2022
Xh. Enet Denis
maj 2022


“Xh. Enet Denis”, Liahona, maj 2022.

Xh. Enet Denis

Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës

Pasi e kaloi fëmijërinë e saj në vende të ndryshme në mbarë Shtetet e Bashkuara, Motra Xhini Enet Denis, mendoi se ëndrrat iu bënë realitet kur familja e saj u shpërngul në Kotonud‑Hejts të Jutës.

“Mendova se gjithsecili në Jutë ishte anëtar i Kishës dhe se atje do të ishte parajsë”, – tha ajo.

Gjatë ditëve të saj të para në klasën e nëntë, ajo ishte e entuziazmuar që e ftuan në një festë. Por një vajzë që u bë shoqja e saj më e ngushtë, e paralajmëroi se njerëzit në festë do të përdornin drogë.

“Shpejt mësova se është njëlloj kudo në botë”, – tha ajo. Megjithatë, dëshmia e saj dhe një familje e përqendruar tek ungjilli, e mbajtën të fortë gjatë gjithë shkollës së mesme.

Xhini Enet Herrin lindi në Provo të Jutës, në qershor të vitit 1960 dhe është më e madhja nga shtatë fëmijët e Kërtis Lamarit dhe Patrisha Xhoana Herrinit. Karriera e babait të saj e çoi familjen në Misisipi, Tenesi, Ajoua, Nebraskë dhe Jutë.

Ajo studioi për arsimin fillor në Universitetin “Brigam Jang” dhe u specializua në spanjisht. Gjatë një udhëtimi me klasën në Meksikë, ajo takoi Horhe Denisin dhe të dy ata filluan letërkëmbimin.

Kur ai u shpërngul në Solt-Lejk-Siti një vit më vonë për të studiuar gjuhën angleze, ata filluan të dilnin në takime. Brenda pak muajve u fejuan. Ata u martuan në Tempullin e Solt‑Lejkut më 4 shtator 1980. Ata kanë katër fëmijë dhe nëntë nipër e mbesa. Ata jetojnë në Bauntifull të Jutës.

Motra Denis, e cila u mbështet më 2 prill, do të fillojë të shërbejë si Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës më 1 gusht. Ajo shërben në këshillin e përgjithshëm konsultativ në Fillore dhe me bashkëshortin e saj në këshillin për komunikimet në kontenë Dejvis.

Që nga viti 2013 deri në 2016‑ën, ajo shërbeu me bashkëshortin e saj ndërsa ai kryesoi në Misionin e Ekuadorit Perëndimor në Guajakil. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ndihmëse e kryekujdestares në Tempullin e Guajakilit në Ekuador, sekretare e Shoqatës së Ndihmës në kunj, presidente e Fillores në lagje, këshilltare në presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave në lagje, mësuese e Shoqatës së Ndihmës dhe punonjëse për ordinancat e tempullit.

Shtyp në Letër