2010–2019
Ji Trim me Guxim, Fuqi dhe Energji
Tetor 2012


Ji Trim me Guxim, Fuqi dhe Energji

Kualifikojeni veten siç bënë 2.000 ushtarët e rinj duke qenë trima me kurajë si mbajtës të denjë të priftërisë.

Sonte ndihem veçanërisht i bekuar të flas si peshkop për të rinjtë, mbajtësit e Priftërisë Aarone, mbledhur nga e gjithë bota për të dëgjuar këtë mbledhje të përgjithshme të priftërisë. Do t’ju tregoj një ngjarje nga Libri i Mormonit që përshkruan Helamanin dhe 2.000 ushtarët e tij të rinj. Ky shkrim i shenjtë do të japë një depërtim te karakteri i atyre të rinjve – dhe frymëzim për ju, të rinj të ditëve të mëvonshme. Po citoj një shkrim të shenjtë të parapëlqyer: “Dhe që të gjithë ishin djem të rinj dhe ishin jashtëzakonisht trima, për sa i përket guximit dhe gjithashtu fuqisë dhe energjisë; por vini re, kjo nuk ishte e gjitha – ata qenë njerëz të besuar në çdo kohë”1. Guxim, fuqi, energji dhe të besuar – tipare shumë të admirueshme!

Do të doja të përqendrohesha tek tipari i parë që i përshkruan ata: “trima, për sa i përket guximit”. Për mua, kjo përshkruan bindjen e këtyre të rinjve për të bërë me guxim atë që është e drejtë, ose siç përshkruan Alma: “të qëndro[jnë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat … dhe në të gjitha vendet”2. 2.000 ushtarët e rinj patën çaste të panumërta për ta treguar konkretisht guximin e tyre. Secili prej jush do të ketë gjithashtu çaste të rëndësishme në jetën e tij kur do të duhet guxim. Një mik i imi, Xhoni, më tregoi një nga ato çaste të jetës së tij.

Disa vite më parë, Xhoni qe pranuar në një universitet të shquar japonez. Ai do të ishte pjesë e një programi ndërkombëtar studentësh me shumë studentë të tjerë nga më të mirët nga e gjithë bota. Disa u regjistruan me shpresën që të thellonin kuptimin e tyre për kulturën dhe gjuhën, të tjerë e shihnin atë si një hap drejt një profesioni dhe punësimi të mundshëm në Japoni, por të gjithë studentët ishin larguar nga shtëpia për të studiuar në një vend të huaj.

Pak pas mbërritjes së Xhonit, u fol midis popullatës së studentëve të huaj, për një festë që do të bëhej në tarracën e një banese private. Atë mbrëmje, Xhoni dhe dy miq shkuan për tek adresa e njoftuar.

Pas ngritjes me ashensor për në katin e sipërm të ndërtesës, Xhoni dhe miqtë e tij ndoqën shkallën e ngushtë teke që të çonte në tarracë dhe filluan të bisedonin me të tjerët. Ndërsa u bë vonë natën, atmosfera ndryshoi. Zhurma, volumi i muzikës dhe alkooli u shtuan, ashtu si dhe shqetësimi i Xhonit. Pastaj befas dikush filloi t’i organizonte studentët në një rreth të madh me qëllim që të ndante cigare marihuane. Xhoni bëri një ngërdheshje dhe u tha dy miqve të tij se ishte koha të largoheshin. Thuajse ngacmueshëm, njëri prej tyre u përgjigj: “Xhon, kjo është e lehtë – thjesht do të qëndrojmë në rreth dhe kur të na vijë radha, thjesht do t’ia kalojmë tjetrit në vend që ta tymosim. Në këtë mënyrë ne nuk do të na duhet ta sikletosim veten përpara të gjithëve duke u larguar.” Kjo tingëlloi e lehtë për Xhonin, por nuk tingëlloi e drejtë. Ai e dinte se duhej ta thoshte synimin e tij dhe të vepronte. Brenda një çasti, mori guximin dhe u tha atyre se mund të bënin si t’u pëlqente, por ai po largohej. Njëri prej miqve vendosi të qëndrojë dhe u bashkua në rreth; tjetri pa qejf ndoqi Xhonin poshtë shkallëve për t’u futur në ashensor. Për befasinë e tyre të madhe, kur dyert e ashensorit u hapën, oficerët e policisë japoneze dolën dhe nxituan për t’iu ngjitur shkallëve për në tarracë. Xhoni dhe miku i tij u futën në ashensor dhe u larguan.

