Shtëpitë Tona, Familjet Tona
Agjërimi dhe Lutja për Emën
Autorja jeton në Rajonin e Kryeqytetit të Danimarkës.
Pasi bija ime ra nga një dritare, mendova se frikërat tona më të mëdha u bënë realitet.
Familja ime sapo qe kthyer nga pushime të mrekullueshme. Pas drekës unë i lashë të dy fëmijët tanë, Markusin katërvjeçar dhe Emën trevjeçare, të luanin lart në dhomën e gjumit të apartamentit tonë katërkatësh. Në Danimarkë, dritaret hapen si kanata. Dritaret zakonisht mbahen të mbyllura, por ne i patëm lënë paksa hapur gjatë pushimeve që apartamenti të ajrosej gjatë udhëtimit tonë.
Ndërsa po laja enët, befas ndjeva se diçka e tmerrshme kishte ndodhur. Vrapova për në dhomën e ndenjes ndërkohë që Markusi i zbriti shkallët me vrap. Ai po bërtiste i trembur, duke thënë se Ema pati rënë nga dritarja – një dritare rreth 12 metra mbi trotuarin prej çimentoje. Vrapova poshtë shkallëve, duke përsëritur emrin e Emës me ulërimë. E pashë bijën time të vogël shtrirë në çimento si të ishte pa jetë. Ajo ishte tërësisht e lëshuar kur e ngrita dhe mendova se frikërat e mia më të këqija qenë vërtetuar. Bashkëshorti im, që më pati ndjekur jashtë, e mori atë në krahët e vet dhe i dha asaj menjëherë një bekim priftërie.
Ambulanca erdhi shpejt, dhe unë e Markusi bëmë një lutje ndërsa ndihmësmjekët merreshin me Emën. Shpejt ne të gjithë ishim në autoambulancë drejt spitalit.
Te njësia e urgjencës neve na u bashkuan pjesëtarë të familjes që erdhën për të na mbështetur. Markusi shkoi në shtëpi me kushërinjtë e vet, ndërsa unë dhe bashkëshorti im ndenjëm, pa e ditur ende gjendjen e Emës.
Pas asaj që dukej si një pritje e gjatë, një nga mjekët më në fund hyri, duke kërkuar për hollësi rreth aksidentit. Ata thanë se normalisht një rënie nga një lartësi e tillë do të kishte përfunduar në plagë të brendshme, me vetëm pak mundësi mbijetese. Ema pati thyerje të legenit dhe një tronditje, por gërvishtjet ishin vetëm sipërfaqësore. Mjeku tha se një engjëll duhet ta ketë kapur atë.
Edhe pse mbijetesa e Emës ishte një mrekulli, ajo ishte ende pa ndjenja për shkak të traumës në kokë. Bashkëshorti im dhe dy miq të ngushtë kryen përsëri një shërbesë për Emën. Në atë bekim asaj iu premtua një shërim i plotë pa asnjë problem të përhershëm dhe se kjo do të ishte një përvojë pozitive në jetën e saj. Ndjeva mirënjohje të pafund për fuqinë e priftërisë. Të gjitha lutjet e mia që ishin bërë gjatë gjithë natës qenë dëgjuar.
Ema doli nga koma katër ditë më vonë. Gjatë atyre katër ditëve, miq, anëtarë të Kishës dhe të tjerë agjëruan dhe u lutën për të. I ndjeva lutjet e shenjtorëve besnikë përreth meje, duke më forcuar mua dhe familjen time. Ndjeva sikur Ati Qiellor më kishte mbështjellë me krahët e Tij dhe më mbushte me ngushëllim.
Kunji ynë pati mbajtur një agjërim një ditë përpara se ajo të zgjohej. Ne besojmë se Ati Qiellor i dëgjoi lutjet tona dhe se zgjimi i Emës ishte një rezultat i drejtpërdrejtë i agjërimit. Qysh atëherë Ema u shërua me shpejtësi. Pesë ditë më vonë ajo tha fjalën e saj të parë që nga aksidenti dhe nëntë ditë më vonë ajo doli nga spitali. Ajo kaloi pesë javë në një karrige me rrota dhe pastaj filloi me fizioterapi.
Rreth një muaj pas aksidentit, shpina ime papritur u dëmtua nga ngritja që i bëja Emës. Më kaploi një ndjenjë pafuqie jo vetëm fizike, por edhe shpirtërore. Si mund të vazhdoj të kujdesem për të?
Një natë, faji i të qenit aq e pafuqishme u bë tepër i madh. Dola nga shtëpia dhe gjeta një stol në park, ku iu luta Atit Qiellor për rreth një orë. Për herë të parë në jetën time, ndjeva fuqinë e mrekullueshme të Shlyerjes së Shpëtimtarit që më pushtoi. E gjithë dhembja dhe pikëllimi që kisha mbajtur u larguan prej meje; të gjitha barrët qenë hequr nga shpatullat e mia pas asaj lutjeje. Ema ishte ende në karrige me rrota dhe unë po merrja trajtim të rregullt për shpinën, por isha forcuar për të vazhduar.
Një vit më vonë, Ema mund të vraponte, të qeshte, të tregonte histori dhe të mendonte siç duhet të bëjë një katërvjeçare.
Ne e dimë se ka një Atë të dashur në Qiell, i cili kujdeset për ne dhe na njeh personalisht. Ai e di se nëpër çfarë sfidash kalojmë. Unë nuk do të dyshoj kurrë për mrekullitë që Ai na jep nëpërmjet lutjes, agjërimit dhe bekimeve të priftërisë.