2010–2019
Plani dhe Proklamata
Tetor 2017


2:3

Plani dhe Proklamata

Proklamata për familjen është ritheksimi nga ana e Zotit i të vërtetave të ungjillit që na nevojiten për të na mbështetur nëpër sfidat e tanishme që ka familja.

Ashtu siç është e dukshme në proklamatën tonë për familjen, anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme janë bekuar me doktrinë të pashoqe dhe me mënyra të ndryshme për ta parë botën. Ne marrim pjesë dhe madje shquhemi në shumë veprimtari të botës, por në disa çështje ne heqim dorë nga pjesëmarrja, ngaqë kërkojmë t’i ndjekim mësimet e Jezu Krishtit dhe të Apostujve të Tij, të lashtë e të sotëm.

I.

Në një shëmbëlltyrë, Jezusi përshkroi ata që e “dëgjo[jnë] fjalën”, por bëhen të “pafrytsh[ëm]” kur fjala “mby[tet]” nga “shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë” (Mateu 13:22). Më vonë, Jezusi e qortoi Pjetrin që nuk kishte ndër mend “punët e Perëndisë, por punët e njerëzve”, duke shpallur: “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet?” (Mateu 16:23, 26). Në mësimet e Tij të fundit në vdekshmëri, Ai u tha Apostujve të Tij: “Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, … bota ju urren” (Gjoni 15:19; shih edhe Gjoni 17:14, 16).

Në mënyrë të ngjashme, shkrimet e Apostujve të hershëm të Jezusit shpesh përdorin figurën e “bot[ës]” për të pasqyruar kundërshtimin ndaj mësimeve të ungjillit. “Mos u konformoni me këtë botë” (Romakëve 12:2), dha mësim Apostulli Pal. “Sepse dituria e kësaj bote është marrëzi pranë Perëndisë” (1 Korintasve 3:19). Dhe, “tregoni kujdes” paralajmëroi ai, “se mos ndokush ju bën prenë e tij … sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit” (Kolosianëve 2:8). Apostulli Jakob dha mësim se “miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë[.] Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakob [Bibël] 4:4).

Libri i Mormonit e përdor shpesh këtë figurë të kundërshtimit të “bot[ës]”. Nefi profetizoi shkatërrimin përfundimtar të “at[yre] që janë ndërtuar që të bëhen të njohur në sytë e botës, dhe [të] at[yre] që kërkojnë … gjërat e botës” (1 Nefi 22:23; shih edhe 2 Nefi 9:30). Alma i dënoi ata që ishin “fryrë … me gjërat e kota të botës” (Alma 31:27). Ëndrra e Lehit tregon se ata që përpiqen ta ndjekin shufrën e hekurit, fjalën e Perëndisë, do të ndeshin kundërshtimin e botës. Banorët e “ndërtesë[s s]ë gjerë dhe të madhe” që pa Lehi, ishin “duke u tallur dhe duke treguar me gisht” (1 Nefi 8:26–27, 33). Në vegimin e tij që interpretonte këtë ëndërr, Nefi mësoi se kjo përqeshje dhe ky kundërshtim erdhën nga “turmat e tokës … bot[a] dhe urtësi[a] e saj; … kryelartësia e botës” (1 Nefi 11:34–36).

Portreti i Presidentit Tomas S. Monson

Cili është kuptimi i këtyre paralajmërimeve dhe urdhërimeve të shkrimit të shenjtë për të mos qenë “nga bota” apo urdhërimi i sotëm për ta “braktis[ur] botën”? (DeB 53:2.) Presidenti Tomas S. Monson i përmblodhi këto mësime: “Ne duhet të jemi vigjilentë në një botë që është larguar kaq shumë nga ajo që është shpirtërore. Është thelbësore që ne të mos pranojmë asgjë që nuk përputhet me standardet tona, duke mos pranuar gjatë procesit që të dorëzojmë atë që dëshirojmë shumë: jetën e përjetshme në mbretërinë e Perëndisë.”

Perëndia e krijoi këtë tokë sipas planit të Tij, për t’u siguruar fëmijëve të Tij shpirtërorë një vend për të përjetuar vdekshmërinë, si një hap i nevojshëm drejt lavdive që Ai i dëshiron për të gjithë fëmijët e Tij. Ndërkohë që ka mbretëri dhe lavdi të ndryshme, dëshira përfundimtare e Atit tonë Qiellor për fëmijët e Tij është ajo që Presidenti Monson e quajti “jetë e përjetshme në mbretërinë e Perëndisë”, që është ekzaltimi si familje. Kjo është më shumë sesa shpëtim. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka kujtuar: “Në planin e përjetshëm të Perëndisë shpëtimi është një çështje individuale; [por] ekzaltimi është një çështje familjare”.

