Instituti
Mësimi 26 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Kisha në Perëndim


“Mësimi 26 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Kisha në Perëndim”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 26 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Gravurë e Solt-Lejk-Sitit në vitin 1853, nga Frederick Piercy

Gravurë e Solt-Lejk-Sitit në vitin 1853, nga Frederick Piercy

Mësimi 26 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Kisha në Perëndim

Shenjtorët që u mblodhën në luginën e Solt-Lejkut të Madh dhe në krahinat përreth, përjetuan sfida të ndryshme pas mbërritjes së tyre. Ndër to përfshihej moti i ashpër, karkalecat që hanin të lashtat, thatësira dhe uria. Sidoqoftë, Brigam Jangu “nuk shqetësohej aq shumë për rritjen e të lashtave dhe fitimin e parave, sesa shqetësohej që t’i ndihmonte njerëzit e tij për t’u bërë një komb i shenjtë.

Ai e dinte nga përvoja se ata do të forcoheshin nga puna e shumtë dhe marrja e përgjegjësisë. ‘Ky është një vend i mirë për të brumosur shenjtorë’, i tha ai një bashkësie anëtarësh në Solt-Lejk-Siti në vitin 1856 (DNW [Deseret News Weekly], 10 shtator 1856, f. 5)” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 9). Shumica e shenjtorëve shfaqën besim të madh te Zoti gjatë këtyre viteve të hershme, pavarësisht nga këto sprova. Për fat të keq, kjo periudhë në historinë e Kishës përfshin edhe tragjedinë e Masakrës së Livadheve Malore, nga e cila mund të nxjerrim mësime të rëndësishme që mund t’i zbatojmë në kohën tonë.

Pjesa 1

Çfarë mund të mësoj nga shenjtorët e hershëm pionierë rreth shërbimit ndaj Zotit dhe ndërtimit të mbretërisë së Tij sot?

Gjatë dimrit të vështirë të vitit 1848–1849, kur moti ishte i ftohtë dhe ushqimi ishte i paktë, disa shenjtorë donin të shkonin drejt Kalifornisë dhe minierave të arit. Presidenti Brigam Jang profetizoi:

Presidenti Brigam Jang

“Disa njerëz më kanë kërkuar që të shkojnë [në Kaliforni]. U kam thënë atyre se Perëndia e ka caktuar këtë vend [Pellgun e Madh Ujor] për mbledhjen e shenjtorëve të tij dhe ju do të jeni më mirë këtu sesa po të shkoni te minierat e arit. … Perëndia ma ka treguar se ky është vendi ku do të vendosen njerëzit e Tij dhe këtu është vendi ku do të begatohen; … Perëndia do ta zbutë klimën dhe ne do të ndërtojmë në këtë vend një qytet dhe një tempull për Më të Lartin Perëndi. Do t’i shtrijmë kolonitë tona drejt lindjes dhe perëndimit, drejt veriut dhe drejt jugut dhe do të ndërtojmë qyteza dhe qytete ku qindra e mijëra shenjtorë do të mblidhen nga kombet e tokës.” (Në James S. Brown, Life of a Pioneer: Being the Autobiography of James S. Brown [1900], f. 121–122)

Në kohën kur vdiq Brigam Jangu në vitin 1877, shenjtorët e ditëve të mëvonshme e panë përmbushjen e mrekullueshme të kësaj profecie. Besimi i tyre te Zoti dhe profeti i Tij frymëzuan 60 000 deri në 70 000 shenjtorë pionierë që të imigronin drejt luginës së Solt-Lejkut, ku ata themeluan rreth 350 deri 400 komunitete në Jutë, Arizonë, Kaliforni, Ajdaho, Nevadë dhe Uajomi.

