Seminari
2 Nefi 31–33: Vështrim i Përgjithshëm


“2 Nefi 31–33: Vështrim i Përgjithshëm”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“2 Nefi 31–33: Vështrim i Përgjithshëm”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

2 Nefi 31–33

Vështrim i Përgjithshëm

Nefi dha mësim se ndjekja e Jezu Krishtit duke u pagëzuar dhe duke marrë Frymën e Shenjtë ishte vendimtare për t’u shpëtuar në mbretërinë e Perëndisë. Pasi i dha mësim popullit të tij rreth ndjekjes së Jezu Krishtit përgjatë shtegut të besëlidhjeve, Nefi pati ndjesinë se ata ishin ende të pasigurt rreth asaj që duhej të bënin pas pagëzimit. Ai u përgjigj duke i inkurajuar ata që të “ushqehe[shin] me bollëk me fjalët e Krishtit” dhe i siguroi ata që fjalët e Shpëtimtarit do t’i udhërrëfenin ata (2 Nefi 32:3). Ai u kujtoi atyre edhe rëndësinë e lutjes dhe bekimet që vijnë nga komunikimi i rregullt me Atin tonë Qiellor.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u siguron ide mësuesve mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

2 Nefi 31:1–13

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë më mirë dhe ta shpjegojnë rëndësinë e pagëzimit dhe bekimet që vijnë prej tij.

  • Përgatitja e nxënësve: Inkurajojini nxënësit të mendojnë për mënyrën se si do ta shpjegonin pse një person do të dëshironte të pagëzohej. Po të duan, ata mund të pyesin një ose dy pjesëtarë të familjes apo miq se pse zgjodhën të pagëzoheshin.

  • Materiale filmike: “The Baptism of Jesus” [“Pagëzimi i Jezusit”] (02:54)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Pasi nxënësit të kenë lexuar vargjet te 2 Nefi 31:5–11, merrni parasysh të paraqitni një ose më shumë vargje që dëshironi t’i diskutoni. Ftojini nxënësit të përdorin mjetin e shënimeve, nëse është në dispozicion, për të theksuar pjesë të çdo vargu ose vargjeve që u bënë përshtypje dhe për të treguar atë që mësuan nga ato fjalë ose fraza.

2 Nefi 31:14–21

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’u shtohet dëshira për të shkuar përpara dhe për të duruar deri në fund në mënyrë që një ditë ata të arrijnë vendmbërritjen e tyre përfundimtare: jetën e përjetshme me Atin e tyre Qiellor.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë në klasë të përgatitur që të tregojnë se si mund ta ndihmojnë dikë që ka vështirësi që të dëshirojë të vazhdojë të shkojë përpara në drejtësi në udhëtimin e vet të kthimit tek Ati Qiellor.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Dy pyetjet në fillim të mësimit që nxënësit t’u përgjigjen në ditarët e tyre

  • Materialet Filmike: “Nefi Jep Mësim Doktrinën e Krishtit” (05:10; shiko nga kodi kohor 02:55 deri në 03:47); “Nesër Zoti Ka për të Bërë Mrekulli midis Jush” (19:24; shiko nga kodi kohor 15:12 deri në 16:20)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Kur nxënësve t’u kërkohet ta vizatojnë dhe ta emërtojnë shtegun e përshkruar te 2 Nefi 31:17–20, merrni parasysh t’i ftoni ata që ose të vizatojnë në një fletë letre ose të përdorin kompjuterin apo aparatin e tyre celular. Mund edhe ta ftoni një nxënës të vizatojë duke përdorur mjetin e tabelës së bardhë.

2 Nefi 32:1–7

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të ushqehen me bollëk me fjalët e Jezu Krishtit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta krahasojnë studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta me ngrënien e ushqimit dhe nxitini ata të vijnë të përgatitur për të dhënë idetë e tyre gjatë orës mësimore.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Figura ushqimesh të tilla si një ushqim i lehtë, një vakt dhe një gosti

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Si pjesë e diskutimit tuaj për atë se çfarë do të thotë të ushqehesh me bollëk me fjalët e Krishtit, nxënësve mund t’u pëlqejë t’i gjejnë figurat e veta që përfaqësojnë ushqimet e tyre të parapëlqyera. Ftojini ata t’i përdorin kompjuterat ose aparatet e tyre celulare për të kërkuar figura ushqimesh me të cilat u pëlqen të ushqehen me bollëk dhe kërkojuni atyre t’i shpërndajnë figurat në ekran.

Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 32:3

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 2 Nefi 32:3, të shpjegojnë doktrinën dhe të zbatojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

  • Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të kenë pasur mundësinë për të ushtruar të “ushq[yerit] me bollëk me fjalët e Krishtit” në fund të mësimit të mëparshëm. Ftojini ata të vazhdojnë të ushtrohen me studimin e tyre vetjak të shkrimeve të shenjta dhe të vijnë në orën mësimore të përgatitur për të treguar rreth përvojës së tyre.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Një figurë e një shtrimi tavoline

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merrni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe me nga tre dhe t’i vendosni ata në dhoma virtuale të veçanta për t’i shpjeguar njëri-tjetrit parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Nëse dikush nuk e kupton njërin nga parimet, ftojini të tjerët në grup që ta ndihmojnë atë.

2 Nefi 32:8–9

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’u shtohet dëshira për të komunikuar me Atin e tyre Qiellor nëpërmjet lutjes.

  • Përgatitja e nxënësve: Merrni parasysh t’i ftoni nxënësit të vënë re se sa shpesh luten dhe përse.

  • Materiali filmik: “I Pray When …” [“Unë Lutem Kur …”] (01:56)

  • Fletushkë: “Të Mësuarit më Shumë rreth Lutjes”

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Pasi nxënësit të kenë përfunduar të paktën dy nga tri veprimtaritë në fund të mësimit, ftojini ata të shkruajnë një fjali në veçorinë e bashkëbisedimit duke përmbledhur një gjë që mësuan ose që qe kuptimplotë për ta. Përzgjidhini disa nxënës që të tregojnë më shumë për atë që shkruan.