2022
Tani Është Koha
maj 2022


Tani Është Koha

Tani është koha kur mund të mësojmë. Tani është koha kur mund të pendohemi. Tani është koha kur mund t’i bekojmë të tjerët.

Të dashur vëllezër e motra të mia, kjo konferencë e madhërishme ka qenë historike në shumë mënyra. Jemi bekuar nga lutjet, mesazhet dhe muzika. Jemi frymëzuar nga shërbëtorët e Zotit.

Ne kemi marrë drejtim të rëndësishëm për të ardhmen. Lutja ime është që Shpirti t’ju ketë folur drejtpërsëdrejti rreth gjërave që Zoti do të donte që ju të bënit.

E ardhmja është gjithnjë e pasigurt. Moti ndryshon. Ciklet e ekonomisë janë të paparashikueshme. Fatkeqësitë natyrore, aksidentet dhe sëmundjet mund ta ndryshojnë jetën me të shpejtë. Këto ngjarje janë shumë larg kontrollit tonë. Por ka disa gjëra që mundemi t’i kemi nën kontroll, përfshirë mënyrën se si e shpenzojmë kohën tonë çdo ditë.

Më pëlqen kjo poezi nga Henri Van Dajku, e shkruar në bazën e një ore diellore në Kolegjin e Uellsit në Nju‑Jork. Aty thuhet:

Hija që gishti im hedh pran’,

Të ardhmen nga e shkuara e ndan:

Para saj, ora që nuk ka ardhur ende, fle

Në errësirë, ti atë në dorë s’e ke:

Prapa vijës së saj që nuk kthehet më,

Është ora që iku, ti dot më nuk e zë:

Vetëm një orë në duar ti zotëron,

Të TANISHMEN mbi të cilën hija qëndron.1

Po, ne duhet të mësojmë nga e kaluara dhe po, ne duhet të përgatitemi për të ardhmen. Por vetëm tani mund të veprojmë. Tani është koha kur mund të mësojmë. Tani është koha kur mund të pendohemi. Tani është koha kur mund t’i bekojmë të tjerët dhe të “forco[jmë] duart e kapitura”2. Sikurse Mormoni e këshilloi të birin, Moronin: “Të punojmë me zell; … pasi kemi një punë për të bërë, ndërsa jemi në këtë tabernakull prej argjile, që të mundim armikun e të gjithë drejtësisë dhe të pushojmë shpirtrat tanë në mbretërinë e Perëndisë”3.

Kundërshtari nuk fle kurrë. Do të ketë gjithnjë kundërshtim ndaj së vërtetës. E përsërit nxitjen time nga mëngjesi i sotëm që t’i bëni ato gjëra të cilat do ta rritin hovin tuaj pozitiv shpirtëror, atë forcë ngritëse për të cilën po fliste Plaku Diter F. Uhtdorf, që do t’ju bëjë të shkoni përpara gjatë çdo sfide dhe mundësie që vjen.

Hovi pozitiv shpirtëror rritet teksa adhurojmë në tempull dhe të kuptuarit tonë për madhështinë e gjerësisë dhe thellësisë së bekimeve që marrim atje, rritet. Ju lutem që t’iu kundërpërgjigjeni mënyrave të botës duke u përqendruar te bekimet e përjetshme të tempullit. Koha juaj atje sjell bekime në përjetësi.

Ndërsa Kisha rritet, ne përpiqemi të mbajmë ritmin duke ndërtuar më shumë tempuj. Dyzet e katër tempuj të rinj janë tani në ndërtim. Më shumë po restaurohen. Lutem për mjeshtrat që punojnë për ato projekte anembanë botës.

Me shpirtin e mirënjohjes plot lutje, kam kënaqësinë të njoftoj planet tona për të ndërtuar një tempull të ri në secilin nga vendet e mëposhtme: Uellington, Zelandë e Re; Brazavil, Republika e Kongos; Barcelonë, Spanjë; Birmingam, Mbretëria e Bashkuar; Kusko, Peru; Maseio, Brazil; Santos, Brazil; San‑Luis‑Potosi, Meksikë; Meksiko‑Siti‑Benemerito, Meksikë; Tampa, Floridë; Noksvill, Tenesi; Klivlend, Ohajo; Uiçita, Kansas; Ostin, Teksas; Misula, Montana; Montpilier, Ajdaho; dhe Modesto, Kaliforni.

Këta 17 tempuj do të bekojnë jetë të panumërta në të dyja anët e velit. Ju dua, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura. Më e rëndësishmja, Zoti ju do. Ai është Shpëtimtari juaj dhe Shëlbuesi juaj. Ai e udhëheq dhe e udhërrëfen Kishën e Tij. Qofshim një popull i denjë për Zotin, i cili tha: “Ju do të jeni populli im, dhe unë do të jem Perëndia juaj”4.

Për këtë unë lutem, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër