Instituti
Mësimi 21 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Doktrina e Martesës dhe Familjes së Përjetshme


“Mësimi 21 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Doktrina e Martesës dhe Familjes së Përjetshme”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 21 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 21 Materiali i Përgatitjes së Klasës

Doktrina e Martesës dhe Familjes së Përjetshme

çift jashtë tempullit

Presidenti Dallin H. Ouks ka dhënë mësim: “Qëllimi i jetës në vdekshmëri dhe misioni i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është t’i përgatitin bijtë dhe bijat e Perëndisë për vendmbërritjen e tyre të përjetshme – që të bëhemi si prindërit tanë qiellorë” (“Same-Gender Attraction”, Ensign, tetor 1995, f. 7). Teksa studioni doktrinën e martesës dhe familjes së përjetshme, përcaktoni parime që mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se si martesa dhe familja na përgatitin të bëhemi më shumë si Prindërit tanë Qiellorë.

Pjesa 1

Cilat janë qëllimet e martesës në planin e përjetshëm të Perëndisë?

Në vitin 1831 një anëtar i Kishës i pagëzuar së fundmi, i quajtur Liman Kopli, vizitoi Profetin Jozef Smith. Limani më parë kishte qenë anëtar i shejkërve, një sekti fetar që nuk e pranonte martesën dhe besonte që beqaria e plotë (heqja dorë tërësisht nga marrëdhëniet seksuale) ishte forma më e lartë e përkushtimit të krishterë. Pas vizitës së Limanit, Profeti Jozef Smith e pyeti Zotin rreth mësimeve të shejkërve dhe mori zbulesën që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 49. (Mund të jetë e dobishme që ju të lexoni hyrjen për atë seksion.) Merrni parasysh fjalë dhe fraza në fragmentin vijues që na mësojnë doktrinën e Zotit për martesën.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 49:15–17 (shih edhe Jakobi [LiM] 2:27–30).

Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi përse martesa shugurohet nga Perëndia. Merrni parasysh shenjimin e asaj që ju bie në sy prej kësaj thënieje.

“Dy arsye doktrinore detyruese na ndihmojnë të kuptojmë përse martesa e përjetshme është thelbësore në planin e Atit.

Arsyeja 1: Natyrat e shpirtrave të meshkujve dhe të femrave e plotësojnë dhe e përsosin njëri-tjetrin, prandaj burrat dhe gratë janë të caktuar të përparojnë së bashku drejt ekzaltimit. …

… Ndërthurja e pashoqe e aftësive shpirtërore, fizike, mendore dhe emocionale si të meshkujve edhe të femrave, nevojitej për ta vënë në jetë planin e lumturisë. Të vetëm, as burri as gruaja nuk mund t’i përmbushin qëllimet e krijimit të tij apo të saj. …

Arsyeja 2: Sipas planit hyjnor, duhen që të dy, një burrë e një grua, për të sjellë fëmijë në vdekshmëri dhe për të siguruar kushtet më të mira për rritjen dhe edukimin e fëmijëve.

Urdhërimi që iu dha Adamit dhe Evës në lashtësi për t’u shumuar dhe për ta mbushur tokën, mbetet i vlefshëm edhe sot. … Kështu, martesa midis një burri e një gruaje është mënyra e autorizuar përmes së cilës shpirtrat para lindjes hyjnë në vdekshmëri. …

Një shtëpi, me një bashkëshort dhe bashkëshorte që janë të dashur e besnikë, është mjedisi më i mirë në të cilin fëmijët mund të rriten në dashuri e drejtësi dhe në të cilin mund të plotësohen nevojat shpirtërore dhe fizike të fëmijëve. Ashtu siç ndihmojnë tiparet e pashoqe si të meshkujve edhe të femrave në plotësinë e një marrëdhënieje martesore, po ashtu të njëjtat tipare janë jetike për rritjen, edukimin dhe mësimin e fëmijëve.” (David A. Bednar, “Marriage Is Essential to His Eternal Plan”, Ensign, qershor 2006, f. 83–84)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si do ta shpjegonit përse martesa midis një burri dhe një gruaje është thelbësore në planin e Atit Qiellor?

Pjesa 2

Cilat janë disa bekime të një martese të përjetshme?

Në Navu, Jozef Smithi filloi të jepte mësim më gjerësisht doktrinën e martesës së përjetshme. Kjo ishte një doktrinë e re dhe habitëse për shenjtorët. Shumica e tyre besonin se martesa mbaronte me vdekjen.

Jozef dhe Ema Smithi

Një paraqitje e Jozef dhe Ema Smithit, të cilët u vulosën me njëri‑tjetrin për përjetësinë në maj 1843.

Plaku Parli P. Prat, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi mënyrën se si u ndie ai kur Profeti i mësoi për mundësinë e martesës së përjetshme:

“Ishte prej [Jozef Smithit] që mësova se bashkëshortja e gjirit tim mund të më sigurohej për kohën dhe gjithë përjetësinë. … Ishte prej tij që mësova se ne mund t’i forconim këto dhembshuri dhe të rriteshim e të zhvilloheshim në to për tërë përjetësinë; ndërsa përfundimi i bashkimit tonë të pafundmë do të ishin pasardhës aq të shumtë sa yjet e qiellit ose rëra në bregdet. …

Kisha dashuruar më parë, por nuk e dija përse. Por tani dashurova – me një kthjelltësi – një intensitet të një ndjenje të lartësuar, të ekzaltuar.” (Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. [2007], f. 260)

Në vitin 1843, Profeti diktoi zbulesën që tani shënohet te Doktrina e Besëlidhje 132, e cila përfshiu doktrinën e martesës së përjetshme.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoje te Doktrina e Besëlidhje 132:19–20.

Presidenti Rasëll M. Nelson shpjegoi:

“Që të kualifikohemi për jetë të përjetshme, ne duhet të bëjmë një besëlidhje të përjetshme dhe të përhershme me Atin tonë Qiellor [shih Doktrina e Besëlidhje 132:19]. Kjo do të thotë që një martesë në tempull nuk është vetëm midis bashkëshortit e bashkëshortes; ajo përqafon një bashkëpunim me Perëndinë [shih Mateu 19:6]. …

… Kur një familje vuloset në tempull, ajo familje mund të bëhet aq e përjetshme sa dhe vetë mbretëria e Perëndisë [shih Doktrina e Besëlidhje 132:19–20].” (Rasëll M. Nelson, “Martesa Çelestiale”, Ensign ose Liahona, nëntor 2008, f. 92–93)

Bekimet e martesës së përjetshme nuk janë vetëm për jetën pas kësaj. Ata që përpiqen t’i mbajnë besëlidhjet e tyre me besnikëri, mund të gëzojnë bekimet e martesës së përjetshme në këtë jetë gjithashtu. Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:

“Nëse zgjidhni me urtësi dhe nëse jeni zotuar për suksesin e martesës suaj, nuk ka gjë në këtë jetë që t’ju sjellë lumturi më të madhe”. (“Fuqia e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 67)

Disa anëtarë të Kishës kanë pyetje për rrethanat që nuk i bëjnë individët të aftë që të përjetojnë bekimet e martesës dhe familjes së përjetshme tani. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli për këtë çështje:

“T’i shpallim të vërtetat themeltare që lidhen me martesën e familjen, nuk do të thotë që nuk i vlerësojmë ose i pakësojmë sakrificat dhe sukseset e atyre për të cilët gjendja ideale nuk është një realitet i tanishëm. Disave prej jush ju është mohuar bekimi i martesës për arsye që përfshijnë një mungesë të kandidatëve të suksesshëm, tërheqje fizike ndaj së njëjtës gjini, paaftësi fizike apo mendore ose thjesht një frikë ndaj dështimit që, të paktën për çastin, hedh hije mbi besimin. Ose ju u martuat, por ajo martesë mbaroi dhe jeni lënë që t’ia dilni mbanë të vetëm asaj që dy veta së bashku mezi mund t’ia dalin mbanë. Disa prej jush që janë të martuar, nuk mund të lindin fëmijë pavarësisht nga dëshirat mbisunduese dhe lutjet përgjëruese.

