“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 8: Përpjekja për të Kuptuar Tërheqjen ndaj së Njëjtës Gjini dhe Dashuria për Vëllezërit dhe Motrat Tona LGBT”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme (2022)
“Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 8”, Materiali i Mësuesit – Familja e Përjetshme
Materiali i Përgatitjes për Orën Mësimore për Mësimin 8
Përpjekja për të Kuptuar Tërheqjen ndaj së Njëjtës Gjini dhe Dashuria për Vëllezërit dhe Motrat Tona LGBT
Ne jemi të gjithë fëmijë të dashur të prindërve qiellorë. Ne jemi gjithashtu individë me talente, aftësi dhe përvoja të pashoqe. Disa fëmijë të Perëndisë përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohen si lesbike, gej, biseksualë ose transgjinorë, zakonisht të njohur shkurtimisht si LGBT. (Tema për transgjinorët u diskutua në mësimin 7.) Si jeni përgjigjur ndaj atyre që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohen si LGBT? Nëse përjetoni tërheqje ndaj së njëjtës gjini, cila ka qenë përvoja juaj me familjen, miqtë dhe anëtarët e Kishës? Ndërsa e studioni këtë material, merrni parasysh se çfarë mund të bëni për të qenë më shumë si Shpëtimtari dhe për t’i trajtuar të gjithë fëmijët e Atit Qiellor me dashuri, përfshirje dhe respekt.
Pjesa 1
Si mund të më ndihmojë Shpëtimtari të tregoj dashuri dhe respekt për ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini?
Presidenti Tomas S. Monson dha mësim se “dashuria është pikërisht thelbi i ungjillit dhe Jezu Krishti është Shembulli ynë” (“Dashuria – Thelbi i Ungjillit”, Liahona, maj 2014, f. 91). Pranë përfundimit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari theksoi rëndësinë e dashurisë së vërtetë ndaj të gjithëve duke u dhënë dishepujve të Tij “një urdhërim të ri”.
Si anëtarët e tjerë të Kishës, ata që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini, kanë miq dhe familje, shpresa dhe ëndrra, anë të forta e dobësi dhe po përpiqen fort të lundrojnë nëpër sfidat e jetës sa më mirë që munden. Për fat të keq, disa njerëz që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose që identifikohen si LGBT, ndiejnë se nuk kanë vend në Kishën e Zotit. Në vend që të ndiejnë se i duan dhe i përkrahin, shumë ndihen të refuzuar, të izoluar, të pështjelluar dhe të frikësuar.
Ndërkohë që shërbente si këshilltare në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, Motra Karol F. Mek‑Konki dha mësim:
“Thjesht nuk mund të jemi ose madje ta quajmë veten një dishepull të Krishtit nëse nuk po i ndihmojmë të tjerët përgjatë atij shtegu [të besëlidhjeve]. Ungjilli i Jezu Krishtit nuk i lë mënjanë njerëzit. Njerëzit i lënë mënjanë njerëzit. …
Nëse do ta ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë në tokë, ne kemi nevojë që gjithsecili të vijë, të vijë dhe të bëjë pjesën e vet.” (“Lifting Others” [“Lartësimi Shpirtëror i të Tjerëve”] [02:49], ChurchofJesusChrist.org)
Mendoni për një çast rreth jetës së Shpëtimtarit. Kur e tregoi Ai dashurinë për njerëzit të cilët vuanin për t’u ndier të pranuar? Merreni parasysh se si mund t’ju ndihmojë vënia në praktikë e sugjerimeve vijuese që ta ndiqni më mirë shembullin e Shpëtimtarit për dashurinë kur diskutoni dhe kur ndërveproni me individë që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini:
-
Flisni dhe veproni me përkujdesje, shqetësim e dhembshuri të çiltër. Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim: “Si një kishë, askush nuk duhet të ketë më shumë dashuri dhe dhembshuri. … Le të jemi në pararojë për sa i përket shprehjes së dashurisë, dhembshurisë dhe përfshirjes.” (“Let Us Be at the Forefront” [“Le të Jemi në Pararojë”] [00:59], ChurchofJesusChrist.org; shikojeni materialin filmik për të mësuar më shumë.)
