Instituti
Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 6: Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia


“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 6: Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)

“Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 6”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme

një nuse dhe një dhëndër dalin nga tempulli

Materiali i Përgatitjes së Orës Mësimore për Mësimin 6

Martesa midis një Burri dhe një Gruaje Shugurohet nga Perëndia

Proklamata mbi familjen fillon me deklaratën solemne që “martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org). A e keni marrë parasysh arsyen pse profetët, apostujt dhe udhëheqës të tjerë të Kishës e japin vazhdimisht mësim këtë të vërtetë? Teksa e studioni këtë mësim, merreni parasysh se si ushtrimi i besimit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti mund t’ju ndihmojnë në qëndrimin tuaj kundrejt martesës.

Pjesa 1

Si më ndihmon njohuria për këndvështrimin e Atit Qiellor rreth martesës që ta kuptoj planin e Tij për mua?

Vitet e fundit, pikëpamjet mbi martesën kanë ndryshuar në shumë shoqëri. Cilat janë disa opinione që keni dëgjuar kohët e fundit?

Jo shumë kohë pasi u organizua Kisha, Leman Copley dëshiroi që misionarët t’ua predikonin ungjillin anëtarëve të grupit të tij të mëparshëm fetar, që quhej Shakers. Shakers-at nuk e pranonin martesën, duke besuar në vend të saj në një jetë me beqari absolute. Profeti Jozef Smith e pyeti Zotin në lidhje me këtë dhe bindje të tjera dhe mori një zbulesë.

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni te Doktrina e Besëlidhje 49:15–16, duke kërkuar atë që deklaroi Zoti për martesën.

Sikurse përdoret te vargu 15, fjala shugurohet do të thotë të urdhërohet, të themelohet ose caktohet me anë të një autoriteti sipëror (shih fjalorin Merriam-Webster.com, “ordain”; merreni parasysh të bëni një shënim të këtij përkufizimi në shkrimet tuaja të shenjta). Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi rëndësinë e martesës midis një burri dhe një gruaje kur dha mësim:

Plaku D. Tod Kristoferson

Një familje, e ngritur mbi martesën e një burri dhe të një gruaje, siguron [mjedisin] më të mirë që plani i Perëndisë të jetë plot gjallëri – mjedisin për lindjen e fëmijëve që vijnë nga Perëndia në pastërti e pafajësi dhe mjedisin për të mësuarin dhe përgatitjen që do t’iu nevojitet për një jetë të suksesshme në vdekshmëri dhe për jetë të përjetshme në botën që do të vijë. …

… Është [Perëndia] që në fillim krijoi Adamin dhe Evën sipas shëmbëlltyrës së Tij, mashkullin e femrën, dhe i bashkoi ata si bashkëshort e bashkëshorte. … Çdo individ e mbart në vetvete shëmbëlltyrën hyjnore, por është në bashkimin martesor të mashkullit e femrës si një të vetëm, që ata ndoshta fitojnë kuptimin më të plotë të faktit që ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë – mashkull e femër. As ne, as ndonjë tjetër njeri i vdekshëm nuk mund ta ndryshojë këtë rend hyjnor të martesës. Ai nuk është një shpikje njerëzore. Një martesë e tillë është me të vërtetë “nga lart, nga Perëndia” [shih Dietrich Bonhoeffer, Letters and Papers from Prison, red. Eberhard Bethge (1953), f. 42–43] dhe është po aq pjesë e planit të lumturisë, sa ç’është Rënia dhe Shlyerja. (“Përse Martesa, Përse Familja”, Liahona, maj 2015, f. 52)

Martesa sipas ligjit të Perëndisë është marrëdhënia më e shenjtë që mund të ekzistojë midis një burri e një gruaje. Presidenti Hauard W. Hanter shpjegoi:

Presidenti Hauard W. Hanter

Burri nuk është i plotë pa gruan. Asnjëri nuk mund ta përmbushë qëllimin e krijimit të vet pa tjetrin [shih 1 Korintasve 11:11; Moisiu 3:18]. Martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia [shih Doktrina e Besëlidhje 49:15–17]. Vetëm nëpërmjet besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës ata mund të arrijnë plotësinë e bekimeve të përjetshme [shih Doktrina e Besëlidhje 131:1–4; Doktrina e Besëlidhje 132:15–19]. (“Being a Righteous Husband and Father”, Ensign, nëntor 1994, f. 49)

Ata që hyjnë në besëlidhjen e re dhe të përjetshme të martesës dhe e mbajnë atë besëlidhje mund të marrin shkallën më të lartë të lavdisë në mbretërinë çelestiale (shih Doktrina e Besëlidhje 131:1–4). Ky është çasti kur ne “arrij[më] plotësinë e bekimeve të përjetshme”, i njohur edhe si ekzaltimi ose jeta e përjetshme. (Ju do të mësoni më shumë rreth besëlidhjes së re dhe të përjetshme të martesës në mësimin 10.)

një nuse dhe një dhëndër kapen për dore

Kujtojeni atë që keni mësuar në mësimet e mëparshme rreth natyrës së jetës së përjetshme. Plaku Robert D. Hejls, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:

Plaku Robert D. Hejls

Plani i Atit na siguron udhën për të trashëguar jetë të përjetshme, jetën që bënë prindërit tanë qiellorë. Në këtë plan, “gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin” [1 Korintasve 11:11]. Pikërisht thelbi i jetës së përjetshme përfshin martesën e përjetshme të burrit dhe të gruas, e cila është një pjesë thelbësore e bërjes si prindërit tanë qiellorë. (“Plani i Shpëtimit: Një Thesar i Shenjtë Diturie për të na Udhërrëfyer Ne”, Ensign ose Liahona, tetor 2015, f. 29)

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Si do ta shpjegonit arsyen përse martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe është thelbësore në planin e Tij të përjetshëm?

Pjesa 2

Po sikur të mos martohem në këtë jetë ose sikur martesa ime të përfundojë?

Për shkak të rrethanave të ndryshme, disa njerëz nuk martohen kurrë në këtë jetë pavarësisht nga dëshirat e tyre të drejta. Për disa që martohen, martesa e tyre përfundon në shkurorëzim. Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, i trajtoi këto rrethana kur dha mësim:

Presidenti Dallin H. Ouks

Disa që po e dëgjojnë këtë mesazh, ndoshta po thonë: “Po unë vallë?” Ne e dimë se shumë shenjtorëve të ditëve të mëvonshme, të denjë e të mrekullueshëm, aktualisht u mungojnë mundësitë ideale dhe kërkesat thelbësore për përparimin e tyre. Beqaria, mospasja e fëmijëve, vdekja dhe shkurorëzimi i pengojnë idealet dhe e shtyjnë përmbushjen e bekimeve të premtuara. … Por këto pengesa janë vetëm të përkohshme. Zoti ka premtuar se, në përjetësi, asnjë bekim nuk do t’u mohohet bijve dhe bijave të Tij që i mbajnë urdhërimet, që janë të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre dhe që dëshirojnë atë që është e drejtë. (“The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 75)

Ndonëse disa bekime të përjetshme mund të mos përjetohen plotësisht në këtë jetë, lumturia dhe përmbushja nuk janë lënë pezull për ata që nuk janë të martuar. (Kjo temë do të diskutohet më tej në një mësim të mëvonshëm.) Çdo njeri mund të përjetojë gëzim jetëgjatë e rritje kuptimplotë dhe të japë ndihmesa të nevojshme tani si pjesëmarrës plotësisht aktivë në planin dhe mbretërinë e Perëndisë.

ikonë, përsiatni

Përsiatni në Përgatitje për Orën Mësimore

Çfarë do t’u thoshit atyre që ndiejnë sikur i kanë humbur mundësitë e tyre për lumturi dhe jetë të përjetshme për shkak se nuk janë të martuar?

