2022
Për të Shëruar Botën
maj 2022


Për të Shëruar Botën

Plagët dhe dallimet mund të zgjidhen e madje të shërohen kur e nderojmë Perëndinë, Atin e ne të gjithëve, dhe Jezu Krishtin, Birin e Tij.

Vëllezër dhe motra, në këtë periudhë të lavdishme Pashke, jemi tejet të bekuar që takohemi dhe marrim këshilla e drejtim nga shërbëtorët e Perëndisë.

Udhërrëfimi i shenjtë dhe mësimet nga Ati ynë Qiellor na ndihmojnë t’i japim drejtim jetës në këto kohë të rrezikshme. Siç u profetizua, “zjarre dhe … stuhi”, “luftëra, zhurma luftërash dhe tërmete në vende të ndryshme”, “dhe të gjitha llojet e neverive”1, “plagë”2, “zi buke, murtajë”3, po i shkatërrojnë familjet, komunitetet e madje edhe kombet.

Ekziston një tjetër fshikullim që po e përfshin globin: sulmet ndaj lirisë suaj dhe lirisë sime fetare. Kjo ndjenjë gjithnjë e në rritje kërkon ta heqë fenë dhe besimin te Perëndia nga sheshet publike, shkollat, standardet e komunitetit dhe diskutimet qytetare. Kundërshtarët e lirisë së fesë përpiqen të vënë kufizime në shprehjet e bindjeve fetare të sinqerta. Madje i kritikojnë dhe tallen me traditat e besimit.

Një qëndrim i tillë i veçon njerëzit, duke i zhvlerësuar parimet vetjake, paanësinë, respektin, shpirtshmërinë dhe paqen e ndërgjegjes.

Çfarë është liria fetare?

Është liria e adhurimit në të gjitha format e saj: liria për t’u mbledhur, liria e fjalës, liria për të vepruar sipas bindjeve vetjake dhe liria që të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Liria fetare e lejon secilin prej nesh të vendosë vetë se çfarë të besojë, si të jetojë e si të veprojë sipas besimit të tij/saj dhe se çfarë pret Perëndia prej tij/saj.

Përpjekjet për të kufizuar një liri të tillë fetare nuk janë risi. Gjatë gjithë historisë, njerëzit e besimit kanë vuajtur shumë për shkak të të tjerëve. E njëjta gjë ndodhi edhe me anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Që në fillimet tona, shumë njerëz që kërkonin Perëndinë, u tërhoqën nga kjo Kishë për shkak të mësimeve të saj për doktrinën hyjnore, përfshirë besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij, pendimin, planin e lumturisë dhe Ardhjen e Dytë të Zotit tonë.

Kundërshtimi, përndjekja dhe dhuna e munduan keq profetin tonë të parë të ditëve të mëvonshme, Jozef Smithin, dhe ndjekësit e tij.

Mes trazirave në vitin 1842, Jozefi publikoi 13 parimet thelbësore të Kishës në rritje, përfshirë këtë: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku [ose] çfarë të zgjedhin”4.

Deklarata e tij është gjithëpërfshirëse, çliruese dhe plot respekt. Ai është thelbi i lirisë fetare.

Profeti Jozef Smith gjithashtu shpalli:

“Nuk trembem të deklaroj përpara Qiellit se jam po aq i gatshëm që të vdes në mbrojtje të të drejtave të një presbiteriani, baptisti, ose një njeriu të mirë të cilësdo feje tjetër; sepse i njëjti parim që do të nëpërkëmbte të drejtat e shenjtorëve … do të nëpërkëmbte të drejtat e katolikëve romanë, ose të çfarëdo feje tjetër, që mund të jetë e panjohur dhe tepër e dobët për të mbrojtur veten.

Është dashuria për lirinë që frymëzon shpirtin tim – liria civile dhe fetare për të gjithë racën njerëzore.”5

Megjithatë, anëtarët e hershëm të Kishës u sulmuan dhe u dëbuan me mijëra kilometra, nga Nju-Jorku në Ohajo deri në Misuri, ku guvernatori nxori një urdhër që anëtarët e Kishës “duhet të trajtohen si armiq dhe duhet të shfarosen ose të dëbohen nga shteti”6. Ata u larguan për në Ilinois, por mundimi vazhdoi. Një turmë vrau Profetin Jozef, duke menduar se me vrasjen e tij do të shkatërrohej Kisha dhe besimtarët do të shpërndaheshin. Por besnikët qëndruan të patundur. Pasuesi i Jozefit, Brigam Jangu, udhëhoqi mijëra vetë në një eksod të detyruar prej 2 100 km për në perëndim, për në atë që sot është shteti i Jutës.7 Vetë paraardhësit e mi ishin ndër ata kolonë të hershëm pionierë.