Kur policia arriti në krye të shkallëve, studentët me shpejtësi hodhën drogat ilegale nga tarraca që të mos kapeshin. Pasi siguruan shkallët, sidoqoftë, oficerët rreshtuan secilin në tarracë dhe i kërkuan secilit student të zgjaste të dy duart. Oficerët atëherë kaluan nëpër rresht, duke nuhatur me kujdes gishtat e mëdhenj dhe ata tregues të secilit student. Të gjithë ata që patën mbajtur marihuana, pavarësisht nëse e kishin tymosur apo jo, besohej të ishin fajtorë dhe kishte pasoja tepër të rënda. Thuajse pa përjashtim, studentët që patën qëndruar në tarracë, u përjashtuan nga universitetet e tyre përkatëse dhe ata të dënuar për krim me gjasa u dëbuan nga Japonia. Ëndrrat e një arsimimi, vite përgatitjeje dhe mundësia e një punësimi të ardhshëm në Japoni, u rrënuan në një çast.

Tani më lejoni t’ju tregoj çfarë ndodhi me këta tre miq. Miku që qëndroi në tarracë, u dëbua nga universiteti në Japoni, për të cilin pati punuar aq shumë që të pranohej dhe iu kërkua të kthehej në shtëpi. Miku që la festën atë natë me Xhonin, e përfundoi shkollën në Japoni dhe vazhdoi të fitonte grada shkencore në dy universitete nga më të mirët në Shtetet e Bashkuara. Karriera e tij e riktheu në Azi, ku ai ka pasur një sukses profesional të pallogaritshëm. Ai mbetet mirënjohës deri sot për shembullin guximtar të Xhonit. Ndërsa për Xhonin, pasojat në jetën e tij kanë qenë të pamatshme. Koha e tij në Japoni atë vit, e çoi atë në një martesë të lumtur dhe në lindjen më pas të dy djemve. Ai ka qenë një sipërmarrës shumë i suksesshëm dhe kohët e fundit u bë profesor në një universitet japonez. Përfytyroni sa ndryshe do të kishte qenë jeta e tij nëse nuk do të kishte pasur guximin të largohej nga festa në atë mbrëmje të rëndësishme në Japoni.3

Të rinj, do të ketë kohë kur juve, si Xhoni, do t’ju duhet të tregoni guximin tuaj të drejtë ndërsa bashkëmoshatarët tuaj ju shohin, pasojat e së cilës mund të jenë tallja dhe sikleti. Përveç kësaj, në botën tuaj me teknologji, përleshjet me kundërshtarin do të kryhen gjithashtu në një fushëbetejë të heshtur, vetmitare, përpara një ekrani. Teknologjia me përfitimet e saj të dukshme, sjell gjithashtu sfida me të cilat nuk janë përballur brezat përpara jush. Një studim kombëtar i kohëve të fundit zbuloi se adoleshentët e sotëm nuk tundohen në nivele dëshpëruese çdo ditë vetëm në shkollë, por gjithashtu duke përdorur internetin. Studimi zbuloi se adoleshentët që ishin gjendur përpara pamjesh të përdorimit të pijes apo drogës në faqe rrjetesh shoqërore, kishin tre deri katër herë më shumë gjasa që të përdornin alkoolin apo drogat. Duke komentuar mbi studimin, një ish-sekretar i kabinetit të presidentit të SHBA-së deklaroi: “Studimi i këtij viti zbulon një lloj të ri të presionit të fuqishëm nga bashkëmoshatarët – presioni dixhital i shokëve. Presioni dixhital i shokëve lëviz përtej miqve të një fëmije dhe fëmijëve me të cilët ata shoqërohen. Ai sulmon shtëpinë dhe dhomën e gjumit të fëmijës nëpërmjet internetit.”4 Shfaqja e guximit të drejtë do të jetë shpesh aq e lehtë sa të klikosh apo të mos klikosh. Misionarëve u është mësuar nga Predikoni Ungjillin Tim: “Ajo që ju zgjidhni të mendoni dhe të bëni kur jeni vetëm dhe kur mendoni se askush nuk po ju shikon, është një masë e fortë e virtytit tuaj”5. Jini guximtarë! Jini të fortë! “Qëndroni në vende të shenjta dhe mos lëvizni.”6

Të rinj, unë premtoj se Zoti do t’ju fuqizojë. “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force.”7 Ai do t’ju shpërblejë për guximin dhe sjelljen tuaj të drejtë – me lumturi dhe gëzim. Një guxim i tillë do të jetë rezultat i besimit tuaj në Jezu Krisht dhe në Shlyerjen e Tij, i lutjeve tuaja dhe i bindjes tuaj ndaj urdhërimeve.

