Këtë Ditë
Profeti ynë i gjallë po bën pjesën e tij për ta përmbytur tokën me Librin e Mormonit. Ne duhet ta ndjekim udhëheqjen e tij.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në Librin e Mormonit fraza “këtë ditë”1 përdoret në mënyrë të përsëritur për të bërë thirrje për vëmendje ndaj këshillave, premtimeve dhe mësimeve. Mbreti Beniamin, në fjalimin e tij të fundit, i këshilloi njerëzit: “Dëgjoni fjalët e mia që unë do t’ju flas në këtë ditë; … hapni veshët tuaj, që të mund të dëgjoni dhe zemrat tuaja që të mund të kuptoni, dhe mendjet tuaja që misteret e Perëndisë të mund të shpalosen në pamjen tuaj”2. Konferenca e përgjithshme është një mjedis i ngjashëm. Ne vijmë që të dëgjojmë këshillë për “këtë ditë”, që ne të mund të jemi njerëz “të besuar në çdo kohë”3 ndaj Zotit dhe ungjillit të Tij. Shtytëse për mua në “këtë ditë” është rëndësia e ripërtëritjes së zotimit tonë ndaj Librit të Mormonit, të cilin Jozef Smithi e quajti “më i sakti nga [cilido] libër mbi tokë”4.
Unë mbaj në dorë një kopje të Librit të Mormonit. Ky është botimi im i vjetër i vitit 1970 dhe është i çmuar për mua. Nga pamja duket tejet i përdorur dhe i grisur, por asnjë libër tjetër nuk është aq i rëndësishëm për jetën time dhe dëshminë time sesa ky libër. Duke e lexuar atë, fitova një dëshmi nga Shpirti se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë5, se Ai është Shpëtimtari im6, se këto shkrime të shenjta janë fjala e Perëndisë7 dhe se ungjilli është rivendosur8. Ato të vërteta janë ngulitur thellë brenda meje. Siç tha profeti Nefi: “Shpirti im kënaqet pa masë në gjërat e Zotit”9.
Ja historia që lidhet me këtë libër. Kur isha misionar në moshë të re, mora parasysh këshillën e Plakut Marion D. Henks, i cili na vizitoi në Misionin e Shteteve Lindore. Ai ishte presidenti i mëparshëm i Misionit Britanik dhe dy prej misionarëve të tij janë në podium këtë ditë: Vëllezërit e mi të dashur Plaku Xhefri R. Holland dhe Plaku Kuentin L. Kuk.10 Sikurse me misionarët e vet në Angli, ai na dha sfidën që të lexonim një kopje pa shënime të Librit të Mormonit të paktën dy herë. E pranova detyrën. Në leximin e parë duhej të shenjoja ose nënvizoja gjithçka që tregonte ose dëshmonte për Jezu Krishtin. Përdora një laps të kuq dhe i nënvizova shumë fragmente. Herën e dytë, Plaku Henks tha që të theksonim parimet dhe doktrinat e ungjillit dhe këtë herë përdora ngjyrën blu për t’i shenjuar shkrimet e shenjta. E lexova Librin e Mormonit dy herë, sipas sugjerimit, dhe më pas dy herë të tjera duke përdorur ngjyrën e verdhë dhe të zezë për të shenjuar fragmentet që më ranë mua në sy.11 Siç mund ta shihni, bëra shumë shënime.
