2016
Mrekullia e Nxehtësisë Mesatare
Tetor 2016


Mrekullia e Nxehtësisë Mesatare

A e doni atë pikërisht tani – apo e doni siç duhet?

burnt grilled cheese sandwich

Përfytyrojeni një të ri që është në shtëpi vetëm dhe po e merr uria (është tepër e panatyrshme, po, por thjesht përpiquni ta përfytyroni këtë gjë). Tani përfytyroni se ky i ri vendos të përpiqet të bëjë vetë një sanduiç me djathë të pjekur në skarë për herë të parë.1 Përfytyroni që prindërit e këtij të riu nuk e kanë mësuar kurrë atë se si të bëjë djathë të pjekur në skarë dhe se ai kurrë nuk i ka parë ata nga afër kur e bënë atë.

Le të themi, pra, që ky i ri i merr të gjithë përbërësit siç duhet: bukë, djathë, pak gjalpë në anën e jashtme të bukës (dhe pak majonezë brenda bukës, sepse ai është tepër i zgjuar). Më pas, merr tiganin dhe e vendos mbi sobë. (Gjithashtu po përfytyrojmë se ai nuk ka një skarë ose një pajisje tjetër për bërjen e këtij ushqimi.)

Tani përfytyroni se njëfarë mendimi i shfaqet në mendje – një mendim që shumë njerëz kanë qenë mjaftueshëm të paditur (ose përkohësisht mjaftueshëm të çmendur) sa ta kanë menduar: “Nëse e ngre nxehtësinë shumë, do të bëhet më shpejt”.

Përfytyroni atë që ndodhi më pas. (Ose ndoshta nuk ju duhet ta përfytyroni.)

Ai do të ketë ose një bukë përsosurisht të skuqur, me ngjyrë kafe të artë ose djathë përsosurisht të shkrirë ngjitës – por jo që të dyja. Më e mundshmja, ai do të ketë bukë që duket e ndihet (dhe ndoshta shijon) si shkëmb llave dhe djathë gjysmë të shkrirë, që është po aq tërheqëse sa një përrallë e treguar përgjysmë.

Problemi i tij, siç mund ta kuptoni, ishte një ndërthurje e paditurisë (që është e justifikueshme) dhe padurimit (që, edhe pse i kuptueshëm, është më pak i justifikueshëm). Nëse do ta përsëriste këtë gabim herën e ardhshme, ai do të ishte edhe më pak i justifikueshëm, përderisa nuk mund të fajësohej mbi paditurinë, por do të rridhte pothuajse tërësisht nga padurimi.

Për ta bërë siç duhet, atij do t’i duhej të zbulonte mrekullinë e nxehtësisë mesatare.

Mesatarja Nuk Është e Mërzitshme

Temperatura mesatare e sobës është e përsosur për sanduiçin me djathë të skarës dhe shumë gjellë të tjera, sepse e lejon ushqimin të gatuhet pa qenë i djegur nga jashtë. E vetmja e metë është që kërkohet më shumë kohë dhe vëmendje, gjë që kërkon durim.

Zoti ka thënë: “Vazhdoni me durim derisa të përsoseni” (DeB 67:13). Ai po flet këtu rreth llojit të përsosjes që shkon mjaft përtej bërjes së sanduiçeve me djathë të pjekura në skarë; Ai dëshiron që ne të bëhemi më shumë si Ai. Jezu Krishti është shembulli i më i shquar i durimit. Dhe një pjesë e ndjekjes së shembullit të Tij do të thotë ta zgjerojmë këndvështrimin tonë, duke parë përtej gjërave të çastit dhe duke parë shpërblimin më të madh që vjen nga vetëdisiplina, besimi, bindja, përpjekja e qëndrueshme dhe e vazhdueshme, këmbëngulja dhe dashuria – me fjalë të tjera, pasja e durimit.

Si përkufizim, durimi nënkupton pritjen, e cila mund të tingëllojë e mërzitshme, por, sikurse na ka mësuar Presidenti Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, është shumë më tepër sesa thjesht pritja: “Durim do të thotë pritje dhe qëndrueshmëri aktive. Do të thotë këmbëngulje tek diçka dhe të bësh gjithçka që mundesh – duke punuar, shpresuar dhe ushtruar besim; duke duruar vështirësinë me guxim, edhe kur dëshirat e zemrës sonë vonohen. Durim nuk është thjesht të qëndrosh, ai është të qëndrosh mirë!”2

Nuk është thjesht ta vini sanduiçin me djathë të piqet në tigan dhe ta harroni atë; është ta shihni e ta ktheni nga ana tjetër në kohën e duhur.