Presidenti N. Eldon Taner tha: “Një djalë i ri në mjedisin e shkollës mund të ketë një ndikim të fuqishëm për mirë. Një i ri në skuadrën e futbollit ose në konviktet e studentëve, apo midis bashkëpunonjësve të tij mundet, duke e jetuar ungjillin, të nderojë priftërinë e tij dhe, duke mbrojtur të drejtën, të bëjë mirësi të pamatshme. Shpesh ju do të përjetoni shumë kritika dhe tallje madje nga ata që besojnë të njëjtat gjëra si ju, edhe pse ata mund t’ju respektojnë që veproni drejt. Por kujtoni se vetë Shpëtimtari u torturua, u tall, u pështy dhe në fund u kryqëzua sepse nuk u lëkund në bindjen e Tij. A keni ndaluar ndonjëherë të mendoni se çfarë do të kishte ndodhur nëse Ai do të dobësohej dhe do të thoshte: ‘Ç’dobi sjell kjo?’ dhe do ta braktiste misionin e Tij? A duam të jemi frikacakë, apo duam të jemi shërbëtorë trima edhe pse ka shumë kundërshtim dhe ligësi në botë? Le të kemi guximin të ngrihemi dhe të llogaritemi si ndjekës të vërtetë e të devotshëm të Krishtit.”8

Unë ju ftoj ta bëni veten të denjë siç bënë 2.000 ushtarët e rinj duke qenë trima me kurajë si mbajtës të denjë të priftërisë. Kujtoni, ajo që bëni, atje ku shkoni dhe ajo që shihni, do të përcaktojë se cilët do të bëheni. Cili doni të bëheni? Bëhuni një dhjak i denjë, një mësues i denjë, një prift i denjë. Vendosni një qëllim që të jeni i denjë të hyni në tempull tani dhe që të jeni i denjë të merrni ordinancën tuaj të radhës në moshën e përshtatshme dhe në fund të merrni Priftërinë Melkizedeke. Kjo është një udhë drejtësie që fton ndihmë hyjnore. Zoti tha: “Në ordinancat e saj, fuqia e perëndishmërisë manifestohet”9.

Prindërit, udhëheqësit e priftërisë dhe përparësitë profetike që gjenden në broshurat tuaja Detyrë ndaj Perëndisë dhe Për Forcën e Rinisë, do t’ju drejtojnë përgjatë udhës.

Presidenti Tomas S. Monson, kohët e fundit këshilloi:

“Për t’i marrë [vendimet] me mençuri, duhet kurajë – kurajë për të thënë jo, kurajë për të thënë po. …

Unë ju lutem që, … pikërisht tani, të merrni një vendim për të mos u shmangur nga shtegu që do të na çojë tek qëllimi ynë: jeta e përjetshme me Atin tonë në Qiell.”10

Pikërisht ashtu si 2.000 ushtarët iu përgjigjën thirrjes për betejë të udhëheqësit të tyre, Helamanit, dhe mobilizuan trimërinë e tyre të guximshme, ju gjithashtu mund të bëni të njëjtën gjë duke ndjekur udhëheqësin tuaj profet, Presidentin Tomas S. Monson.

Mbajtës të rinj të mi të Priftërisë Aarone, në mbyllje unë jap dëshminë time për Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin, dhe fjalët e Jozef Smithit: “Vëllezër, a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajë, vëllezër; dhe përpara, përpara drejt fitores!”11 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Alma 53:20.

  2. Mosia 18:9.

  3. Histori personale treguar autorit.

  4. Xhozef A. Califano Jr., themelues dhe kryetar nderi i Qendrës Kombëtare për Vartësinë dhe Abuzimin me Substanca në Univesitetin Kolumbia, në një deklaratë për shtyp lidhur me kërkimin, casacolumbia.org.

  5. Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2004), f. 118.

  6. Doktrina e Besëlidhje 87:8.

  7. 2 Timoteut 1:7.

  8. N. Eldon Tanner, “For They Loved the Praise of Men More Than the Praise of God”, Ensign, nëntor 1975, f. 74–75.

  9. Doktrina e Besëlidhje 84:20.

  10. Tomas S. Monson, “Tre Parimet e Zgjedhjes”, Liahona, nëntor 2010, f. 68.

  11. Doktrina e Besëlidhje 128:22.