-
Ndërtoni mirëkuptim duke dëgjuar pa gjykuar. Presidentja Xhin B. Bingham, e Presidencës së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, tregoi: “Një nga mënyrat më të mira për të krijuar një marrëdhënie të mirë nuk është që të vijmë me hamendësime ose mendime të paramenduara, [por] duke e mbajtur mendjen dhe zemrën të hapur”. (Për të mësuar më shumë, shihni “Focus on the One” [“Përqendrohuni tek Individi”] [02:32], ChurchofJesusChrist.org.)
-
Kuptojeni se tërheqja dhe ndjenjat ndaj së njëjtës gjini janë reale. Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, këshilloi: “Një gjë që është gjithnjë e rëndësishme, është të dallojmë ndjenjat e një personi, se ato janë reale. Se ato janë të mirëfillta. Se nuk e mohojmë që dikush ndihet në një mënyrë të caktuar.” (Për të mësuar më shumë, shihni “Feelings Are Real and Authentic” [“Ndjenjat Janë Reale dhe të Mirëfillta”] [00:47], ChurchofJesusChrist.org.)
-
Përqendrohuni tek identiteti i përjetshëm. Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Jo të gjitha etiketimet kanë vlerë të barabartë. Por nëse ndonjë etiketim zëvendëson përcaktuesit tuaj më të rëndësishëm, rezultatet mund të jenë mbytëse nga ana shpirtërore. … Asnjë përcaktues nuk duhet t’i zhvendosë, zëvendësojë ose të marrë përparësi mbi këto tri emërtime afatgjata: ‘fëmijë i Perëndisë’, ‘fëmijë i besëlidhjes’ dhe ‘dishepull i Jezu Krishtit’” (“Zgjedhjet për Përjetësinë” [takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 15 maj 2022], ChurchofJesusChrist.org).
-
Nderojini urdhërimet dhe besëlidhjet e Perëndisë. T’i duam të tjerët ashtu si Shpëtimtari na do ne, nuk do të thotë që biem dakord me sjelljet që janë në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë, që i miratojmë ose nxitim ato. Jezu Krishti dha mësim: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Plaku D. Tod Kristoferson shpjegoi se urdhërimi i parë, për të dashur Perëndinë, është i pari për një arsye: “Vënia e urdhërimit të parë në radhë të parë, nuk e pakëson ose kufizon aftësinë tonë për të zbatuar urdhërimin e dytë [për të dashur të afërmin tonë]. Përkundrazi, e plotëson dhe e forcon atë. … Dashuria jonë për Perëndinë e rrit aftësinë tonë për t’i dashur të tjerët në mënyrë më të plotë e më të përsosur sepse ne në thelb jemi partnerë me Perëndinë për kujdesin ndaj fëmijëve të Tij” (“The First Commandment First” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 22 mars 2022], f. 2, speeches.byu.edu).
Ne e tregojmë dashurinë për Perëndinë dhe për të tjerët kur i komunikojmë qartë doktrinën dhe urdhërimet e Tij në mënyra të ndjeshme. Siç thuhet te burimet mbi Tërheqjen ndaj së Njëjtës Gjini, të botuara nga Kisha:
“Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e Kishës mbi atë që është moralisht e drejtë. Por ajo që po ndryshon – dhe ajo që duhet të ndryshojë – po i ndihmon anëtarët e Kishës të reagojnë me ndjeshmëri dhe duke u menduar mirë kur hasin tërheqje ndaj së njëjtës gjini në vetë familjet e tyre, midis anëtarëve të tjerë të Kishës ose diku tjetër.” (Në Same-Sex Attraction: Church Leaders, “Communicate Doctrine with Love” [Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Udhëheqësit e Kishës, “Komunikojeni Doktrinën me Dashuri”], ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Dallin H. Oaks, “What Needs to Change” [“Çfarë Nevojitet të Ndryshohet”] [material filmik], ChurchofJesusChrist.org)
Pjesa 2
Cilat janë disa gjëra që duhet t’i di rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini?
