2010–2019
“Eja tek Unë, O ti Shtëpi e Izraelit”
Tetor 2012


“Eja tek Unë, O ti Shtëpi e Izraelit”

Kur vijmë te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe pastrojmë zemrat tona, ne të gjithë do të jemi mjete në përmbushjen e premtimeve të fuqishme të Librit të Mormonit.

Gjatë luftës në Vietnam, unë dola vullnetar për shërbim ushtarak në Korpusin e Marinsave të Shteteve të Bashkuara. Pak pas mbërritjes time në Kuantiko të Virxhinias për trajnimin bazë, e gjeta veten duke qëndruar gatitu para shtratit tim të kazermës, së bashku me 54 rekrutë të tjerë të Korpusit të Marinsave. E takova instruktorin tim të stërvitjes, një veteran i kalitur nga lufta, kur ai me shqelm hapi derën e kazermës dhe hyri duke ulëritur fjalë të mbushura me përdhosje.

Pas këtij prezantimi tmerrues, ai filloi nga njëri cep i kazermës dhe e i doli përballë çdo rekruti me pyetje. Pa përjashtim, instruktori i stërvitjes metodikisht gjeti diçka për t’u tallur me çdo rekrut, me gjuhë të fortë vulgare. Teksa kalonte rreshtin, sipas urdhrit, çdo marins i përgjigjej duke bërtitur: “Po” ose “Jo, Instruktor Rreshter”. Nuk mund të shihja saktësisht se çfarë po bënte ai, sepse ne ishim urdhëruar të qëndronim gatitu me sytë drejtuar përpara. Kur erdhi radha ime, mund ta dalloja që ai mori çantën time të shpinës dhe e zbrazi çfarë kishte në dyshekun prapa meje. Ai pa përmes gjërave të mia personale, pastaj u kthye për t’u përballur me mua. U përgatita për sulmin e tij. Në dorën e tij ishte Libri im i Mormonit. Prisja që të më bërtiste; në vend të kësaj, ai u afrua tek unë dhe pëshpëriti: “A je ti mormon?”

Sipas urdhrit, unë bërtita: “Po, Instruktor Rreshter”.

Përsëri prisja më të keqen. Përkundrazi, ai ndaloi dhe ngriti dorën e tij që mbante Librin tim të Mormonit, dhe me një zë shumë të qetë tha: “A beson në këtë libër?”

Unë përsëri thashë me zë të lartë: “Po, Instruktor Rreshter”.

Në këtë pikë isha i sigurt se ai do të thoshte se s’bën fjalë përçmuese për mormonët dhe Librin e Mormonit, por ai vetëm qëndroi atje në heshtje. Pas një momenti, ai u kthye te shtrati im dhe me kujdes vendosi Librin tim të Mormonit. Pastaj ai vazhdoi të ecte pranë meje pa u ndalur dhe vazhdoi të përqeshte e përçmonte me gjuhë përdhosëse të gjithë rekrutët e mbetur.

Shpesh kam pyetur veten përse ai rreshter i ashpër i Korpusit të Marinsave u tregua i mëshirshëm me mua atë ditë. Por unë jam mirënjohës që isha i aftë të thosha pa hezitim: “Po, unë jam anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme” dhe “Po, unë e di se Libri i Mormonit është i vërtetë”. Kjo dëshmi është një dhuratë e çmuar që më është dhënë përmes Frymës së Shenjtë, me ndihmën e dy misionarëve dhe të një këshilltari në kuorumin e priftërinjve.

Kur isha 14 vjeç, dy misionarë, Li Pirsën dhe Bojd Kemfysen, i dhanë mësim familjes sime për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe unë u pagëzova. Dy vjet më vonë, këshilltari i kuorumit tim të priftërinjve, Riçard Boren, më sfidoi të lexoja Librin e Mormonit. E pranova atë sfidë dhe lexova të paktën 10 faqe çdo natë, derisa e përfundova.

