2016
Dashuria kundrejt Epshit
Tetor 2016


Dashuria kundrejt Epshit

Nëse mund ta kuptojmë më mirë se çfarë do të thotë epshi në të vërtetë, ne mund të mësojmë se si ta shmangim atë dhe të bëjmë zgjedhje që na afrojnë më pranë Shpirtit të Shenjtë.

young couple

Epshi.

Sigurisht është një fjalë e shëmtuar. Shumica prej nesh nuk duan të mendojnë rreth tij, akoma më pak të mësojnë rreth tij. Termi ngjall një ndjenjë të fëlliqur, disi të zymtë – joshëse prapë se prapë të gabuar.

Ka një arsye të mirë për këtë. Nëse “lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave” (1 Timoteut 6:10), atëherë epshi është sigurisht përkrahësi i saj i fshehtë. Ai është i pamoralshëm dhe shkatërrues. Epshi i kthen njerëzit, gjërat dhe madje idetë në objekte për t’u zotëruar ose për t’u fituar që të kënaqin një dëshirë gërryese. Por në qoftë se e dimë këtë tashmë, përse kemi nevojë të dimë më shumë rreth tij?

Ngaqë, nëse mund ta kuptojmë më mirë se çfarë do të thotë epshi në të vërtetë, ne mund të mësojmë se si t’u japim formë mendimeve, ndjenjave e veprimeve tona që t’i shmangim dhe mposhtim shfaqjet e tij. Kjo do të na çojë drejt një shoqërimi më të afërt me Frymën e Shenjtë, që i pastron mendimet e qëllimet tona dhe na forcon ne. Dhe kjo do të çojë drejt një jete shumë më të lumtur, paqësore e gëzuar.

Përkufizimi i Epshit

Ne priremi të mendojmë për epshin kryesisht si pasjen e ndjenjave të papërshtatshme e të forta të tërheqjes fizike kundrejt një njeriu tjetër, por është e mundur që të kemi epsh ose të lakmojmë për pothuajse gjithçka: para, pasuri, sende dhe, sigurisht, njerëz (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Epshi”).

Epshi e detyron një njeri të përpiqet për të fituar diçka që është në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë. Ai përmbledh çfarëdo ndjenje ose dëshire që e bën një individ të përqendrohet te zotërime materiale apo praktika egoiste – interesa, dëshira, pasione dhe orekse vetjake – në vend që të zbatojë urdhërimet e Perëndisë.

Me fjalë të tjera, dëshirimi i gjërave në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë ose dëshirimi për të zotëruar gjëra në një mënyrë që është kundër vullnetit të Tij, është epsh dhe ai çon drejt mungesës së lumturisë.1

man looking at fancy car

Rreziku i Epshit Seksual

Edhe pse jemi këshilluar kundër epshit si një formë e të lakmuarit në përgjithësi, në kontekstin e tij seksual, epshi është veçanërisht i rrezikshëm. Shpëtimtari këshilloi: “Kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet” (Mateu 5:28).

Apostujt e lashtë na paralajmëruan fuqimisht kundër epshit në këtë kuptim. Thjesht si një shembull, Apostulli Gjon tha: “Sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota” (1 Gjonit 2:16; shih edhe vargu 17; Romakëve 13:14; 1 Pjetër 2:11).

Dhe paralajmërimet vazhdojnë sot.2 Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Pse epshi është një mëkat aq vdekjeprurës? Epo ja, veç ndikimit krejtësisht Shpirt-shkatërrues që ai ka mbi shpirtin tonë, unë mendoj se ai është mëkat ngaqë e përdhos marrëdhënien më të lartë e më të shenjtë që Perëndia na jep në jetën e vdekshme – dashurinë që një burrë e grua kanë për njëri-tjetrin dhe dëshirën që ka çifti për të sjellë fëmijë në një familje që synohet të jetë përgjithnjë.”3

Lejimi që dëshira epshore të hedhë shtat ka qenë në themel të shumë veprimeve mëkatare. Ajo që fillon me një shikim të pafajshëm në dukje, mund të rritet deri në një mungesë të neveritshme të besnikërisë dhe të gjitha pasojat e saj shkatërrimtare. Kjo është ngaqë epshi e dëbon Frymën e Shenjtë dhe na lë të cenueshëm ndaj tundimeve e veseve të tjera dhe kurtheve të kundërshtarit.