Që nga ato kohë përndjekjesh të ashpra, Kisha e Zotit është rritur vazhdimisht në afro 17 milionë anëtarë, ku më shumë se gjysma jetojnë jashtë Shteteve të Bashkuara.8

Në prill të vitit 2020, Kisha jonë kremtoi 200‑vjetorin e Rivendosjes së ungjillit me një proklamatë drejtuar botës, të përgatitur nga Presidenca jonë e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve. Ajo fillon: “Ne shpallim solemnisht se Perëndia i do fëmijët e Tij në çdo komb të botës”9.

Profeti ynë i dashur, Rasëll M. Nelsoni, u shpreh më tej:

“Ne besojmë te liria, mirëdashja dhe paanësia për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Ne jemi të gjithë vëllezër dhe motra, secili një fëmijë i një Ati të dashur në Qiell. Biri i Tij, Zoti Jezu Krisht, i fton të gjithë të vijnë tek Ai, ‘të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra’ (2 Nefi 26:33).”10

Shqyrtoni me mua katër mënyra se si shoqëria dhe individët nxjerrin dobi nga liria fetare.

E para. Liria fetare e nderon urdhërimin e parë dhe të dytë të madh, duke e vendosur Perëndinë në qendër të jetës sonë. Ne lexojmë te Mateu:

“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”11.

“Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten’.”12

Qoftë në një godinë kishtare, sinagogë, xhami ose barakë me çati llamarine, dishepujt e Krishtit dhe të gjithë besimtarët e një mendjeje, mund ta shprehin përkushtimin ndaj Perëndisë duke e adhuruar Atë dhe me gatishmërinë për t’u shërbyer fëmijëve të Tij.

Jezu Krishti është shembulli i përkryer i një dashurie dhe shërbimi të këtillë. Gjatë shërbesës së Tij, Ai u kujdes për të varfrit13, shëroi të sëmurët14 dhe të verbrit15. Ai ushqeu të uriturit16, hapi krahët për të vegjlit17 dhe i fali ata që i bënë padrejtësi, madje ata që e kryqëzuan Atë18.

Shkrimet e shenjta cilësojnë që Jezusi “e përshkoi vendin duke bërë mirë”19. Kështu duhet të veprojmë edhe ne.

E dyta. Liria fetare nxit shprehje besimi, shprese dhe paqeje.

Si Kishë, bashkohemi me fe të tjera që mbrojnë njerëzit e të gjitha besimeve dhe bindjeve dhe të drejtën e tyre për të folur për ato qëndrime fetare. Kjo nuk do të thotë se i pranojmë bindjet e tyre fetare dhe as ata tonat, por kemi më shumë të përbashkëta sesa kemi me ata që dëshirojnë të na bëjnë të heshtim.

Së fundmi përfaqësova Kishën në Forumin vjetor Ndërfetar G20 në Itali. Mora zemër, madje u frymëzova, kur u takova me udhëheqës qeveritarë dhe fetarë nga e gjithë bota. Kuptova se plagët dhe dallimet mund të zgjidhen e madje të shërohen kur e nderojmë Perëndinë, Atin e ne të gjithëve, dhe Jezu Krishtin, Birin e Tij. Shëruesi i Madh i të gjithëve është Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti.

Pata një çast interesant kur përfundova bisedën. Shtatë folësit e mëparshëm nuk e përfunduan fjalimin me ndonjë lloj tradite të besimit ose në emrin e Perëndisë. Ndërsa flisja, mendova: “A duhet që thjesht të them faleminderit dhe të ulem apo ta mbyll me frazën ‘në emrin e Jezu Krishtit’?” M’u kujtua se kush isha dhe e dija se Zoti do të donte që të thosha emrin e Tij në përfundim të mesazhit tim. Ndaj ashtu veprova. Kur hedh vështrimin pas, ajo ishte mundësia ime për ta shprehur besimin tim; dhe kisha lirinë e fesë për të dhënë dëshminë time për emrin e Tij të shenjtë.

E treta. Feja i frymëzon njerëzit të ndihmojnë të tjerët.