Terma të tillë si gej (nganjëherë i përdorur në përgjithësi për t’iu referuar dikujt që tërhiqet nga njerëzit e së njëjtës gjini me të vetën, dhe në raste të tjera i përdorur veçanërisht për t’iu referuar një burri që tërhiqet nga burrat), lesbike (një grua që tërhiqet nga gratë) ose biseksual (një burrë ose një grua që tërhiqet nga të dyja gjinitë) mund të përdoren për të treguar një ndjenjë, një identitet apo një stil jetese. Mbani mend që pavarësisht nga termi ose termat që përdor një person për të identifikuar ndjenjat apo orientimin e tij ose të saj seksual, identiteti ynë më i rëndësishëm është si një “bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, ChurchofJesusChrist.org).
Zhvillimi i seksualitetit tonë është i ndërlikuar dhe ndikohet nga shumë faktorë. Ndjenjat e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini mund të ndryshojnë në intensitet, mund të luhaten me kalimin e kohës dhe nuk janë të njëjta për këdo. Kisha nuk ka një qëndrim zyrtar në lidhje me shkaqet e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini. (Shih “Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët”, ChurchofJesusChrist.org.)
Nisur nga dashuria e thellë për fëmijët e Tij, Ati Qiellor na ka dhënë ligjin e dëlirësisë dhe na ka urdhëruar që marrëdhëniet seksuale të ndodhin “vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte” (“Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”). Ky ligj mbron qëllimet e shenjta të seksualitetit në planin e Perëndisë dhe gjen zbatim për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Ati Qiellor i ka shuguruar marrëdhëniet seksuale që të ndodhin midis një burri dhe një gruaje brenda besëlidhjes së martesës “për krijimin e fëmijëve dhe për shprehjen e dashurisë” (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Chastity” [“Dëlirësia”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Në përgjigje ndaj trysnisë shoqërore për t’i ndryshuar mësimet lidhur me ligjin e dëlirësisë, Plaku D. Tod Kristoferson pohoi:
“Ligji i dëlirësisë është zbatuar që nga vetë fillimi. … Doktrina jonë – jo thjesht bindja fetare, por doktrina – se në sytë e Zotit marrëdhëniet seksuale janë vetëm të përshtatshme dhe të ligjshme midis një burri dhe një gruaje të martuar legalisht e ligjërisht, është e pandryshueshme dhe nuk do të ndryshojë kurrë.” (Në Sarah Jane Weaver, “Church’s Doctrine on Chastity Will Never Change, Says Elder Christofferson”, Church News, 5 shkurt 2015, ChurchofJesusChrist.org)
Është e rëndësishme të bëhet dallimi midis ndjenjave dhe sjelljeve. Përjetimi i tërheqjes ndaj së njëjtës gjini ose të qenit gej, lesbike ose biseksual nuk e bën një person mëkatar, të keq apo të shkatërruar; megjithatë, të vepruarit sipas këtyre ndjenjave, duke e thyer ligjin e dëlirësisë, është një shkelje e urdhërimeve të Atit Qiellor.
