pa Bath-Sheban e bukur duke u larë, nuk pati asnjë rojtar morali që t’i thërriste: “Ki kujdes David, po tregohesh i marrë!” Fakti që ai nuk i hapi sytë për veten e tij11 dhe që nuk veproi sipas paralajmërimeve të Shpirtit12 çoi në humbjen e familjes së tij të përjetshme.13

Vëllezër, nëse madje edhe Davidi i madh mund të rrëshqiste nga rruga e ekzaltimit, si mund ta shmangim ne një fat të ngjashëm?

Dy parimet mbrojtëse të kthimit të thellë vetjak në besim dhe të marrëdhënieve të forta familjare na ndihmojnë për të na mbajtur në autostradën e qiellit.

Duke e ditur këtë, Satani vendos gurë pengues në shtegun e zhvillimit të priftërisë që do ta dëmtojnë kthimin tonë në besim dhe do t’i shkatërrojnë familjet tona. Fatmirësisht, Jezu Krishti dhe profetët e tij kanë vendosur shenja me shënimin “kini kujdes” përgjatë udhës. Ata na paralajmërojnë vazhdimisht për krenarinë14 që dëmton kthimin në besim dhe për mëkatet që i shkatërrojnë familjet, të tilla si zemërimi, lakmia dhe epshi.

Shumë kohë më parë, Moisiu këshilloi: “Ki kujdes të mos harrosh Zotin”15. Në botën tonë me ritëm të përshpejtuar e të mbushur me argëtim, njerëzit janë ende të shpejtë për ta “harr[uar] Zotin … [për të] bë[rë] paudhësi dhe [për t’u] udhëh[equr] nga i ligu”16.

Thellojeni Kthimin në Besim dhe Forcojeni Familjen

Për të qëndruar të sigurt në shtegun e priftërisë mes rrëshqitjeve të gurëve të tundimit, unë po ju kujtoj gjashtë parime themelore që e thellojnë kthimin në besim dhe e forcojnë familjen.

Së pari, lutja gjithnjë hap dyert e ndihmës hyjnore për ta “mposh[tur] Satanin”17. Sa herë që Jezusi i paralajmëron mbajtësit e priftërisë që të “je[n]ë syhapur, sepse Satani dëshiron t[’i] shoshisë”, Ai rekomandon lutjen si mjet për të mos rënë në tundim.18 Presidenti Tomas S. Monson ka dhënë mësim: “Nëse ndonjëri prej nesh ka qenë i ngadaltë për t’ia vënë veshin këshillës për t’u lutur gjithmonë, nuk ka orë më të mirë për të filluar sesa tani. … Një njeri nuk qëndron kurrë më lart sesa kur është i gjunjëzuar.”19

Së dyti, studimi i shkrimeve të shenjta të lashta dhe të kohëve të sotme na lidh me Perëndinë. Zoti i porositi anëtarët e Kishës që “të ruhen se si i mbajnë [profetët], me qëllim që … të mos llogariten si gjë me pak vlerë dhe ata të sillen nën dënim për shkak të kësaj, dhe të pengohen e të bien”20. Për ta shmangur këtë ndëshkim solemn, ne duhet t’i lexojmë me zell shkrimet e shenjta, si edhe revistat dhe faqet e internetit të Kishës që na mundësojnë të “këshillohemi në një mënyrë të ngushtë dhe personale nga profeti i zgjedhur [i Zotit]”21.

Së treti, pjesëmarrja denjësisht në ordinanca na përgatit për të marrë “Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin [tonë]”22. Kur Zoti paralajmëroi: “Ruhuni që të mos mashtroheni”, Ai premtoi se ne nuk do të mashtrohemi nëse “kërko[jmë] me zell dhuratat më të mira” të Shpirtit.23 Marrja denjësisht e sakramentit çdo javë i kualifikon anëtarët që të “kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta”24. Në adhurimin në tempull ne mund të “marri[m] plotësi të Frymës së Shenjtë”25.

Së katërti, shfaqja e dashurisë së sinqertë është në qendër të kthimit vetjak në besim dhe të marrëdhënieve familjare. Mbreti Beniamin udhëzoi: “Kujdes se mos ngjallen grindje mes jush”26. Mos harroni se Satani është “ati i grindjes”27 dhe kërkon që pjesëtarët e familjes të “luftojnë dhe të grinden”28. Vëllezër, nëse jemi të dhunshëm emocionalisht, gojarisht apo fizikisht ndaj ndonjë pjesëtari të familjes sonë, atëherë ne e humbasim fuqinë e priftërisë.29 Zgjidhni ta kontrolloni zemërimin. Pjesëtarët e familjes duhet të dëgjojnë bekime nga goja jonë, jo mallkime. Ne duhet të ndikojmë tek të tjerët vetëm me bindje, durim, mirësjellje, zemërbutësi, me dashuri të pashtirur, me dashamirësi dhe dashuri hyjnore.30

Së pesti, bindja ndaj ligjit të së dhjetës është një përbërës thelbësor i besimit dhe i bashkimit të familjes. Për shkak se Satani e përdor lakminë dhe të shkuarit pas zotërimeve materiale për t’i nxjerrë familjet nga autostrada çelestiale, Jezusi këshilloi: “Ruhuni nga kopracia”31. Koprracia kufizohet kur ne planifikojmë mbi të ardhurat tona, paguajmë një të dhjetë të ndershme dhe një ofertë agjërimi bujare, financojmë shpenzimet e nevojshme, shmangim borxhin e panevojshëm, kursejmë për nevojat e së ardhmes dhe bëhemi të mbështetur te vetja nga ana materiale. Premtimi i Perëndisë ndaj nesh është: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen”32.