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit dhe proklamata e frymëzuar për familjen, për të cilën do të diskutoj më vonë, janë mësime thelbësore për të drejtuar përgatitjen në vdekshmëri për ekzaltim. Ashtu siç duhet të jetojmë me ligjet e martesës dhe zakone të tjera në një botë përherë e më të ligë, ata që përpiqen fort për ekzaltim, duhet t’i bëjnë zgjedhjet vetjake në jetën familjare sipas mënyrës së Zotit, kurdoherë që ajo ndryshon nga mënyra e botës.

Në këtë jetë në vdekshmëri, ne nuk kemi një kujtesë të asaj që e parapriu lindjen tonë, dhe tani përjetojmë kundërshtim. Ne rritemi dhe piqemi shpirtërisht duke zgjedhur që t’u bindemi urdhërimeve të Perëndisë me një seri zgjedhjesh të drejta. Këto përfshijnë besëlidhjet dhe ordinancat e duhura, dhe pendimin kur zgjedhjet tona janë të gabuara. Në dallim, nëse na mungon besimi në planin e Perëndisë dhe jemi të pabindur ndaj veprimeve që na kërkon ai, apo u shmangemi atyre qëllimisht, ne heqim dorë nga ajo rritje dhe pjekuri. Libri i Mormonit na mëson: “Kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë” (Alma 34:32).

II.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme që e kuptojnë planin e Perëndisë për shpëtimin, kanë një botëkuptim të pashoq që i ndihmon ta kuptojnë arsyen për urdhërimet e Perëndisë, natyrën e pandryshueshme të ordinancave të kërkuara prej Tij dhe rolin themelor të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Shlyerja e Shpëtimtarit tonë na shpëton nga vdekja dhe, në varësi nga pendimi ynë, na shpëton nga mëkati. Me atë botëkuptim, shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë përparësi e praktika të dallueshme dhe bekohen me forcën për t’i duruar zhgënjimet dhe dhembjet e jetës në vdekshmëri.

Detyrimisht, veprimet e atyre që përpiqen ta ndjekin planin e Perëndisë për shpëtimin, mund të shkaktojnë keqkuptim ose madje përplasje me pjesëtarë të familjes apo miq që nuk i besojnë parimet e tij. Gjithmonë do të ketë një përplasje të tillë. Çdo brez që ka kërkuar ta ndjekë planin e Perëndisë, ka pasur sfida. Në lashtësi, profeti Isaia u dha forcë izraelitëve, të cilët i quajti “ju që e njihni drejtësinë, … që [keni] në zemër ligjin tim”. Atyre ai u tha, “Mos kini frikë turpërimin nga njerëzit, as mos u trembni nga fyerjet e tyre të rënda” (Isaia 51:7; shih edhe 2 Nefi 8:7). Por cilido qoftë shkaku i përplasjes me ata që nuk e kuptojnë apo nuk e besojnë planin e Perëndisë, ata që e kuptojnë urdhërohen që gjithmonë të zgjedhin udhën e Zotit në vend që të zgjedhin udhën e botës.

III.

Plani i ungjillit që çdo familje duhet ta ndjekë për t’u përgatitur për jetën e përjetshme dhe ekzaltimin, përvijohet në proklamatën e Kishës të vitit 1995, “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Sigurisht, shpalljet e saj janë qartësisht të ndryshme nga disa ligje, praktika dhe mbështetje të tanishme të botës në të cilën jetojmë. Në kohën tonë, ndryshimet më të dukshme janë bashkëjetesa pa martesë, martesa mes së njëjtës gjini dhe rritja e fëmijëve në marrëdhënie të tilla. Ata që nuk besojnë tek ekzaltimi apo nuk e dëshirojnë atë, dhe binden më shumë nga mënyrat e botës, e mendojnë këtë proklamatë të familjes thjesht si një deklarim të rregullores që duhet ndryshuar. Përkundrazi, shenjtorët e ditëve të mëvonshme pohojnë se proklamata për familjen përkufizon llojin e marrëdhënieve familjare ku mund të ndodhë pjesa më e rëndësishme e zhvillimit tonë të përjetshëm.