… Me vetëbesim ne dëshmojmë se Shlyerja e Jezu Krishtit e ka paraprirë dhe, më së fundi, do ta dëmshpërblejë gjithë mungesën e mundësive dhe humbjen për ata që kthehen tek Ai. Askush nuk është i paracaktuar që të marrë më pak sesa gjithçka që Ati ka për fëmijët e Tij.” (D. Tod Kristoferson, “Përse Martesa, Përse Familja”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 52)

ikonë, diskutoni

Diskutoni në Përgatitje për Orën Mësimore

Të gjitha martesat, veçanërisht ato të përjetshme, kërkojnë përpjekje dhe zotim nga secili bashkëshort. Flisni me pjesëtarët e një çifti të martuar që njihni, të cilët kanë një martesë të fortë e plot dashuri dhe pyetni se çfarë kanë bërë për ta ndërtuar atë. Gjithashtu pyetini se si martesa e tyre, si rrjedhojë, e ka pasuruar jetën e tyre. Jini gati të tregoni atë që mësuat në orën mësimore.

Pjesa 3

Përse duhet ta mbroj doktrinën e Zotit për martesën dhe familjen?

Ndërkohë që vazhdon të shpaloset Rivendosja, Zoti i ka frymëzuar profetët e Tij që ta theksojnë doktrinën e martesës dhe familjes. Në mbledhjen e përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës në shtatorin e vitit 1995, Presidenti Gordon B. Hinkli lexoi dokumentin “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”. Pjesa përfunduese e proklamatës jep mësim arsyen përse duhet ta mbrojmë doktrinën e Zotit për martesën dhe familjen.

“Ne paralajmërojmë se shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë.

Ne u bëjmë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të përgjegjshëm të qeverive kudo që janë të nxisin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë.” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org)

Motra Xhuli B. Bek, ish-Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, shpjegoi nevojën për të studiuar doktrinën e familjes që gjendet te “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”.

“Këtij brezi do t’i bëhet thirrje që ta mbrojë doktrinën e familjes si kurrë më parë. Nëse nuk e dinë, ata nuk mund ta mbrojnë atë. …

Presidenti [Spenser W.] Kimball tha:

‘Shumë prej kufizimeve shoqërore që në të shkuarën kanë ndihmuar për ta përforcuar dhe mbështetur familjen, po shkrihen dhe po zhduken. Koha do të vijë kur vetëm ata që besojnë thellësisht dhe aktivisht te familja, do të jenë në gjendje ta ruajnë familjen e tyre mes mbledhjes së ligësisë përreth nesh’ [Spencer W. Kimball, “Families Can Be Eternal”, Ensign, nëntor 1980, f. 4].” (Julie B. Beck, “Teaching the Doctrine of the Family”, Ensign, mars 2011, f. 17)

Motra Boni L. Oskarson, ish‑Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, dha mësim:

“Ne duhet t’i mbrojmë me guxim doktrinat e zbuluara nga Zoti që përshkruajnë martesën, familjen, rolet hyjnore të burrave e grave dhe rëndësinë e shtëpive si vende të shenjta – madje edhe kur bota bërtet në veshët tanë se këto parime janë të vjetruara, kufizuese dhe nuk kanë më rëndësi. Çdonjëra, pavarësisht nga rrethana e saj martesore apo numri i fëmijëve, mund të jetë mbrojtëse e planit të Zotit të përshkruar në proklamatën mbi familjen. Nëse është plani i Zotit, ai duhet të jetë edhe plani ynë! …

… Le të jemi mbrojtëse të martesës ashtu si Zoti e ka shuguruar atë, ndërsa vazhdojmë të tregojmë dashuri dhe dhembshuri për ata me pikëpamje të ndryshme.” (Boni L. Oskarson, “Mbrojtëse të Proklamatës së Familjes”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 15)

ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Në ditarin tuaj ose në hapësirën e dhënë, shkruani mendimet tuaja rreth mënyrës se si një i ri/e re në moshë madhore mund të jetë një mbrojtës/e i/e martesës dhe familjes. A e keni mbrojtur ndonjëherë doktrinën e martesës? Si ishte përvoja juaj?