Pjesa 3

Si mund të më ndihmojë ushtrimi i besimit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti që ta kapërcej frikën dhe të përjetoj gëzim në martesë?

Mendoni rreth pyetjeve ose shqetësimeve që ju ose njerëzit përreth jush kanë rreth martesës. Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, e trajtoi një arsye pse disa njerëz i vonojnë përpjekjet e tyre për t’u martuar:

Plaku Kuentin L. Kuk

Disa e shtyjnë martesën derisa të përfundohet arsimimi dhe të gjendet puna. Ndonëse pranohet gjerësisht në botë, ky arsyetim nuk tregon besim, nuk pajtohet me këshillën e profetëve të kohës dhe nuk përputhet me doktrinën e shëndoshë. (“Zgjidhni me Mençuri”, Liahona, nëntor 2014, f. 47)

një e re në moshë madhore vështron mendueshëm perëndimin

Kundërshtari shpesh e shumëfishon frikën, arsyetimin si i vdekshëm ose shpërqendrimet, të cilat mund t’i pengojnë njerëzit që të kërkojnë martesën. Disa njerëz përjetojnë frikë përpara ose gjatë martesës, sepse kanë dëshmuar sfidat që vijnë nga shkurorëzimi. (Në mësimet e ardhshme, do të mësoni parime që mund t’ju ndihmojnë ta forconi martesën tuaj dhe ta parandaloni shkurorëzimin.)

Çfarë mund t’ju ndihmojë t’i qaseni martesës me vetëbesim?

ikonë, studioni

Studioni në Përgatitje për Orën Mësimore

Lexoni vargjet te Fjalët e Urta 3:5–6; 2 Timoteut 1:7; dhe Doktrina e Besëlidhje 6:36. Merreni parasysh se si mund të gjejnë zbatim këto mësime te qëndrimi që mbani ndaj martesës.

Presidentja Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim:

Presidentja Xhin B. Bingham

Ndonjëherë ne kemi frikë të mirëbesojmë ngaqë nuk e kuptojmë dashurinë dhe dëshirën absolute të Perëndisë për të na ndihmuar. Por kur e studiojmë planin e Atit Qiellor dhe misionin e Jezu Krishtit, ne e kuptojmë se synimi i Tyre i vetëm është lumturia dhe përparimi ynë i përjetshëm [shih Moisiu 1:39]. (“Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë”, Liahona, 2017, f. 86)

Kur individët martohen dhe të dy bashkëshortët vazhdojnë të ushtrojnë besim, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të vazhdojnë t’i udhërrëfejnë dhe bekojnë ata. Plaku Hju W. Pinok dha mësim ndërkohë që shërbente si anëtar i Të Shtatëdhjetëve: “Perëndia u përfshi në mënyrë jetike në martesën e [Adamit dhe të Evës] dhe Ai është po aq i interesuar dhe duhet të jetë po aq i përfshirë në çdo martesë sot” (“Making a Marriage Work”, Ensign, shtator 1981, f. 37). Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dëshirojnë t’ju ndihmojnë që t’ia dilni mbanë në krijimin e një martese të përjetshme.

ikonë, shënoni

Shënojini Mendimet Tuaja

Presidentja Boni H. Kordën, Presidentja e Përgjithshme e Të Rejave, vërejti: “Secila prej nesh duhet të pyes[ë]: Si të vazhdoj e përqendruar dhe të mos mbështetem në gjykimin tim? Si ta dalloj dhe ta ndjek zërin e Shpëtimtarit kur zërat e botës janë kaq imponues? Si ta kultivoj besimin te Shpëtimtari?” (“Kini Besim te Zoti dhe Mos u Anoni”, Liahona, maj 2017, f. 6) Shënojini mendimet tuaja rreth pyetjeve të Presidentes Kordën teksa ato lidhen me martesën. Gjithashtu merrni në shqyrtim nëse ka ndonjë gjë që nuk ju lejon të përpiqeni (ose të përpiqeni në mënyrë më aktive) për një martesë të përjetshme.