Instituti
Mësimi 23 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Misioni Profetik dhe Martirizimi i Jozef Smithit


“Mësimi 23 Materiali i Përgatitjes së Klasë: Misioni Profetik dhe Martirizimi i Jozef Smithit”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 23 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 23 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Misioni Profetik dhe Martirizimi i Jozef Smithit

Vëllai Jozef, nga David Lindsley

Mendoni për njerëz në shkrimet e shenjta të cilët qenë të gatshëm të sakrifikonin jetën e tyre për të bërë vullnetin e Zotit. Çfarë ju mësojnë sakrifica të tilla rreth dëshmisë dhe bindjes së këtyre njerëzve? Teksa studioni misionin dhe martirizimin e Profetit Jozef Smith, mendoni rreth mënyrës se si ndihmesat dhe trashëgimia e tij kanë ndikuar në jetën tuaj.

Pjesa 1

Çfarë ngjarjesh çuan në burgosjen e Profetit Jozef Smith në burgun e Karthixhit?

“Jozefi dhe Hajrëmi kanë vdekur. [Xhon] Tejlori i plagosur. … Unë jam mirë.” Këto fjalë janë një pjesë e mesazhit që Uillërd Riçardsi u dërgoi Ema Smithit dhe shenjtorëve të tjerë në Navu pak orë pasi Jozef dhe Hajrëm Smithi u vranë mizorisht në burgun e Karthixhit në mbrëmjen e 27 qershorit 1844 (Willard Richards letter, Carthage Jail, 27 qershor 1844, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt‑Lejk‑Siti). Përfytyroni mendimet dhe ndjenjat që mund të kenë pasur Ema dhe shenjtorët teksa i lexuan këto fjalë.

Ndikimi politik dhe ekonomik në rritje i shenjtorëve u pa si një kërcënim nga komunitetet fqinje. Në verën e vitit 1844, kundërshtimi ndaj Jozef Smithit dhe Kishës ishte shtuar shumë. Disa njerëz që ishin larguar nga Kisha, komplotuan që ta ndiznin opinionin publik kundër Profetit. Disa qytetarë në Ilinois po diskutonin që t’i dëbonin shenjtorët nga shteti, ndërkohë që të tjerë komplotuan për ta vrarë Profetin.

“Më 10 qershor 1844, Jozef Smithi, që ishte kryetari i bashkisë në Navu, dhe këshilli i qytetit të Nauvusë, urdhëruan shkatërrimin e gazetës Nauvoo Expositor dhe të shtypshkronjës ku shtypej ajo. Nauvoo Expositor ishte një gazetë antimormone që shpifte për Profetin e shenjtorë të tjerë dhe bënte thirrje për shfuqizimin e Kartës së Navusë. Zyrtarët e qytetit kishin frikë se ky botim do të çonte në veprime të turmës. Si rezultat i veprimit të kryetarit të bashkisë dhe këshillit të qytetit, autoritetet e Ilinoisit bënë një padi të pabazuar për rebelim kundër Profetit, vëllait të tij, Hajrëmit, dhe zyrtarëve të tjerë të qytetit të Navusë. Guvernatori i Ilinoisit, Tomas Ford, i urdhëroi burrat që të paraqiteshin në gjyqi në Karthixh të Ilinoisit, qendra e kontesë, dhe u premtoi mbrojtje. Jozefi e dinte se po të shkonte në Karthixh, jeta e tij do të ishte në rrezik të madh prej turmave që po e kërcënonin atë. …

… Më 24 qershor, Jozef dhe Hajrëm Smithi u lanë lamtumirën familjeve të tyre dhe kalëruan bashkë me zyrtarë të tjerë të qytetit të Navusë drejt Karthixhit.” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 563–565)

Plotësojeni njërën ose të dyja veprimtaritë vijuese:

  1. Shikoni materialin filmik “Ministry of Joseph Smith: Sealed His Testimony with His Blood” [“Shërbesa e Jozef Smithit: E Vulosi Dëshminë e Tij me Gjakun e Tij”] (1:14).

  2. Studioni atë që ka mbetur nga pjesa 1.

Teska Profeti udhëtonte me të tjerët drejt Karthixhit, ai profetizoi për martirizimin e tij.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Studioni vargun te Doktrina e Besëlidhje 135:4.

Jozefi dhe Hajrëmi “iu dorëzua[n] vullnetarisht zyrtarëve të kontesë në Karthixh një ditë më vonë. Pasi vëllezërit u liruan me kusht për akuzën fillestare, ata i akuzuan pa të drejtë për tradhti kundër shtetit të Ilinoisit, i arrestuan dhe i burgosën në burgun e Karthixhit në pritje për t’i dëgjuar në gjyq. Pleqtë Xhon Tejlor dhe Uillard Riçards, të vetmit anëtarë të Të Dymbëdhjetëve që në atë kohë nuk po shërbenin misione, u bashkuan vullnetarisht me ta” (Mësimet: Jozef Smith, f. 565).

pamje nga jashtë e burgut të Karthixhit

Pjesa 2

Çfarë ndodhi në burgun e Karthixhit?

Plotësojeni njërën ose të dyja veprimtaritë vijuese:

  1. Shikoni materialin filmik “Joseph Smith—Prophet of the Restoration” [“Jozef Smithi – Profeti i Rivendosjes”], që përshkruan skenën e vdekjes së Jozefit dhe Hajrëmit, nga kodi kohor 0:00 deri te 3:20.

