Instituti
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 11: Zgjedhja e një Shoku/Shoqeje të Përjetshëm/me


“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 11: Zgjedhja e një Shoku/Shoqeje të Përjetshëm/me”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 11”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

një burrë dhe grua bisedojnë ndërsa ecin

Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 11

Zgjedhja e një Shoku/Shoqeje të Përjetshëm/me

Plaku Kuentin L. Kuk i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve na këshilloi: “Ju lutem, ‘përfshihuni me zell’ [Doktrina e Besëlidhje 58:27] në veprimtari shoqërore e shpirtërore që pajtohen me synimin tuaj për një martesë tempulli” (“Zgjidhni me Mençuri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 47). Teksa e studioni materialin për këtë mësim, merrni parasysh se si mund t’ju ndihmojë besimi te Zoti ndërsa e kërkoni, e zgjidhni dhe e dashuroni shokun/shoqen tuaj të përjetshëm/me.

Shënim: Dalja në takime ka kuptime të ndryshme në kultura të ndryshme. Për qëllimet e këtij mësimi, dalja në takime i referohet kalimit të kohës me dikë të gjinisë së kundërt, ndërkohë që zbatohen standardet e ungjillit dhe me synimin e zhvillimit të një marrëdhënieje që përfundimisht mund të çojë drejt martesës.

Pjesa 1

Si mund të më ndihmojë ushtrimi i besimit te Zoti që të zhvilloj një marrëdhënie e cila mund të çojë drejt martesës?

Dalja në takime mund të jetë e mrekullueshme dhe sfiduese. Ajo na jep mundësi të arrijmë t’i njohim të tjerët, të kemi përvoja të reja dhe të marrim mësime të rëndësishme rreth vetes dhe marrëdhënieve. Duke e ditur rëndësinë e martesës, nuk duhet të jetë befasuese që mund të përjetojmë kundërshtime teksa dalim në takime dhe përgatitemi për martesë. A keni përjetuar ju ose dikush që e njihni ndonjërën nga gjërat e mëposhtme që mund ta vonojë ose ndalë përparimin drejt një martese të përjetshme?

  • Frikë nga dështimi

  • Ankth në mjediset shoqërore

  • Mungesë mundësish ose perspektive

  • Sfilitje emocionale për shkak të marrëdhënieve të dështuara

  • Pasiguri ekonomike

  • Përqendrim vetëm tek arsimimi ose karriera

  • Frikë nga zotimi për një martesë

  • Humbje e vetëbesimit te martesa

Ndërkohë që shërbente në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, Presidentja Xhuli B. Bek vërejti se shumë të rinj e të reja po i kushtojnë “gjithnjë e më pak rëndësi formimit të një familjeje të përjetshme. Shumë njerëz nuk e shohin formimin e familjes si një punë të bazuar te besimi” (“Teaching the Doctrine of the Family”, Ensign, mars 2011, f. 14; theksimi i shtuar).

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Fjalët e Urta 3:5–6; 2 Nefi 22:2, dhe përsiatni mënyrën se si besimi te Zoti mund t’ju ndihmojë teksa e kërkoni dhe e zgjidhni një shok/shoqe të përjetshëm/me.

Zoti interesohet thellësisht rreth përvojave tuaja për gjetjen dhe zgjedhjen e një shoku/shoqeje të përjetshme. Ai do t’ju ndihmojë teksa ushtroni besim tek Ai. Plaku Xhefri R. Holland i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi mënyrën se si besimi ynë te Shpëtimtari mund të ndikojë te dalja në takime dhe martesa:

Plaku Xhefri R. Holland

“Besoni që besimi juaj lidhet në gjithçka me romancën tuaj, sepse është e vërtetë.“ ”Ndarja e takimeve nga të qenit dishepull ju rrezikon.“ ”Jezu Krishti, Drita e Botës, është e vetmja llambë me anë të së cilës mund të shihni me sukses udhën e dashurisë dhe të lumturisë.” (“How Do I Love Thee?”, New Era, tetor 2003, f. 8.)

