Tetor
Bekimet e Priftërisë Janë në Dispozicion të të Gjithëve
“Dhe gjithashtu gjithë ata që e pranojnë këtë priftëri, më pranojnë mua, thotë Zoti” (DeB 84:35).
Plotësojini idetë që jepen këtu, me disa nga tuajat. Çdo javë, planifikoni mënyra për të (1) përcaktuar doktrinën, (2) për t’i ndihmuar fëmijët që ta kuptojnë atë dhe (3) për t’i ndihmuar ata që ta zbatojnë atë në jetën e tyre. Pyeteni veten: “Çfarë do të bëjnë fëmijët për të mësuar dhe si mund t’i ndihmoj ata të ndiejnë Shpirtin?”
Java 1: Të rinjtë e denjë e marrin priftërinë kur janë 12 vjeç.
Përcaktoni doktrinën (duke parë një pikturë): Paraqitjuni fëmijëve një pikturë të Jezu Krishtit duke ndarë sakramentin. Shpjegoni se Krishti ia dha sakramentin Apostujve dhe dishepujve të Tij në Librin e Mormonit dhe Ai u kërkoi atyre të vazhdonin të bekonin dhe ta ndanin sakramentin kur Ai të largohej. Lexoni së bashku 1 Nefi 18:5–6. Bëjuni fëmijëve pyetje si: Kush e bekon sakramentin në ditët tona? Kush e ndan sakramentin? Cila fuqi nevojitet që ta ketë një njeri që të bekojë dhe ndajë sakramentin?
Nxitni të kuptuarit (duke diskutuar për doktrinën): Shpjegoni se priftëria është fuqia e Perëndisë për t’i shërbyer dhe për t’i bekuar njerëzit në tokë. Në ditët e mëvonshme Krishti na ka mësuar se çdo burrë mund ta ketë priftërinë përsa kohë ai plotëson dy kërkesa. E para është të ketë njëfarë moshe. Ftojini fëmijët e tjerë të ngrihen kur të dëgjojnë moshën kur një djalë mund të marrë priftërinë. Numëroni ngadalë nga një deri në dymbëdhjetë. Thuajuni fëmijëve se kërkesa tjetër është që djali duhet të jetë i denjë. Shpjegoni se çfarë do të thotë të jesh i denjë dhe shpjegoni se edhe djemtë edhe vajzat mund të përdorin “Parimet e Mia të Ungjillit” për t’i ndihmuar ata që të dinë se si të jetojnë denjësisht.
Nxitni zbatimin (duke marrë pjesë në një aktivitet fizik): Ndajini fëmijët në grupe. Caktojini secilit grup një parim nga “Parimet e Mia të Ungjillit”. Kërkojini çdo grupi të mendojë për një veprim të thjeshtë që përfaqëson parimin e tyre. Thoni disa fjalë për të përshkruar një parim dhe vëreni grupin e caktuar të ngrihet në këmbë dhe të tregojë veprimin e tij. Vazhdoni derisa të gjithë grupet ta kenë bërë nga një herë. Shpjegoni se të jetuarit e këtyre parimeve i ndihmon djemtë të mbeten të denjë për të mbajtur priftërinë e për të marrë ordinancat e priftërisë dhe ndihmon vajzat të jenë të denja të marrin ordinancat e priftërisë, si pagëzimi dhe ordinancat e tempullit.
Java 2: Ne i marrim ordinancat e shpëtimit nëpërmjet priftërisë.
Përcaktoni doktrinën (duke parë një mësim me sende): Vëreni një fëmijë të mbajë një çadër të hapur. Lërini disa fëmijë të qëndrojnë nën çadër. Krahasojeni çadrën me priftërinë. Vini në dukje se nëse do të binte shi, të gjithë fëmijët nën çadër do të merrnin bekimet e të qenit të thatë, e jo vetëm ai që do të mbante çadrën. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia ka siguruar, nëpërmjet priftërisë së Tij, një mënyrë që të gjithë fëmijët e Tij të bekohen. Nëpërmjet priftërisë ne marrim ordinancat e shpëtimit që na lejojnë të kthehemi dhe të jetojmë sërish me Perëndinë.
