“Mësimi 15 Materiali i Përgatitjes së Klasës: Plani i Atit Qiellor dhe Potenciali Ynë Hyjnor”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes (2019)
“Mësimi 15 Materiali i Përgatitjes së Klasës”, Materiali i Mësuesit – Themelet e Rivendosjes
Mësimi 15 Materiali i Përgatitjes së Klasës
Plani i Atit Qiellor dhe Potenciali Ynë Hyjnor
Profeti Jozef Smith shpalli: “Plani i madh i shpëtimit është një temë që duhet ta tërheqë rreptësisht vëmendjen tonë dhe të konsiderohet si një nga dhuratat më të mira të qiellit për njerëzimin” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 218–219). Nëpërmjet zbulesës dhe vegimeve, Jozef Smithi arriti ta kuptonte planin e Perëndisë për fëmijët e Tij në mënyra që do ta ndryshonin jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Ky mësim mund t’ju ndihmojë ta kuptoni më tej se kush jeni dhe cili është potenciali juaj hyjnor.
Pjesa 1
Si kanë ndikuar në jetën time të vërtetat e rivendosura rreth planit të Perëndisë për shpëtimin?
Përfytyroni sikur jeni një i sapokthyer në besim në Kishën e rivendosur të Zotit në kohën e Jozef Smithit. Pikëpamja juaj për planin e Atit Qiellor do të kishte qenë e paplotë. Nëse do të ishit rritur si i krishterë, ju mund të kishit bindje fetare të ngjashme me sa vijon: 1) Perëndia, Jezusi dhe Shpirti i Shenjtë janë një Perëndi, pa trup, pa gjymtyrë ose pa pasione; 2) njerëzit nuk kishin ekzistencë përpara kësaj jete dhe ata u krijuan nga Perëndia prej hiçit; dhe 3) Perëndia është i panjohur e i mistershëm – ideja se njerëzit janë fëmijët e Tij është vetëm një metaforë.
Me anë të zbulesës, Jozef Smithi dhe shenjtorët e hershëm arritën të kuptonin natyrën e Atit tonë Qiellor dhe planin e Tij hyjnor për shpëtimin. Përfytyroni se si duhet të jenë ndier kur mësuan disa nga të vërtetat e rivendosura që ne i ruajmë si thesar sot rreth planit të Atit Qiellor.
Pjesa më e madhe e të kuptuarit të Jozefit për planin e shpëtimit erdhi nëpërmjet punës së tij për Librin e Mormonit dhe për përkthimin e tij të frymëzuar të Dhiatës së Vjetër e të Re. Ndërkohë që përkthente librin e Zanafillës në vitin 1830, Profeti Jozef mësoi se Moisiu u çua në një mal të lartë dhe iu tregua shtrirja e krijimeve të Perëndisë. Kjo zbulesë është ajo që ne tani e njohim si kapitulli i parë i librit të Moisiut te Perla me Vlerë të Madhe. Zoti i tha Moisiut se ai ishte bir i Perëndisë. Perëndia dha mësim gjithashtu një të vërtetë të rëndësishme që gjendet te Moisiu 1 rreth qëllimeve të veprës së Tij.
Kur foli për pavdekësinë dhe jetën e përjetshme, Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dha mësim:
“Dhurata e jetës së përjetshme ia vlen çdo përpjekje për ta studiuar, mësuar e zbatuar planin e shpëtimit. I gjithë njerëzimi do të ringjallet dhe do ta marrë bekimin e pavdekësisë. Por që të fitojmë jetë të përjetshme – jetën që jeton Perëndia – ia vlen ta jetojmë planin e shpëtimit me gjithë zemrën, mendjen, fuqinë dhe forcën tonë.” (Robert D. Hejls, “Plani i Shpëtimit: Një Thesar i Shenjtë Diturie për të na Udhërrëfyer Ne”, Ensign ose Liahona, tetor 2015, f. 25)
Vini re se Plaku Hejls e përcaktoi jetën e përjetshme si “jetën që jeton Perëndia”. Merreni në shqyrtim se çfarë do të thotë për ju që vepra e Atit Qiellor është që t’ju kthejë përsëri në praninë e Tij, në mënyrë që të mund të shijoni pavdekësinë dhe jetën e përjetshme.
Në një zbulesë që u mor më 6 maj 1833, Jozef Smithi shënoi: “Njeriu ishte gjithashtu në fillim me Perëndinë” (Doktrina e Besëlidhje 93:29). Përkthimi prej Jozefit i librit të Abrahamit, i cili u botua në vitin 1842, siguroi një këndvështrim të shkëlqyer për jetën tonë paratokësore dhe mundësitë tona pas jetës në vdekshmëri.
Pjesa 2
Cilat mësime rreth karakterit të Perëndisë u rivendosën nga Profeti Jozef Smith?
