“Mësimi 22 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Martesa me Shumë Gra”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 22 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 22 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Martesa me Shumë Gra
Zoti i mësoi Abrahamit se njëri nga qëllimet e vdekshmërisë është t’i “provojë” fëmijët e Perëndisë, “për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” (Abraham 3:25). Disa nga urdhërimet e Perëndisë mund të duken shumë të vështira, veçanërisht kur ato shkojnë kundër normave kulturore ose vetë pritshmërive tona. Teksa studioni, përsiatni atë që ju mund të mësoni nga besimi dhe bindja e jashtëzakonshme e Profetit Jozef Smith dhe shenjtorëve të hershëm ndaj urdhrit të Zotit për të praktikuar martesën me shumë gra.
Pjesa 1
Përse Profeti Jozef Smith dhe shumë prej shenjtorëve të hershëm praktikuan martesën me shumë gra?
Që nga viti 1831, kur Jozef Smithi po punonte për përkthimin e tij të frymëzuar të Dhiatës së Vjetër, ai lutej që të kuptonte përse disa profetë dhe mbretër të lashtë izraelitë praktikonin martesën me shumë gra (shih kreun e seksionit dhe vargun 1 te Doktrina e Besëlidhje 132). Zoti i dha një zbulesë Profetit.
Në vargun 37, fjala konkubinë përdoret për të përshkruar një grua e cila, në kohët e Dhiatës së Vjetër, ishte ligjërisht e martuar me një burrë, por kishte një pozitë shoqërore më të ulët sesa një bashkëshorte. Në periudhën tonë ungjillore, konkubinat nuk ishin pjesë e praktikës së martesës me shumë gra.
Në njëfarë kohe pasi Zoti i zbuloi Jozef Smithit parimin e martesës me shumë gra, Ai e urdhëroi Profetin që ta jetonte këtë parim dhe t’ua mësonte të tjerëve. Ndërkohë që ne nuk i kuptojmë të gjitha qëllimet e Perëndisë për nisjen e martesës me shumë gra, paraqitja e saj ishte pjesë e rivendosjes në ditët e mëvonshme të “të gjitha gjërave” (Doktrina e Besëlidhje 132:40, 45; shih edhe Veprat e Apostujve 3:19–21).
Pjesa 2
Çfarë dimë rreth përvojës së Profetit Jozef Smith me martesën me shumë gra?
Individët pranë Jozef Smithit raportuan se ai u kishte thënë se një engjëll i Perëndisë iu shfaq atij tri herë midis viteve 1834 dhe 1842, duke e urdhëruar të jetonte parimin e martesës me shumë gra. “Prova të pjesshme sugjerojnë se Jozef Smithi veproi sipas urdhrit të parë të engjëllit duke u martuar me një grua të dytë, Feni Alxherin, në Kirtland, Ohajo, në mes të viteve 1830. … Pak njihet rreth kësaj martese dhe asgjë nuk njihet rreth bashkëbisedimeve midis Jozefit dhe Emës për sa i përket Alxherit. Pasi martesa me Fenin përfundoi në ndarje, Jozefi duket se e kishte vënë çështjen e martesës me shumë gra mënjanë, deri pasi Kisha u shpërngul në Navu, Ilinois” (“Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, Gospel Topics, topics.ChurchofJesusChrist.org).
Duke filluar në vitin 1841, Profeti Jozef Smith u martua me gra të tjera që t’i bindej urdhërimit të Zotit dhe ia pararaqiti parimin e martesës me shumë gra një numri të kufizuar të anëtarëve të tjerë të Kishës.
Eliza R. Snou, e cila u vulos me Profetin Jozef Smith dhe më vonë shërbeu si Presidentja e dytë e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, kujtoi:
“Profeti Jozef … e përshkroi përvojën e rëndë sfiduese, mendore, që përjetoi, që ta mposhtte neveritjen e ndjenjave të tij, … lidhur me prezantimin e martesës me shumë gra. Ai e njihte zërin e Perëndisë – ai e dinte se urdhërimi që i dha i Plotfuqishmi, ishte ta vinte në lëvizje. … E dinte se nuk i duhej të luftonte dhe të kapërcente vetëm paragjykimet dhe mendimet [bindjet fetare] e veta, por ato të mbarë botës së krishterë, që po e shihte drejt e në sy; por Perëndia, që është mbi të gjithë, e kishte dhënë urdhërimin dhe Ai duhej të bindej.” (Eliza R. Snow, në Biography and Family Record of Lorenzo Snow [1884], f. 69)
Një nga arsyet përse kuptueshmëria jonë mbi praktikën e Jozef Smithit për martesën me shumë gra është e kufizuar, është që ai dhe të tjerët që e praktikuan martesën me shumë gra në Navu, rrallë e përmendën atë në analet e shkruara. Shumë hollësi të praktikës së martesës me shumë gra u mbajtën të fshehta dhe analet historike thjesht nuk japin përgjigje për të gjitha pyetjet tona.
