2010–2019
Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen
Tetor 2012


Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen

Besimi do të na ndihmojë t’i ngjitemi të sigurt shtegut të ungjillit, të mposhtim çdo sfidë të vdekshmërisë dhe të kthehemi në praninë madhështore të Atit tonë Qiellor.

Jo shumë kohë më parë, disa prej nesh pjesëtarë të familjes Nash, u ngjitëm më këmbë deri në majë të Huajna-Piçut, një majë e lartë që është ngjitur me rrënojat e lashta të inkasve të Maçu-Piçut në malet e Perusë. Është një ngjitje shumë e thepisur me pamje spektakolare dhe pjerrësira të papritura. Trishtueshëm, disa njerëz që i janë ngjitur malit, kanë humbur jetën e tyre duke rënë nga ai shteg i ngushtë e i thepisur. Për të shmangur tragjedi të tilla, kabllo të forta u janë lidhur fort shkëmbinjve masivë përgjatë shpatës së malit të Huajna-Piçut. Ne u mbajtëm tek ato kabllo ndërsa ngjiteshim lart, dhe ato na mundësuan që ta arrinim majën të sigurt, ku pamja ishte madhështore!

Ashtu si shtegu në Huajna-Piçu, udhëtimi ynë në vdekshmëri është një ngjitje e thepisur dhe e vështirë, një udhëtim që kërkon ndihmën e Atit tonë Qiellor për ta përfunduar me sukses. Për këtë arsye, Ai vendosi parimet dhe ordinancat e ungjillit për të na sjellë te Shpëtimtari dhe fuqia e Tij Shpëtuese.1 I pari i atyre parimeve, besimi në Zotin Jezu Krisht,2 është si kabllot në Huajna Piçu: nëse është i lidhur fort dhe mirë “me shkëmbin e Shëlbuesit tonë”,3 besimi do të na ndihmojë t’i ngjitemi të sigurt shtegut të ungjillit, të mposhtim çdo sfidë të vdekshmërisë4 dhe të kthehemi në praninë madhështore të Atit tonë Qiellor. Me Anë të Besimit të Gjitha Gjërat Plotësohen.5

Besimi është parim edhe veprimi edhe fuqie.6 Ai “nuk është që të kesh një njohuri të përsosur të gjërave; prandaj, në qoftë se ke[m]i besim [ne] shpreso[jmë] për gjëra që nuk shihen, të cilat janë të vërteta”.7 Është një siguri 8 e Shpirtit që fitohet nëpërmjet të mësuarit tonë që na bën të veprojmë 9 për të ndjekur shembullin e Shpëtimtarit dhe plot lutje të mbajmë urdhërimet e Tij, madje edhe gjatë kohëve të sakrificës dhe sprovës.10 Besimi na sjell fuqinë e Zotit, e cila – midis gjërave të tjera – shfaqet me anë të shpresës se gjëra të mira do vijnë,11 mrekullive që pohojnë besimin tonë,12 dhe mbrojtjes hyjnore në çështje shpirtërore dhe të përkohshme.13