Zgjedhjet tragjike të mbretit David janë një shembull i trishtueshëm se sa i fuqishëm dhe vdekjeprurës mund të jetë ky emocion. Davidi ndodhi që e pa Bath-Shebën duke u larë dhe pati epsh për të. Epshi i hapi udhën veprimit dhe ai bëri që t’ia sillnin atë dhe ra në shtrat me të. Më pas, në një përpjekje të pamend për ta fshehur mëkatin e tij, Davidi urdhëroi që burri i Bath-Shebës të vendosej në betejë atje ku ai me siguri do të vritej (shih 2 Samuelit 11). Si rrjedhim, Davidi e humbi ekzaltimin e tij (shih DeB 132:38–39).

Situata e Davidit mund të jetë e skajshme, por sigurisht e vërteton çështjen: epshi është një tundim i fuqishëm. Dorëzimi ndaj tij mund të na shkaktojë që të përfshihemi në gjëra që nuk do t’i bënte askush me mendje të kthjellët. Fakti që ai është kaq tinëzar, që zgjohet kaq lehtë dhe që është kaq i efektshëm për të na tunduar që të largohemi nga Fryma e Shenjtë dhe t’i hapim udhë vullnetit tonë drejt diçkaje të ndaluar, e bën atë edhe më të rrezikshëm. Ai mund të nxitet duke parë pornografi, duke dëgjuar tekste të pahijshme ose duke u përfshirë në intimitet të papërshtatshëm. Në të njëjtën kohë, ndjenjat epshore mund ta nxitin një individ që të kërkojë pornografinë. Kjo marrëdhënie e ripërsëritur është jashtëzakonisht e fuqishme dhe e rrezikshme.4

Epshi i një natyre seksuale i shkatërron dhe i dobëson të gjitha marrëdhëniet, një nga më të rëndësishmet e të cilave është marrëdhënia vetjake e një njeriu me Perëndinë. “Dhe në të vërtetë unë ju them, siç kam thënë më parë, ai që e sheh një grua për ta dëshiruar ose, nëse ndonjë do të shkelë besnikërinë bashkëshortore në zemrën e tij, ata nuk do ta kenë Shpirtin, por do ta mohojnë besimin dhe do të kenë frikë” (DeB 63:16).

Sikurse dha mësim Plaku Riçard G. Skot (1928–2015), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Pamoralshmëria seksuale krijon një pengesë ndaj ndikimit të Shpirtit të Shenjtë me të gjithë ngritjen morale, ndriçimin dhe aftësitë fuqizuese të tij. Ajo shkakton një nxitje të fuqishme fizike dhe emocionale. Me kalimin e kohës krijon një oreks të pashueshëm që e shtyn shkelësin në një mëkat gjithnjë më të rëndë.”5

Çfarë Nuk Është Epshi

couple walking on the beach

Pasi morëm parasysh se çfarë është epshi, është gjithashtu e rëndësishme të kuptojmë se çfarë nuk është ai dhe të jemi të kujdesshëm të mos u vëmë etiketën e epshit mendimeve, ndjenjave dhe dëshirave të përshtatshme. Epshi është një lloj dëshire, por ka edhe dëshira të drejta. Për shembull, ne mund të kemi dëshirë për gjëra të mira dhe të përshtatshme që do të ndihmojnë për ta plotësuar punën e Zotit.

Mendoni rreth:

  • Dëshirës për të pasur para. Në vetvete, dëshirimi i parave nuk është i keq. Pali nuk tha se paraja është rrënja e gjithë të këqijave. Ai tha: “Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave” (1 Timoteut 6:10; theksimi i shtuar). Mësimet e dhëna nga Jakobi shtojnë qartësim shtesë: “Por, para se të kërkoni pasuri, kërkoni mbretërinë e Perëndisë. Dhe, pasi ju të keni marrë një shpresë në Krisht, ju do të merrni pasuri, në qoftë se ju i kërkoni ato; dhe ju do t’i kërkoni ato me qëllim që të bëni mirë – të vishni të zhveshurit dhe të ushqeni të uriturit dhe të çlironi robërit, dhe t’u jepni ndihmë të sëmurëve dhe të mjerëve” (Jakobi [LiM] 2:18–19).

  • Pasjes së ndjenjave të përshtatshme seksuale kundrejt bashkëshortit ose bashkëshortes suaj. Ato ndjenja të dhëna nga Perëndia ndihmojnë për ta forcuar, fuqizuar e bashkuar një martesë. Por është e mundur të kemi ndjenja të papërshtatshme kundrejt një bashkëshorti ose bashkëshorteje. Nëse kërkojmë arritje vetëm për veten tonë ose vetëm që të kënaqim vetë dëshirat tona gërryese ose ndjenjat tona, ne mund të jemi duke rrëshqitur drejt dëshirave epshore dhe ajo mund të jetë dëmtuese për një marrëdhënie martesore. Kyçi i kërkimit dhe ruajtjes së intimitetit të përshtatshëm fizik në një martesë është qëllimi i pastër dhe i dashur.

Parimi i rëndësishëm është që t’i kërkojmë gjërat për qëllimin e drejtë – të ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë dhe të shtojmë mirësi në botë. Në dallim nga kjo, epshi na nxit të dalim jashtë kufijve të përshtatshëm, ku dëshirat tona mund t’ia ulin vlerën Perëndisë, t’i trajtojnë njerëzit si objekte dhe t’i kthejnë sendet, pasurinë dhe madje fuqinë në përbindësha që i shtrembërojnë ndjeshmëritë tona dhe i dëmtojnë marrëdhëniet tona.

Përse Shpesh i Bëjmë Udhë Epshit

Nisur nga sa dëmtues dhe i rrezikshëm është epshi, përse është ai kaq tundues dhe kaq mbizotërues? Përse e lejojmë kaq shpesh që të na mposhtë? Në sipërfaqe, mund të duket se egoizmi ose mungesa e vetëkontrollit janë në thelb të epshit. Ata janë faktorë ndihmues, por rrënja e thellë e epshit është shpesh zbrazëtia. Individët mund t’i dorëzohen epshit në një përpjekje të kotë për të mbushur një mungesë në jetën e tyre. Epshi është një emocion i rremë, një zëvendësues i varfër për dashurinë e mirëfilltë, vlerën e vërtetë dhe dishepullimin durues.

Kontrolli i duhur emocional, nga një anë, është një gjendje e zemrës. “Sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai” (Fjalët e Urta 23:7). Kudo ku e vendosim përqendrimin tonë mendor e shpirtëror, ai do të bëhet me kalimin e kohës forca shtytëse mbrapa mendimeve, ndjenjave dhe veprimeve tona. Kurdoherë që e ndiejmë veten tonë të tunduar drejt epshit, na nevojitet ta zëvendësojmë atë tundim me diçka më të përshtatshme.

Përtacia gjithashtu mund të shkaktojë mendime plot epsh. Kur kemi pak gjëra që po ndodhin në jetën tonë, ne priremi të jemi më të cenuar nga ndikimet e këqija. Teksa përpiqemi në mënyrë vepruese që të përfshihemi me zell në kauza të mira (shih DeB 58:27) dhe përpiqemi fort ta përdorim kohën tonë në mënyrë dobiprurëse, ne vërtet do të jemi më pak të prirur ndaj mendimeve epshore apo ndikimeve të tjera negative.

Sikurse shpjegon Plaku Dallin H. Ouks, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshirat te të cilat zgjedhim të mbështetemi, nuk ndikojnë vetëm veprimet tona, por gjithashtu se cilët bëhemi më së fundi: “Dëshirat diktojnë përparësitë tona, përparësitë drejtojnë zgjedhjet tona dhe zgjedhjet përcaktojnë veprimet tona. Dëshirat sipas të cilave veprojmë, përcaktojnë se si po ndryshojmë, atë që po arrijmë dhe cilët po bëhemi.”6

Me fjalë të tjera, ne nuk duhet të ruajmë vetëm emocionet në të cilat e lejojmë vetveten të përfshihemi, por edhe mendimet që i paraprijnë ato ndjenja apo që shkaktohen prej tyre. Sikurse na mësoi Alma, nëse mendimet tona janë të papastra, “mendimet tona do të na dënojnë gjithashtu” (Alma 12:14).

