Si Mund të Ndihmoj që të Mposhtet Paragjykimi?
Ja tek janë gjashtë mënyra se si ne mund ta braktisim paragjykimin e të nxitim respektin.
Çfarë Mund të Bëj për ta Mposhtur Paragjykimin?
1. Së pari, shihni brenda vetes. Ne mund të zotohemi që ta dallojmë e braktisim çfarëdo “qëndrim[i] dhe veprim[i] paragjykues” brenda vetes.1
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Cilido prej nesh që ka paragjykime kundrejt një race tjetër, ka nevojë të pendohet!”2
2. Përpiquni të kuptoni. Gjeni kohën për t’i dëgjuar ata që kanë përjetuar paragjykime. Kjo mund të përfshijë libra, filma dhe reportazhe të besueshme rreth temës.3
Darius Greji, një afro-amerikan, anëtar dhe udhëheqës i spikatur në Kishë, vërejti: “Nëse orvatemi t’i dëgjojmë vërtet ata që i konsiderojmë si ‘njerëz ndryshe’ dhe nëse përqendrimi ynë i sinqertë do të ishte që t’i lëmë ata për të na treguar mbi jetën, historitë, familjet, shpresat dhe dhembjet e tyre, jo vetëm që do të fitonim një kuptueshmëri më të madhe, por kjo praktikë do të sillte shumë dobi për shërimin e plagëve të racizmit”4.
3. Shprehuni hapur. Nëse dëgjoni dikë që jep një ide të rreme ose negative rreth racës, shprehuni hapur në mënyrë të sjellshme por të qartë.
Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, tha: “Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne duhet të veprojmë më mirë për të ndihmuar në çrrënjosjen e racizmit”5.
Plaku Gerit W. Gong, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Ne ftohemi ta ndryshojmë botën për mirë, nga brenda jashtë, një njeri, një familje, një lagje, një e nga një’’6.
Çfarë Mund të Bëj Nëse Kam Përjetuar Diskriminim?
1. Falni dhe fitoni një mik/e. Kur lëndohemi nga veprimet e të tjerëve, ne mund të japim mësim e të falim dhe të kërkojmë të ndërtojmë një marrëdhënie.
Ndërkohë që shërbente si I Shtatëdhjetë Zonal, Plaku Fred A. “Toni” Parker, tha: “Kur kam qenë viktimë e racizmit, kam gjetur sukses duke u ballafaquar me të drejtpërdrejt, duke e falur individin dhe duke e trajtuar problemin. Nëse dikush thotë diçka që i lëndon ndjenjat e mia, më nevojitet të gjej një mënyrë për ta ndihmuar atë të kuptojë pse më lëndoi ajo që tha. Kjo është një mundësi jo vetëm për të falur, por për të ndërtuar një marrëdhënie që personi mos ta shohë Toni Parkerin thjesht si një afro-amerikan, por edhe si një fëmijë të Perëndisë. Jezusi na mësoi faljen (shih Mateu 18:21–35) dhe na mësoi që kur dikush na ka fyer, të shkojmë tek individi dhe ta zgjidhim (shih Mateu 18:15).”7
2. Merrni mësime të dobishme nga përvojat që ju lëndojnë (shih Doktrina e Besëlidhje 122:7).
Kleriku Amos C. Braun rrëfen një histori rreth Hauard Uashington Turmanit. Hauardi jetonte pranë një gruaje që e keqtrajtonte familjen e tij sepse ata ishin me ngjyrë – madje duke hedhur plehun nga koteci i pulave të saj në kopshtin e Turmanit.
Kur gruaja u sëmur, nëna e Hauardit i çoi asaj supë dhe trëndafila. Me mirënjohje, gruaja pyeti se nga kishin ardhur lulet. Znj. Turman shpjegoi: “Ndërkohë që ti po hidhje plehun e pulave, Perëndia po përgatiste tokën”.
“Kjo është ajo që duhet të bëjmë në mes të së ligës”, tha kleriku Braun. “Merreni plehun, por kini besim te Perëndia që ta përdorni atë për të rritur një kopsht trëndafilash.”8
3. Drejtohuni te Krishti për shërim dhe udhërrëfim. Kur ia mirëbesoni Shpëtimtarit dhembjen tuaj dhe e ndiqni Atë, kjo mund t’ju sjellë paqe.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se përveç shëlbimit tonë nga mëkati duke kënaqur kërkesat që drejtësia ka prej nesh, Jezu Krishti “gjithashtu kënaq borxhin që drejtësia zotëron mbi ne, duke na shëruar dhe dëmshpërblyer për çfarëdo vuajtje që durojmë pafajësisht”9.
Shpëtimtari na jep shembullin e përkryer për ta ndjekur. Ai na mësoi se çfarë të bëjmë kur na fyejnë (shih Mateu 18:15), na përndjekin (shih Mateu 5:38–48) dhe madje na dënojnë padrejtësisht me vdekje (shih Lluka 23:34).