Në vitin 1844, vetëm disa muaj para vdekjes së tij, Jozef Smithi foli në atë që do të ishte konferenca e tij e fundit. Miku i tij, King Folleti, kishte vdekur kohët e fundit në një aksident dhe familja i kishte kërkuar Jozefit të fliste në varrim. Jozefi dha mësim plot guxim për karakteristikat e Perëndisë dhe potencialin tonë për t’u bërë si Ai. Në atë që do të bëhej e njohur si ligjërata e King Folletit, Jozefi deklaroi:
“Ka vetëm pak qenie në botë që kuptojnë drejt karakterin e Perëndisë. … Nëse njerëzit nuk e kuptojnë karakterin e Perëndisë, ata nuk kuptojnë vetveten. …
Perëndia Vetë ishte njëherë siç jemi ne tashti, dhe është një njeri i ekzaltuar dhe ulet i kurorëzuar në qiejt atje lart! … Nëse do ta shihnit Atë sot, do ta shihnit Atë me formën e një njeriu – si ju vetë, në gjithë personin, imazhin dhe vetë formën e një njeriu. …
Kur kuptojmë karakterin e Perëndisë dhe dimë si të vijmë tek Ai, Ai fillon të na shpalosë qiejt dhe të na tregojë gjithçka për ta. …
… Vetë Perëndia, duke konstatuar se ishte në mes të shpirtrave dhe të lavdisë, sepse ai ishte më inteligjent, e pa me vend të krijonte ligje sipas të cilave pjesa tjetër të mund të kishte privilegjin që të përparonte si ai vetë. Marrëdhënia që kemi me Perëndinë, na vendos në një pozicion që të përparojmë në njohuri. …
Kjo, pra, është jeta e përjetshme – të njohësh të vetmin Perëndi të mençur e të vërtetë; dhe ju duhet të mësoni se si të bëheni ju vetë perëndi dhe të bëheni mbretër dhe priftërinj për Perëndinë … duke kaluar nga një shkallë e vogël tek një tjetër dhe nga një aftësi e vogël tek një e madhe; nga hiri në hir, nga ekzaltimi në ekzaltim.” (Mësimet: Jozef Smith, f. 41–42, 220, 232)
Shënim: Ligjërata e plotë e King Folletit mund të gjendet te “Classics in Mormon Thought: The King Follett Sermon”, Ensign, prill 1971, f. 12–17.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim:
“Qëllimi i Perëndisë është që ne, fëmijët e Tij, të mund të jemi në gjendje të përjetojmë gëzimin përfundimtar, të jemi me Të përjetësisht dhe të bëhemi madje ashtu si është Ai.” (D. Tod Kristoferson, “Unë të Gjithë Ata që i Dua, i Qortoj dhe i Ndëshkoj”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 97)
Pjesa 3
Si mund të fitoj jetë të përjetshme në mbretërinë çelestiale?
Përfytyroni sërish sikur po jetoni si një i kthyer i hershëm në besim në Kishën e rivendosur. Ka shumë të ngjarë që do të besonit, së bashku me shumicën e të krishterëve në atë kohë se, kur një person vdiste, ai ose ajo shkonte qoftë në parajsë apo në ferr. Shumë njerëz në kohën e Jozef Smithit përcaktoheshin si kongregacionalistë ose universalistë. Nëse kishit një pikëpamje “kongregacionaliste”, ju do të besonit se vetëm një numër i vogël njerëzish do të arrinin të shkonin në parajsë. Nëse kishit një pikëpamje “universaliste”, me siguri do të besonit se Perëndia do të kërkonte njëfarë ndëshkimi për mëkatarët, por që përfundimisht të gjithë njerëzit do të shkonin në parajsë.
Në shkurt të vitit 1832, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni patën një vegim që na ndihmoi ta kuptonim më mirë jetën pas vdekjes. Të dy burrat po punonin me Përkthimin prej Joseph Smith-it të Dhiatës së Re në katin e sipërm të shtëpisë së Xhon Xhonsonit dhe kishin ndaluar për të përsiatur vargun te Gjoni 5:29, i cili ka të bëjë me ringjalljen e të drejtëve dhe ringjalljen e të padrejtëve. Disa burra ishin në dhomë me Jozefin dhe Sidnin kur të dy burrat e përjetuan vegimin dhe përshkruan atë që panë. Vegimi, i shënuar te Doktrina e Besëlidhje 76, na ndihmon ta kuptojmë më mirë planin e Atit Qiellor. Merreni parasysh të shenjoni të vërteta nga ky seksion, të cilat e zgjerojnë kuptimin tonë për jetën e përtejme dhe zbulojnë dëshirën e Atit Qiellor për t’i bekuar të gjithë fëmijët e Tij: