“Jakobi [LiM] 2:22–35: Ligji i Dëlirësisë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Jakobi [LiM] 2:22–35”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Jakobi [LiM] 2:22–35
Ligji i Dëlirësisë
Bota po i braktis standardet e pastërtisë seksuale, por standardi i Zotit për pastërtinë seksuale mbetet i pandryshueshëm. Pasi mori detyrën e vet nga Zoti, Jakobi i dha mësim popullit të tij rreth ligjit të dëlirësisë. Mësimet e Jakobit gjejnë zbatim ende sot. Ky mësim mund të të ndihmojë të kënaqesh në dëlirësi siç kënaqet Zoti.
Paralajmërimi i Jakobit
-
Si do ta përshkruaje atë që tregon ky diagram rreth standardeve të Zotit dhe standardeve të botës?
-
Në çfarë mënyrash i sheh standardet e botës të lëvizin larg nga standardet e Zotit?
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi një mënyrë se si bota po endet larg nga standardi i Zotit:
“Duhet besim që të jetoni një jetë të dëlirë kur bota bërtet që ligji i Perëndisë për dëlirësinë tani është i dalë nga moda.” (Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 104)
-
Çfarë shembujsh të kësaj sheh ti?
Ligji i Zotit për dëlirësinë është i qartë dhe i pandryshueshëm. “Dëlirësia është pastërtia seksuale. Ata që janë të dëlirë janë moralisht të pastër në mendimet, fjalët dhe veprimet e tyre. Dëlirësi do të thotë mospasje e marrëdhënieve seksuale para martese. Ajo do të thotë edhe besnikëri të plotë ndaj bashkëshortit ose bashkëshortes gjatë martesës” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Chastity” [“Dëlirësi”]).
Ndërsa studion kapitullin te Jakobi [LiM] 2, kërko se si ndihet Shpëtimtari rreth dëlirësisë.
Jakobi e donte popullin e tij. Nëpërmjet fuqisë së Zotit, Jakobi i njihte mendimet e popullit dhe ligësinë e zemrave të tyre (shih te Jakobi [LiM] 1:15; 2:5–6). Ai e dinte se ata “po filloni[n] të jetoni[n] në mëkat, mëkat i cili … duket shumë i neveritshëm … ndaj Perëndisë” (Jakobi [LiM] 2:5). Pas paralajmërimit të nefitëve rreth mëkatit të kryelartësisë (shih te Jakobi [LiM] 2:12–21), Jakobi i paralajmëroi nefitët për një “krim më të rëndë [ose më serioz]” (Jakobi [LiM] 2:22) që populli i tij po e mendonte.
Lexo te Jakobi [LiM] 2:22–24, duke kërkuar se si e përshkroi Jakobi këtë mëkat më serioz. (Lavirësi është kur dikush kryen marrëdhënie seksuale me dikë që nuk e ka bashkëshort ose bashkëshorte.)
ChurchofJesusChrist.org
-
Çfarë roli kanë mendimet tona në bindjen tonë ndaj ligjit të dëlirësisë (shih te Mateu 5:28)?
Zoti kënaqet në dëlirësi
Disa nga burrat nefitë po e shkelnin ligjin e dëlirësisë duke marrë më shumë se një grua, kur kjo praktikë qe dënuar nga Zoti përpara se Lehi të largohej nga Jerusalemi (Jakobi [LiM] 2:34). Reflekto për atë që po bën në jetën tënde për t’u rezistuar tundimeve që kanë të bëjnë me ligjin e dëlirësisë.
Lexo te Jakobi [LiM] 2:25–28, duke kërkuar atë që Jakobi u dha mësim nefitëve për t’i ndihmuar ata t’i rezistonin tundimit për të kryer mëkat seksual.
-
Cili është këndvështrimi i Zotit për dëlirësinë?
Jakobi po u fliste burrave, shumë prej të cilëve po i bindnin gratë që ta shkelnin ligjin e dëlirësisë. Si rrjedhim, ai foli për Zotin që kënaqet në dëlirësinë e grave. Zoti kënaqet në dëlirësinë e të gjithë fëmijëve të Tij – edhe të burrave dhe të grave.
Lexo te pjesa “Trupi juaj është i shenjtë” në materialin Për Forcën e Rinisë (2022, broshurë), duke kërkuar arsyen pse të jetuarit e ligjit të dëlirësisë është diçka me të cilën të kënaqesh.
Për të parë shembuj të mënyrës se si disa të rinj kënaqen në dëlirësi, nëse dëshiron, mund të shikosh materialin filmik “I Choose to Be Pure” [“Zgjedh të Jem i/e Dëlirë”] (04:19) në ChurchofJesusChrist.org.
Lexo te Jakobi [LiM] 2:31–35, duke kërkuar se si zgjedhjet e pamoralshme të burrave nefitë ndikuan te familjet e tyre.
Një nga pyetjet në intervistën për rekomandim tempulli është “A i bindeni ligjit të dëlirësisë?”
-
Çfarë mendimesh dhe ndjenjash ke kur mendon për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje të peshkopit tënd?
-
Çfarë mund të bësh që Zoti të mund të kënaqet në dëlirësinë tënde?
Reflekto për atë që po bën për ta jetuar ligjin e dëlirësisë dhe mënyrën se si ai po ndikon pozitivisht në jetën tënde. Nëse e ke shkelur ligjin e dëlirësisë, bisedo me peshkopin tënd. Ai mund të të ndihmojë të pendohesh. Shpëtimtari dëshiron të të falë. Tek Ai mund të gjesh falje, paqe, shërim dhe forcë për ta jetuar ligjin e dëlirësisë.
Mësimet e Jakobit rreth martesës me shumë bashkëshorte
Pasi Jakobi i dha mësim popullit të tij që të mos kishin më tepër se një bashkëshorte njëherësh (shih te Jakobi [LiM] 2:27), ai i shpjegoi kushtet kur Zoti mund ta autorizojë martesën me shumë bashkëshorte (shih te Jakobi [LiM] 2:30).
-
Çfarë dha mësim Jakobi rreth martesës me shumë bashkëshorte te vargu 30?
Martesa me shumë bashkëshorte autorizohet vetëm kur Zoti e urdhëron atë nëpërmjet profetit të Tij – Presidentit të Kishës – dhe nëpërmjet askujt tjetër (shih te Doktrina e Besëlidhje 132:45–48). Në kohë dhe vende të caktuara të historisë së botës, Zoti i ka urdhëruar njerëzit e Tij të ushtrojnë martesën me shumë bashkëshorte. Për shembull, martesa me shumë bashkëshorte u ushtrua nga Abrahami, Sara dhe Agari (shih te Zanafilla 16:1–3; Doktrina e Besëlidhje 132:34–35). Stërnipi i Abrahamit, Jakobi, e ushtroi gjithashtu martesën me shumë bashkëshorte (shih te Zanafilla 29–30; Doktrina e Besëlidhje 132:37). Ajo u ushtrua për një periudhë kohore gjatë ditëve të hershme të Kishës së rivendosur, duke filluar me Profetin Jozef Smith. Martesa me shumë bashkëshorte nuk ushtrohet më nga anëtarët e Kishës (shih te Deklarata Zyrtare 1).