Leximi im ishte shumë më tepër sesa thjesht shenjimi i shkrimeve të shenjta. Me çdo lexim të Librit të Mormonit, nga fillimi deri në fund, unë u mbusha me një dashuri të thellë për Zotin. Ndjeva një dëshmi të rrënjosur thellë për të vërtetën e mësimeve të Tij dhe se si zbatohen ato në “këtë ditë”. Ky libër i përshtatet titullit të vet, “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”12. Me atë studim dhe dëshmi shpirtërore që mora, unë u bëra një misionar i Librit të Mormonit dhe një dishepull i Jezu Krishtit.13
Në “këtë ditë” një nga misionarët më të mëdhenj të Librit të Mormonit është Presidenti Rasëll M. Nelson. Kur ishte një Apostull i sapothirrur, ai po jepte një leksion në Akra të Ganës.14 Të pranishëm ishin personalitete, përfshirë një mbret i një fisi afrikan, me të cilin ai foli nëpërmjet një interpretuesi. Mbreti ishte një studiues serioz i Biblës dhe e donte Zotin. Pas fjalimit të Presidentit Nelson, ky mbret iu afrua duke e pyetur me një anglishte të përsosur: “Thjesht kush jeni ju?” Presidenti Nelson shpjegoi se ishte një Apostull i shuguruar i Jezu Krishtit.15 Pyetja pasuese e mbretit ishte: “Çfarë mund të më mësoni për Jezu Krishtin?”16
Presidenti Nelson mori Librin e Mormonit dhe e hapi tek 3 Nefi 11. Së bashku, Presidenti Nelson dhe mbreti lexuan predikimin e Shpëtimtarit ndaj nefitëve: “Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë. … Unë jam drita dhe jeta e botës.”17
Presidenti Nelson ia dhuroi mbretit atë kopje të Librit të Mormonit dhe mbreti u përgjigj: “Ju mund të më kishit dhënë diamante ose rubinë, por asgjë nuk është më e çmueshme për mua sesa kjo njohuri shtesë rreth Zotit Jezu Krisht”18.
Ky nuk është një shembull i izoluar lidhur me mënyrën se si profeti ynë i dashur e shpërndan Librin e Mormonit. Ai u ka dhënë kopje të Librit të Mormonit qindra njerëzve, gjithmonë duke dhënë dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Kur Presidenti Nelson takohet me të ftuar, presidentë, mbretër, krerë shtetesh, udhëheqës biznesesh dhe organizatash, si edhe të besimeve të ndryshme fetare, qoftë në zyrat qendrore të Kishës ose në vetë vendndodhjet e tyre, ai me nderim ua dhuron këtë libër të shkrimit të shenjtë të dhënë me anë të zbulesës. Ai mund t’u jepte kaq shumë gjëra të mbështjella me fjongo, që mund të qëndrojnë mbi tavolina ose tryeza pune apo nëpër rafte si një kujtues për vizitën e tij. Në vend të kësaj, ai jep atë që është më i çmuari për të, përtej rubinëve dhe diamanteve, siç e përshkroi mbreti i [atij] fisi.
“Të vërtetat e Librit të Mormonit”, ka thënë Presidenti Nelson, “kanë fuqinë ta shërojnë, ngushëllojnë, rivendosin, ndihmojnë, forcojnë, përkrahin dhe gëzojnë shpirtin tonë.”19 Kam parë se si këto kopje të Librit të Mormonit janë mbajtur shtrënguar në duart e atyre që i kanë marrë nga profeti ynë i Perëndisë. Nuk mund të kishte dhuratë më të madhe.
Vetëm kohët e fundit ai u takua me zonjën e parë të Gambiës në zyrën e tij dhe me përulësi i dha asaj një Libër të Mormonit. Nuk e la me kaq. I hapi faqet e librit që të lexonte me të, që t’i jepte mësim dhe të dëshmonte për Jezu Krishtin, Shlyerjen e Tij dhe dashurinë e Tij për të gjithë fëmijët e Perëndisë – kudo.
Profeti ynë i gjallë po bën pjesën e tij për ta përmbytur tokën me Librin e Mormonit.20 Por ai nuk mund t’i hapë portat e digave i vetëm. Ne duhet ta ndjekim udhëheqjen e tij.
I frymëzuar nga shembulli i tij, unë jam përpjekur që me përulësi dhe më me zell ta shpërndaj Librin e Mormonit.