Nxitni të kuptuarit (duke formuar pazëlla): Shkruani në një copë të veçantë letre secilën nga fjalët e mëposhtme: pagëzim, konfirmim, shugurim priftërie (për burrat), indaument tempulli dhe vulosje në tempull. Priteni secilën letër duke e bërë si pazëll. Shpjegojuani shkurtimisht fëmijëve se çfarë është një ordinancë (një ceremoni ose veprim i shenjtë që ka domethënie shpirtërore) dhe tregojuni fëmijëve disa ordinanca priftërie që na kërkohen për t’u kthyer të jetojmë me Atin Qiellor. Vizatoni 5 hapa në dërrasë dhe vendosni një pikturë të Jezu Krishtit në hapin që ndodhet më lart. Ndajini fëmijët në pesë grupe dhe jepini secilit grup një nga pazëllat që bëtë. Kërkojuni atyre të formojnë pazëllin e tyre dhe pastaj t’ia tregojnë atë çka dinë për ordinancat pjesës tjetër të Fillores. Vërini grupet t’i vendosin pazëllat e tyre të formuar në rendin e duhur në përputhje me hapat në dërrasë.
Java 3: Unë mund të marr fuqi forcuese nëpërmjet bekimeve të priftërisë.
Përcaktoni doktrinën (duke diskutuar për doktrinën): Kërkojuni fëmijëve të ngrenë lart duart dhe t’i shohin ato. Pyetini ata se si i ndihmojnë duart e tyre për të luajtur, punuar dhe për t’u bërë gati për në kishë. Ftojini ata të imitojnë me mimikë çdo përgjigje. Pastaj pyetini ata si mund t’i përdorin njerëzit duart e tyre për të ndihmuar të tjerët. Shpjegoni se mbajtësit e priftërisë mund t’i përdorin duart e tyre për të dhënë bekime që na ndihmojnë dhe na forcojnë.
Nxitni të kuptuarit dhe zbatimin (duke parë fotografi dhe duke treguar përvoja): Vendosni nëpër dhomë fotografi të sakramentit, pagëzimit, konfirmimit, bekimit të një foshnjeje dhe vajosjes së një të sëmuri e shpjegoni atë që po ndodh në secilën fotografi. Ftojini fëmijët të lënë gjurmët e duarve të tyre në një copë letre dhe pritini ato. Bëjini ata të shkruajnë emrin e tyre në anën e përparme të çdo gjurme dore. Ftojini ata të ngjisin një nga duart e tyre prej letre pranë një fotografie që paraqet një bekim ose ordinancë që ata kanë marrë nga duart e një mbajtësi të priftërisë. Zgjidhni disa duar dhe ftojini ata fëmijë të tregojnë ndjenjat e tyre se si i ka bekuar dhe i ka forcuar priftëria. Tregoni historinë e Jezusit duke bekuar fëmijët 3 Nephi 17:11–25. Vendosni një pikturë të Jezusit me fëmijët në krye të klasës dhe ftojeni çdo fëmijë të ngjisë dorën e dytë prej letre pranë pikturës. Shpjegoni se mbajtësit e priftërisë kanë fuqinë të veprojnë në emrin e Jezu Krishtit; ata mund të na bekojnë njësoj siç do të bënte Jezusi nëse do të ishte këtu.
Java 4: Unë mund të shkoj në tempull që të marr ordinancat e tempullit për paraardhësit e mi kur të rritem.
Përcaktoni doktrinën dhe nxitni të kuptuarit (duke ngjyrosur): Kujtojuni fëmijëve se ne duhet të marrim ordinanca të caktuara priftërie përpara se të mund të kthehemi të jetojmë me Atin Qiellor. Kërkojuni atyre të përmendin disa nga ato ordinanca. Shpjegoni se shumë njerëz kanë vdekur pa pasur mundësi t’i merrnin këto ordinanca dhe ata kanë nevojë për ndihmën tonë. Tregojuni fëmijëve rreth njërit prej paraardhësve tuaj që vdiq para se t’i merrte këto ordinanca. Jepini secilit fëmijë një skicë të thjeshtë njeriu të prerë në letër. Kërkojuni atyre të vizatojnë veten në njërën anë të letrës dhe një vizatim të paraardhësit për të cilin i treguat, në anën tjetër. (Nëse fëmijët e njohin një nga parardhësit tuaj që ka vdekur pa marrë ordinancat e priftërisë, ata mund ta vizatojnë atë njeri.) Vërini ata të përsërisin temën e kësaj jave ndërsa mbajnë njeriun e tyre prej letre përpara vetes. Kërkojuni atyre të paraqesin vizatimin e vetes kur thonë fjalën “unë” dhe vizatimin e paraardhësit kur të thonë fjalën “paraardhës”.