2016
Vajtja për Peshkim
Tetor 2016


Vajtja për Peshkim

Autorja jeton në Xhorxhia, SHBA.

Hejdënit nuk i pritej sa të shkonte për peshkim! Veç Deni të mos kishte ardhur gjithashtu. …

“Kam një familje k’tu në tok’. Me mua jan’ kaq të mir’.” (Children’s Songbook, nr. 188).

gone fishing

“Le t’i marrim mjetet. Është koha e peshkimit!” tha babai.

Hejdëni vuri buzën në gaz teksa vështroi përreth. Gjithçka ishte e shndritshme dhe gumëzhitëse. E kishin të gjithë liqenin vetëm për vete!

Duke ndjekur babanë, Hejdëni eci mbrapa makinës dhe e ngriti kutinë e madhe të mjeteve të peshkimit nga bagazhi. Ishte e rëndë, por kjo nuk e shqetësonte. Do të mbarte një kuti dy herë më të rëndë veç që të peshkonte me babin.

Kallamat e peshkimit u përzien me zhurmë teksa babai po i nxirrte jashtë. “Duket se Denin e zuri gjumi”, tha ai. “A do ta zgjosh?”

Hejdëni sa nuk nxori një psherëtimë. “Ah, sigurisht.”

Pothuajse e kishte harruar që kishte ardhur edhe vëllai i tij i vogël, Deni. Deni gjithmonë vraponte përreth dhe fliste me zë të lartë. Ai do t’i trembte të gjithë peshqit që të iknin!

Vështroi brenda xhamit të hapur. “Deni, është koha për t’u zgjuar.”

Por Deni ra përsëri menjëherë në gjumë.

Hejdëni u ndal. Për fat, Deni mund të flinte gjatë gjithë udhëtimit.

Hejdëni qetësisht e transportoi kutinë e mjeteve te vendi i peshkimit i babait në breg të liqenit.

“Ja ku është karremi, me gjithë krimbat!”

Babai e mori kutinë e mjeteve prej tij. “Shkëlqyeshëm, faleminderit.” Më pas babai ngriti sytë. “Ku është vëllai yt?”

Hejdëni e hodhi vështrimin te makina. Papritur pyeti veten se si do të ndihej ai nëse do të zgjohej i vetëm në një vend të ri. Aspak mirë, vendosi Hejdëni. Në të vërtetë, ai ndoshta do të ndihej mjaft i frikësuar. Dhe Deni ishte vetëm pesë vjeç.

“Prit pak, babi. Kthehem shpejt.” Por, kur pa sërish brenda në makinë, Deni ishte zhdukur!

Hejdëni nuk mund t’i dëgjonte më insektet që zukatnin. Gjithçka dukej se u bë e heshtur.

“Deni s’është këtu!” bërtiti Hejdëni.

Babai nxitoi drejt makinës dhe e kontrolloi me të shpejtë.

“Ndoshta thjesht po na kërkon”, tha babai. “Nuk ka kaluar veçse një minutë. Nuk do të jetë larg.”

Hejdëni u përpoq të rrinte i qetë, por stomaku i tij po bënte kollotumba. “A mund të them një lutje?”

“Mendoj se ajo është ide shumë e mirë.”

Hejdëni e falënderoi Atin Qiellor për vëllanë e tij të vogël dhe kërkoi që ata do ta gjenin Denin menjëherë që ai të mos ndihej i frikësuar.

Kur mbaroi, Hejdëni nuk ndiente më aq shtrëngim në zemër.

Babai vuri dorën mbi supin e Hejdënit. “Po sikur të ishe Deni? Ku do të shkoje?”

Hejdëni vuri re se dera në anën tjetër të makinës ishte e hapur. Deni ndosha nuk i kishte parë ata në breg të liqenit. Hejdëni tregoi drejt një shtegu aty pranë. “Unë ndoshta do të ecja në atë drejtim”, tha ai.

Ata nxituan përgjatë shtegut.

Çdo sekondë dukej e ngadalshme dhe e rëndë. Teksa ecte, Hejdëni vazhdoi të thoshte lutje në zemrën e tij. Pas disa hapash, ata dolën nga një kthesë në shteg dhe panë Denin larg përpara.

“Deni!” bërtiti Hejdëni.

Deni u kthye me të shpejtë dhe buzëqeshi. “Ej, po ku shkuat ju?”

Koha u shpejtua sërish. Hejdëni nxitoi drejt Denit dhe e përqafoi fort.

“Jam kaq i gëzuar që të gjetëm”, tha Hejdëni. Ai tha një lutje të shpejtë falënderimesh në zemrën e tij.

Deni thjesht vuri buzën në gaz. “Ku janë peshqit?”

“Hajde, t’i tregoj unë”, tha Hejdëni. Këmbët e tij mezi prisnin të shkonin te liqeni. “Le të shohim se kush mund ta kapë peshkun e parë. Do të të ndihmoj ta vësh karremin në grep.”