Në faqen e titullit lexova se është “shkruar për Lamanitët, të cilët janë një mbetje e shtëpisë së Izraelit, si dhe për Judenj dhe Johebrenj”. Në parathënien e Librit të Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, thuhet se lamanitët “janë midis paraardhësve [kryesorë] të Indianëve të Amerikës”. Ndërsa lexova Librin e Mormonit, m’u duk sikur ai ishte për paraardhësit e mi indianë të Amerikës. Ai tregon historinë e një populli, një pjesë e të cilit më vonë u përshkruan si “lamanitë”, të cilët u shpërngulën nga Jerusalemi për në një “tokë të premtimit” (1 Nefi 2:20) rreth viteve 600Pr.K. Është një anal i marrëdhënieve të Perëndisë me këta banorë të lashtë të vendosur diku në kontinentet amerikane. Ai përfshin një rrëfim të shërbesës së Jezu Krishtit midis tyre pas Ringjalljes së Tij. Fragmente në Librin e Mormonit sugjerojnë se, me kalimin e kohës, ata u shpërndanë anembanë kontinenteve të Amerikës dhe ishujve në detet afër (shih Alma 63:9–10). Profetët e tyre parashikuan se shumë grupe njerëzish johebrenj do të vinin përfundimisht në këtë tokë të premtuar dhe zemërimi i Perëndisë do të ishte mbi lamanitët, dhe ata do të shpërndaheshin goditeshin dhe pothuaj shkatërroheshin (shih 1 Nefi 13:10–14).

Stërgjyshi im Eko Houk, një indian pauni, u lind në mes të viteve 1800, në atë që tani quhet Nebraska. Kur ai ishte 19 vjeç, njerëzit pauni u detyruan të jepnin 9.3 milionë hektarë tokë të vendlindjes së tyre për t’u lënë vend kolonizatorëve. Në vitin 1874 populli pauni u çua me forcë disa qindra milje në jug, në një rezervat të vogël të vendosur në Territorin Indian të Oklahomës. Popullsia e njerëzve pauni kishte rënë nga mbi 12.000 vetë në më pak se 700, gjatë mbërritjes së tyre në Oklahoma. Paunit, sikurse fiset e tjera, ishin shpërndarë, goditur dhe pothuaj shkatërruar.

Libri i Mormonit ka një mesazh të veçantë për pasardhësit e lamanitëve, një mbetje e shtëpisë së Izraelit. Nefi e shprehu këtë mesazh ndërsa interpretonte vegimin e atit të tij për këto ditë të mëvonshme: “Dhe atë ditë, mbetja e farës sonë do të dijë se ajo është nga shtëpia e Izraelit dhe se ata janë populli i besëlidhjes së Zotit; dhe atëherë ata do të dinë dhe do të vijnë në njohurinë e paraardhësve të tyre dhe gjithashtu në njohurinë e ungjillit të Shëlbuesit të tyre, i cili u ishte shërbyer etërve të tyre nga ai; prandaj ata do të vijnë në njohurinë e Shëlbuesit të tyre dhe të pikave kryesore të doktrinës së tij, që ata mund të dinë si të vijnë tek ai dhe të shpëtohen” (1 Nefi 15:14).

Libri i Mormonit është shkrim i shenjtë. Ai përmban plotësinë e ungjillit të përjetshëm. Profeti Jozef Smith shkroi se “Libri i Mormonit [është] më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Joseph Smith [2007], f. 67). Kështu, ai ka një mesazh për të gjithë njerëzit në botë.

Si një djalë 17-vjeçar që e lexon Librin e Mormonit për herë të parë, unë u përqendrova në premtimin e Moronit: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4).

Kur u gjunjëzova në lutje, unë mora një dëshmi të fuqishme shpirtërore se Libri i Mormonit është i vërtetë. Ajo dëshmi më ka ndihmuar të planifikoj dhe të marr vendime gjatë gjithë jetës sime.

Unë i këshilloj të gjithë njerëzit ta lexojnë Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit.

Unë veçanërisht i kërkoj mbetjes së shtëpisë së Izraelit, pasardhësve të popullit të Librit të Mormonit, kudo që mund të jeni, të lexoni dhe të rilexoni Librin e Mormonit. Mësoni për premtimet që përmbahen në Librin e Mormonit. Ndiqni mësimet dhe shembullin e Jezu Krishtit. Bëni dhe mbani besëlidhjet me Zotin. Kërkoni dhe ndiqni udhëheqjen e Shpirtit të Shenjtë.

Po e përfundoj me fjalët e thëna nga Amaleki, një tjetër profet i Librit të Mormonit: “Dhe tani, vëllezërit e mi të dashur, unë do të doja që ju të vini te Krishti, që është i Shenjti i Izraelit dhe të merrni pjesë në shpëtimin e tij dhe në fuqinë e shlyerjes së tij. Po, ejani tek ai dhe dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij dhe vazhdoni në agjërim dhe lutje dhe duroni deri në fund; dhe ashtu si Zoti jeton, ju do të shpëtoheni” (Omni 1:26).

Kur vijmë te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe pastrojmë zemrat tona, ne të gjithë do të jemi mjete në përmbushjen e premtimeve të fuqishme të Librit të Mormonit. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.