Fondi i Qarkullueshëm i Emigrimit që u ngrit për t’u ardhur në ndihmë imigrantëve të varfër shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ndihmoi në financimin për udhëtimin e 30 000 shenjtorëve nga Ishujt Britanikë, Skandinavia, Zvicra, Gjermania dhe Holanda. Misionarët e predikuan ungjillin e Jezu Krishtit në mbarë botën. Shenjtorët ia përkushtuan kohën e tyre ndërtimit të tempujve në Solt-Lejk-Siti, Logan dhe në Seint-Xhorxh. Më e rëndësishmja, shenjtorët lanë një trashëgimi besimi, sakrifice dhe përkushtimi të paepur ndaj kauzës së Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur. (Shih “Brigham Young”, Newsroom Topics, newsroom.churchofjesuschrist.org.)

Zgjidhni një nga rrëfimet vijuese të shenjtorëve besnikë që u mblodhën në Jutë në ditët e hershme të Kishës. Lexojeni rrëfimin dhe ejani të përgatitur në klasë për të treguar mësime ose parime që i mësuat prej tij rreth shërbimit ndaj Zotit dhe ndërtimit të mbretërisë së Tij sot.

Lusi Misërv Smith

Lexoni rreth dhembshurisë së Lusi Misërv Smithit dhe grave të tjera shenjtore të ditëve të mëvonshme që u dhanë ndihmë pionierëve me karroca dore, në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 36–37. Niseni me paragrafin që fillon me “Lusi Misërv Smithi, për shembull, udhëhoqi një grup … ” dhe lexojeni deri në fund të kapitullit.

Xhon Mojli

Lexojeni tregimin frymëzues të Xhon Mojlit, i cili udhëtoi drejt Solt-Lejkut që të punonte çdo javë tek tempulli, pavarësisht se kishte humbur këmbën në një aksident, në bisedën e Diter F. Uhtdorfit “Ngrini Atje Ku Ndodheni” (Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 55–56). Lexoni pjesën që titullohet: “Shembulli i Xhon Roui Mojlit”.

Ose shihni materialin filmik “Only a Stonecutter” (15:00).

2:3

Xhozef Milleti

Lexoni rreth gatishmërisë së Xhozef Milletit për t’i dhënë miell një burri që ishte dërguar tek ai nga Zoti: Boyd K. Packer, “A Tribute to the Rank and File of the Church”, Ensign, maj 1980, f. 63. Niseni me paragrafin që fillon: “Më lejoni të citoj nga ditari i Xhozef Milletit … ” dhe mbylleni me paragrafin që fillon: “Zoti e njihte Xhozef Milletin”.

Ose shikoni materialin filmik “The Joseph Millett Story” (6:14).

2:3

Çarls Uolkeri dhe Çarls Riçi

Lexoni rreth besimit të dy burrave dhe familjeve të tyre që iu përgjigjën thirrjes për të ngritur koloni të reja për mbledhjen e shenjtorëve, në Trashëgimia Jonë: Një Histori e Shkurtër e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme (1996), f. 88–89. Lexoni nga faqja 88, duke e nisur me paragrafin që fillon: “Në mbledhjet e konferencës së përgjithshme, Presidenti Jang … ” dhe duke e mbyllur me paragrafin në faqen 89 që fillon: “Ka pasur shumë mundime …”.

Pjesa 2

Çfarë gjëje çoi në Masakrën e Livadheve Malore?

Gjatë viteve 1850, mosmarrëveshjet dhe mungesa e komunikimit çuan në një acarim të shtuar midis shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe zyrtarëve të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Duke besuar gabimisht se shenjtorët po bënin kryengritje, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhejms Bjukenën, dërgoi 1 500 trupa në Solt-Lejk-Siti për ta shtypur kryengritjen e supozuar.

Në predikimet drejtuar shenjtorëve, Presidenti Jang dhe udhëheqës të tjerë të Kishës i përshkruan trupat që po afroheshin si armiq. Ata patën frikë që trupat mund t’i dëbonin shenjtorët nga Territori i Jutës, siç i kishin dëbuar më parë nga Ohajoja, Misuri dhe Ilinoisi. Presidenti Jang i udhëzoi shenjtorët të kursenin drithëra që të kishin ushqime për të ngrënë nëse do t’u nevojitej të largoheshin prej trupave. Si guvernator i Territorit të Jutës, ai gjithashtu e udhëzoi milicinë që të përgatitej për ta mbrojtur territorin. Për të shmangur gjakderdhjen, pjesa tjetër e shenjtorëve u përgatit që t’i linin shtëpitë dhe tokat e tyre dhe t’i shkatërronin nëse ishte e nevojshme.

