“Mësimi 27 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Zbulesa mbi Priftërinë”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 27 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 27 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Zbulesa mbi Priftërinë
A e keni menduar ndonjëherë me vete apo ju është kërkuar të shpjegoni se përse shenjtorëve të ditëve të mëvonshme me prejardhje afrikane zezake iu vu kufizim për njëfarë kohe që të shuguroheshin në priftëri dhe të merrnin ordinancat e tempullit? Teksa studioni, përcaktoni atë që e dimë dhe atë që nuk e dimë rreth kufizimeve të priftërisë dhe të tempullit. Kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë ta kuptoni më mirë këtë temë dhe t’ua shpjegoni të tjerëve në një mënyrë të saktë dhe besnike.
Pjesa 1
Çfarë dimë për zanafillën e kufizimeve të priftërisë dhe të tempullit?
“Libri i Mormonit na mëson se ‘të gjithë janë njësoj para Perëndisë’ duke përfshirë ‘të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra’ (2 Nefi 26:33). Gjatë historisë së Kishës, njerëz të çdo race dhe etnie në shumë vende janë pagëzuar dhe kanë jetuar si anëtarë besnikë të Kishës. Gjatë kohës kur jetoi Jozef Smithi, disa anëtarë meshkuj zezakë të Kishës u shuguruan në priftëri. Herët në historinë e saj, udhëheqësit e Kishës ua ndaluan dhënien e priftërisë meshkujve zezakë me prejardhje afrikane. Analet e Kishës nuk japin ide të qarta lidhur me zanafillën e kësaj praktike” (hyrje në Deklaratën Zyrtare 2).
Gjatë kësaj kohe, burrat dhe gratë zezake kishin kufizime gjithashtu në marrjen e ordinancave të tempullit, por prapë lejoheshin të pagëzoheshin dhe të merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë. Edhe pse nuk dihet shumë rreth zanafillës së kufizimeve të priftërisë dhe të tempullit, profetë të ditëve të mëvonshme, përfshirë Brigam Jangun, Dejvid O. Mek-Kein dhe Harold B. Linë, dhanë mësim se do të vinte koha kur të gjithë anëtarët e denjë të Kishës, pavarësisht nga raca, do të mund t’i merrnin të gjitha bekimet e ungjillit (shih “The Long-Promised Day”, Ensign, qershor 2018, f. 34).
Me kalimin e kohës, disa udhëheqës dhe anëtarë të Kishës sugjeruan arsye se përse u vendosën kufizimet e priftërisë dhe të tempullit. Sidoqoftë, këto thënie u dhanë si opinione dhe nuk përfaqësojnë doktrinën e Kishës.
Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, i cili nuk ishte ende Apostull në kohën kur u hoqën kufizimet e priftërisë dhe të tempullit, shprehu ndjenjat e tij përpara se të merrej zbulesa për heqjen e atyre kufizimeve:
“Unë pashë dhembjen dhe zhgënjimin që përjetuan ata, të cilët i përjetuan këto kufizime dhe ata që … kërkonin arsye [për to]. I studiova arsyet që po jepeshin në atë kohë, dhe nuk mund ta ndieja pohimin e së vërtetës për asnjërën prej tyre. Si pjesë e studimit tim plot lutje, mësova se, në përgjithësi, Zoti rrallëherë jep arsye për urdhërimet dhe udhëzimet që Ai ua jep shërbëtorëve të Tij. Vendosa të jem besnik ndaj udhëheqësve tanë profetikë dhe të lutem – siç është premtuar që nga fillimi i këtyre kufizimeve – se do të vinte dita kur të gjithë do t’i gëzonin bekimet e priftërisë dhe të tempullit.” (“President Oaks Remarks at Worldwide Priesthood Celebration”, Be One – A Celebration of the Revelation on the Priesthood, 1 qershor 2018, newsroom.ChurchofJesusChrist.org)
Pjesa 2
Çfarë rrethanash çuan drejt zbulesës nga Zoti për shtrirjen e priftërisë tek çdo anëtar i denjë mashkull i Kishës dhe të bekimeve të tempullit për të gjithë anëtarët e denjë?
Në vitin 1964, Xhozef Uilliam Billi Xhonsoni nga Bregu i Kepit në Ganë fitoi një dëshmi për ungjillin e rivendosur pasi lexoi Librin e Mormonit dhe materiale të tjera të Kishës që ia kishin dhënë. Vëllai Xhonson dhe të tjerë që u bashkuan me Kishën, i dërguan letra Presidentit Dejvid O. Mek‑Kei, duke kërkuar që të dërgoheshin misionarë në Afrikë për ta pagëzuar atë dhe njerëz të tjerë, me të cilët ai kishte folur për ungjillin. Presidenti Mek‑Kei u ktheu përgjigje se misionarët do të dërgoheshin “në kohën e duhur të Zotit”, por deri sa koha të vinte, Vëllai Xhonson duhej të vazhdonte ta studionte ungjillin dhe t’i ndihmonte bashkëbesimtarët e tij (në E. Dale LeBaron, “Steadfast African Pioneer”, Ensign, dhjetor 1999, f. 45–49).
Edhe pse nuk kishte asnjë mundësi që Vëllai Xhonson të pagëzohej në atë kohë, ai dhe disa njerëz të tjerë e përhapën me zell mesazhin e ungjillit në Ganë për shumë vite. Vëllai Xhonson organizoi një numër bashkësish me besimtarë dhe i udhëzonte ata të agjëronin rregullisht, ku në të cilin kërkonin në lutje që misionarët të vinin në vendin e tyre dhe ta themelonin Kishën mes tyre (shih Elizabeth Maki, “‘A People Prepared’: West African Pioneer Preached the Gospel before Missionaries”, history.ChurchofJesusChrist.org).
Ashtu si besimtarët në Ganë, mijëra njerëz të tjerë me prejardhje afrikane zezake fituan dëshmi për ungjillin e rivendosur ndërkohë që puna misionare përhapej në të gjithë tokën gjatë shekullit të 20-të. Udhëheqësit e Kishës u frymëzuan nga besimi i këtyre individëve dhe dëshironin që t’i shtrinin tek ata bekimet e priftërisë dhe të tempullit (shih Deklarata Zyrtare 2).
Presidenti Spenser W. Kimball ndjeu veçanërisht një dëshirë të fortë për të folur mbi kufizimet e priftërisë dhe të tempullit gjatë kohës së tij si President i Kishës. Ai kujtoi:
“E dija se qe përpara nesh diçka që ishte jashtëzakonisht e rëndësishme për shumë prej fëmijëve të Perëndisë. … Ditë pas dite shkova i vetëm dhe me solemnitet e seriozitet të madh në dhomat e sipërme të tempullit dhe atje ofrova shpirtin tim dhe ofrova përpjekjet e mia për të ecur përpara me programin. Unë doja të bëja atë që donte Ai. I fola për këtë Atij dhe i thashë: ‘Zot, unë dëshiroj vetëm atë që është e drejtë. … Ne duam vetëm gjënë që Ti vërtet e do dhe e duam atë kur Ti e do dhe jo më përpara.’ … Zoti ma bëri tepër të qartë se çfarë duhej bërë.” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 238–239)
Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje: “Zbulesa i erdhi Presidentit të Kishës, Spenser W. Kimballit dhe iu pohua udhëheqësve të tjerë të Kishës në tempullin e Solt-Lejkut më 1 qershor 1978” (hyrja te Deklarata Zyrtare 2).
Në shpalljen e tyre publike të zbulesës, Presidenca e Parë tha:
“Ne jemi lutur gjatë dhe plot zell në emër të këtyre, vëllezërve tanë besnikë, duke kaluar shumë orë në Dhomën e Sipërme të Tempullit duke iu përgjëruar Zotit për udhërrëfim hyjnor.
Ai i ka dëgjuar lutjet tona dhe me anë të zbulesës ka pohuar se dita e premtuar prej kaq kohësh ka ardhur, kur çdo burrë besnik, i denjë në Kishë të mund të marrë priftërinë e shenjtë, me fuqi për ta ushtruar autoritetin e saj hyjnor dhe të gëzojë me të dashurit e tij çdo bekim që rrjedh prej saj, duke përfshirë bekimet e tempullit.” (Deklarata Zyrtare 2)
Presidenti Gordon B. Hinkli, i cili ishte anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në kohën kur u mor zbulesa, dëshmoi se çfarë ndjesie ishte në tempull atë ditë:
“U bashkuam në lutje në rrethanat më të shenjta të mundshme. Vetë Presidenti Kimball ishte zëri në atë lutje. … Në dhomë pati një atmosferë të shenjtë dhe të shenjtëruar. Unë vetë, ndjeva sikur u hap një shteg midis fronit qiellor dhe profetit të gjunjëzuar, të përgjëruar të Perëndisë, me të cilin u bashkuan Vëllezërit e tij. Shpirti i Perëndisë ishte atje. Dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, atje, atij profeti i erdhi siguri se gjëja për të cilën ishte lutur, ishte e drejtë. …
Ne të gjithë e dinim se kishte ardhur koha për një ndryshim dhe se vendimi kishte ardhur nga qiejt. Përgjigjja ishte e qartë. Pati unitet të përsosur mes nesh në përvojën tonë dhe në kuptueshmërinë tonë.” (“Priesthood Restoration”, Ensign, tetor 1988, f. 69–70)
Pjesa 3
Çfarë ndikimi pati zbulesa mbi Kishën dhe njerëzit në mbarë botën?
Në mbarim të një dite të vështirë, Vëllai Billi Xhonson pati një ndjenjë detyrimi që ta ndizte radion aty nga mesnata përpara se të shkonte në shtrat. Ndërkohë që mbante vesh, ai dëgjoi lajmin se kufizimi i priftërisë ishte hequr. Ai kujtoi: “U hodha pupthi dhe fillova të qaja dhe të gëzohesha me lot në Zotin se tani është koha që Zoti do të dërgojë misionarë në Ganë dhe në vende të tjera të Afrikës që të merret priftëria. … U lumturova vërtet shumë.” Kur misionarët mbërritën në Ganë, ata gjetën një grup njerëzish që e kishin përqafuar tashmë ungjillin e rivendosur. Vëllai Xhonson bashkë me gati 600 anëtarë të bashkësisë së tij u pagëzuan. “Pasi shërbeu si presidenti i parë i degës së Bregut të Kepit, [Vëllai] Xhonson më tej shërbeu si president distrikti, si misionar me kohë të plotë dhe si patriark i Kunjit të Bregut të Kepit në Ganë” (shih Elizabeth Maki, “‘A People Prepared’: West African Pioneer Preached the Gospel before Missionaries”, history.ChurchofJesusChrist.org).
Për më tepër informacion mund të shikoni materialin filmik “Long-Promised Day” (8:40), i cili përshkruan gëzimin që ndjeu Billi Xhonsoni pasi mësoi për zbulesën mbi shtrirjen e priftërisë tek të gjithë meshkujt e denjë.
Si rezultat i zbulesës që u dha fund kufizimeve të priftërisë dhe të tempullit, misionarët sot e predikojnë ungjillin në shumë vende të Afrikës, që nga ajo kohë janë ndërtuar tempuj në atë kontinent dhe qindra mijëra njerëz me prejardhje afrikane zezake kanë marrë ordinancat e ungjillit për veten dhe paraardhësit e tyre që kanë ndërruar jetë. Sot, anëtarët e Kishës me prejardhje afrikane zezake japin ndihmesa të vyera për Kishën në mbarë botën ndërsa bashkohen me bashkëshenjtorët e tyre dhe përpiqen fort të bëhen “një në Jezu Krishtin” (Galatasve 3:28).