Ne kemi dëshmuar një pranim publik të shpejtë e në rritje të bashkëjetesës pa martesë dhe të martesës mes së njëjtës gjini. Mbështetja përkatëse në mjetet e informimit, arsimi, madje edhe kërkesat për punësim, përbëjnë sfida të vështira për shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Ne duhet të përpiqemi që t’i drejtpeshojmë kërkesat konkurruese të ndjekjes së ligjit të ungjillit në jetën dhe mësimet tona vetjake, edhe kur kërkojmë të tregojmë dashuri për të gjithë. Duke e bërë këtë, nganjëherë ne përballemi me atë që Isaia e quajti “turpërimi nga njerëzit”, por nuk duhet ta kemi frikë nga kjo.

Shenjtorët e ditëve të mëvonshme, të kthyer në besim, besojnë se proklamata për familjen, që doli gati një çerek shekulli më parë dhe tani e përkthyer në sa e sa gjuhë, është ritheksimi nga ana e Zotit i të vërtetave të ungjillit që na nevojiten për të na mbështetur nëpër sfidat e tanishme që ka familja. Dy shembuj janë martesa mes së njëjtës gjini dhe bashkëjetesa pa martesë. Vetëm 20 vjet pas proklamatës për familjen, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara autorizoi martesën mes së njëjtës gjini, duke përmbysur mijëra vjet martesë, të kufizuar midis një burri dhe një gruaje. Përqindja tronditëse e fëmijëve në Shtetet e Bashkuara të lindur nga një nënë që nuk është e martuar me babanë, u rrit më ngadalë: 5 përqind në vitin 1960, 32 përqind në vitin 1995 dhe tani 40 përqind.

IV.

Proklamata për familjen fillon duke shpallur se “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij”. Ajo gjithashtu pohon se “gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme”. Më tej ajo shpall se “Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte”.

Proklamata pohon detyrën e vazhdueshme të bashkëshortit e bashkëshortes që të shumohen e ta mbushin tokën dhe “përgjegjësinë e tyre solemne për të dashur dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre”: “Fëmijët kanë të drejtën të linden nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës”. Ajo solemnisht paralajmëron kundër abuzimit ndaj bashkëshortes/it apo fëmijëve dhe pohon se “lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht”. Së fundi, ajo bën thirrje për përkrahjen e “masa[ve] të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë”.

Në vitin 1995, një President i Kishës dhe 14 Apostuj të tjerë të Zotit, nxorën këto shpallje të rëndësishme doktrinore. Si njëri nga vetëm shtatë prej atyre Apostujve që ende jetojnë, ndihem i detyruar të tregoj atë që çoi drejt proklamatës për familjen, për informacionin e të gjithë atyre që e marrin atë parasysh.

Frymëzimi që përcaktoi nevojën për një proklamatë mbi familjen, i erdhi udhëheqjes së Kishës mbi 23 vjet më parë. Ishte një befasi për disa, të cilët mendonin se të vërtetat doktrinore rreth martesës dhe familjes kuptoheshin mirë [edhe] pa një rishpallje. Megjithëkëtë, ne e ndiem miratimin dhe iu futëm punës. Çështjet u përcaktuan dhe u diskutuan nga anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve për gati një vit. U propozua, u shqyrtua dhe u rishikua formulimi. Plot lutje, ne vazhdimisht iu përgjëruam Zotit për frymëzimin e Tij, për atë që duhej të thoshim dhe mënyrën se si duhej ta thoshim. Ne të gjithë mësuam “rresht pas rreshti, parim pas parimi”, ashtu siç ka premtuar Zoti (DeB 98:12).

Portret i Presidentit GordonB. Hinkli

Gjatë këtij procesi zbulues, Presidencës së Parë iu paraqit një tekst i propozuar, i cili mbikëqyr e shpall mësimet dhe doktrinat e Kishës. Pasi Presidenca bëri ndryshime të mëtejshme, proklamata për familjen u njoftua nga Presidenti i Kishës, Gordon B. Hinkli. Në mbledhjen e grave të datës 23 shtator 1995, ai e paraqiti proklamatën me këto fjalë: “Me kaq shumë sofizëm që jepet si e vërtetë, me kaq shumë mashtrime lidhur me standardet e vlerat, me kaq shumë joshje dhe tërheqje për ta pranuar ndotjen e ngadaltë të botës, ne e kemi ndier që të lajmërojmë dhe paralajmërojmë”.