Kundërhelmi: Dashuria si e Krishtit

young married couple

Epshi nuk është i pashmangshëm. Ngaqë Ati Qiellor na ka dhënë lirinë e zgjedhjes, ne kemi fuqi mbi mendimet, ndjenjat dhe veprimet tona. Nuk na duhet t’i vazhdojmë mendimet e ndjenjat epshore. Kur tundimet lindin, ne mund të zgjedhim të mos zbresim nëpër ato shtigje.

Si e mposhtim tundimin për të pasur epsh? Ne fillojmë duke zhvilluar një marrëdhënie të duhur me Atin tonë Qiellor dhe duke zgjedhur t’u shërbejmë të tjerëve. Dhe përfshihemi në sjellje të përditshme fetare, duke përfshirë lutjen dhe studimin e shkrimeve të shenjta, të cilat e ftojnë Frymën e Shenjtë në jetën tonë. Më së fundi, përbërësi i fshehtë është dashuria si e Krishtit – dashuria e pastër, e çiltër, e ndershme, me një dëshirë për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë dhe për ta mbajtur syrin të drejtuar te lavdia e Tij. Ajo dashuri është e mundur kur ne e kemi shoqërimin e Frymës së Shenjtë.

Heqja e epshit kërkon lutje të përzemërt ku ne i kërkojmë Perëndisë që t’i heqë ato ndjenja dhe të japë, në vend të tyre, dashuri hyjnore (shih Moroni 7:48). Kjo bëhet e mundur, ashtu siç bëhet i mundur pendimi për çdo gjë, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.7 Për shkak të Tij, ne mund të mësojmë të duam sipas mënyrës që na duan Ai dhe Ati ynë Qiellor.

Kur përqendrohemi vazhdimisht tek Ati ynë Qiellor, kur jetojmë sipas urdhërimit të parë e të dytë – të duam Perëndinë dhe të afërmit tanë porsi vetveten (shih Mateu 22:36–39) – dhe kur bëjmë gjithçka mundemi për të jetuar siç na ka mësuar Ai, qëllime të pastra dhe të ndershme e ndikojnë jetën tonë me fuqishmëri gjithnjë e më të madhe. Kur e njësojmë vullnetin tonë me vullnetin e Atit, pakësohen tundimet dhe ndikimet e epshit, të zëvendësuara me dashurinë e pastër të Krishtit. Atëherë ne mbushemi me një dashuri hyjnore që i zëvendëson dëshirat e pamoralshme të kësaj bote me bukurinë e ndërtimit të mbretërisë së Perëndisë.

Shënime

  1. Shih Dallin H. Oaks, “Joy and Mercy”, Ensign, nëntor 1991, f. 75; dhe Thomas S. Monson, “Finishers Wanted”, Ensign, korrik 1972, f. 69.

  2. Për vetëm disa shembuj, shih Doktrina e Besëlidhje 88:121; Spencer W. Kimball, “President Kimball Speaks Out on Morality”, Ensign, nëntor 1980, f. 94–98; Neal A. Maxwell, “The Seventh Commandment: A Shield”, Ensign, nëntor 2001, f. 78–80; Russell M. Nelson, “Where Is Wisdom?” Ensign, nëntor 1992, f. 6–8. Për më shumë paralajmërime nga shkrimet e shenjta kundër epshit, shqyrtoni temat vijuese në Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta: Shkelje Kurore; Mishtor; Dashuri Hyjnore; Zili; Lavirësi; Homoseksualitet; Epsh; Epshor, Epsh; Imoralitet Seksual.

  3. Xhefri R. Holland, “Jo Më Vend për Armikun e Shpirtit Tim”, Liahona, maj 2010, f. 44.

  4. Për më shumë mbi këtë temë, shih Dallin H. Ouks, “Shpëtimi nga Kurthi i Pornografisë”, Liahona, tetor 2016, f. 50.

  5. Richard G. Scott, “Making the Right Choices”, Ensign, nëntor 1994, f. 38.

  6. Dallin H. Ouks, “Dëshira”, Liahona, maj 2011, f. 42.

  7. Shih, për shembull, D. Tod Kristoferson, “Dhurata Hyjnore e Pendimit”, Liahona, nëntor 2011, f. 38–41.