  2. Lexoni tregimet vijuese nga Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days [Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme]:

“Koha kalonte ngadalë në burgun e Karthixhit atë pasdite. Në nxehtësinë e verës, burrat i hoqën xhaketat e tyre dhe hapën dritaret që të linin të hynte puhiza. Jashtë, tetë burra … ruanin burgun ndërkohë që pjesa tjetër e milicëve kishte pushuar aty pranë. Një rojë tjetër ishte ulur pikërisht në anën tjetër të derës.

pamje nga brenda e burgut të Karthixhit

Stefën Markëmi, Den Xhonsi dhe të tjerë po kryenin disa punë për Jozefin. Nga burrat që kishin qëndruar atje natën e shkuar, vetëm Uillard Riçardsi dhe Xhon Tejlori ende ishin me Jozefin e Hajrëmin. Më herët atë ditë, vizitorët u kishin futur fshehurazi të burgosurve dy pistoleta – një revolver që mbante gjashtë plumba dhe një pistoletë me një plumb të vetëm – në rast se kishte ndonjë sulm. Stefani gjithashtu kishte lënë pas një shkop të fortë ecjeje që ai e quante ‘goditësi i mistrecëveʼ.

Për ta lehtësuar gjendjen shpirtërore dhe për të kaluar kohën, Xhoni këndoi një himn britanik. …

[Pak kohë pasi Xhon Tejlori e këndoi himnin për herën e dytë] të burgosurit dëgjuan një shushurimë te dera dhe zhurmën e tri ose katër goditjeve me armë. Uillardi hodhi vështrimin nga dritarja e hapur dhe pa njëqind burra poshtë, me fytyrat e tyre të nxira me baltë dhe pluhur plumbash, që po hynin me furi në burg. Jozefi rrëmbeu njërën nga pistoletat ndërkohë që Hajrëmi kapi tjetrën. … Që të katër burrat u shtynë drejt derës ndërkohë që turma u ngjit me nxitim shkallëve dhe ata u përpoqën të hynin me forcë brenda.

Zjarri i armëve u dëgjua nëpër shkallë ndërsa turma qëllonte derën. … [Një] plumb kaloi përmes drurit duke shpërthyer. E goditi Hajrëmin në fytyrë dhe ai u kthye, që të largohej nga dera duke u penguar. Një plumb tjetër e goditi në pjesën e poshtme të kurrizit. …

‘Vëlla Hajrëm!ʼ – thirri Jozefi. Duke mbërthyer revolen me gjashtë plumba, ai hapi dritaren pak centimetra dhe qëlloi një herë. Më shumë plumba fluturuan në dhomë dhe Jozefi qëlloi kuturu drejt turmës ndërkohë që Xhon [Tejlori] përdori një bastun që të godiste tytat e armëve dhe bajonetave që u shtynë përmes derës.

Askush s’Ka Dashuri më të Madhe, nga Casey Childs

Pasi revolveri i Jozefit nuk u shkrep dy ose tri herë, Xhoni vrapoi drejt dritares dhe u përpoq të ngjitej në parvazin e thellë të saj. Një plumb fluturoi përmes dhomës dhe e goditi në këmbë, duke ia humbur drejtpeshimin. Trupi i tij u mpi dhe ai u përplas te parvazi i dritares, duke e shtypur orën në xhep në orën pesë e gjashtëmbëdhjetë minuta.

‘Më goditën!ʼ – thirri ai.

Xhoni u zvarrit përmes dyshemesë dhe u rrokullis nën shtrat ndërkohë që turma qëllonte përsëri e përsëri. Një plumb me forcë hyri në ijën e tij, duke shqyer një copë mishi. Dy plumba të tjerë e goditën në kyçin e dorës dhe në kockën mbi gju.

Nga ana tjetër e dhomës, Jozefi dhe Uillardi u përpoqën ta vendosnin tërë peshën e tyre kundrejt derës ndërkohë që Uillardi i godiste për t’i larguar tytat dhe bajonetat përpara tij. Papritur, Jozefi e hodhi revolverin e tij në dysheme dhe u turr drejt dritares. Teksa pushtoi parvazin e dritares, dy plumba e goditën në shpinë. Një tjetër plumb kaloi me potere përmes dritares dhe e përshkoi nën zemër.

‘O Zot, Perëndia imʼ, – thirri ai. Trupi i tij u anua përpara dhe ai u rrëzua me kokë jashtë dritares.

Uillardi vrapoi me nxitim përmes dhomës dhe e nxori kokën jashtë ndërsa sferat prej plumbi vërshëllyen pranë tij. Më poshtë ai pa turmën që u mblodh mizëri përreth trupit të gjakosur të Jozefit. …

Jozef Smithi, profeti dhe shikuesi i Zotit, kishte vdekur.” (Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll 1, The Standard of Truth, 1815–1846 [2018], f. 548–552; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 135:1–2)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Cilat janë mendimet dhe ndjenjat tuaja kur merrni parasysh sakrificën që Jozef dhe Hajrëm Smithi ishin të gatshëm të bënin për dëshmitë e tyre për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit?

Pjesa 3

Si e ka bekuar jetën tuaj misioni profetik i Jozef Smithit?

Nën drejtimin e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, një shpallje e shkruar e martirizimit u përgatit nisur nga rrëfimet e dëshmitarëve okularë, Plakut Xhon Tejlor dhe Plakut Uillard Riçards. Kjo shpallje tani shënohet si Doktrina e Besëlidhje 135.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Studioni vargun te Doktrina e Besëlidhje 135:3. Merreni parasysh t’i shenjoni fjalët dhe frazat që ju duken të rëndësishme.

ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Mendoni rreth dëshmisë suaj për Profetin Jozef Smith dhe mënyrat se si misioni i tij profetik e ka ndikuar dhe bekuar jetën tuaj. Merreni parasysh të shenjoni mendimet tuaja në ditarin tuaj.