Instituti
Mësimi 2 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Vegimi i Parë


“Mësimi 2 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Vegimi i Parë”, Materiali i Përgatitjes së Klasës – Themelet e Rivendosjes (2019)

“Mësimi 2 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Përgatitjes së Klasës – Themelet e Rivendosjes

Mësimi 2 – Materiali i Përgatitjes së Klasës

Vegimi i Parë

Vegimi i Parë

Presidenti Jozef F. Smith e përshkroi Vegimin e Parë të Jozef Smithit si “ngjarjen më të madhe … që nga ringjallja e Birit të Perëndisë” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 14). Teksa studioni Vegimin e Parë, mendoni për rëndësinë e kësaj ngjarjeje të shenjtë dhe ndikimin që ka pasur në jetën tuaj dhe në botë.

Pjesa 1

Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga Vegimi i Parë i Jozef Smithit?

Duke folur për Vegimin e Parë të Jozef Smithit, Plaku Riçard J. Meinis, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim:

“Është një përvojë e mahnitshme dhe ndriçuese që të analizojmë atë që mësojmë nga kjo përvojë e shenjtë mbresëlënëse … lidhur me natyrën e përjetshme të Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit; realitetit të Satanit; ndeshjes midis së mirës dhe së ligës; dhe aspekte të tjera të rëndësishme të planit të madh të shpëtimit. …

Vegimi i Parë i Jozef Smithit është çelësi për të hapur shumë të vërteta që kishin qenë të fshehura për shekuj. Le të mos i harrojmë ose t’i marrim si të mirëqena të vërtetat e shumta, të çmuara që i kemi mësuar nga Vegimi i Parë.” (Richard J. Maynes, “The First Vision: Key to Truth”, Ensign, qershor 2017, f. 64, 65)

Jozef Smithi u rrit në një kohë pështjellimi të madh fetar. Kishat e ndryshme të krishtera në zonën e tij konkurronin për të kthyer në besim dhe debatonin fuqimisht me njëra‑tjetrën mbi doktrinën dhe praktikat fetare. Teksa studioni rrëfimin vijues të Vegimit të Parë, të shënuar në vitin 1838 dhe tani të përfshirë në veprat standarde si Joseph Smith – Historia, mbani shënim ide që i fitoni dhe shenjojini të vërtetat e ungjillit që janë domethënëse personalisht për ju.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Joseph Smith – Historia 1:8, 11–19.

Dëshirat e Zemrës Sime (Vegimi i Parë), nga Walter Rane
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Shënojini të vërtetat që ishit në gjendje t’i përcaktonit nga rrëfimi i Jozef Smithit i vitit 1838 për Vegimin e Parë, në një ditar ose në hapësirën e siguruar më poshtë. Gjithashtu shkruani përse mendoni se këto të vërteta janë të rëndësishme për t’i kuptuar. Ejani në klasë gati për të treguar atë që shkruat.

Pjesa 2

Në ç’mënyrë sigurojnë këndvështrim më të madh për këtë ngjarje të shenjtë rrëfimet e shumta për Vegimin e Parë të Jozef Smithit?

tekst nga Joseph Smith Papers

Dorëshkrim i Jozef Smithit nga rrëfimi i tij i vitit 1832 për Vegimin e Parë.

Rrëfimi i vitit 1838 për Vegimin e Parë, i shënuar te Joseph Smith – Historia, u diktua nga Jozefi gjatë një kohe kundërshtimi “për t’i vendosur të gjithë kërkuesit e së vërtetës në zotërim të fakteve” (Joseph Smith – Historia 1:1). Është rrëfimi i mirënjohur i Vegimit të Parë dhe u regjistrua si pjesë e historisë zyrtare të Jozef Smithit për Kishën. Kjo zbulesë u kanonizua me pjesën tjetër të Perlës me Vlerë të Madhe në vitin 1880 dhe u bë pjesë e veprave standarde të Kishës në atë kohë.

Përveç rrëfimit të vitit 1838, Profeti Jozef Smith shënoi ose diktoi tri rrëfime të tjera të përvojës së vet. Ka edhe pesë rrëfime për Vegimin e Parë që nuk u shkruan nga ai vetë, të cilat u shënuan nga bashkëkohësit e Jozef Smithit.

“Rrëfimet e ndryshme për Vegimin e Parë tregojnë të njëjtën histori, edhe pse natyrisht ato ndryshojnë në theksime dhe hollësi. Historianët presin që, kur një individ e ritregon një përvojë në mjedise të shumta, për dëgjues të ndryshëm, përgjatë shumë viteve, secili rrëfim do të theksojë aspekte të ndryshme të përvojës dhe do të përmbajë hollësi të veçanta. Vërtet, ndryshime të ngjashme me ato të rrëfimeve për Vegimin e Parë ekzistojnë në rrëfimet e shumta të shkrimeve të shenjta për vegimin e Palit në rrugën për në Damask dhe përvojën e Apostujve në Malin e Shpërfytyrimit. Prapëseprapë, pavarësisht nga ndryshimet, një qëndrueshmëri bazë mbetet në të gjitha rrëfimet për Vegimin e Parë. Disa njerëz, në mënyrë të gabuar, kanë dhënë argumentin se ndonjë ndryshim në ritregimin e historisë është provë e trillimit. Përkundrazi, anali i pasur historik na krijon mundësinë që të mësojmë më shumë rreth kësaj ngjarjeje mbresëlënëse nga sa do të mundeshim nëse ajo nuk do të ishte e dokumentuar aq mirë.” (“Rrëfimet për Vegimin e Parë”, Temat e Ungjillit, topics.ChurchofJesusChrist.org)

Teksa lexoni pjesët e shkëputura vijuese nga rrëfime shtesë për Vegimin e Parë të Jozef Smithit, të dhëna nga ai vetë, merrni parasysh të shenjoni detaje dhe të vërteta që ju bëjnë përshtypje. Ju gjithashtu mund të doni të shënoni çfarëdo pyetje që keni dhe tʼi sillni ato në klasë.

