2010–2019
Lidhur me Keqardhjet dhe Vendimet
Tetor 2012


Lidhur me Keqardhjet dhe Vendimet

Sa më shumë e përkushtojmë veten në përpjekjen për të arritur shenjtëri dhe lumturi, aq më të pakta janë gjasat që do të jemi në shtegun drejt keqardhjeve.

Lidhur me Keqardhjet

Presidenti Monson, të duam. Faleminderit për njoftimin e frymëzuar dhe historik mbi ndërtimin e tempujve të rinj dhe shërbimin misionar. Për shkak të tyre, jam i sigurt se bekime të mëdha do të na vijnë ne dhe shumë brezave të ardhshëm.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur! Ne jemi të gjithë të vdekshëm. Shpresoj që kjo nuk i vjen e befasishme kujtdo.

Asnjëri prej nesh nuk do të qëndrojë në tokë shumë gjatë. Ne kemi një numër vitesh të çmuara, që, nga pikëpamja e përjetshme, pothuaj nuk janë as sa një përpëlitje sysh.

Dhe më pas largohemi nga kjo jetë. Shpirtrat tanë “çohen në shtëpi tek ai Perëndi që [na] dha … jetë”1. Ne shkëputemi nga trupat tanë dhe lëmë pas gjërat e kësaj bote kur shkojmë në mbretërinë tjetër të ekzistencës sonë.

Kur jemi të rinj, duket sikur do të jetojmë përgjithmonë. Mendojmë se ka një numër të pafundëm agimesh duke pritur pikërisht përtej horizontit, dhe e ardhmja na duket si një rrugë e vazhdueshme që shtrihet pambarim përpara nesh.

Megjithatë, sa më shumë që plakemi, aq më shumë priremi të shohim pas dhe të çuditemi se sa e shkurtër është në të vërtetë ajo rrugë. Ne pyesim veten se si vitet mund të kenë kaluar kaq shpejt. Dhe fillojmë të mendojmë për zgjedhjet që ndërmorëm dhe gjërat që kemi bërë. Gjatë [këtij] procesi, ne sjellim ndërmend shumë çaste të ëmbla që u japin ngrohtësi shpirtrave tanë dhe gëzim zemrave tona. Por kujtojmë edhe keqardhjet – gjërat që do të donim të mund të ktheheshim pas dhe t’i ndryshonim.

Një infermiere, e cila kujdeset për të sëmurët e gradës së fundit, thotë se shpesh u ka bërë një pyetje të thjeshtë pacientëve të saj ndërsa përgatiteshin për t’u larguar nga kjo jetë.

“A keni ndonjë keqardhje?” do të pyeste ajo.2

Të qenit aq pranë asaj dite të fundit të vdekshmërisë shpesh e qartëson mendimin dhe ofron largpamësi e perspektivë. Kështu që, kur këta njerëz pyeteshin për keqardhjet e tyre, ata hapnin zemrat. Ata reflektonin rreth asaj që do të ndryshonin nëse thjesht do të mund të ktheheshin pas në kohë.

Kur mendova ato çka kanë thënë, u habita se si parimet themelore të ungjillit të Jezu Krishtit mund të ndikojnë në drejtimin e jetës sonë për mirë, thjesht nëse do t’i zbatojmë ato.

Nuk ka asgjë të fshehtë rreth parimeve të ungjillit. Ne i kemi studiuar ato në shkrimet e shenjta, i kemi diskutuar në Shkollën e së Dielës dhe, shumë herë, i kemi dëgjuar gjatë mbledhjeve të Kishës. Këto parime dhe vlera hyjnore janë të thjeshta dhe të qarta; janë të bukura, të thella e të fuqishme; dhe pa dyshim mund të na ndihmojnë të shmangim keqardhjet e nesërme.

Do të Doja të Kisha Kaluar më Shumë Kohë me Njerëzit që Dua

Ndoshta keqardhja më e përhapur që shprehën pacientët që po vdisnin, ishte se ata do të donin të kishin kaluar më shumë kohë me njerëzit që duan.

Burrat në veçanti e kënduan këtë këngë vaji universal: ata “u penduan thellësisht që kaluan kaq shumë nga jeta e tyre në gjërat e rutinës [së përditshme] … të punës”3. Shumë kishin humbur mundësinë të kishin kujtime të veçanta që rrjedhin nga kalimi i kohës me familjen dhe miqtë. Ata humbën të krijuarin e një lidhjeje të thellë me njerëzit që kishin më shumë rëndësi për ta.

A nuk është e vërtetë që ne shpesh zihemi shumë me punë? Dhe, e trishtueshme për ta thënë, [por] ne madje e quajmë faktin që jemi të zënë simbol nderi, sikur të qenit i zënë, në vetvete, të qe një arritje ose shenjë e një jete të mrekullueshme.

A është kështu?

Mendoj për Zotin tonë dhe Shembullin e përsosur, Jezu Krishtin, dhe jetën e Tij të shkurtër midis njerëzve të Galilesë dhe Jerusalemit. Jam përpjekur ta përfytyroj Atë duke u ngutur nga një mbledhje te tjetra ose duke bërë shumë gjëra njëkohësisht për të përmbushur një listë me gjëra të ngutshme.

Nuk mund ta shoh Atë duke bërë këtë gjë.

Përkundrazi, shoh Birin e dhembshur e dashamirës të Perëndisë duke e jetuar çdo ditë me qëllim. Kur Ai bashkëveproi me njerëzit përreth Tij, ata u ndien të rëndësishëm dhe ndien që Ai i donte. Ai e njihte vlerën e pafundme të njerëzve që takoi. Ai i bekoi dhe iu shërbeu atyre. Ai i lartësoi dhe i shëroi ata. Ai iu dha atyre dhuratën e çmuar, kohën e Tij.

Në kohën tonë, është e lehtë që thjesht të pretendojmë se po kalojmë kohë me të tjerët. Me klikimin e kursorit ne mund “të lidhemi” me mijëra “miq” pa na u dashur ndonjëherë të takohemi personalisht me as edhe njërin prej tyre. Teknologjia mund të jetë gjë e mrekullueshme dhe është shumë e dobishme kur nuk mund të jemi pranë të dashurve tanë. Unë dhe bashkëshortja ime jetojmë larg pjesëtarëve të çmuar të familjes; ne e dimë ç’do të thotë. Megjithatë, besoj se nuk jemi duke përparuar në drejtimin e duhur, si individ dhe si shoqëri, kur lidhemi me familjen apo miqtë kryesisht duke vendosur në internet foto argëtuese, duke u dërguar gjëra të parëndësishme ose duke u kaluar të dashurve tanë faqe interneti. Mendoj se ka vend për këtë lloj veprimtarie, por sa kohë jemi të gatshëm të kalojmë me të? Nëse nuk arrijmë të japim më të mirën nga vetja dhe kohën kushtuar vetëm ndaj atyre që janë vërtet të rëndësishëm për ne, një ditë do të ndiejmë keqardhje.

Le të vendosim të gëzojmë ata që duam duke kaluar kohë kuptimplote me ta, duke bërë gjëra së bashku dhe duke krijuar kujtime të çmuara.

Do të Doja të Kisha Përmbushur Potencialin Tim

Një tjetër keqardhje që shprehën njerëzit, ishte se ata nuk arritën të bëheshin personi që ata ndien se mund dhe duhej të ishin bërë. Kur menduan për jetën e tyre, ata kuptuan se kurrë nuk e kishin përmbushur potencialin e tyre, se shumë gjëra nuk qenë kryer.

Nuk po flas këtu për ngjitjen e shkallëve të suksesit në profesionet tona të ndryshme. Ajo shkallë, pavarësisht se sa e lartë mund të duket në këtë jetë, mezi arrin një shkallë të vetme në udhëtimin e madh e të përjetshëm që na pret.