Kur fesë i jepet hapësira dhe liria për të lulëzuar, besimtarët kryejnë vepra shërbimi të thjeshta dhe ndonjëherë heroike. Fraza e lashtë judease “tikkun olam”, që do të thotë “të rregullosh ose shërosh botën”, po pasqyrohet sot në përpjekjet e kaq shumë njerëzve. Ne kemi bashkëpunuar me organizata bamirëse katolike të njohura si “Caritas Internationalis”, “Islamic Relief” dhe një numër organizatash të besimit judeas, hindu, budist, sik dhe të krishterë si “Salvation Army” dhe “National Christian Foundation”. Së bashku ne u shërbejmë miliona njerëzve nevojtarë, së fundmi duke ndihmuar refugjatët e luftës me tenda, thasë gjumi dhe furnizime me ushqime20 dhe ofrimin e vaksinave, përfshirë atë të poliomielitit21 dhe të COVID‑it22. Lista e gjërave që po bëhen, është e gjatë, por e tillë është edhe ajo e nevojave.

S’ka dyshim se njerëzit e besimit, duke punuar së bashku, mund të bëjnë ndërhyrje domethënëse. Në të njëjtën kohë, shërbimi vetëm për vetëm shpesh nuk vihet re por në heshtje ndryshon jetë.

Mendoj për shembullin te Lluka kur Jezu Krishti i erdhi në ndihmë të vesë nga Naini. Jezusi, i shoqëruar nga një grup ndjekësish, erdhi në kortezhin e varrimit të birit të vetëm të së vesë. Pa të, ajo po përballej me një rrënim emocional, shpirtëror dhe madje financiar. Jezusi, duke parë fytyrën e saj të përlotur, tha: “Mos qaj!”23 Pastaj preku arkivolin që mbante trupin, dhe kortezhi u ndal.

“Djalosh”, – e urdhëroi Ai, “‘unë të them, çohu!’

Dhe i vdekuri u çua ndenjur dhe filloi të flasë. Dhe Jezusi ia dha së ëmës.”24

Të ngresh të vdekurit është një mrekulli, por çdo vepër mirëdashjeje dhe interesimi për dikë që po has vështirësi, është udha e besëlidhjes ku secili prej nesh mundet gjithashtu të “[shkojë] duke bërë mirë”, duke e ditur se “Perëndia [është] me [ne]”25.

Dhe e katërta. Liria e fesë vepron si një forcë unifikuese dhe përbashkuese për formësimin e vlerave dhe moralit.

Në Dhiatën e Re ne lexojmë për shumë njerëz që u larguan nga Jezu Krishti, duke murmuritur për doktrinën e Tij: “Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?”26

Kjo ankesë dëgjohet edhe sot nga ata që përpiqen ta përjashtojnë fenë nga diskutimi dhe ndikimi. Nëse feja nuk ekziston për të ndihmuar në formësimin e karakterit dhe ndërmjetësimin në kohët e vështira, kush vallë do ta bëjë? Kush do të japë mësim për ndershmërinë, mirënjohjen, faljen dhe durimin? Kush do të shfaqë dashuri hyjnore, dhembshuri dhe mirëdashje për të harruarit dhe të shtypurit? Kush do t’i përqafojë ata që janë të ndryshëm por që e meritojnë, duke qenë se të gjithë janë fëmijë të Perëndisë? Kush do t’i hapë krahët për ata që janë nevojtarë, dhe nuk do të kërkojë asnjë shpërblim? Kush do ta nderojë paqen dhe bindjen ndaj ligjeve që janë më të mëdha sesa prirjet e kohës? Kush do t’i përgjigjet lutjes së Shpëtimtarit: “Shko dhe bëj kështu edhe ti”27?

Ne. Po, vëllezër dhe motra, ne do t’i bëjmë.

Ju ftoj ta mbroni kauzën e lirisë fetare. Ajo është shprehje e parimit të lirisë së zgjedhjes të dhënë nga Perëndia.

Liria fetare i sjell në ekuilibër filozofitë konkurruese. E mira e fesë, shtrirja e saj dhe veprat e përditshme të dashurisë që feja frymëzon, shumëfishohen vetëm kur e mbrojmë lirinë për t’u shprehur dhe për të vepruar sipas bindjeve bazë.

Unë jap dëshmi se Rasëll M. Nelsoni është profeti i gjallë i Zotit. Unë dëshmoj se Jezu Krishti e udhëheq dhe e udhërrëfen këtë Kishë. Ai shleu për mëkatet tona, u var në kryq dhe u ringjall ditën e tretë.28 Për shkak të Tij, ne mund të jetojmë sërish për gjithë përjetësinë; dhe ata që e dëshirojnë këtë, mund të jenë me Atin tonë në Qiell. Këtë të vërtetë ia shpall të gjithë botës. Jam mirënjohës për lirinë për ta bërë këtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër