Seminari
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1: 1 Nefi 1–15


“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1: 1 Nefi 1–15” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1: 1 Nefi 1–15” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 1

1 Nefi 1-15

Duke Lexuar Shkrimet e Shenjta në Afrikë

Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të vlerësosh synimet që ke vendosur dhe rritjen që ke përjetuar deri tani gjatë studimit tënd të Librit të Mormonit.

Ndihma ndaj nxënësve që ata të vlerësojnë të mësuarit e tyre. Jepuni mundësi nxënësve që të vlerësojnë të mësuarit e tyre. Një mënyrë është t’i ftoni ata të tregojnë se si janë rritur ose zhvilluar si rezultat i studimeve dhe besimit të tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar diçka që kanë mësuar deri tani nga Libri i Mormonit, që i ka ndihmuar ata të ndihen më pranë Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë qëllimet që kanë vendosur, aftësinë e tyre për të shpjeguar mësimet në Librin e Mormonit ose mënyrën se si po ndryshojnë qëndrimet, dëshirat dhe aftësia e tyre për ta jetuar ungjillin. Studimi në klasën tuaj i vargjeve 1 Nefi 1–15 mund të ketë theksuar të vërteta të ndryshme nga ato në veprimtaritë vijuese. Nëse po, veprimtaritë mund të përshtaten për t’i përfshirë ato të vërteta.

Studioje Librin e Mormonit Çdo Ditë

Kjo pjesë ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë se si po ecin me synimet e tyre vetjake për studimin e shkrimeve të shenjta dhe ta ndiejnë vlerën dhe rëndësinë e studimit të Librit të Mormonit.

  • Cilat janë disa gjëra që i bën çdo ditë ose çdo natë?

Nxënësit mund të përgjigjen me përgjigje si laj dhëmbët, ha, fle e kështu me radhë.

  • Çfarë mund të ndodhte po t’i anashkaloje këto veprimtari për një ditë ose më shumë?

  • Pse studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta është diçka që duhet të përpiqemi fort që ta bëjmë?

Paraqiteni vlerësimin e vetes që vijon. Nxënësit mund të reflektojnë më vete për përgjigjet e tyre ose t’i shënojnë përgjigjet e veta në ditarët e tyre të studimit.

Zgjidh një nga sa vijon për të përshkruar se si po ecën studimi yt i përditshëm i Librit të Mormonit:

  1. Studimi im duket kuptimplotë dhe ka qenë sistematik.

  2. Studimi im është i mirë kur ndodh, por nuk po ndodh shumë rregullisht.

  3. Jam sistematik me studimin tim, por nuk përfitoj shumë prej tij.

  4. Po has vështirësi që ta kuptoj atë që lexoj dhe rrallëherë studioj më vete.

  5. Nuk kam bërë asgjë për të punuar drejt një synimi për studimin e shkrimeve të shenjta.

  6. Tjetër: shpjegoje përgjigjen tënde.

Është e natyrshme të të dalin pengesa me një synim të përditshëm si ky. Gjëja e rëndësishme është të vazhdosh të përpiqesh.

Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë pengesat e nxënësve dhe ta ftoni klasën të diskutojë se si janë përgjigjur ose mund të përgjigjen ndaj këtyre pengesave.

  • Çfarë ka shkuar mirë në studimin tënd të Librit të Mormonit? Çfarë do të doje të bëje më mirë ose ndryshe?

Merreni parasysh të zgjidhni një ose më shumë nga veprimtaritë vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të ndiejnë vlerën dhe vërtetësinë e Librit të Mormonit.

Mendime dhe ndjenja vetjake rreth Librit të Mormonit

Veprimtaria 1: Mbledhja e dëshmive

Nëse do të jepje dëshmi në mbledhjen e sakramentit rreth Librit të Mormonit, çfarë do të thoshe për të përçuar ndjenjat e tua?

Veprimtaria 2: Përse studion?

Imagjino sikur po studion Librin e Mormonit kur një motër ose vëlla më i vogël hyn në dhomë dhe të pyet: “Çfarë po lexon?” Ti i përgjigjesh: “Librin e Mormonit”. Vëllai ose motra të pyet: “Përse?” Shkruaj dy ose tre fjali duke përshkruar atë që mund t’i thoshte vëllait ose motrës më të vogël për ta ndihmuar atë të kuptojë pse zgjodhe ta studiosh Librin e Mormonit.

Veprimtaria 3: Një publikim në rrjetet sociale

Një mik shkruan publikimin vijues në rrjetet sociale: “Sapo kam filluar ta lexoj Librin e Mormonit dhe po më pëlqen pa masë! Çdokush prej jush që e ka lexuar Librin e Mormonit më parë, ju lutem, a do të më tregoni vargun tuaj të parapëlqyer dhe një shpjegim të shkurtër të arsyes pse ju pëlqen pa masë?”

Kjo mund të jetë një mundësi e mirë për t’i ftuar nxënësit të japin mendimet e tyre nga përgatitja e nxënësve. Merreni parasysh të jepni dëshminë tuaj për mënyrën se si Libri i Mormonit ju ka ndihmuar të ndiheni më pranë Jezu Krishtit këtë semestër.

Ëndrra e Lehit

Kjo pjesë ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të shpjegojnë pjesët dhe kuptimin e ëndrrës së Lehit dhe të reflektojnë për vendin se ku e shohin veten në ëndërr.

Një mënyrë se si mund t’i ndihmoni nxënësit ta përsërisin këtë përmbajtje, është t’i ftoni ata t’i shohin ilustrimet dhe pyetjet vijuese individualisht. Më pas, ndajini nxënësit në dyshe dhe ftojini ata t’ia shpjegojnë me radhë partnerit të tyre sa më shumë që të munden nga hollësitë dhe kuptimi i ëndrrës së Lehit për 30 sekonda.

Mund të jetë e dobishme paraqitja e pyetjeve që vijnë pas pikturave.

Vegimi i Lehit për pemën e jetës me pemën e artë që ndriçonte, njerëzit që kapen te shufra e hekurit dhe ndërtesa e gjerë dhe e madhe.
Ëndrra e Lehit
  • Çfarë pjesësh dhe simbolesh të ndryshme të ëndrrës mban mend?

  • Cili nga simbolet të bëri përshtypje më shumë? Përse?

  • Si ngjason ëndrra e Lehit me botën tonë sot?

Merre parasysh se si pjesë të ndryshme të ëndrrës së Lehit mund t’i ndihmojnë individët në skenarët vijues:

  • Një i ri po kalon kohë me një grup njerëzish që zgjedhin ta shkelin Fjalën e Urtësisë dhe t’i bëjnë presion atij për të bërë të njëjtën gjë.

  • Një e re mendon se do ta marrë më seriozisht studimin prej saj të shkrimeve të shenjta kur jeta e saj stresuese të qetësohet.

  • Një i ri fillon të ndihet i turpëruar për anëtarësinë e tij në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur dëgjon të tjerët të tallin njerëzit që janë fetarë.

  • Si mund ta përdorësh ëndrrën e Lehit për të trajtuar secilin skenar?

  • Cili mësim ose e vërtetë nga ëndrra e Lehit ndien se mund të të ndihmojë të afrohesh më shumë me dashurinë e Perëndisë në jetën tënde?

Ti mund t’i mbash urdhërimet

Kjo pjesë ka për qëllim t’i lejojë nxënësit të shohin se si po ecin me planin e tyre (nga 1 Nefi 3) për të vepruar sipas urdhërimeve të Perëndisë më plotësisht.

Gjatë mësimit për kapitullin 1 Nefi 3, mund të kesh vënë një synim që të jesh më i bindur ndaj një urdhërimi që ka qenë i vështirë për t’u mbajtur. Reflekto për përparimin tënd kundrejt këtij synimi dhe shënoji mendimet e tua në ditarin tënd të studimit ose atë vetjak. Merri parasysh pyetjet vijuese teksa reflekton dhe shkruan:

  • Si po shkon përpjekja jote për t’iu bindur këtij urdhërimi?

  • Çfarë suksesesh ose pengesash ke përjetuar?

  • Si mund ta rregullosh planin tënd?

  • Si je bekuar për përpjekjet e tua?

  • Kur ka përgatitur Zoti një udhë për ty që të jesh i bindur?

Nëse nuk ke menduar për një urdhërim që mund të jetë i vështirë për ta mbajtur ti, mendo për një tani. Vendos se çfarë veprimesh mund të ndërmarrësh për ta mbajtur atë më plotësisht.

Merreni parasysh t’u jepni nxënësve mundësinë për t’i treguar klasës cilëndo përgjigje për këto pyetje ose atë që kanë mësuar, nëse nuk është tepër personale. Mund të jepni dëshminë tuaj rreth mënyrës se si do të na bekojë Perëndia për t’i përmbushur urdhërimet e Tij ndërsa bëjmë përpjekje kuptimplota për t’i mirëbesuar dhe për t’iu bindur Atij.

Presidenti Henri B. Aring, i Presidencës së Parë, dha mësim se mirëbesimi i Nefit te Zoti mund të na japë nxitje kur na duket e vështirë t’u bindemi urdhërimeve të Zotit:

“Djaloshi Nefi në Librin e Mormonit frymëzon tek ne një dëshirë për të zhvilluar mirëbesim tek Zoti dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij, pavarësisht se sa të vështira të na duken. Nefi u përball me rrezik dhe vdekje të mundshme kur tha këto fjalë mirëbesimi, që ne mund dhe duhet t’i ndiejmë vazhdueshëm në zemrën tonë: ‘Unë do të shkoj dhe do të bëj gjërat që Zoti ka urdhëruar, pasi e di se Zoti nuk u jep urdhërime fëmijëve të njerëzve pa përgatitur një udhë për ta, që ata të mund të plotësojnë gjënë, që ai i urdhëron’ [1 Nefi 3:7].” (Henri B. Ajring, “Mirëbeso tek Perëndia, Pastaj Shko dhe Bëj”, Liahona, nëntor 2010, f. 71)