Seminari
Moroni 7:20–43: Gjetja e Shpresës te Krishti


“Moroni 7:20–43: Gjetja e Shpresës te Krishti”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Moroni 7:20–43”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Moroni 7:20–43

Gjetja e Shpresës te Krishti

Krishti duke i buzëqeshur një fëmije

A e ke pasur ndonjëherë të nevojshme të ndiesh më shumë shpresë në jetën tënde? Moroni, i cili u end i vetëm për shumë vjet pasi populli i tij u shkatërrua, i shënoi fjalët e të atit rreth shpresës që mund të kemi te Krishti për gjërat më të mëdha që do të vijnë. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh shpresë më të madhe nëpërmjet Jezu Krishtit.

Ndihmojini nxënësit që ta dallojnë ndikimin e Shpëtimtarit në jetën e tyre. Kërkoni mundësi për të theksuar fuqinë lartësuese dhe mëshirën e Shpëtimtarit siç shënohen në shkrimet e shenjta. Ftojini nxënësit të përsiatin se si Jezu Krishti i ka lehtësuar barrët e tyre dhe i ka ndihmuar të durojnë vështirësi. Nxitini ata të drejtohen tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti me besim.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të lexojnë te 1 Pjetër 3:15 dhe të përsiatin se si Jezu Krishti u jep atyre shpresë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Mbështetuni në çdo gjë të mirë

Nëse është e mundur, përgatitni një tryezë me artikuj që nxënësit ka të ngjarë t’i duan dhe artikuj që nxënësit nuk do t’i duan (për shembull, mbi tryezë mund të ketë disa ëmbëlsira të shijshme, si edhe perime të ndenjura dhe letra karamelesh bosh). Filloni duke i ftuar nxënësit të vijnë dhe të marrin një artikull që e zgjedhin vetë. Pyetini ata se përse e zgjodhën atë dhe a do ta klasifikonin atë si një “gjë të mirë”.

Te Moroni 7, Mormoni tha se ai dëshironte t’i ndihmonte njerëzit e tij të dinin se si mund të “mbështeteshin në çdo gjë të mirë” (vargu 21).

  • Kur Mormoni e përdori frazën “gjë e mirë”, cilës gjëje mendon se po i referohej?

  • Cilat janë disa “gjëra të mira” shpirtërore dhe të përjetshme ku do të doje të mbështeteshe, ose të merrje në këtë jetë ose në tjetrën?

Mund të të kujtohet se te Moroni 7:12–19, Mormoni dha mësimin se të gjitha gjërat e mira vijnë nga Jezu Krishti. Lexo te Moroni 7:20–26, duke kërkuar atë që dha mësim Mormoni rreth mënyrës se si t’i marrim këto gjëra të mira nga Krishti.

  • Çfarë gjete?

    Nëse është e nevojshme, shpjegojeni se Mormoni theksoi se nevojitet të kemi besim te Jezu Krishti. Mormoni dha mësim se, për të na ndihmuar të kemi besim te Krishti, Ati Qiellor dërgon engjëj për të na dhënë mësim rreth Birit të Tij.

  • Cilat rrëfime mund të të vijnë ndër mend ku Ati Qiellor dërgoi engjëj për të shpallur se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës?

Disa përgjigje mund të përfshijnë engjëjt që erdhën tek Adami dhe Eva (Moisiu 5:6–9), mbreti Beniamin (Mosia 3:1–11) dhe barinjtë (Lluka 2:10–12).

Kuptimi i shpresës

Për të të ndihmuar të përgatitesh për të mësuar më shumë rreth mësimeve të Mormonit lidhur me shpresën, lexoje këtë rrëfim nga Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve:

“Përpara ditëlindjes sime të 12‑të, familja jonë qe detyruar dy herë që të ikte nga shtëpia dhe t’ia niste nga fillimi mes kaosit, frikës dhe pasigurive të shkaktuara nga lufta dhe përçarja politike. Ishte një kohë plot ankth për mua. …

Kjo kohë zymtësie pas Luftës II Botërore la shenjën e saj në botë. Ajo e la shenjën e vet tek unë.

Në atë kohë, në zbrazëtinë e orëve të mia më të vetmuara, shpesh e pyesja veten: ‘A ka mbetur ndonjë shpresë në botë?’” (Diter F. Uhtdorf, “Perëndia mes Nesh”, Liahona, maj 2021, f. 8)

  • Cilat janë disa arsye përse njerëzit ndiejnë një mungesë shprese sot?

Merreni parasysh t’i shkruani në tabelë përgjigjet e nxënësve.

Plaku Uhtdorf kujtoi se “ndërsa bota po mbytej nga cinizmi, hidhësia, urrejtja dhe frika”, ai gjeti diçka që e “mbush[i] [atë] me shpresë” (“Perëndia mes Nesh”, Liahona, maj 2021, f. 8).

A po përjeton një mungesë të shpresës në jetën tënde? Mendo se çfarë të sjell shpresë edhe në rrethanat më të vështira. Teksa vazhdon ta studiosh këtë mësim, kërko të vërtetat që mund të të ndihmojnë të mbushesh me shpresë.

Mormoni jep mësim rreth shpresës

Lexo te Moroni 7:40–44, duke kërkuar se si besimi ynë te Jezu Krishti ka lidhje me shpresën.

Si pjesë e këtij diskutimi, nëse doni, mund të vini në dukje se Mormoni na jep mësim gjithashtu se dashuria hyjnore është e nevojshme për t’u mbështetur në të gjitha gjërat e mira që vijnë nga Krishti. Dashuria hyjnore do të trajtohet në mësimin e ardhshëm.

  • Si do ta përmblidhje vargun 41 me fjalët e tua?

Një e vërtetë nga mësimet e Mormonit

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Mormoni, është: Nëse e ushtrojmë besimin te Jezu Krishti, ne mund të kemi shpresë nëpërmjet Shlyerjes së Tij për t’u ngritur në jetën e përjetshme.

  • Çfarë mendon se do të thotë të kesh shpresë te Jezu Krishti?

    Ndërsa nxënësit përgjigjen, ndihmojini ata ta kuptojnë se kjo lloj shprese nuk është dëshirë e kësaj bote. Shpresë te Jezu Krishti do të thotë të mbushesh me sigurinë se ne do të kualifikohemi përfundimisht për jetën e përjetshme.

  • Përse mund të duhet të jemi të përulur ose “të bindur dhe të përvuajtur në zemër” (Moroni 7:43), për ta ushtruar besimin te Jezu Krishti dhe për të pasur shpresë?

Për të parë një shembull të dikujt që gjeti shpresë nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, shqyrtoje njërën prej rrëfimeve vijuese. Ndërsa e bën, kërko mënyrën se si personi përjetoi shpresë nëpërmjet Jezu Krishtit.

Përzgjidhni njërën prej rrëfimeve vijuese për t’ia treguar klasës, ose përgatitini të gjitha rrëfimet dhe lejojini nxënësit të zgjedhin se cilin rrëfim do të donin ta lexonin ose shikonin.

Ftojini nxënësit të tregojnë një rast kur ata përjetuan shpresë nëpërmjet ushtrimit të besimit te Jezu Krishti dhe se si situata mund të kishte qenë ndryshe pa atë shpresë.

Është e rëndësishme të vësh re se, edhe ndërsa tregojmë besim te Jezu Krishti dhe kemi shpresë për bekimet që ofron Ai, ne mund të kemi gjithsesi çaste të vështira dhe sprovuese në jetën tonë. Por ndërsa vazhdojmë ta ushtrojmë besimin te Shpëtimtari dhe përqendrohemi tek Ai dhe jeta e përjetshme që Ai e vë në dispozicionin tonë, ne do të fitojmë shpresën që kërkojmë.

ikona e fletushkës Për veprimtarinë vijuese, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të punojnë së bashku në grupe të vogla për ta plotësuar fletushkën.

Gjetja e Shpresës te Jezu Krishti

Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024) – “Moroni 7:20–43: Gjetja e Shpresës te Krishti”

Për të të ndihmuar të mendosh se si pasja e shpresës për shkak të Krishtit mund të ndikojë në jetën tonë në rrethana të ndryshme, përzgjidh njërin prej skenarëve vijues (ose krijo një tëndin):

  • Joni ka rënë sërish në veset e tij mëkatare që mendonte se i kishte lënë pas.

  • Babai i Belës ka ndaluar së shkuari në kishë dhe ka deklaruar se nuk beson më te Perëndia.

  • Ana po mundohet t’i përmbushë të gjitha detyrimet e saj në shkollë, punë dhe shtëpi.

Përfundoji këto dy fraza, duke thënë se si personi mund ta shohë ndryshe situatën e tij ose të saj:

  • Pa shpresë te Jezu Krishti,

  • Me shpresë te Jezu Krishti,

Diskutoji pyetjet vijuese:

  • Si mund ta ushtrojë ky person besimin te Jezu Krishti? Shiko a mund të gjesh një shkrim të shenjtë për ta përfshirë në përgjigjen tënde.

  • Si mundet të ushtruarit e besimit në këtë mënyrë ta ndihmojë këtë person të ketë më shumë shpresë nëpërmjet Jezu Krishtit?

  • Çfarë mund t’i thuash këtij personi nëse ai ose ajo të pyet se përse ke shpresë te Jezu Krishti? (Shih te 1 Pjetër 3:15.)

Pasi grupet ta kenë përfunduar veprimtarinë, ftojini ata ta vënë një zëdhënës që të tregojë njërën prej gjërave për të cilat folën, që ata mendojnë se do të ishte më e dobishme.

Tregojeni dëshminë tuaj rreth pasjes së shpresës te Shpëtimtari. Kini parasysh se disa prej nxënësve tuaj mbase po kërkojnë më shumë shpresë në jetën e tyre. Dëshmia juaj dhe dëshmitë e bashkëmoshatarëve të tyre mund të jenë një bekim i madh për ata dhe i frymëzojnë me më shumë shpresë.