Instituti
Mësimi 10 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Ndjekja e Profetëve të Gjallë të Zotit


“Mësimi 10 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Ndjekja e Profetëve të Gjallë të Zotit”, Materiali i Përgatitjes së Klasës – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 10 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Përgatitjes së Klasës – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 10 – Materiali i Përgatitjes së Klasës

Ndjekja e Profetëve të Gjallë të Zotit

Presidenti Rasëll M. Nelson duke u takuar me të rinj e të reja

Mendoni rreth mënyrës se si jeta juaj do të ishte ndryshe pa ndikimin dhe mësimet e profetëve të gjallë. Teksa studioni, merrni parasysh se si ndjekja e profetëve të Zotit mund të sjellë udhërrëfim më të madh dhe bekime më të mëdha në jetën tuaj.

Pjesa 1

Si mund ta bekojë jetën time zgjedhja për të ndjekur profetët e Zotit?

Në ditën kur u organizua Kisha e Jezu Krishtit, Zoti zbuloi se Profeti Jozef Smith do të “quhe[j] shikues, përkthyes, profet, apostull i Jezu Krishtit, plak i kishës” (Doktrina e Besëlidhje 21:1).

Jozef Smithi në këmbë përpara një bashkësie

Zoti më pas u dha një urdhërim shenjtorëve rreth ndjekjes së profetit të Tij dhe përshkroi bekimet që do të vinin në qoftë se do ta bënin këtë.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 21:4–6.

Vitin pasues Zoti e ritheksoi lidhjen midis zërit të Tij dhe zërit të profetëve të Tij. Në një zbulesë që shërbeu si parathënie për Librin e Urdhërimeve, i cili më vonë do të bëhej libri Doktrina e Besëlidhje, Zoti përsëri dha mësim se “ndonëse qiejt dhe toka do të kalojnë, fjala ime nuk do të kalojë, por do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj” (Doktrina e Besëlidhje 1:38).

Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dëshmoi:

“Profetët që ne i kemi, janë shenjë e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij”. Ata ua bëjnë të ditur premtimet dhe natyrën e vërtetë të Perëndisë dhe të Jezu Krishtit popullit të Tyre. …

Duke i ndjekur [profetët e Zotit], jeta jonë është më e lumtur dhe më pak e ndërlikuar, vështirësitë dhe problemet tona janë më të lehta për t’u mbajtur dhe ne krijojmë një armaturë shpirtërore përreth nesh, e cila do të na mbrojë nga sulmet e armikut në kohën tonë.” (Ulises Soares, “Profetët Flasin nëpërmjet Fuqisë së Shpirtit të Shenjtë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 99)

e re në moshë madhore duke studiuar një bisedë konference
ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si është bekuar jeta juaj nga ndjekja e mësimeve dhe e këshillës së profetëve?

Pjesa 2

Si mund t’i marr fjalët e profetëve të Zotit me “durim e besim” (Doktrina e Besëlidhje 21:5)?

Me raste, ju mund ta keni të vështirë që t’i pranoni e t’i ndiqni këshillën dhe mësimet e profetëve të Zotit. Kjo mund të ndodhë kur nuk e kuptoni tërësisht arsyetimin për fjalët e tyre. Ose mësimet e dhëna prej tyre mund të bien në kundërshtim me pikëpamjet dhe praktikat e gjithëpërhapura të shoqërisë apo me vetë pikëpamjet tuaja vetjake dhe traditat e familjes suaj.

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këshillën dhe premtimin vijues:

“Mos u habitni nëse me raste pikëpamjet tuaja vetjake fillimisht nuk janë në harmoni me mësimet e profetit të Zotit. Këto janë çaste mësimi, përuljeje, kur ne biem në gjunjë për lutje. Ne ecim përpara me besim, duke mirëbesuar te Perëndia, duke e ditur se me kohën, do të marrim më shumë qartësi shpirtërore nga Ati ynë Qiellor. …

… Kam zbuluar se kur i studioj plot lutje fjalët e profetit të Perëndisë dhe e përputh shpirtërisht me kujdes, me durim, vullnetin tim me mësimet e tij të frymëzuara, besimi im në Zotin Jezu Krisht gjithmonë rritet. Nëse zgjedhim ta vëmë mënjanë këshillën e tij dhe vendosim se ne e dimë më mirë se ai, besimi ynë vuan dhe këndvështrimi ynë i përjetshëm errësohet. Ju premtoj se, teksa qëndroni të vendosur në ndjekjen e profetit, do të rritet besimi juaj në Shpëtimtarin.” (Nil L. Andersen, “Profeti i Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 26–27)