Jeta e En Raulit, një grua pioniere në ditët e hershme të Kishës, provon se si ushtrimi i besimit ndikon për mirë në jetën tonë. E ve nga Anglia, motra Rauli ushtroi besimin e saj për t’iu përgjigjur thirrjes së profetit për t’u mbledhur në Sion. Ajo ishte anëtare e kompanisë Uilli të karrocave të dorës që u ndesh me sasi të mëdha dëbore përgjatë udhës, në vjeshtën e vitit 1856. Ata kishin arritur një pikë të tillë në udhëtim ku të shtatë fëmijët e saj vërtet po vuanin urie. Ajo shkroi: “Më lëndon t’i shoh fëmijët e mi të uritur. … Nata po vinte dhe nuk kishte ushqim për vaktin e mbrëmjes. Kërkova ndihmën e Perëndisë siç bëja gjithmonë. U ula në gjunjë, duke kujtuar dy galeta të forta që … kishin mbetur nga udhëtimi në det. Ato nuk ishin të mëdha dhe ishin kaq të forta sa as nuk mund të copëtoheshin. Sigurisht, ato nuk ishin të mjaftueshme për të ushqyer 8 njerëz, por as 5 bukët dhe 2 peshqit nuk ishin të mjaftueshëm për të ushqyer 5.000 njerëz, por nëpërmjet një mrekullie, Jezusi e bëri atë. Kështu, me ndihmën e Perëndisë, asgjë s’është e pamundur. I gjeta galetat dhe i vendosa në një tenxhere që përdoret për gatim të ngadaltë, dhe i mbulova me ujë, dhe kërkova bekimin e Perëndisë. Më pas, vendosa kapakun mbi tenxhere dhe e vura mbi qymyr. Pak më vonë, kur hoqa kapakun, e gjeta tenxheren të mbushur me ushqim. U gjunjëzova me familjen time dhe e falënderova Perëndinë për mirësinë e Tij. Atë natë familja ime pati ushqim të mjaftueshëm.”14

En Rauli po e jetonte ungjillin me sakrifica të mëdha personale. Pati nevojë për ndihmë dhe e kërkoi atë në lutje.Për shkak të besimit të saj, ajo u mbush me shpresë dhe u furnizua mrekullisht me ushqim për familjen e saj. Zoti e bekoi atë gjithashtu me aftësinë përjetësisht domethënëse për të “dur[uar] në besim deri në fund”.15 Pavarësisht nga një e ardhme e pasigurt, ajo nuk kërkoi të dinte se si do t’i ushqente fëmijët e saj ditën tjetër; në vend të kësaj, ajo me durim “shpreso[i] te Zoti”16 dhe shkoi përpara me shpresë – ashtu siç thotë himni i bukur:

Drit’ më drejto përmes territ rrethues; Ti më drejto!

Nata e errët dhe larg shtëpis’ ndodhem; Ti më drejto!

Mos më rrëzo; Të shoh nuk po kërkoj

Vendin e larg’t – një hap për mua mjafton.17

Edhe ne mund të ushtrojmë besim të tillë në Zotin, duke besuar dhe mirëbesuar që Perëndia ynë i mirë dhe i pandryshueshëm18 do të na bekojë me fuqinë e Tij të mrekullueshme, të përshtatshme për rrethanën tonë, sipas kohës së Tij. Kur veprojmë kështu, edhe ne do të shohim dorën e Perëndisë të shfaqet në jetën tonë.

Zoti na urdhëron të marrim “mburojën e besimit, me të cilën mund të shua[jmë] të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut”.19 Satani do të përdorë gjëra të tilla si dyshim, frikë ose mëkat për të na tunduar ta braktisim besimin dhe të humbasim mbrojtjen që na ofron ai. Le të shqyrtojmë secilën prej këtyre sfidave të besimit një nga një, kështu që të mund të njohim dhe të mos ua vëmë veshin tundimeve të kundërshtarit.20

Së pari, mosbesimi në Zotin apo ungjillin e Tij, do të na bëjë ta kundërshtojmë Shpirtin e Perëndisë.21 Kundërhelmi i Zotit për dyshimin është i thjeshtë. Ashtu siç shpalli mbreti Beniamin: “Besoni në Perëndinë; besoni se ai është dhe se ai krijoi të gjitha gjërat, si në qiell ashtu edhe në tokë; besoni se ai ka të gjithë diturinë dhe të gjithë fuqinë, si në qiell ashtu edhe në tokë; besoni se njeriu nuk i kupton të gjitha gjërat që Zoti mund të kuptojë”22.