Kohët e fundit isha me detyrë në Mozambik. Qytetarët e këtij vendi të bukur po ndeshen me varfëri, shëndet të keq, papunësi, stuhi natyrore dhe trazirë politike. Pata nderin të takohem me presidentin e vendit, Filipe Niusi. Me kërkesën e tij, unë u luta për të dhe kombin e tij; i thashë se po ndërtonim një tempull të Jezu Krishtit21 në shtetin e tij. Në fund të vizitës sonë, i dhurova atij një kopje të Librit të Mormonit në portugalisht, gjuha e tij amtare. Teksa e pranoi librin plot mirënjohje, unë i dëshmova për shpresën dhe premtimin për popullin e tij, që gjenden në fjalët e Zotit në faqet e librit.22
Në një rast tjetër, bashkëshortja ime, Melania, dhe unë u takuam me mbretin Letsi III të Lesotos dhe bashkëshorten e tij në shtëpinë e tyre.23 Për ne, pjesa më kulmore e vizitës sonë ishte kur u dhuruam atyre një kopje të Librit të Mormonit dhe më pas unë dhashë dëshminë time. Kur e hedh vështrimin pas tek ajo përvojë dhe të tjera, një varg i shkrimit të shenjtë të ditëve të mëvonshme më vjen në mendje: “Plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës dhe përpara mbretërve dhe sundimtarëve”24.
Ia kam dhënë Librin e Mormonit ambasadorit Pandi të Indisë25 në Kombet e Bashkuara në Gjenevë dhe Shenjtërisë së Tij, Patriarkut Bartolomeu26 të Kishës Ortodokse Lindore, dhe shumë të tjerëve. E kam ndier Shpirtin e Zotit me ne teksa ua kam dhënë personalisht këtë “gur [kyç të fesë] [s]onë”27 dhe e kam dhënë dëshminë time për Jezu Krishtin, gurin e qoshes të besimit tonë.28
Tani, vëllezër dhe motra, nuk ju duhet të shkoni në Mozambik ose Indi, apo të takoheni me mbretër e sundimtarë që t’ia jepni dikujt këtë libër të mësimeve dhe premtimeve të shenjta. Ju ftoj, këtë ditë, që t’ua jepni një Libër Mormoni miqve dhe familjes suaj, bashkëpunëtorëve në punë, trajnerit tuaj të futbollit apo burrit që shet perime në treg. Atyre iu nevojiten fjalët e Zotit që gjenden në këtë libër. Atyre iu nevojiten përgjigje ndaj pyetjeve të jetës së përditshme dhe të jetës së përjetshme që vjen më pas. Iu nevojitet të dinë për shtegun e besëlidhjeve të shtruar përpara tyre dhe për dashurinë e qëndrueshme të Zotit për ta. Është gjithçka këtu në Librin e Mormonit.
Kur u jepni një Libër të Mormonit ju po i hapni mendjet dhe zemrat e tyre ndaj fjalës së Perëndisë. Nuk ju nevojitet të mbani kopje të shtypura të librit me vete. Me lehtësi mund ta shpërndani atë nga telefoni juaj celular nga pjesa e shkrimeve të shenjta të programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].29
Mendoni për të gjithë ata që mund të bekohen nga ungjilli në jetën e tyre dhe pastaj dërgojuni atyre një kopje të Librit të Mormonit nga telefoni juaj. Kujtoni të përfshini dëshminë tuaj dhe se si ky libër e ka bekuar jetën tuaj.
Miqtë e mi të dashur, si Apostull i Zotit, ju ftoj që ta ndjekim profetin tonë të dashur, Presidentin Nelson, për ta përmbytur tokën me Librin e Mormonit. Nevoja është kaq e madhe; na nevojitet të veprojmë tani. Ju premtoj se do të merrni pjesë në “punë[n] më të madhe mbi tokë”, mbledhjen e Izraelit30, teksa frymëzoheni t’u drejtoheni të tjerëve që “mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”31. Atyre iu nevojiten dëshmia dhe dëshmimi juaj për mënyrën se si ky libër e ka ndryshuar jetën tuaj dhe ju ka sjellë më pranë Perëndisë, paqes së Tij32 dhe “lajme[ve të] gëzimi[t] të madh” të Tij33.
Unë dëshmoj se nëpërmjet planit hyjnor, Libri i Mormonit u përgatit në Amerikën e lashtë që të dilte në dritë për të shpallur fjalën e Perëndisë, për t’i sjellë shpirtrat te Zoti Jezu Krisht dhe ungjilli i Tij i rivendosur në “këtë ditë”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.