Dëshmoj se proklamata për familjen është një shpallje e të vërtetës së përjetshme, vullneti i Zotit për fëmijët e Tij të cilët e kërkojnë jetën e përjetshme. Ajo ka qenë baza e mësimdhënies dhe praktikës së Kishës për 22 vitet e fundit dhe do të vazhdojë të jetë kështu në të ardhmen. Mendojeni atë si të tillë, jepeni mësim atë, jetoni sipas saj dhe ju do të bekoheni ndërsa shkoni përpara drejt jetës së përjetshme.

Dyzet vjet më parë, Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim se “çdo brez ka sprovat e tij dhe mundësinë e tij për t’u bërë ballë dhe për ta vënë në provë veten”. Unë besoj se qëndrimi ynë ndaj proklamatës për familjen dhe përdorimi i saj, është një nga ato sprova për këtë brez. Lutem që të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme të qëndrojnë të vendosur në atë sprovë.

E mbyll me mësimet e Presidentit Gordon B. Hinkli, të shqiptuara dy vjet pasi u njoftua proklamata për familjen. Ai tha: “Unë shoh një të ardhme të mrekullueshme në një botë shumë të pasigurt. Nëse do të kapemi pas vlerave tona, nëse do të ndërtojmë mbi trashëgiminë tonë, nëse do të ecim me bindje përpara Zotit, nëse thjesht do ta jetojmë ungjillin, ne do të bekohemi në një mënyrë të mahnitshme dhe të mrekullueshme. Ne do të shihemi si një popull i veçantë, i cili e ka gjetur çelësin drejt një lumturie të pashoqe.”

Dëshmoj për të vërtetën dhe rëndësinë e përjetshme të proklamatës për familjen, që Zoti Jezu Krisht ua zbuloi Apostujve të Tij për ekzaltimin e fëmijëve të Perëndisë (shih Doktrina e Besëlidhje 131:1–4), në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Tomas S. Monson, “Qëndroni në Vende të Shenjta”, Liahona, nëntor 2011, f. 83.

  2. Rasëll M. Nelson, “Shpëtimi dhe Ekzaltimi”, Liahona, maj 2008, f. 7.

  3. Shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, nëntor 2010, f. 129.

  4. Shih Dallin H. Ouks, “Dashuria dhe Ligji,” Liahona, nëntor 2009, f. 26–29.

  5. Shih “‘Disastrous’ Illegitimacy Trends”, Washington Times, 1 dhjetor 2006, washingtontimes.com.

  6. Shih Stephanie J. Ventura dhe të tjerë, “Report of Final Natality Statistics, 1996”, Monthly Vital Statistics Report, 30 qershor 1998, f. 9.

  7. Shih Brady E. Hamilton dhe të tjerë, “Births: Provisional Data for 2016”, Vital Statistics Rapid Release, qershor 2017, f. 10.

  8. Presidentja jonë e Përgjithshme e Të Rejave e tha mirë 20 vite më vonë: “Pak e kuptonim në atë kohë se sa dëshpërimisht do të na nevojiteshin këto deklarata bazë në botën e sotme si kriteri mbi të cilin ne mund të gjykonim çdo erë të re të dogmave të botës që vijnë te ne nga media, interneti, studiuesit, televizioni e filmat dhe madje ligjvënësit. Proklamata mbi familjen është bërë standardi ynë për gjykimin e filozofive të botës dhe unë dëshmoj se parimet e parashtruara në këtë deklaratë janë po aq të vërteta sot saç ishin kur na u dhanë nga një profet i Perëndisë afro 20 vjet më parë” (Boni L. Oskarson, “Mbrojtës të Proklamatës së Familjes”, Liahona, maj 2015, f. 14–15).

  9. Gordon B. Hinckley, “Stand Strong against the Wiles of the World”, Ensign, nëntor 1995, f. 100.

  10. Ezra Taft Benson, “Our Obligation and Challenge” (fjalim i mbajtur në seminarin me përfaqësuesit rajonalë, 30 shtator 1977), f. 2; në David A. Bednar, “On the Lord’s Side: Lessons from Zion’s Camp”, Liahona, korrik 2017, f. 19.

  11. Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli (2016), f. 186; shih edhe Gordon B. Hinckley, “Look to the Future”, Ensign, nëntor 1997, f. 69.