Përkundrazi, po flas për t’u bërë personi që Perëndia, Ati ynë Qiellor, synoi që ne të jemi.

Ne vijmë në këtë botë, siç tha poeti: “Si re të varura lavdie”4 nga jeta paratokësore.

Ati ynë Qiellor e sheh potencialin tonë të vërtetë. Ai di rreth nesh gjëra që as vetë nuk i dimë. Ai na nxit gjatë jetës sonë që të plotësojmë qëllimin e krijimit tonë, që të bëjmë një jetë të drejtë dhe të rikthehemi në praninë e Tij.

Përse, atëherë, u kushtojmë kaq shumë nga koha dhe energjia jonë gjërave që janë kaq të përkohshme, kaq të paqëndrueshme dhe kaq sipërfaqësore? A kundërshtojmë të shohim marrëzinë te ndjekja e të parëndësishmes dhe të përkohshmes?

A nuk do të ishte më urtësi nga ana jonë të “mblidhni[m] për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin”5?

Si e bëjmë ne këtë? Duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit, duke përfshirë mësimet e Tij në jetën tonë të përditshme dhe duke dashur me të vërtetë Perëndinë dhe bashkënjerëzit tanë.

Pa dyshim që nuk mund ta bëjmë këtë nëse i qasemi dishepullimit me zvarritje të këmbëve, duke parë orën ngultas, duke u ankuar kur veprojmë ndërsa i afrohemi dishepullimit.

Kur bëhet fjalë për të jetuarin e ungjillit, ne nuk duhet të jemi si djali që futi gishtin e këmbës në ujë dhe më pas pretendoi se notoi. Si bij dhe bija të Atit tonë Qiellor, ne jemi të aftë për akoma më tepër. Për këtë, qëllimet e mira nuk mjaftojnë. Ne duhet të veprojmë. Akoma më e rëndësishme, ne duhet të bëhemi personi që Ati Qiellor dëshiron që ne të jemi.

Shpallja e dëshmisë sonë për ungjillin është gjë e mirë, por të qenit një shembull i gjallë i ungjillit të rivendosur është gjë më e mirë. Të dëshirojmë që të jemi më besnikë ndaj besëlidhjeve tona është gjë e mirë; faktikisht të qenit besnik ndaj besëlidhjeve të shenjta – duke përfshirë të jetuarin e një jete të virtytshme, pagimin e të dhjetave e ofertave tona, mbajtjen e Fjalës së Urtësisë dhe shërbimin ndaj atyre në nevojë – është gjë shumë më e mirë. Bërja të ditur se ne do t’i kushtojmë më shumë kohë lutjes familjare, studimit të shkrimeve të shenjta dhe veprimtarive të dobishme familjare është gjë e mirë; por faktikisht bërja e të gjitha këtyre gjërave me vendosmëri do të sjellë bekimet e qiellit në jetën tonë.

Dishepullimi është përpjekja për të arritur shenjtëri dhe lumturi. Është shtegu drejt vetes sonë më të mirë e më të lumtur.

Le të vendosim të ndjekim Shpëtimtarin dhe të punojmë me zell për t’u bërë personi që jemi paracaktuar për t’u bërë. Le t’i dëgjojmë dhe t’u bindemi nxitjeve të Shpirtit të Shenjtë. Ndërsa e bëjmë këtë, Ati Qiellor do të na zbulojë gjëra që kurrë nuk i dinim për veten tonë. Ai do ta ndriçojë shtegun para nesh dhe do të na hapë sytë për të parë talentet tona të panjohura dhe ndoshta të papërfytyruara.

Sa më shumë e përkushtojmë veten në përpjekjen për të arritur shenjtëri dhe lumturi, aq më të pakta janë gjasat që do të jemi në shtegun drejt keqardhjeve. Sa më shumë mbështetemi te hiri i Shpëtimtarit, aq më shumë do të ndiejmë se jemi në shtegun që Ati ynë në Qiell synoi për ne.

Do të Doja ta Kisha Lejuar Veten të Isha më i Lumtur

Keqardhja tjetër e atyre që e dinin se po vdisnin, mund të jetë disi e habitshme. Ata do të dëshironin ta kishin lejuar veten të ishin më të lumtur.

Shumë shpesh jepemi pas iluzionit se ka diçka pak përtej mundësive tona që do të na sjellë lumturi: një situatë më e mirë familjare, një situatë më e mirë financiare ose fundi i një sprove sfiduese.

Sa më shumë plakemi, aq më shumë shohim pas dhe kuptojmë se rrethanat e jashtme në të vërtetë nuk kanë rëndësi ose nuk përcaktojnë lumturinë tonë.

Ne vërtet kemi rëndësi. Ne e përcaktojmë lumturinë tonë.

Unë dhe ju përfundimisht jemi përgjegjës për vetë lumturinë tonë.

Bashkëshortja ime, Herieta, dhe unë pëlqejmë të ngasim biçikletën. Është e mrekullueshme të dalësh dhe të shijosh bukuritë e natyrës. Kemi disa rrugë ku pëlqejmë ta ngasim biçikletën, por nuk i kushtojmë shumë vëmendje se sa larg shkojmë apo sa shpejt ecim krahasuar me çiklistët e tjerë.

Megjithatë, herë pas here mendoj se duhet të jemi pak më konkurrues. Madje, mendoj se ne mund të arrinim në një kohë më të shkurtër ose mund të ngisnim me shpejtësi më të lartë sikur vetëm ta shtynim veten pak më shumë. Dhe më pas ndonjëherë bëj edhe gabimin e madh duke ia përmendur këtë ide bashkëshortes sime të mrekullueshme.

Reagimi i saj tipik ndaj sugjerimeve të mia të këtij lloji është gjithmonë shumë i dashur, shumë i qartë dhe shumë i hapur. Ajo buzëqesh dhe thotë: “Diter, nuk është garë; është udhëtim. Shijoje çastin.”

Sa të drejtë që ka!

Nganjëherë në jetë, ne bëhemi kaq të fiksuar pas vijës fundore saqë nuk arrijmë të gjejmë gëzim gjatë udhëtimit. Unë nuk shkoj të ngas biçikletën me gruan time sepse jam i emocionuar për përfundimin. Shkoj sepse përvoja e të qenit me të është e ëmbël dhe e gëzueshme.

A nuk duket qesharake të prishësh përvoja të ëmbla e të gëzueshme për shkak se po presim vazhdimisht çastin kur ato do të përfundojnë?

A e dëgjojmë muzikën e bukur duke pritur të zbehet nota përfundimtare përpara se t’ia lejojmë vetes ta shijojë atë vërtet? Jo. Ne e dëgjojmë dhe bashkohemi me variacionet e melodisë, ritmit dhe harmonisë gjatë gjithë kompozimit.

A i themi lutjet duke pasur vetëm “amen” ose fundin në mendje? Natyrisht që jo. Ne lutemi me qëllim që të jemi pranë Atit tonë Qiellor, për të marrë Shpirtin e Tij dhe për të ndier dashurinë e Tij.

Ne nuk duhet të presim që të jemi të lumtur derisa të arrijmë disa qëllime të ardhshme, veçse për të zbuluar se lumturia tashmë qe e arritshme – gjithë kohën! Jeta nuk është e thënë të vlerësohet vetëm në retrospektivë. “Kjo është dita që Zoti ka bërë … ”, shkroi psalmisti. “Gëzoh[uni] dhe … ngazëll[ehuni] në të.”6

Vëllezër dhe motra, pavarësisht rrethanave tona, pavarësisht sfidave apo sprovave tona, ka diçka në çdo ditë për t’u gëzuar plotësisht dhe pëlqyer shumë. Ka diçka në çdo ditë që mund të sjellë mirënjohje dhe gëzim sikur vetëm ta shohim dhe vlerësojmë atë.

Ndoshta ne duhet të shohim më pak me sy dhe më shumë me zemër. Më pëlqen citati: “Njeriu sheh siç duhet vetëm me zemër. Çdo gjë thelbësore është e padukshme për sytë.”7

Ne jemi urdhëruar që “të [japim] falënderime në të gjitha gjërat”8. Ndaj, a nuk është më mirë të shohim me sy dhe zemër edhe gjërat e vogla për të cilat mund të jemi mirënjohës, në vend të theksimit të negatives në gjendjen tonë të tanishme?

Zoti ka premtuar: “Ai që i pranon të gjitha gjërat me falënderim, do të bëhet i lavdishëm; dhe gjërat e kësaj toke do t’i shtohen atij, madje njëqindfish”9.

Vëllezër dhe motra, me bekimet e bollshme të Atit tonë Qiellor, planin e Tij bujar të shpëtimit, të vërtetat qiellore të ungjillit të rivendosur dhe bukuritë e shumta të këtij udhëtimi në vdekshmëri “a nuk kemi shkak të gëzohemi”10?

Le të vendosim që të jemi të lumtur, pavarësisht rrethanave tona.

Lidhur me Vendimet

Një ditë ne do të ndërmarrim atë hap të pashmangshëm dhe do të kalojmë nga kjo jetë në vdekshmëri në gjendjen tjetër. Një ditë do të mendojmë për jetën tonë dhe do të pyesim veten nëse mund të kishim qenë më të mirë, të kishim marrë vendime më të mira apo ta kishim përdorur kohën tonë me më shumë mençuri.

Për të shmangur disa prej keqardhjeve më të thella të jetës, do të ishte urtësi të merrnim disa vendime sot. Prandaj, le:

  • Të vendosim të kalojmë më shumë kohë me ata që duam.

  • Të vendosim të përpiqemi më me zell për t’u bërë personi që Perëndia dëshiron që të jemi.

  • Të vendosim të gjejmë lumturi, pavarësisht rrethanave tona.

Kam dëshmi se shumë nga keqardhjet tona më serioze të së nesërmes mund të parandalohen duke ndjekur Shpëtimtarin sot. Nëse kemi mëkatuar apo kemi bërë gabime – nëse kemi bërë zgjedhje për të cilat tani ndiejmë keqardhje – ne kemi dhuratën e çmuar të Shlyerjes së Krishtit, përmes së cilës mund të falemi. Ne mund të mos kthehemi prapa në kohë e të ndryshojmë të kaluarën, por mund të pendohemi. Shpëtimtari mund t’i thajë lotët tanë të keqardhjes11 dhe të heqë barrën e mëkateve tona12. Shlyerja e Tij na lejon ta lëmë pas të kaluarën dhe të ecim përpara me duar të pafajshme dhe zemër të pastër13, dhe me vendosmërinë për të vepruar më mirë dhe veçanërisht për t’u bërë më të mirë.

Po, kjo jetë po kalon shpejt; ditët tona duken të veniten shpejt; dhe vdekja duket e frikshme ndonjëherë. Prapëseprapë, shpirti ynë do të vazhdojë të jetojë dhe një ditë do të bashkohet me trupin tonë të ringjallur, për të marrë lavdinë e pavdekshme. Unë jap dëshminë solemne se për shkak të Krishtit të mëshirshëm, ne të gjithë do të jetojmë sërish dhe përgjithmonë. Për shkak të Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, një ditë do ta kuptojmë me të vërtetë dhe do të gëzohemi vërtet në kuptimin e fjalëve “thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin”14.

Shtegu drejt përmbushjes së fatit tonë hyjnor si bij dhe bija të Perëndisë është i përjetshëm. Vëllezër dhe motra të mia të dashura, miq të dashur, ne duhet të fillojmë të ecim në atë shteg të përjetshëm sot; ne nuk mund të humbasim asnjë ditë të vetme. Lutem që nuk do të presim derisa të jemi gati të vdesim përpara se të mësojmë me të vërtetë të jetojmë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.