Duke folur rreth qëndrimit të Kishës lidhur me tërheqjen ndaj së njëjtës gjini, Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na mësoi:
“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme beson se ‘përvoja e tërheqjes ndaj së njëjtës gjini është një realitet i ndërlikuar për shumë njerëz. Tërheqja në vetvete nuk është mëkat, por veprimi sipas nxitjeve që ndiejmë, është. Ndonëse individët nuk zgjedhin që t’i kenë tërheqje të tilla, ata vërtet zgjedhin se si t’u përgjigjen atyre’ [shih Tërheqja ndaj së Njëjtës Gjini: Individët, pjesa “A Është Mëkat të Ndiesh Tërheqje ndaj së Njëjtës Gjini?”, ChurchofJesusChrist.org].” (“The Lord Needs You Now!”, Ensign, shtator 2015, f. 29)
Mëshira e Zotit është në dispozicion për këdo që e ka thyer ligjin e dëlirësisë. Nëse zgjedhin të vijnë tek Ai dhe të pendohen, Ai do t’i falë ata.
Nëse anëtarët e Kishës që përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini ose identifikohen si LGBT, i mbajnë besëlidhjet e tyre, ata mund të marrin pjesë tërësisht në Kishë, të mbajnë thirrje dhe të adhurojnë në tempull (shih D. Tod Kristoferson, “LGBT People Who Live God’s Laws Can Fully Participate in the Church” [“Njerëzit LGBT që i Jetojnë Ligjet e Perëndisë, Mund të Marrin Pjesë Plotësisht në Kishë”] [00:48], ChurchofJesusChrist.org; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 97:8).
Nëse përjetoni tërheqje ndaj së njëjtës gjini, merreni parasysh se si burimi i përmendur në pjesën “Doni më Shumë?” mund ta bekojë jetën tuaj. Gjithashtu, nëse ndiheni rehat, merrni parasysh t’ia tregoni përvojën tuaj një pjesëtari të mirëbesuar të familjes, një miku, mikeje ose një udhëheqësi/eje të Kishës. Jini të kujdesshëm që të mos e emërtoni veten publikisht në mënyra që mund t’ju largojnë nga synimet tuaja të përjetshme.
Pjesa 3
Si u jap kuptim të gjitha opinioneve konkurruese rreth tërheqjes ndaj së njëjtës gjini?
Sot ka shumë këndvështrime të ndryshme rreth temave të martesës, familjes, tërheqjes ndaj së njëjtës gjini dhe LGBT‑ve. Kur mësojmë për këto tema, është e rëndësishme të përpiqemi të kuptojmë më mirë këndvështrimin e përjetshëm të Atit Qiellor.
Presidentja Bingham dha mësim sa vijon:
“Pikëpamja që i bën të gjitha gjërat e qarta, është një këndvështrim i përjetshëm: këndvështrimi i përsosur, gjithëpërfshirës i Atit tonë Qiellor. …
Nga pika e Tij e epërsisë, Perëndia na sheh ne dhe gjithçka përreth nesh ‘ashtu siç [jemi] në të vërtetë dhe … ashtu siç do të je[mi] në të vërtetë’ [Jakobi (LiM) 4:13]. Pikëpamja e Tij është afatgjatë në vend që të jetë e kufizuar për këtu dhe tani, duke e lejuar Atë të shohë potencialin tonë hyjnor në vend të thjesht gjendjes sonë të tanishme ose të kaluar. Dhe Ai i vështron të gjitha krijimet e Tij nëpërmjet syve të dashurisë.” (“How to Be Happy Now – and Forever” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”,10 dhjetor 2019], f. 2, speeches.byu.edu)
Teksa i lexoni të vërtetat vijuese dhe citimet përkrahëse nga profetët dhe apostujt, merrni parasysh se si mund t’ju ndihmojnë ato për të zhvilluar më tej një këndvështrim të përjetshëm mbi tërheqjen ndaj së njëjtës gjini.
-
Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij (shih 1 Nefi 11:17; 1 Gjon 4:9–10, 16).
Presidenti Monson dha mësim:
“Ati juaj Qiellor ju do – secil[i]n prej jush. Ajo dashuri nuk ndryshon kurrë. … Është atje për ju kur jeni të trishtuar ose të lumtur, pa kurajë ose plot shpresë. Dashuria e Perëndisë është atje për ju, pavarësisht nëse ju ndieni se e meritoni apo jo dashurinë.” (“Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Liahona, nëntor 2013, f. 123–124)
-
Shpëtimtari ka një të kuptuar të përsosur për përvojat tona dhe e di se si ta ndihmojë e forcojë secilin prej nesh (shih Alma 7:11–12).