Nuk është thjesht të qëndroni deri në fund në shkollë ose seminar apo kishë; është të mësoni ose të adhuroni në mënyrë aktive.

Nuk është thjesht të prisni për një dëshmi të Librit të Mormonit që t’ju jepet ngaqë e kërkuat atë; është të vazhdoni që të lexoni, studioni, përsiatni, luteni dhe jetoni në përputhje me parimet e atij libri.

Nuk është thjesht të qëndroni të ulur ndërkohë që miqtë tuaj e përqeshin fenë tuaj; është të luteni për ta dhe me të vërtetë të dëshironi që ata të kenë një ndryshim të zemrës, dhe të bëni atë që mundeni për ta bërë atë të ndodhë.

Nuk është thjesht të prisni derisa të bëheni 16 vjeç për të dalë në takime romantike; është të mësoni që ta doni bindjen dhe të përpiqeni ta kuptoni se si ndjekja e këshillës së profetëve do t’ju bekojë ju.

Uleni Nxehtësinë

grilled cheese sandwich

Durimi dhe maturia, ose vetëkontrolli, janë që të dyja pjesë të “fryti[t të] Frymës” (shih Galatasve 5:22–23). Edhe pse ka gjëra urgjente që kërkojnë veprim të menjëhershëm ose përgjigje plot gatishmëri (po ashtu siç ka disa ushqime që kanë nevojë për nxehtësi shumë të lartë), ju duhet ta shihni veten duke u prirur drejt durimit dhe vetëkontrollit më të madh. Nëse e ndieni se kjo po ndodh, ajo është një shenjë që Shpirti po vepron në jetën tuaj.

Mrekullia e nxehtësisë mesatare mund t’ju japë një sanduiç të përsosur me djathë, të pjekur në skarë, qofte hamburgeri që nuk duken si topat e sheshtë të hokejit me një qendër bojë rozë, patate të pjekura ngjyrë kafe në vend të patateve të djegura dhe oriz që është i butë dhe i shkriftë në vend që të jetë i fortë dhe i ngjitur. Por durimi do ta ketë “vep[rën e tij] të përsosur” (Jakob [Bibël] 1:4) në jetën tuaj, duke ju ndihmuar që të shtyheni përpara për t’u bërë më shumë si Jezu Krishti, duke sjellë ndikimin e Shpirtit të Shenjtë, dhe përfundimisht duke ju ndihmuar që të udhëhiqeni drejt jetës së përjetshme.

Teksa vini re gjërat që ju shkaktojnë të bëheni të padurueshëm, mendoni për atë sanduiç me djathë, të pjekur në skarë (ose çfarëdo gjelle tjetër që ka domethënie për ju) dhe atë që mund të jeni duke e sakrifikuar nëse e lejoni padurimin që t’i udhërrëfejë veprimet tuaja. Nëse jeni fajtorë për dorëzimin ndaj padurimit shumë shpesh, ju nuk jeni të vetmit. Ju mund të pendoheni e të përpiqeni sërish që t’i ndiqni shembullin dhe mësimet e Jezu Krishtit. Ka më shumë për t’u bërë se një sanduiç me djathë, të pjekur në skarë dhe nuk është kurrë shumë vonë për të mësuar rreth përsosjes që është e mundur nëpërmjet durimit.

Shënime

  1. Në mënyrë të dukshme, ky i ri është një amerikan. Por thjesht ai mund të jetë nga ndonjë vend tjetër, duke gatuar për herë të parë një fry-up [mëngjes i bollshëm anglez], crêpes [palaçinka], Kartoffelpuffer [petulla gjermane të bëra me patate], Köttbullar [qofte suedeze], petulla, tortija [peta meksikane] ose oriz. Ideja do të ishte e njëjtë.

  2. Diter F. Uhtdorf, “Vazhdoni me Durim”, Liahona, maj 2010, f. 57.