Së gjashti, të jetuarit plotësisht të ligjit të dëlirësisë sjell sigurinë për të qëndruar “në prani të Perëndisë” me Frymën e Shenjtë si “shoqëruesi[n] [tonë] [të] vazhdueshëm”33. Satani po i sulmon virtytin dhe martesën me një sasi të madhe gjërash të turpshme. Kur Zoti i paralajmëroi shkelësit e kurorës që t’i “hapin sytë dhe të pendohen me shpejtësi”, përkufizimi i Tij shkonte përtej aktit fizik të tradhtisë bashkëshortore për te mendimet epshore që e paraprijnë atë34. Profetët dhe apostujt e kohëve të sotme kanë folur shpesh dhe qartë për problemin e pornografisë. Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim: “[Pornografia] është si një stuhi e fortë, që shkatërron individë dhe familje, që shkatërron krejtësisht atë që dikur ishte e shëndetshme dhe e bukur. … Koha ka ardhur që ata nesh që janë përfshirë në të tilla gjëra ta nxjerrin veten nga balta”35. Nëse tundoheni për ta shkelur ligjin e dëlirësisë në çfarëdolloj forme, ndiqni shembullin e Jozefit të Egjiptit i cili “iku duke vrapuar jashtë”36.

Këto gjashtë parime themelore i ndihmojnë mbajtësit e priftërisë që të vazhdojnë të sigurt lart nëpër autostradën e qiellit mes parmaqeve mbrojtës shpirtërorë të kthimit vetjak në besim dhe të marrëdhënieve familjare. Të rinj, bindja ndaj këtyre parimeve do t’ju përgatisë për besëlidhjet e tempullit, shërbimin si misionarë kohëplotë dhe martesën e përjetshme. Bashkëshortë dhe etër, të jetuarit e këtyre parimeve do t’ju kualifikojnë për ta kryesuar shtëpinë me drejtësi, duke shërbyer si udhëheqësi shpirtëror i familjes suaj me bashkëshorten tuaj si një partnere të barabartë.37 Shtegu i priftërisë është një udhëtim i mbushur me gëzim.

Qëndrimi në Shtegun e Priftërisë

Duke u kthyer te përvojat e mia kur isha i ri, më kujtohet një kalim nëpër Malet Shkëmbore. Pasi kaloi një shenjë ku shkruhej: “Kujdes: Shkëmbinjtë Mund të Rrëzohen”, babai im dalloi guralecë dhe gurë të vegjël mbi rrugën e shtruar para nesh. Ai me nxitim e ngadalësoi makinën derisa e ndaloi pothuajse plotësisht, pikërisht kur një gur sa një top basketbolli nisi të lëshonte zhurma pranë nesh. Babi priti derisa të ndalonte rrëshqitja e shkëmbit përpara se të vazhdonte. Vëmendja e vazhdueshme e babait tim dhe veprimi i menjëhershëm siguroi që familja jonë të arrinte e sigurt në pikëmbërritje.

Vëllezër, Satani kërkon t’i “shkatërrojë shpirtrat e njerëzve”38. Nëse shpirti juaj po ju shtyn drejt buzës së humnerës, ndaloni tani përpara se të bini dhe kthehuni sërish në drejtimin e duhur.39 Nëse ndieni se shpirti juaj gjendet i mbytur poshtë një kanioni në vend që të jetë lart në shtegun e priftërisë për shkak se ju i shpërfillët shenjat shënimin “kini kujdes” dhe mëkatuat, unë dëshmoj se nëpërmjet pendimit të sinqertë dhe fuqisë së sakrificës shlyese të Krishtit, ju mund të ngriheni lart dhe të rivendoseni në autostradën qiellore të Perëndisë.40

Jezusi dha mësim: “Ruhuni nga … hipokrizia”41. Nëse nuk jeni të denjë për ta ushtruar priftërinë, ju lutem të takoheni me peshkopin tuaj, i cili mund t’ju ndihmojë të pendoheni. Merrni guxim sepse megjithëse Shpëtimtari pohon: “[Bëni] kujdes … dhe largohuni nga mëkati”,42 Ai gjithashtu premton: “Unë, Zoti, ju fal juve. … Shkoni në udhët tuaja e mos mëkatoni më”43.

Unë e ftoj çdo djalë dhe burrë që të qëndrojë në shtegun e priftërisë duke e thelluar kthimin e tij në besim dhe duke e forcuar familjen. Lutjet, shkrimet e shenjta dhe ordinancat e thellojnë kthimin në besim. Dashuria, e dhjeta dhe dëlirësia e forcojnë familjen. Shmangeni tragjedinë duke ua vënë veshin shenjave shpirtërore “kini kujdes” të vendosura përgjatë rrugës nga Perëndia dhe profetët. Përpiquni të ndiqni shembullin e përsosur të Jezu Krishtit, i cili “vuajti tundime, por nuk ua vuri veshin atyre”44.

Unë premtoj se, nëse burrat e mbajnë besëlidhjen e priftërisë për t’i “hap[ur] sytë për veten [e] t[yre]”45, ne dhe familjet tona mund të sigurohemi se do të arrijmë të sigurt në pikëmbërritjen tonë të ekzaltimit në mbretërinë çelestiale. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.