Gjatë kësaj kohe, një karvan karrosh me emigrantë që udhëtonin drejt perëndimit nga Arkanzasi për në Kaliforni, hynë në Jutë. Disa pjesëtarë të karvanit të karrove u mërzitën ngaqë e patën të vështirë t’ua blinin shenjtorëve drithërat e domosdoshme.

harta e Masakrës së Livadheve Malore

Gjendja e tensionuar u përshkallëzua në Sidër-Siti, kolonia e fundit në Jutë rrugës për në Kaliforni. Ndodhën përleshje fizike dhe disa anëtarë të karvanit të karrove kërcënuan se do të bashkoheshin me trupat në ardhje të qeverisë kundër shenjtorëve. Pasi kompania e karrove u largua nga qyteti, disa nga kolonët dhe udhëheqësit në Sidër-Siti deshën t’i ndiqnin dhe t’i ndëshkonin burrat që i kishin kërcënuar e fyer ata.

Isak Heiti, kryetari i bashkisë së Sidër-Sitit, major i milicisë dhe president i kunjit, kërkoi leje nga Uilliam Dejmi, komandanti i milicisë në koloninë aty pranë të Parouanit, që të thërriste milicinë dhe të ballafaqohej me njerëzit që i kishin fyer nga karvani i karrove. Sidoqoftë, Dejmi ua mohoi kërkesën atyre dhe i udhëzoi që t’i shpërfillnin kërcënimet e emigrantëve.

Në vend që ta ndiqnin këtë udhëzim, Isak Heiti dhe udhëheqës të tjerë në Sidër-Siti planifikuan që t’ua mbushnin mendjen indianëve pajutë vendas që ta sulmonin karvanin e karrove, t’ua vidhnin gjedhët dhe t’i vrisnin disa nga burrat ose të gjithë ata. Heiti i kërkoi Xhon D. Lisë, një anëtari vendor të Kishës dhe major i milicisë, që t’i udhëhiqte indianët pajutë në këtë sulm. Ata thurën plane t’ua hidhnin fajin indianëve pajutë për aktin.

Isak Heiti ia paraqiti planin e tij një këshilli të udhëheqësve vendorë të Kishës, komunitetit dhe milicisë. Disa anëtarë të këshillit prerazi nuk u pajtuan me planin e Heitit dhe e pyetën a ishte këshilluar me Presidentin Brigam Jang. Duke thënë se nuk ishte këshilluar, Heiti ra dakord të dërgonte një lajmëtar për në Solt-Lejk-Siti me një letër që shpjegonte gjendjen dhe pyeste se çfarë duhej bërë. Do të duhej rreth një javë që lajmëtari të arrinte në Solt-Lejk-Siti dhe të kthehej me udhëzimet e Presidentit Jang.

Por pak kohë përpara se lajmëtari të nisej, Xhon D. Lija dhe një grup indianësh e sulmuan përpara kohe kampin e emigrantëve në një vend të quajtur Livadhet Malore. Lija u përpoq ta bënte të dukej sikur qenë të përfshirë vetëm indianët vendas. Disa prej emigrantëve u vranë ose u plagosën dhe pjesa e mbetur luftuan kundër sulmuesve, duke i detyruar Linë dhe indianët të tërhiqeshin. Emigrantët i tërhoqën shpejt karrot e tyre shtrënguar në një rreth, për mbrojtje.

Në një rast, milicët e Sidër-Sitit u panë nga dy burra emigrantë. Milicët qëlluan mbi ta, duke e vrarë njërin. Burri tjetër shpëtoi.