Nga një ese mbi Gospel Topics [Temat e Ungjillit] rreth martesës me shumë gra mësojmë:
“Gjatë epokës në të cilën u praktikua martesa me shumë gra, shenjtorët e ditëve të mëvonshme bënë dallimin midis vulosjeve për kohën e përjetësinë dhe vulosjeve vetëm për përjetësinë. Vulosjet për kohën dhe përjetësinë përfshinin zotime dhe marrëdhënie gjatë kësaj jete, duke përfshirë në përgjithësi mundësinë për marrëdhënie seksuale. Vulosjet vetëm për përjetësinë vinin në dukje marrëdhënie vetëm në jetën pas kësaj. …
Disa nga gratë që u vulosën me Jozef Smithin më vonë, dëshmuan se martesat e tyre ishin për jetën dhe përjetësinë, ndërkohë që të tjera treguan se marrëdhëniet e tyre ishin vetëm për përjetësinë.
Shumica e atyre grave që u vulosën me Jozef Smithin, ishin midis moshave 20 dhe 40 vjeçe në kohën e vulosjes së tyre me të. Më e moshuara, Feni Jang, ishte 56 vjeçe. Më e reja ishte Helen Mar Kimballi, … që u vulos me Jozefin disa muaj përpara ditëlindjes së saj të 15‑të. Martesa në një moshë të tillë, e papërshtatshme për standardet e sotme, ishte e ligjshme në atë epokë dhe disa gra martoheshin në moshën 15‑vjeçare. Helena Mar Kimballi foli për vulosjen e saj me Jozefin si të ishte ‘vetëm për përjetësinë’, duke sugjeruar se marrëdhënia nuk përfshiu marrëdhënie seksuale. …
… Jozef Smithi u vulos me një numër grash që ishin tashmë të martuara. As këto gra, as Jozefi nuk shpjeguan shumë rreth këtyre marrëdhënieve, edhe pse disa gra thanë se ato ishin vetëm për përjetësinë. …
Ka disa shpjegime të mundshme për këtë praktikë. Këto vulosje mund të kenë siguruar një mënyrë për të krijuar një lidhje ose një hallkë të përjetshme midis familjes së Jozefit dhe familjeve të tjera brenda Kishës. …
Këto vulosje gjithashtu mund të shpjegohen nga ngurrimi i Jozefit që të hynte në martesën me shumë gra për shkak të hidhërimit që do t’i sillte bashkëshortes së tij, Emës. Ai mund të kishte besuar se vulosjet me gra të martuara do të pajtoheshin me urdhrin e Zotit pa i kërkuar atij që të kishte marrëdhënie normale martesore. …
Një tjetër mundësi është që, në një epokë kur jetëgjatësia ishte më e shkurtër sesa është sot, gratë besnike ndienin një ngutje që të vuloseshin nëpërmjet autoritetit të priftërisë. Disa prej këtyre grave ishin të martuara ose me jomormonë ose me ish‑mormonë dhe shumë prej grave më vonë shprehën mungesën e lumturisë në martesat e tyre aktuale. Duke jetuar në një kohë kur shkurorëzimi ishte i vështirë që të merrej, këto gra mund të kenë besuar se një vulosje me Jozef Smithin do t’u jepte bekimet që mund të mos i merrnin ndryshe në jetën pas kësaj. …
… Pas vdekjes së Jozefit, shumica e grave që ishin të vulosura me të, u shpërngulën në Jutë me shenjtorët, mbetën anëtare besnike të Kishës dhe e mbrojtën si martesën me shumë gra ashtu edhe Jozefin.” (“Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo”, [“Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kirtland dhe Navu”] topics.ChurchofJesusChrist.org)
Pjesa 3
Si iu përgjigjën anëtarët e Kishës parimit të martesës me shumë gra?
Praktika e martesës me shumë gra ishte po aq e panjohur dhe e vështirë për shumicën e shenjtorëve të hershëm, sa do të ishte për anëtarët e Kishës sot. “Në shumë pjesë të botës, poligamia ishte e pranueshme shoqërisht dhe e lejueshme ligjërisht. Por në Shtetet e Bashkuara shumica e njerëzve mendonte se praktika ishte e gabuar moralisht” (“The Manifesto and the End of Plural Marriage” [“Manifesti dhe Fundi i Martesës me Shumë Gra”], Gospel Topics, topics.ChurchofJesusChrist.org). Urdhërimi për ta praktikuar martesën me shumë gra “ishte mes aspekteve më sfiduese të Rivendosjes – për Jozefin personalisht dhe për anëtarë të tjerë të Kishës. … Për bashkëshorten e Jozef Smithit, Emën, ishte një përvojë torturuese. … Ajo u luhat në pikëpamjen e saj për martesën me shumë gra, në disa raste duke e mbështetur atë dhe në kohë të tjera duke e dënuar atë” (“Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo” [“Martesa me Shumë Bashkëshorte në Kirtland dhe Navu”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Jo të gjithë shenjtorët e ditëve të mëvonshme pritej të jetonin në një martesë me shumë gra. Dhe disa anëtarë të Kishës që e patën të vështirë parimin e martesës me shumë gra, u bekuan me një dëshmim shpirtëror që u dha atyre kurajën për të vazhduar me atë praktikë. Përvojat e një anëtari dhe një anëtareje të tillë përmblidhen këtu:
“Brigam Jangu, kur mësoi për martesën me shumë gra, tha se ʻishte hera e parë në jetën time që kisha dëshiruar varrinʼ. ʻM’u desh të lutesha pa pushimʼ, tha ai, ʻdhe m’u desh të ushtroja besim dhe Zoti më zbuloi të vërtetën e saj dhe ma plotësoi dëshirën.ʼ …
Lusi Uokeri solli ndërmend mundimin e saj të brendshëm kur Jozef Smithi e ftoi të bëhej bashkëshortja e tij. ʻÇdo ndjenjë e shpirtit tim ngriti krye kundër kësajʼ, shkroi ajo. Prapëseprapë, pas disa netësh të parehatshme, e rënë në gjunjë në lutje, ajo gjeti lehtësim ndërkohë që dhoma e saj ʻu mbush me një ndikim të shenjtëʼ, të përafërt me ʻndriçimin e shkëlqyer të diellitʼ. Ajo tha: ʻShpirti im u mbush me një paqe të qetë, të ëmbël, që nuk e njoha kurrëʼ dhe ʻlumturia më e lartë e pushtoi tërë qenien timeʼ.
Jo të gjithë patën përvoja të tilla. Disa shenjtorë të ditëve të mëvonshme e kundërshtuan parimin e martesës me shumë gra dhe u larguan nga Kisha, ndërkohë që të tjerët nuk pranuan të hynin në atë praktikë, por mbetën besnikë. Sidoqoftë, për shumë gra e burra, zmbrapsja dhe ankthi fillestar u pasuan nga ndeshja, zgjidhja dhe më së fundi, drita dhe paqja. Përvojat e shenjta bënë të mundur që shenjtorët të shkonin përpara me besim.” (“Plural Marriage in Kirtland and Nauvoo” [“Martesa me Shumë Gra në Kirtland dhe Navu”], topics.ChurchofJesusChrist.org)
Pjesa 4
Si i erdhi fundi praktikës së martesës me shumë gra në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?
Jo shumë kohë pas vdekjes së Profetit Jozef Smith në vitin 1844, shenjtorët emigruan drejt luginës së Solt‑Lejkut në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, ku një pjesë e anëtarëve të Kishës përfundimisht e praktikuan haptazi martesën me shumë gra. Nga vitet 1860 deri në vitet 1880, qeveria e Shteteve të Bashkuara nxori ligje kundër praktikës dhe përfundimisht vendosi si ligj ndëshkime të rënda për ata që nuk bindeshin, përfshirë burgosjen. Pasi kërkoi udhërrëfimin e Zotit dhe e mori drejtimin e Tij, Presidenti Uillford Udraf përgatiti një deklaratë në shtator 1890 që u bë e njohur si “Manifesti” (Deklarata Zyrtare 1), që përfundimisht çoi drejt fundit të praktikës së martesës me shumë gra nga anëtarët e Kishës.
Një numër i vogël anëtarësh të Kishës vazhduan të hynin në martesa të reja me shumë gra pasi u dha Manifesti. Gjatë konferencës së përgjithshme të prillit 1904, Presidenti Jozef F. Smith shpalli një manifest të dytë dhe lajmëroi “se të gjitha martesat [me shumë gra] janë të ndaluara dhe nëse ndonjë drejtues apo anëtar i Kishës do të pretendojë të bëjë celebrimin apo të hyjë në një martesë të tillë, ai do të … shkishërohet” (në Conference Report, prill 1904, f. 75). Kjo rregullore vazhdon sot.
Pjesa 5
A kërkohet martesa me shumë gra për ekzaltimin?
Plaku Markus B. Nash, i Të Shtatëdhjetëve, ka dhënë mësim:
“Disa [i keqkuptuan shkrimet e shenjta] që të nënkuptonin se martesa me shumë gra është e nevojshme për ekzaltimin. … Gjithsesi, kjo nuk mbështetet nga zbulesat. … Jeta e përjetshme i premtohet një çifti në monogami, pjesëtarët e të cilit vulosen nga autoriteti i priftërisë dhe e durojnë besëlidhjen – pa asnjë kusht ose kërkesë shtesë [shih Doktrina e Besëlidhje 132:19]. … Kisha pohon se monogamia është standardi i Perëndisë për martesën përveçse kur Ai autorizon ose urdhëron ndryshe me anë të profetit të Tij. Kisha nuk jep mësim se pjesëmarrja në martesën me shumë gra është e nevojshme për ekzaltimin.” (“The New and Everlasting Covenant”, Ensign, dhjetor 2015, f. 44, 46)
Përsëri, ne nuk i kuptojmë të gjitha qëllimet e Perëndisë për fillimin e martesës me shumë gra në ditët e hershme të Kishës. Por shenjtorët e ditëve të mëvonshme sot i respektojnë sakrificat dhe përpjekjet e përkushtuara, të bëra nga ata që e praktikuan martesën me shumë gra për t’iu bindur urdhrit të Perëndisë.