një grua dhe një burrë duke biseduar në një stol

Ushtrimi i besimit te Jezu Krishti përfshin ndërmarrjen e veprimeve të drejta. Ashtu siç i dha mësim Zoti një grupi shenjtorësh të hershëm të ditëve të mëvonshme që donin ta dinin vullnetin e Tij për ta, Ai pret që ne ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes për të vepruar me besim.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Studioni vargjet te Doktrina e Besëlidhje 58:26–28 dhe mendoni se si mund ta vini në zbatim udhëzimin e Zotit në përpjekjet tuaja për të gjetur një shok/shoqe të përjetshëm/me.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, foli rreth mënyrës se si mund të shkojmë përpara me besim dhe durim:

Presidenti Diter F. Uhtdorf

“Po ata që dëshpërohen nëse do të gjejnë ndonjëherë një shok të përjetshëm? Së pari, mos u dorëzoni. Shkoni nëpër aktivitete, takoni njerëz dhe bëni gjithçka mundeni. E di se dalja në takime mund të jetë e vështirë. Refuzimi është një nga gjërat më të dhimbshme që mund të përjetojmë. …

… Gjeni mënyra të thjeshta për të qenë së bashku. … Synimi është të njihni një person të veçantë dhe të mësoni se si të zhvilloni një marrëdhënie kuptimplote me seksin e kundërt.” (“Pasqyrimi në Ujë” [takim rreth vatrës i Sistemit Arsimor të Kishës për të rinjtë në moshë madhore, 1 nëntor 2009], ChurchofJesusChrist.org.)

“Premtimet e Perëndisë nuk përmbushen gjithmonë aq shpejt ose në mënyrën si mund të shpresojmë; ato vijnë sipas kohës së Tij dhe në mënyrat e Tij. … [Por] premtimet e Zotit, në mos ndoshta jo gjithmonë aty për aty, janë gjithmonë të sigurta.” (“Vazhdoni me Durim”, Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 58.)

Ndërkohë që shërbente si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, Plaku Marlin K. Xhensen dha mësim rreth një pjese të rëndësishme të marrëdhënies që burrat dhe gratë duhet të zhvillojnë gjatë daljes në takime:

Plaku Marlin K. Xhensen

“Miqësia është … një pjesë jetike dhe e mrekullueshme e periudhës së njohjes dhe martesës. Një marrëdhënie mes një burri dhe një gruaje që fillon me miqësi dhe më pas lulëzon në romancë dhe përfundimisht në martesë zakonisht bëhet një miqësi që zgjat dhe e përjetshme.” (“Friendship: A Gospel Principle”, Ensign, maj 1999, f. 64.)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë mund të bëni ose të vazhdoni të bëni për të ushtruar më tepër besim te Zoti në përpjekjet tuaja për të dalë në takime dhe për t’u martuar? Nëse jeni i/e martuar, si ushtruat besim te Zoti në përpjekjet tuaja për të gjetur një shoqe/shok të përjetshme/ëm?

Pjesa 2

Çfarë cilësish duhet të kërkoj e të zhvilloj në përgatitje për martesë?

A keni bërë ndonjëherë një listë cilësish që shpresoni t’i ketë një bashkëshort/e? Ndërkohë që dalin në takime, është e rëndësishme që një burrë dhe një grua të kalojnë shumë kohë së bashku për të njohur cilësitë, personalitetin dhe vlerat e njëri-tjetrit. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, këshilloi:

Plaku Robert D. Hejls

“Kur ju dilni në takime, mësoni gjithçka mundeni për njëri-tjetrin. Filloni t’i njihni familjet e njëri-tjetrit nëse është e mundur. A janë qëllimet tuaja të përputhshme? A i keni të përbashkëta ndjenjat rreth urdhërimeve, Shpëtimtarit, priftërisë, tempullit, prindërimit, thirrjeve në Kishë dhe shërbimit ndaj të tjerëve? E keni vëzhguar njëri-tjetrin nën stres, duke iu përgjigjur suksesit dhe dështimit, duke i bërë ballë inatit dhe duke u përballur me pengesa? A i nënvlerëson të tjerët personi që po dilni në takime apo i frymëzon ata? A është qëndrimi e fjalori dhe sjellja e tij apo saj ajo me të cilën do të donit të jetonit çdo ditë?” (“Përballja me Sfidat e Botës së Sotme”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 45–46.)

Më të rëndësishme se cilësitë që shpresoni të ketë bashkëshorti/ja juaj, janë cilësitë që po zhvilloni te vetja juaj. Në lidhje me këtë, Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, këshilloi:

Plaku Dejvid A. Bednar

“Disa njerëz në moshë të re duket se kanë një listë pazari të karakteristikave që i duan te një shok ose shoqe jete dhe e matin potencialin e tyre: ‘A i ke të gjitha gjërat që kërkoj unë?’ Nëse shpresoni të keni një shok ose shoqe të përjetshme, që ka cilësi të caktuara shpirtërore, atëherë ju duhet të përpiqeni fort t’i zhvilloni ato cilësi shpirtërore te vetja juaj. Atëherë dikush që i ka ato cilësi do të tërhiqet nga ju.” (Në “Understanding Heavenly Father’s Plan”, ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 88:40.)

Ndërkohë që shërbente në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, Motra Karol M. Stivens dha mësim diçka të ngjashme:

Motra Karol M. Stivens

“Studiojeni jetën e Shpëtimtarit dhe përpiquni të jeni më shumë si Ai. Nëse mund t’i zhvilloni ato cilësi si të Krishtit në jetën tuaj dhe kërkoni të jeni më shumë si Shpëtimtari, atëherë ju do të jeni të përgatitur më mirë për të qenë një bashkëshort/e.” (Face to Face with Elder Holland, Sister Stephens, and Elder Hallstrom [transmetim mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore beqarë, 8 mars 2016], facetoface.ChurchofJesusChrist.org.)

një çift duke pozuar përpara një ujëvare

Ndërkohë që është e rëndësishme që ne të zhvillojmë cilësi si të Krishtit dhe t’i kërkojmë ato te një bashkëshort ose bashkëshorte e ardhshme, nevojitet të jemi të kujdesshëm që të mos zhvillojmë pritshmëri jorealiste për veten dhe të tjerët. Sikurse dha mësim Plaku Hejls: “Askush nga ne nuk martohet me përsosurinë; ne martohemi me potencialin” (“Meeting the Challenges of Today’s World”, f. 46).

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Cilat janë cilësitë e ngjashme me të Krishtit, më të rëndësishmet sipas jush, që do të donit t’i kishit te një bashkëshort/e? Çfarë po bëni për t’i zhvilluar ato cilësi te vetja?

Pjesa 3

Si mund të vendos se me kë të martohem?

Zgjedhja se me kë të martohemi duhet të jetë një vendim i kujdesshëm dhe i frymëzuar. Presidenti Tomas S. Monson dha një këshillë të vyer që e pa në një kornizë në shtëpinë e tetos dhe xhaxhait të tij: “Zgjidhe dashurinë tënde; dashuroje zgjedhjen tënde” (“Fuqia e Priftërisë”, Ensign ose Liahona, maj 2011, f. 68).

Ajo mund të na ndihmojë të pranojmë se nuk po kërkojmë një dashuri të vetme, të paracaktuar. Presidenti Spenser W. Kimball dha mësim: “‘Shpirtrat binjakë’ janë një trillim dhe iluzion” (“Oneness in Marriage”, Ensign, tetor 2002, f. 42). Plaku Hejls shpjegon se kur jemi duke marrë vendime të rëndësishme për jetën, përfshirë rreth martesës, “Ati Qiellor pret që ne ta përdorim lirinë tonë të zgjedhjes, ta studiojmë situatën në mendjen tonë sipas parimeve të ungjillit dhe t’i paraqitim Atij një vendim në lutje” (“Fryma e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 105).

Zoti dëshiron që individët të bëjnë përpjekjet e tyre më të mira dhe të mendohen mirë kur vendosin se me kë të martohen dhe të kërkojnë zbulesë pohuese rreth vendimit. Këto dhe parime të tjera për marrjen e zbulesës iu dhanë mësim Oliver Kaudërit në fillim të Rivendosjes.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 6:22–23 dhe 9:7–9. Teksa lexoni, kërkoni parime për marrjen e zbulesës që mund ta ndihmojnë dikë të vendosë të martohet ose jo me një person të caktuar. (Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 8:2–3; 11:12–14.)

një grua gjunjëzohet në lutje
ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Shkruani një pohim që e përmbledh atë që mësuat nga këto fragmente rreth marrjes së zbulesës nga Zoti.