Në përpjekje për ta ndalur përhapjen e lajmit që anëtarët e Kishës ishin përfshirë në sulme, Isak Heiti, Xhon D. Lija dhe udhëheqës të tjerë vendorë të Kishës e të milicisë bënë një plan që t’i vrisnin të gjithë emigrantët e mbetur, me përjashtim të fëmijëve të vegjël. “Ata kërkuan sërish lejen e Dejmit për t’i bërë thirrje milicisë dhe Dejmi mblodhi sërish një … këshill, i cili vendosi se duhej të dërgoheshin burra për t’i ndihmuar emigrantët e rrethuar që ta vazhdonin në paqe udhën e tyre. Heiti më vonë me keqardhje tha: ‘Do të jepja një botë po ta kisha, nëse do t’i ishim përmbajtur vendimit të këshillit!’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 18).

Pas mbledhjes së këshillit, Isak Heiti ia doli mbanë ta bindte Dejmin ta mendonte sërish vendimin e këshillit dhe Heiti u largua duke besuar se e kishte lejen që ta përdorte milicinë për ta vënë në zbatim planin. Xhon D. Lija iu afrua emigrantëve me një flamur të bardhë armëpushimi dhe u tha se milicia do t’i mbronte nga sulmet e mëtejshme duke u rrëfyer udhën për t’u kthyer të sigurt në Sidër-Siti.

Ndërsa emigrantët po ecnin drejt Sidër-Sitit, milicët u kthyen dhe qëlluan mbi ta. Disa indianë, të rekrutuar nga kolonët, u vërsulën nga vendet e fshehjes për t’u bashkuar me sulmin. Nga rreth 140 emigrantë që ishin pjesë e karvanit të karrove, u kursyen vetëm 17 fëmijë të vegjël.

Dy ditë pas masakrës, erdhi përgjigjja e Presidentit Jang me udhëzimin që ta lejonin karvanin e karrove të largohej në paqe. “Kur Heiti i lexoi fjalët e [Presidentit] Jang, ai derdhi lot si fëmijë dhe mundi të thoshte vetëm fjalët: ‘Shumë vonë, shumë vonë’” (Richard E. Turley Jr., “The Mountain Meadows Massacre”, Ensign, shtator 2007, f. 20).

Zgjedhjet e disa prej udhëheqësve dhe kolonëve të Kishës në territorin jugor të Jutës çuan në Masakrën tragjike të Livadheve Malore. Në dallim nga kjo, udhëheqësit e Kishës dhe të territorit në Solt-Lejk-Siti e zgjidhën mosmarrëveshjen me qeverinë e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet bisedimeve paqësore dhe negociatave në vitin 1858. Gjatë këtij konflikti – më vonë i quajtur Lufta e Jutës – trupat e Shteteve të Bashkuara dhe milicët e Jutës u përfshinë në veprime sulmi, por kurrë në betejë.

vendi përkujtimor i Masakrës së Livadheve Malore

Në lidhje me vendin përkujtimor të Masakrës së Livadheve Malore më 11 shtator 2007, Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tha:

Presidenti Henri B. Ajring

“Ungjilli i Jezu Krishtit që ne përkrahim, e urren vrasjen gjakftohtë të burrave, grave dhe fëmijëve. Në të vërtetë, ai përkrah paqen dhe faljen. Ajo që u bë këtu shumë kohë më parë nga anëtarë të Kishës sonë, përfaqëson një shkëputje të tmerrshme dhe të pashfajësueshme nga mësimet dhe sjellja e krishterë. …. Ne shprehim keqardhje të thellë për masakrën e kryer në këtë luginë … dhe për vuajtjen e papranueshme e të parrëfyer që përjetuan viktimat në atë kohë dhe të afërmit e tyre deri në kohën e sotme.” (Henry B. Eyring, “150th Anniversary of Mountain Meadows Massacre”, newsroom.ChurchofJesusChrist.org)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Cilat janë disa mësime që mund tʼi marrim nga zgjedhjet e tmerrshme që çuan në Masakrën e Livadheve Malore? Lexoni te Fjalët e Urta 28:13 dhe 3 Nefi 12:24–25, 43–44 dhe përcaktoni parime që po të ishin zbatuar, mund ta kishin parandaluar këtë tragjedi. Merreni në shqyrtim se si të jetuarit e këtyre parimeve mund ta parandalojë lëndimin e panevojshëm ose tragjedinë në vetë jetën tuaj.