Shënim: Anali i plotë i secilit rrëfim është në dispozicion te “Joseph Smith’s Accounts of the First Vision” [“Rrëfimet e Jozef Smithit për Vegimin e Parë”] te josephsmithpapers.org.

Rrëfimi i Vitit 1832

Ky rrëfim u shkrua në fillimin e librit të letrave të Jozef Smithit dhe është i vetmi rrëfim që përmban një pjesë me shkrim dore prej vetë atij. Një pjesë e tij gjithashtu është me shkrim dore të shkruesit të Jozefit.

“Rreth moshës dymbëdhjetëvjeçare m’u ngulitën thellë në mendje shqetësime tepër të rëndësishme për mirëqenien e frymës sime të përjetshme. …

… Mendja ime u shqetësua jashtë mase pasi u binda për mëkatet e mia. … Unë e ndieva se duhet të vajtoja për mëkatet e mia dhe për mëkatet e botës. …

Atëherë i thirra Zotit për mëshirë, sepse nuk ishte askush tjetër tek i cili të mund të shkoja dhe të merrja mëshirë. Dhe Zoti e dëgjoi thirrjen time në vendin e shkretë dhe ndërkohë që isha duke i thirrur Zotit, në vitin e gjashtëmbëdhjetë të jetës sime, një shtyllë drite me shkëlqimin e diellit në mesditë zbriti nga lart dhe qëndroi mbi mua. U mbusha me shpirtin e Perëndisë dhe Zoti i hapi qiejt mbi mua dhe unë pashë Zotin.

Dhe ai më foli duke thënë: ‘Jozef, biri im, mëkatet e tua të janë falur. Shko në udhën tënde, sillu sipas statuteve të mia dhe zbatoji urdhërimet e mia. Vër re, unë jam Zoti i lavdisë. Unë u kryqëzova për botën, që të gjithë ata që besojnë në emrin tim, të mund të kenë jetë të përjetshme. Vër re, bota prehet në mëkat në këtë kohë dhe askush nuk bën të mirën, jo, askush. Ata janë larguar nga ungjilli dhe nuk i zbatojnë urdhërimet e mia. Ata më afrohen pranë me buzët e tyre, por zemrat e tyre janë larg prej meje. Dhe zemërimi im po ndizet kundër banorëve të tokës, që t’i vizitoj në përputhje me paperëndishmërinë e tyre dhe që të bëj të ndodhë atë që është thënë nga goja e profetëve dhe apostujve. Vër re dhe dëgjo, unë vij shpejt, siç është shkruar për mua, në një re, i mbuluar me lavdinë e Atit tim.’

Shpirti im u mbush me dashuri dhe për shumë ditë mund të ngazëllehesha me gëzim të madh. Zoti ishte me mua, por nuk mund të gjeja asnjë që do ta besonte vegimin qiellor. Megjithatë, i përsiata këto gjëra në zemrën time.”

Rrëfimi i Vitit 1835

Ky rrëfim është një anal i Jozefit që ia përshkruan Vegimin e tij të Parë dikujt që ishte për vizitë në shtëpinë e tij. U shkrua në ditarin e Jozefit nga shkruesi i tij.

“I thirra Zotit në lutje të fuqishme. Një shtyllë zjarri u shfaq mbi kokën time. Tashmë qëndroi mbi mua dhe më mbushi me gëzim të papërshkrueshëm. Një personazh u shfaq në mes të kësaj shtylle flake, e cila u shpërnda rreth e rrotull dhe prapëseprapë asgjë nuk u dogj. Një personazh tjetër shpejt u shfaq, sikurse i pari. Ai më tha: ‘Mëkatet e tua të janë falur’. Ai më dëshmoi se Jezu Krishti është biri i Perëndisë. Dhe pashë shumë engjëj në këtë vegim. Isha rreth katërmbëdhjetë vjeç kur mora këtë komunikim të parë.”

Rrëfimi i Vitit 1842

Ky rrëfim vjen nga një letër që u shkrua si përgjigje për pyetjet nga një redaktor i një gazete në Çikago, i quajtur Xhon Uentuorth.

“Unë u tërhoqa në një vend të veçuar në një korije dhe fillova t’i thërras Zotit. Ndërsa isha përfshirë me gjithë shpirt në përgjërim, mendja ime u hoq nga objektet me të cilat isha i rrethuar dhe u mbështolla në një vegim qiellor, dhe pashë dy personazhe të lavdishëm, të cilët i ngjanin ekzaktësisht njëri-tjetrit në tipare dhe paraqitje, të rrethuar nga një dritë e shkëlqyer që ishte më e shkëlqyer se dielli në mesditë. Ata më thanë se gjithë besimet fetare po besonin në doktrina të pasakta dhe se asnjëri prej tyre nuk pranohej nga Perëndia si Kisha dhe mbretëria e Tij. Dhe mua më urdhëruan shprehimisht të ‘mos shkoja pas tyre’ duke marrë në të njëjtën kohë një premtim se plotësia e ungjillit në një kohë të ardhme do të më bëhej e njohur.”

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si e shtojnë këto rrëfime shtesë kuptimin dhe vlerësimin tuaj për Vegimin e Parë të Jozef Smithit? Çfarë të vërteta shtesë mund t’i shtoni listës suaj nga pjesa 1 e këtij materiali? Si ka ndikuar në jetën tuaj dëshmia juaj për këtë ngjarje të shenjtë?