Presidenti Ouks tha:
“Shpëtimtari ynë përjetoi dhe vuajti plotësinë e të gjitha sfidave të vdekshme. … Prandaj Ai i njeh mundimet tona, pikëllimet tona, tundimet tona dhe vuajtjen tonë, sepse Ai me gatishmëri i përjetoi ato të gjitha si një pjesë thelbësore e Shlyerjes së Vet. Dhe për shkak të kësaj, Shlyerja e Tij i jep Atij fuqinë për të na ndihmuar – për të na dhënë forcën për t’i duruar të gjitha.” (“Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2015, f. 61)
-
Ne të gjithë kemi vend në Kishën e Shpëtimtarit dhe në planin e përjetshëm të Atit Qiellor për lumturinë (shih Psalmeve 84:11–12; 1 Korintasve 12:12–26; Mosia 2:41).
Presidenti Ballard shpjegoi:
“Dëshiroj që kushdo që është anëtar i Kishës, që është gej ose lesbike, të dijë se unë besoj që ju keni një vend në mbretëri dhe e pranoj se nganjëherë mund të jetë e vështirë për ju që ta kuptoni se si keni vend në Kishën e Zotit, por ju keni vend”. (“Questions and Answers” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 14 nëntor 2017], f. 3, speeches.byu.edu)
Disa njerëz që përjetojnë tërheqjen ndaj së njëjtës gjini, gjithashtu kanë pyetur veten se si ata gjejnë vend në planin e Atit Qiellor për lumturinë pas kësaj jete. Profetët na kanë risiguruar se Ati ynë i dashur Qiellor do t’i bekojë të gjithë ata që kthehen tek Ai dhe mbeten besnikë ndaj Tij. Plaku Ulises Soares ka këshilluar:
“Të njëjtat parime zbatohen për ata prej jush që po përjetojnë tërheqje ndaj së njëjtës gjini dhe ndihen të shkurajuar e pa shpresë. Dhe mundet për këtë arsye [që] disa nga ju po ndieni se ungjilli i Jezu Krishtit nuk është më për ju. Nëse është kështu, unë dua t’ju siguroj se ka gjithnjë shpresë në Perëndinë, Atin, dhe në planin e Tij të lumturisë, në Jezu Krishtin dhe në flijimin e Tij shlyes dhe në të jetuarit e urdhërimeve të Tyre të dashura. Në urtësinë, fuqinë, drejtësinë dhe mëshirën e Tij të përsosur, Zoti mund të na vulosë si të Tijtë, që ne të mund të sillemi në praninë e Tij dhe të kemi shpëtim të përjetshëm, nëse jemi të paepur dhe të palëvizshëm në zbatimin e urdhërimeve [shih Alma 1:25] dhe të jemi gjithmonë plot me vepra të mira [shih Mosia 5:15].” (“Ta Marrim Kryqin Tonë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2019, f. 114)
-
Kur përqendrohemi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe i mbajmë besëlidhjet tona me Ta, ne mund të mbështetemi nëpërmjet shpresës (shih 2 Nefi 31:20).
Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë i Presidencës së Parë, dëshmoi:
“Ne shpresojmë në Jezusin, Krishtin, në mirësinë e Perëndisë, në shfaqjet e Frymës së Shenjtë, në dijen se lutjet dëgjohen dhe [marrin] përgjigje. … Kjo lloj shprese … na gjallëron me kurajë gjatë sfidave të vështira dhe u jep forcë atyre që ndihen të kërcënuar nga muret bllokues të frikës, dyshimit dhe dëshpërimit.” (“Forca e Pafundme e Shpresës”, Liahona, nëntor 2008, f. 23)