Motra Karol F. Mek‑Konki, që shërbeu si këshilltare e parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, dha mësim:

“Ndërsa ia vëmë veshin, mbështetim dhe pohojmë fjalën profetike, ne dëshmojmë se kemi besimin për t’iu nënshtruar përulësisht vullnetit, urtësisë dhe kohës së Zotit.

Ne ia vëmë veshin fjalës profetike edhe kur mund të duket e paarsyeshme, e pavolitshme dhe e parehatshme. Sipas standardeve të botës, ndjekja e profetit mund të jetë e papëlqyer, e pasaktë politikisht apo e papranueshme shoqërisht. Por ndjekja e profetit është gjithmonë e drejtë. …

Kur ua vëmë veshin fjalëve të profetëve, ne e ndërtojmë shtëpinë dhe jetën tonë mbi një themel përjetësisht të sigurt, ‘shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, Biri i Perëndisë’ [Helamani 5:12].” (Karol F. Mek‑Konki, “Jetoni sipas Fjalëve të Profetëve”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 77, 79)

Presidenca e Parë

Shembulli vijues nga historia e Kishës mund të ndihmojë për të ilustruar se çfarë do të thotë t’i marrim fjalët e profetëve të gjallë të Zotit me durim e besim. Duke folur për vegimin e mbretërive të lavdisë, tani të shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76 (shih edhe “The Vision (D&C 76)”, ChurchofJesusChrist.org), Presidenti Brigam Jang tregoi:

“Kur Perëndia i zbuloi Jozef Smithit dhe Sidni Rigdonit se kishte një vend të përgatitur për të gjithë, në përputhje me dritën që kishin marrë dhe mohimin nga ana e tyre të ligësisë dhe ushtrimin nga ana e tyre të së mirës, ajo ishte një sfidë e madhe për shumë njerëz dhe disa veta e braktisën Kishën, sepse Perëndia nuk do t’ua dërgonte ndëshkimin e përjetshëm të pafeve dhe foshnjave, por kishte një vend shpëtimi, në kohën e duhur, për të gjithë dhe do t’i bekonte njerëzit e ndershëm e të virtytshëm dhe të vërtetë, pavarësisht nëse ata i përkisnin ndonjë kishe apo jo. Kjo ishte një doktrinë e re për këtë brez dhe shumë njerëz u penguan tek ajo.” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 292)

Brigam Jangu vetë pati vështirësi që ta pranonte këtë doktrinë fillimisht. Ai tha: “Traditat e mia ishin të tilla që kur Vegimi më erdhi fillimisht mua, ishte drejtpërsëdrejti në kundërshtim dhe kundër arsimimit tim të mëparshëm. Thashë: ‘Prit pak’. Nuk e mohova, por nuk mund ta kuptoja. … Mʼu desh të mendoja e të lutesha, të lexoja e të mendoja, derisa ta dija dhe tërësisht ta kuptoja vetë” (në Journal of Discourses, 6:281).

ikonë, diskutoni

Diskutoni me të Tjerët dhe Përgatituni që të Tregoni në Klasë

Merrni parasysh t’i tregoni një pjesëtari/eje të familjes ose një miku/eje atë që keni mësuar rreth ndjekjes së profetëve të Zotit me durim e besim. Më pas pyetni: “Çfarë ju ka ndihmuar t’i ndiqni profetët e Zotit me durim e besim?” Ejani në klasë gati për të treguar atë që mësuat.

Pjesa 3

Cili është roli i profetëve për të më mësuar doktrinën e vërtetë?

Herët në historinë e Kishës, Jozef Smithi kërkoi ndihmën e Zotit lidhur me anëtarët e Kishës të cilët qenë mashtruar nga një doktrinë e rreme.

[Disa muaj pasi u organizua Kisha, Jozef Smithi] mësoi se Hajrëm Pejxhi, një nga Tetë Dëshmitarët [e Librit të Mormonit] dhe mësues në Priftërinë Aarone, kishte filluar të kërkonte zbulesa për kishën nëpërmjet atij që e mendonte se ishte një gur shikues. Shumë shenjtorë … besonin se këto zbulesa ishin nga Perëndia.

Jozefi e dinte se po përballej me një krizë. Zbulesat e Hajrëmit imitonin gjuhën e shkrimit të shenjtë. Ato flitnin për krijimin e Sionit dhe organizimin e kishës, por me raste binin në kundërshtim me Dhiatën e Re dhe të vërtetat që Zoti i kishte zbuluar nëpërmjet Jozefit.

I pasigurt se çfarë të bënte, Jozefi qëndroi zgjuar duke u lutur një natë, duke u përgjëruar për udhërrëfim. (Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 97)

Në përgjigje ndaj lutjeve të Jozef Smithit, Zoti dha zbulesën e shënuar te Doktrina e Besëlidhje 28, e cila e sqaroi rolin e pashoq të Jozefit si Profeti i Kishës.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 28:2, 7.

Zoti gjithashtu shpalli se gjërat që kishte shkruar Hajrëm Pejxhi nuk ishin nga Perëndia (shih Doktrina e Besëlidhje 28:11). Pak kohë pasi u dha kjo zbulesë, “shenjtorët hoqën dorë nga zbulesat e Hajrëmit dhe e mbështetën njëzëri Jozefin si të vetmin që mund të merrte zbulesë për kishën” (Saints, 1:98).

Për arsye se profetët e gjallë të Zotit mbajnë çelësat për të marrë zbulesë për Kishën, ata kanë edhe përgjegjësinë për të dhënë mësim dhe për ta sqaruar doktrinën për anëtarët e Kishës. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na ka mësuar:

Plaku D. Tod Kristoferson

“Në Kishë sot, ashtu si edhe në Kishën e hershme, vendosja e doktrinës së Krishtit ose korrigjimi i shmangieve doktrinore është çështje e zbulesës hyjnore për ata që Zoti u jep autoritetin e një Apostulli. …

Ata kanë të drejtën, fuqinë dhe autoritetin për t’u shpallur mendjen dhe vullnetin e Perëndisë njerëzve të Tij, në varësi të fuqisë së plotë dhe autoritetit të Presidentit të Kishës. …

Si ua zbulon Shpëtimtari vullnetin dhe doktrinën e Tij profetëve, shikuesve e zbuluesve? Ai mund të veprojë nëpërmjet një lajmëtari ose personalisht. Ai mund të flasë me zërin e Tij ose nëpërmjet zërit të Frymës së Shenjtë … (shih 1 Nefi 17:45; Doktrina e Besëlidhje 9:8). Ai mund t’u drejtohet Vetë shërbëtorëve të Tij një e nga një ose si këshill (shih 3 Nefi 27:1–8). …

… Duhet mbajtur mend se jo çdo deklarim i bërë nga një udhëheqës i Kishës, në të shkuarën ose në të tashmen, është detyrimisht doktrinë. Është përgjithësisht e kuptueshme në Kishë se një deklarim i bërë nga një udhëheqës mbi një rast të vetëm, shpesh përfaqëson një opinion vetjak, sado që është i menduar mirë, që nuk është e thënë të jetë zyrtar ose i detyrueshëm për të gjithë Kishën.” (D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 86–88)

Plaku Andersen shpjegoi se doktrina e vërtetë jepet mësim vazhdimisht nga profetët e zgjedhur, të gjallë të Zotit:

“Disa e vënë në dyshim besimin e tyre, kur gjejnë një thënie të një udhëheqësi të Kishës dekada më parë, që duket në mospajtim [mospërputhje] me doktrinën tonë. Ekziston një parim i rëndësishëm që qeveris doktrinën e Kishës. Doktrina jepet mësim nga të 15 pjesëtarët e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Ajo nuk fshihet në një paragraf të turbullt të një bisede. Parimet e vërteta jepen mësim shpesh e nga shumëkush. Doktrina jonë nuk është e vështirë për t’u gjetur.” (Nil L. Andersen, “Prova e Besimit Tuaj”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 41)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë bekimesh ju kanë ardhur në jetën tuaj kur i keni ndjekur mësimet dhe këshillën e profetëve të Zotit në kohën tonë?