Nëse, për shkak të mosbesimit apo të dyshimit, ju e shikoni besimin tuaj të lëkundet, kujtoni që edhe Apostujt e lashtë iu përgjëruan Zotit “[t’u] shto[nte] besimin”23. Duke mbajtur në mendje që besimi dhe arsyeja janë shoqërues të nevojshëm, merrni parasysh analogjinë vijuese: besimi dhe arsyeja janë si dy krahët e një aeroplani. Të dy janë të nevojshëm për ta mbajtur në fluturim. Nëse nga këndvështrimi juaj, arsyeja duket sikur bie në kontraditë me besimin, ndaloni dhe kujtoni që këndvështrimi ynë është jashtëzakonisht i kufizuar krahasuar me atë të Zotit.24 Mos e flakni besimin ashtu siç nuk do ta shkëpusnit një krah nga aeroplani gjatë flututrimit. Përkundrazi, ushqejeni një pjesëz të besimit dhe lëreni shpresën që ai jep, për të qenë një spirancë për shpirtin tuaj – dhe për arsyen tuaj.25 Ja pse jemi urdhëruar të “kërko[jmë] të mëso[jmë], … me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit”.26 Kujtoni, besimi u paraprin dhe bën mrekulli për gjërat që ne nuk kemi një shpjegim të menjëhershëm me njohurinë që kemi fituar përmes vetë përvojave tona, të tillë si një tenxhere plot me ushqim nga dy galeta të vogla ose thjesht durimi me besim kundër të gjitha mundësive.27

Së dyti, frika na heq vëmendjen dhe e dobëson besimin në Shpëtimtarin. Apostulli Pjetër një natë të stuhishme, pa tek Zoti dhe eci mbi ujë – derisa hoqi vështrimin e tij dhe “duke parë erën e fortë, [dhe] kishte frikë” dhe pastaj u fundos në detin e stuhishëm.28 Ai mund të kishte vazhduar të ecte nëse nuk do të kishte pasur frikë! Në vend që të përqendrohemi dhe të kemi frikë nga era dhe dallgët e forta në jetën tonë, Zoti na fton:“shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”29.

Së treti, mëkati dobëson praninë e Shpirtit në jetën tonë dhe, pa Frymën e Shenjtë, neve do të na mungojë qëndrueshmëria shpirtërore për t’u mbajtur te besimi dhe për ta ushtruar atë. Më e mira do të ishte ta ushtrojmë besimin tonë që të “mos prek[im] dhuratën e ligë, as gjënë e papastër”30 dhe që të “j[emi] të zellshëm në mbajtjen e të gjitha urdhërimeve …, përndryshe … besimi [ynë] do të mpaket dhe armiqtë [tanë] do të triumfojnë”31. Nëse mëkati ka njollosur jetën tuaj, unë ju ftoj për të ushtruar “besim deri në pendim”,32 dhe Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes, do ta pastrojë dhe shërojë jetën tuaj.

Vëllezër dhe motra, Zoti, sipas besimit tonë, do t’i përmbushë premtimet e Tij dhe do të punojë me ne për të mposhtur çdo sfidë.33 Ai e bëri këtë për En Raulin dhe ka bërë kështu për popullin e Tij në të gjitha kombet dhe në çdo periudhë e brez. Për shkak se Ai është një “Perëndi mrekullish” dhe “nuk ndryshon”, Ai po ashtu do ta bekojë secilin prej nesh me shpresën, mbrojtjen dhe fuqinë sipas besimit tonë në Të.34 Besimi i patundur në Zotin Jezu Krisht – si kabllot në shtegun e Huajna-Piçut – do t’ju ankorojë ju dhe të dashurit tuaj “në shkëmbin e Shëlbuesit tonë”35 dhe të fuqisë së Tij të pakrahasueshme për të na shpëtuar.

Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “E ardhmja është po aq e ndritur sa besimi juaj”36. Unë ju dëshmoj për atë të vërtetë madhështore e plot shpresë dhe ftoj secilin prej nesh të shkojë përpara me besim në Zotin, “pa dyshuar”37. E di që Shpëtimtari jeton, që është “autori dhe plotësuesi i besimit [tonë]”,38 dhe “shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë”39. Unë dëshmoj kështu në emër të Jezu Krishtit, amen.